Sot festa e Sulltan Novruzit, Baba Mondi uron besimtarët: T’i lutemi zotit që lufta në Ukrainë të përfundojë! Rama: Ju uroj një ditë me dritë brenda vetes

Besimtarët bektashianë festojnë sot Ditën e Sulltan Novruzit, ditëlindjen e të madhit Imam Aliu në Qabe, në të cilën sipas legjendës çdo gjë ringjallërohet, lind shpresa e ringjallja për njerëzimin. Ajo është një ditë e re, kur të gjithë shpresojnë për një të ardhme më të mirë. 

Dita e paqes, dashurisë dhe e begatisë për njerëzimin e ka quajtur Kryegjyshi Botëror i Bektashinjëve, Hirësia e Tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj “Sulltan Novruzin”, duke dërguar dhe një mesazh urimi për të gjithë besimtarët bektashinj një ditë para festës.

Për Kryegjyshin Botëror festa e ”Sulltan Novruzi”, është një ditë me rëndësi pasi përkon me ditëlindjen e Imam Aliut, dhe shënjon ditën e re të fisnikërisë dhe ringjalljes së natyrës në besimin bektashian.

“Mesazhi im për këtë ditë të shenjtë është që të gjithë njerëzit t’i drejtohen Zotit, për dashuri, paqe, mirësinë dhe begatinë. T’i luten Zotit që të pushojë kjo luftë dhe këtë pandemi t’a largojë nga njerëzimi për të gjithë botën”, tha Baba Mondi.

I pari i cili ka uruar besimtarët bektashinj për festën e ‘Sulltan Novruzit”, ishte kryeministri Edi Rama. Ai i uroj të gjithëve një ditë me dritë brenda vetes. Urimet e saj ka shprehur edhe ministrja e Jashtme, Olta Xhacka.

Sipas presidentit, Ilir Meta kjo është dita simbol e fitores së pranverës mbi dimrin dhe i shpresës mbi dëshpërimin.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:56
Meta s'komenton largimin e Bashës: Pranvera të na ftojë për më shumë optimizëm

Presidenti Ilir Meta ka zgjedhur që të mos komentojë dorëheqjen e shumëkërkuar të Lulzim Bashës.

"Nuk kam përgjigje për pyetje që nuk kanë vend në oborrin e Kryegjyshatës, paqja dhe e mira të mbretëroj në zëmrën e çdo shqiptare që  po ndeshen me vështirësi më të mëdha edhe për shkak të çmimeve dhe krizave ekonomike dhe t'i bashkohem lutjeve për paqe në botë e sidomos në Ukrainë, ku po vuajnë kaq shumë njerëz të pafajshëm, le të na ftojë për më shumë optimizëm", tha Meta.

Lajm në përditësim 

Ora 12:03
Tirana gati të presë refugjatët nga Ukraina, Veliaj: 15 fëmijë në shkollat tona! Të solidarizohemi me ata që jetojnë momente të vështira

Pas refugjatëve nga Afganistani, Tirana është gati të mikpresë edhe të larguarit nga lufta në Ukrainë. Nga selia e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane në Shqipëri, ku i uroi festën të gjithë besimtarëve bektashinj, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj tha se refugjatët e parë do të strehohen në familjet e Tiranës, ndërkohë që bashkia po merr të gjitha masat e nevojshme nëse ky numër do të rritet.

“Ambasadori më informoi se kamioni me ushqime, që u nis nga Tirana, ka mbërritur në Ukrainë. Kemi edhe dy kamionë të tjerë për të nisur, ndërkohë që kanë filluar të vijnë familjet e para nga Ukraina. Në dy ditët e ardhshme do të presim 40 nëna me fëmijë dhe për këtë, si unë, ashtu edhe ambasadori, duam të falenderojmë familjet e Tiranës. Disa do të strehohen në familje private - pra, shumë familje janë ofruar për t’i mbajtur në shtëpi. Sigurisht, edhe ne si bashki do të përgatitemi që, në qoftë se numrat do të shtohen, do të veprojmë njësoj siç u veprua me refugjatët që erdhën nga Afganistani”, tha Veliaj. 

