TIRANË- Sot, ora 24:00 është afati i fundit për dorëzimin e kandidaturave të demokratëve që duan të marrin drejtimin e Partisë Demokratike. Gara është hapur nga Komisioni i Rithemelimit, e ku kandidati i vetëm që ka plotësuar deri më tani dokumentet për të qenë kryetar i PD-së është Sali Berisha.

Ish-anëtari i Këshillit Kombëtar Edvin Kulluri dhe anëtari i Këshillit, Fatbardh Kadilli kishin shpallur në media kandidaturën për kreun e partisë, por pak ditë më parë njoftuan tërheqjen nga gara.

Nisur nga kjo, Sali Berisha është shprehur një ditë më parë se nëse do të jetë i vetëm në garë në datë 22 do mbajë një referendum nëse anëtarët e PD-së e duan si kryetar.

“Do të jem një lider referendar. Nuk jam Edi Rama të shpik rivalë. Nëse zgjidhem me referendum, nëse nuk zgjidhem i nënshtrohem verdiktit të tyre referendar”, tha ai.