Sot 'Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut', Begaj: Kujtesë që duhet të dhe mbrojmë të drejtat e çdo qenie njerëzore! SHBA: Të ndërtojmë botën ku respektohen të gjithë

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut. Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut, e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më 10 dhjetor 1948 në Palais de Chaillot, Paris, lindi si përgjigje ndaj tmerreve të Luftës së Dytë Botërore dhe përfaqëson përpjekjen e parë globale për të artikuluar mbrojtjen e atyre të drejtave që shumë persona besonin se ishin të drejta themelore që i takojnë të gjitha qenieve njerëzore.

Përmes një postimi në Facebook, Presidenti Bajram Begaj përkujton këtë ditë duke thënë se janë dashur shumë përpjekje e janë sakrifikuar shumë jetë derisa është mbërritur te Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut. Përmes thënies së Nënë Terezës e cila thoshte: “Të Drejtat e Njeriut nuk janë një privilegj i dhënë nga qeveria, ato janë të drejtat e çdo qenie njerëzore nga virtytet e njerëzimit të tij", Begaj thotë se kjo është ditë kujtese dhe mesazhi që të gjithë kemi përgjegjësi për të garantuar dhe mbrojtur të drejtat e çdo qenie njerëzore.

"Miliona njerëz në botë, sot nuk i gëzojnë të drejtat universale për shkak të një sëre pabarazish dhe padrejtësish të sistemeve politike, për shkak të luftërave, të gjuhës së urrejtjes, diskriminimit, dhunës dhe mungesës së tolerancës ndaj dallimeve. Ne shqiptarët e dimë mirë se çfarë është gjuha e urrejtjes, e diskriminimit dhe e dhunës, prandaj apelojmë me forcë, me qëllim që gjithësecili të ndjehet i detyruar për respektimin e të drejtave të të gjithë njerëzve, pa dallim të gjinisë, racës, fesë, bindjes politike, orientimit seksual, prejardhjes kombëtare apo sociale, statusit shoqëror apo çdo statusi tjetër.

Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut, është ndërkaq edhe një ditë kujtese dhe mesazhi që të gjithë kemi përgjegjësi për të garantuar dhe mbrojtur të drejtat e çdo qenie njerëzore. Sepse çështja e të drejtave të njeriut nuk mund të jetë çështje e një dite dhe as vetëm e një apo e disa institucioneve. Ajo është dhe mbetet çështje e gjithë shoqërisë, sepse siç ka thënë shqiptarja më e madhe në botë, e shenjta Nënë Tereza:

“Të Drejtat e Njeriut nuk janë një privilegj i dhënë nga qeveria, ato janë të drejtat e çdo qenie njerëzore nga virtytet e njerëzimit të tij”” – shkruan Begaj.

Kryetarja e Parlamentit Lindita Nikolla njoftoi se ka kërkuar ngritjen e një strukture të posatme për luftimin e parandalimin e dhunës ndaj grave dhe në familje. Mesazhe për këtë ditë dhanë edhe ambasadat e SHBA e BE, që kërkuan riangazhim për të ndërtuar një botë ku respektohen të gjithë.

Çfarë ndodhi më 10 dhjetor 1948

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara nxori dhe shpalli Deklaratën Universale pёr të Drejtat e Njeriut. Pas këtij akti historik, Asambleja ftoi të gjitha shtetet anëtare që ta shpallin tekstin e Deklaratës dhe të përpiqen që të përhapet, të paraqitet, të lexohet dhe të shpjegohet sidomos në shkolla dhe institucione të tjera edukative të të gjitha vendeve dhe shteteve pa marrë parasysh statusin e tyre politik.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:33
Sot ‘Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut’, delegacioni i BE: Tematika e këtij viti ‘Dinjiteti, liria dhe drejtësia’

1670672234_finalprojekt.00245217.Still001.jpg

Delegacioni i BE në Tiranë ka reaguar për ‘Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut’ duke thënë se Dinjiteti, Liria dhe Drejtësia do të jetë tematika e këtij viti.

“Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut përcakton të drejtat e patjetërsueshme që kushdo i gëzon.  Tematika e këtij viti është "Dinjiteti, liria dhe drejtësia për të gjithë", si një thirrje për të vepruar për të mbrojtur dhe promovuar të drejtat e njeriut”, shkruan delegacioni BE në Tiranë.

Ora 11:43
Sot 'Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut', Nikolla: Të ngrihet Njësia e Posaçme për luftimin e parandalimin e dhunës ndaj grave dhe në familje

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të së Drejtave të Njeriut, kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla ka dhënë një mesazh. Kryepalamentarja thekson rëndësinë e mbrojtjes prej dhunës me bazë gjinore dhe nga dhuna në marrëdhëniet familjare.

Kësaj dite reflektimi i parapriva me një nismë ligjore. Si deputete, dje dorëzova në Kuvend projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9669, datë 18.12.2006, “Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”, të ndryshuar.

Në këtë projektligj propozoj ngritjen e institucionit të Komisionerit për mbrojtjen nga dhuna  me bazë gjinore dhe dhuna në marrëdhëniet familjare.

Propozova gjithashtu që, për të koordinuar më mirë masat e programet mbrojtëse, të ngrihet Njësia e Posaçme për luftimin dhe parandalimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje.

Vizioni i institucioneve të reja do të jetë parimi i Xhefersonit se të drejtat e grave, si pjesë integrale e të drejtës së jetës, lirisë dhe arritjes së lumturisë, janë të patjetërsueshme, as mund të jepen, as mund të merren, as mund të cënohen.

10 dhjetori është për të gjithë një ditë reflektimi e beteje me vetveten.”, shkruan Nikolla.

Ora 09:30
Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut, ambasada e SHBA në Tiranë: Të riangazhohemi për ndërtimin e një bote ku respektohen të drejtat kudo

1670661241_yb.JPG

Ambasada amerikane në Shqipëri ka reaguar për Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut duke shkruar se të gjithë  duhet të angazhohen për të ndërtuar një botë ku respektohen të drejtat e njeriut të të gjithëve.

“Sot, në Ditën e të Drejtave të Njeriut, ne festojmë trashëgiminë e Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut dhe riangazhohemi për të ndërtuar një botë ku të drejtat e njeriut të të gjithëve respektohen kudo.

Që nga miratimi i saj më 10 dhjetor 1948, UDHR ka shërbyer si teksti themelor që ruan të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të qenësishme për të gjithë individët, duke frymëzuar miratimin e më shumë se 70 traktateve të të drejtave të njeriut”, shkruan në Twitter ambasada amerikane në Shqipëri.

/LR/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Jubileu 2025, Papa Françesku hap derën e shenjtë në burg

Jubileu 2025, Papa Françesku hap derën e shenjtë në burg