Kreu i Bashkisë shtoi se edhe kjo sfidë do të menaxhohet me shumë seriozitet, pa cenuar as strehimin e studentëve në konvikte. “Unë e di, për një vend të pamësuar me këto gjëra, ka gjithmonë histeri - jo na morën konviktet, por nuk ndodhi asnjë gjë e tillë. Sigurisht, për të treguar njerëzillëk, do të duhet të bëhet procesimi i tyre në një mjedis të përkohshëm. Siç e patë, kontingjenti i parë i të ardhurve nga Afganistani, është nisur për në SHBA. Pra, kombet serioze nuk vënë kujën, përkundrazi si familjet tona, që edhe në ditë të vështira, kanë nisur me pak, ashtu edhe një komb sillet si një familje serioze. Askush nuk do të cenohet, as me konviktet, as me apartamentet. Është një gjë që do ta menaxhojmë me shumë seriozitet dhe me shumë përulësi. Është një mundësi që këtë festë, thirrja për të shërbyer, të materializohet në një shërbim konkret”, deklaroi ai.

Ambasadori i Ukrainës në Tiranë, Volodymyr Shkurov, i shprehu mirënjohjen qytetarëve shqiptarë dhe institucioneve për mbështetjen në këtë situatë të vështirë për Ukrainën. “Dua të falenderoj qytetarët dhe qeverinë shqiptare për solidaritetin dhe mbështetjen. Kemi një bashkëpunim të mirë me qeverinë, ku kemi 50 fëmijë, të cilët do të shkojnë në shkolla”, tha ambasadori Shkurov.

Ndërkaq, Veliaj theksoi se ky është edhe një moment solidariteti me njerëzit në nevojë, për të mos i vendosur pengesa njëri-tjetrit. “Ky është një moment që, jo vetëm t’i gëzohemi faktit se natyra rilind dhe vjen pranvera, por ndoshta secili prej nesh bën një introspekt të vetes, dhe thotë: a mund të bëhem pak më i mirë, mund të jem pak më i dobishëm? Mund të duhemi më shumë dhe të urrehemi më pak? Mund ta inkurajojmë më shumë njëri-tjetrin, pa i vënë stërkëmbësha? Unë them se e kemi vetë në dorë që të jemi më të mirë me njëri-tjetrin. Le të jemi mirënjohës për njëri-tjetrin, për atë që kemi dhe për atë që Perëndia dhe Abaz Aliu na ka dhënë në Kombin tonë, në tokën tonë, dhe duke u solidarizuar me ata që jetojnë në momente të vështira”, deklaroi Veliaj.

 

Ora 09:15
Festa e Sulltan Novruzit, ministrja e Jashtme: Dita e mirësisë dhe tolerancës, uroj begati dhe paqe

Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka ka uruar të gjithë shqiptarët për Ditën e Sulltan Novruzit, të cilën e cilësoi si atë të mirësisë dhe tolerancës.

“Gëzuar Ditën e Sulltan Novruzit, ditën e mirësisë dhe tolerancës. Me fillimin e pranverës si kohë ripërtëritjeje dhe shpresës së jetës në këto kohë sfiduese, i uroj besimtareve bektashinj  paqe, begati dhe lumturi!”, shkruan ministrja.

Ora 09:15
Dita e Sulltan Novruzit, Meta uron besimtarët me pamjet e Malit të Tomorit: Shëndet të mirë dhe mbarësi për të gjithë

 

Presidenti Ilir Meta ka uruar besimtarët bektishiane për Festën e Sulltan Novruzit. Meta shkuan se kjo është një ditë simbol i fitores së pranverës mbi dimrin dhe i shpresës mbi dëshpërimin.

'Me këtë super pamje nga Mali i shenjtë i Tomorrit ju uroj përzemërsisht: Gëzuar Sulltan Nevruzin, festën simbol të fitores së pranverës mbi dimrin, të shpresës mbi dëshpërimin! Shëndet të mirë dhe mbarësi për të gjithë! Ju ndihmoftë Abaz Aliu dhe të keni bekimet e Zotit!'- shkruan Meta.

 

Ora 08:16
Festa e Sulltan Novruzit, Rama: Ju uroj të gjithëve një ditë me dritë brenda vetes

Kryeministri Edi Rama ka uruar besimtarët bektashinj për festën e Sulltan Novruzit.

‘Mirëmëngjes dhe me teqenë magjike të Sari Salltikut e me urimin për besimtarët bektashinj në këtë ditë të shënuar sot për ta, ju uroj të gjithëve një ditë me dritë brenda vetes!’- shkruan Rama.

M.Q.//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Gili dhe Redoni tërhiqen nga gara, Egli në lot, ja si reaguan banorët e tjerë

Gili dhe Redoni tërhiqen nga gara, Egli në lot, ja si reaguan banorët e tjerë