Betohen kryetarët e rinj të komunave në veri

Kryetarët e rinj të Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit - komuna të banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës - bënë të enjten betimin në pozitat e tyre.

Të tre ata u zotuan se do të punojnë në të mirë të qytetarëve, duke respektuar ligjin.

"Uroj që ne, tani e tutje, të jemi në nivel të përgjegjësisë më të lartë, duke ua ofruar qytetarëve të Komunës së Zubin Potokut, pa asnjë dallim, të gjitha shërbimet", tha kryetari i ri i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri.

"Do të shkojmë në komunë të Zubin Potokut. Të gjitha objektet që u takojnë qytetarëve dhe komunës, do të jenë në posedim të të gjitha dikastereve të drejtuara nga kabineti [i komunës]", tha ai pas betimit.

Ceremonia e betimit të Zeqirit u zhvillua në objektin e Zyrës komunale për komunitete në fshatin Çabër të Zubin Potokut, ndërsa ceremonia për Ilir Pecin në Zveçan u zhvillua në shkollën fillore "Isa Boletini" në fshatin Boletin të kësaj komune.

"Do të punoj për të gjithë. Do të jem i barabartë për të gjithë qytetarët e Komunës së Zveçanit", tha Peci.

Ai tha se nuk e di se kur do të mund të ketë qasje në objektin kryesor të komunës, që shfrytëzohet edhe nga strukturat paralele serbe.

Betimin e bëri edhe kryetari i ri i Leposaviqit, Lulzim Hetemi, ndërsa ai i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, e ka bërë më 19 maj.

Kryetarët e këtyre katër komunave me shumicë serbe - që të gjithë shqiptarë - kanë dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të prillit, të cilat janë bojkotuar nga komuniteti serb, pas kërkesës së partisë së tij kryesore, Lista Serbe.

Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar qysh të mërkurën se, për arsye sigurie, kryetarët e Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit do të betohen në ndërtesa publike në këto komuna, e jo në kuvendet komunale.

Katër komunat në veri kanë qenë pa kryetarë qysh në fillim të nëntorit, kur udhëheqësit e tyre - që të gjithë nga Lista Serbe - kanë dhënë dorëheqje.Institucionet e Kosovës i kanë braktisur edhe zyrtarë të tjerë serbë në veri, në shenjë kundërshtimi ndaj një vendimi të Qeverisë në Prishtinë, për t'i riregjistruar makinat me targa ilegale serbe.

Pjesëtarët e komunitetit serb i kanë bojkotuar zgjedhjet e prillit dhe kanë thënë se nuk i pranojnë rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj nga komuniteti shqiptar.Pjesëmarrja në këto zgjedhje ka qenë 3.47 për qind.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se qytetarët serbë janë të frikësuar nga Beogradi zyrtar, por ka theksuar se Qeveria e tij synon t'i funksionalizojë institucionet, në mënyrë që të garantohen shërbime publike për të gjithë qytetarët.Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiç, i ka dhënë ultimatum Qeverisë së Kosovës deri më 1 qershor për të ndaluar, siç ka thënë, "represionin, shpronësimin, arrestimin, persekutimin dhe sulmet ndaj serbëve".

Edhe pse nuk ka sjellë ndonjë provë për këto pretendime, ai ka thënë se, në të kundërtën, "përgjigjja e popullit serb do të pasojë më 1 qershor" me "të gjitha mjetet".Simiçnuk ka specifikuar më shumë.

Reagimet nga Beogradi

Nga Beogradi zyrtar ka pasur, po ashtu, reagime kundër kryetarëve shqiptarë në komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Duke nënvizuar se "ata nuk do të pranohen kurrë si kryetarë", presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë se kjo është përpjekje për "presion mbi serbët" që "të largohen nga shtëpitë e tyre".

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, e ka quajtur

"pushtim" ardhjen në detyrë të kryetarit të ri të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiç, duke thënë se me veprimet e tyre, "Kurti dhe Prishtina [zyrtare] duan ta dëbojnë popullin serb nga Kosova dhe të provokojnë luftë".

As Vuçiç, as Petkoviç nuk kanë ofruar asnjë provë që do t'i mbështeste pretendimet e tyre

Çfarë ka thënë komuniteti ndërkombëtar?

Shtetet e QUINT-it (SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuara, Gjermania, Franca dhe Italia) kanë shprehur shqetësimin e tyre për zgjedhjet lokale të mbajtura në veri të Kosovës më 23 prill, duke thënë se ato nuk përbëjnë zgjidhje politike të qëndrueshme për komunat e përfshira, për shkak të bojkotimit nga komuniteti serb.

Nëpërmjet një deklarate të përbashkët, të publikuar më 18 maj, këto shtete u kanë bërë thirrje të gjithë aktorëve "që urgjentisht të punojnë së bashku, me të gjitha palët e interesuara, përfshirë komunitetet lokale, drejt një zgjidhjeje që siguron demokraci të qëndrueshme, përfaqësuese dhe pjesëmarrëse në këto komuna".REL

M.Q./KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Rriten investimet e huaja në vend, rekord në pasuri të patundshme! Kryesojnë Turqia, Italia dhe Holanda

Rriten investimet e huaja në vend, rekord në pasuri të patundshme! Kryesojnë Turqia, Italia dhe Holanda