Sot është dita e fundit e agjërimit për besimtarët myslimanë ndërsa ditën e nesërme do të kremtohet muaji i shenjtë i Ramazanit me festën e Fitër Bajramit. Besimtarët do të mblidhen për faljen e madhe nesër në orën 06:30 në sheshin ‘Skënderbej’ teksa ceremonia do të nisë me leximin e Kuranit dhe ligjëratën.
Një urim për të gjithë besimtarët, ka ardhur nga kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë Bujar Spahiu. Ai përcjell urimet më të përzemërta për paqe, shëndet dhe begati në familje e më gjerë.
“Sot jemi në ditën e fundit të një muaji adhurimi, mëshire, falje e solidariteti. Ju përcjell urimet më të sinqerta me rastin e kësaj feste të bukur. Ramazani ishte një udhëtim shpirtëror, i përkushtimit, sakrificës dhe afrimit me zotin. Përmes agjërimit, lutjeve dhe veprave të mira, ne forcuam besimin tonë dhe ndenjën e solidaritetit me njëri-tjetrin. Fitër Bajrami është festa që na kujton vlerat më të mëdha njerëzore, mëshirën, dashurinë dhe faljen dhe ndihmën ndaj atyre që kanë nevojë. Le të jetë kjo ditë një moment gëzimi dhe bashkimi për çdo familje shqiptare. Në emër të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë ju uroj gëzuar Fitër Bajramin. Zoti e pranoftë agjërimin dhe lutjen tuaj, ju dhëntë paqe dhe begati në familjen tuaj”, tha kreu i KMSH Bujar Spahiu.
Me rastin e Fitër Bajramit, dhe myftiu i Korçës Ledjan Cikalleshi ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë. Myftiu i Korçës thotë se muaji i shenjtë i Ramazanit “na mësoi se mirësitë dhe begatitë që na ka dhënë i plotfuqishmi” ndërsa shton se Fitër Bajrami është ditë shprese për të ardhmen.
“Atmosfera shpirtërore që përjetuam gjatë muajit të bekuar të Ramazanit na forcon dhe motivon ta shohim festen e Fitër Bajramit si ditën e shpresave të reja, si ditën e të kujtuarit dhe solidaritetit me njëri-tjetrin, si ditën e ripërtëritjes së dashurisë për njeriun dhe njerëzoren”, tha myftiu i Korçës Ledjan Cikalleshi.
Lami në përditësim...
Komente











