Sot dita e Alfabetit shqip, ministrja
Kumbaro në Maqedoni

Sot dita e Alfabetit shqip, ministrja<br />Kumbaro në Maqedoni
MANASTIR- Sot në Maqedoni shqiptarët shënojnë 22 Nëntorin, Ditën e Alfabetit Shqip, i cili u unifikua 105 vjet më parë në Kongresin e Manastirit.

Ministrja e Kulturës e Shqipërisë Mirela Kumbaro është e ftuar të marrë pjesë në festime.

Në axhendën e vizitës pritet që në orën 16.00 të ketë takim bilateral me Ministren e Kulturës së Maqedonisë, Znj.Elisabeta Kancevska Milevska, në Manastir- Muzeu i Alfabetit shqip. Po kështu në orën 16.45 të ketë një deklaratë për mediat në Muzeun e Alfabetit shqip. Në orën 19:00 të jetë në ceremoninë zyrtare në Shtëpianëe Kulturës, Manastir.

Në këtë ceremoni do të mbajë fjalën zëvendëskryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, Z. Musa Xhaferi, Ministrja e  Kulturës së Republikës së Maqedonisë Znj. Elisabeta Kancevska Milevska dhe Ministrja e Kulturës së Republikës së Shqipërisë, Znj. Mirela Kumbaro Furxhi.
 
KONGRESI I MANASTIRIT
 Kongresi i Manastirit u zhvillua nga 14-22 nëntor të vitit 1908.  Në të morën pjesë 50 delegatë nga 26 qytete të ndryshme, klube dhe shoqata. Në këtë Kongres u miratua vendimi që të pranohet alfabeti latin me disa ndryshime të shkronjave duke i adaptuar ato për gjuhën shqipe.

 Në Manastir, në atë kohë, kanë marrë pjesë intelektualë shqiptarë nga të gjitha trojet shqiptare, pasi qyteti ka qenë qendër e konsujve dhe ishte më i sigurtë për mbarëvajtjen e këtij procesi të rëndësishëm kombëtar.

 Kryetar i Kongresit u zgjodh Mit’hat Frashëri, kurse nënkryetarë ishin Luigj Gurakuqi dhe Gjergji Qiriazi, ndërsa motra e tij Parashqevi Qiriazi, ishte gruaja e vetme në këtë Kongres.

 Sipas numrit dhe rëndësisë së pjesëmarrësve, Kongresi i Manastirit ka qenë ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar në fillimet e shekullit XX, ku si rezultat i kësaj pune më 28 Nëntor të vitit 1912 u shpall edhe pavarësia e Shqipërisë.

Për shqiptarët e Maqedonisë kjo ditë është ditë feste dhe nuk punohet, ndërsa në Manastir funksionon Muzeu i Alfabetit të Gjuhës Shqipe, në të cilin gjenden rreth 56 fotografi të pjesëmarrësve dhe 230 dokumente në formë dixhitale dhe në letër.

 105-vjetori i Alfabetit të Gjuhës Shqipe u përkujtua dje në Çair të Shkupit, ku u bë edhe hapja solemne e shkollës së re ''Kongresi i Manastirit''.

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)
 

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Caktimi i datës së zgjedhjeve në Kosovë, Kurti nuk i shkon në takim Vjosa Osmanit! Presidentja: Mund ta pyesni atë, supozoj se është në zyrë

Caktimi i datës së zgjedhjeve në Kosovë, Kurti nuk i shkon në takim Vjosa Osmanit! Presidentja: Mund ta pyesni atë, supozoj se është në zyrë