TIRANË- Merr fund ‘odiseja’ e mandatit të Holta Zaçajt në Gjykatën Kushtetuese. Nga sot, ajo nuk do të jetë më anëtare dhe as kryetare e kësaj gjykate. Gjyqtari Asim Vokshi u betua këtë të martë në Presidencë si anëtari më i ri i gjykatës për një mandat 9-vjeçar. Pas betimit, ai shtrëngoi duart me Zaçajn, mandati i së cilës ka mbaruar që në muajin prill.
“Betohem se gjatë kryerjes së detyrave të mia, do i qëndroj besnik kurdoherë Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë”, u betua Vokshi para kreut të shtetit Bajram Begaj.
Zaçaj, më herët sot, në një reagim, tha se pati mundësinë të tregonte vizionin e saj për administrimin dhe drejtimin e gjykatës. Duke përmendur arritjet, Zaçaj ndalet te çështja e kohëzgjatjes së mandateve, për të cilën thotë se, pavarësisht interpretimeve të ndryshme, dha një kontribut që shkon përtej kahjes personale.
"Viti 2025 u mbyll me një prej sfidave më të rëndësishme për institucionin: çështjen e kohëzgjatjes së mandateve të gjyqtarëve kushtetues. Sa kohë mandati i gjyqtarit kushtetues është i lidhur ngushtë me pavarësinë e vetë atij sikundër edhe të kësaj Gjykate, paqartësitë në këtë drejtim ndikojnë në funksionimin sistemik të institucionit, por edhe në aspektin personal të gjyqtarëve. Në këtë drejtim mendoj se dhashë një kontribut që shkon përtej kahjes personale, pavarësisht ndonjë interpretimi të ndryshëm.", tha ajo.
Betimi i Vokshit vjen pas rreth dy muajsh pasi Gjykata e Lartë e shpalli fitues për zëvendësimin e Zaçajt, por rezultati u kundërshtua nga kandidatja tjetër Naureda Llagami. Ajo pretendoi në Gjykatë Administrative dhe më pas në Kushtetuese, që një votë e shpallur e pavlefshme, i takonte asaj, e rrjedhimisht e bënte atë gjyqtare kushtetuese. Por pretendimi i saj u rrëzua nga vetë Gjykata Kushtetuese.
Ndërkohë, ikja e Zaçajt do të bëjë që gjykata të zgjedhë edhe një kryetar të ri, pasi përkohësisht drejtohet nga nënkryetarja Marsida Xhaferllari. Presidenti Begaj hapi në fillim të muajit thirrjen për kandidatë që do të zëvendësojnë Sonila Bejten, një tjetër gjyqtare në proces largimi, thirrje e cila është e hapur deri në 30 nëntor.
Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese ka më shumë se një vit që ka një gjyqtar kushtetues mangët. Elsa Toska u dorëhoq në shtatorin e vitit 2024, por prej asaj kohe, përplasjet institucionale kanë penguar zëvendësimin e saj.

Holta Zaçaj, e cila do të zëvendësohet nga Asim Vokshi në Gjykatën Kushtetuese, ka dhënë një deklaratë për mediat, teksa flet për reflektimet dhe arritjet e gjykatës gjatë kohës që ajo e drejtoi. Zaçaj thotë se viti 2025 mbyllet me sfidën e kohëzgjatjes së mandateve të gjyqtarëve kushtetues, teksa thotë se në këtë drejtim, ka dhënë një kontribut të rëndësishëm, pavarësisht ndonjë interpretimi të ndryshëm.
Ajo thotë se nga viti 2023-2025, Kushtetuesja është përballur me vendimmarrje të rëndësishme, duke dështuar edhe njëherë rolin e saj si garante e Kushtetutës. Në deklaratë, Zaçaj shprehet se gjatë këtyre tre viteve janë marrë nisma që mungonin prej vitesh dhe që sot përbëjnë praktika të konsoliduara me ndikim afatgjatë.
Deklarata e plotë:
Në përfundim të mandatit tim si gjyqtare dhe njëkohësisht edhe si kryetare e Gjykatës Kushtetuese, dëshiroj të ndaj me publikun disa reflektime mbi punën dhe arritjet e kësaj Gjykate përgjatë tre viteve në të cilat pata privilegjin, përgjegjësinë dhe kënaqësinë të ushtroj këtë funksion kushtetues. Kjo periudhë jo vetëm përputhet me pritshmëritë e mia për këtë mandat, por më lejoi edhe që të realizoj vizionin tim për administrimin dhe drejtimin e Gjykatës Kushtetuese.
Viti 2025 u mbyll me një prej sfidave më të rëndësishme për institucionin: çështjen e kohëzgjatjes së mandateve të gjyqtarëve kushtetues. Sa kohë mandati i gjyqtarit kushtetues është i lidhur ngushtë me pavarësinë e vetë atij sikundër edhe të kësaj Gjykate, paqartësitë në këtë drejtim ndikojnë në funksionimin sistemik të institucionit, por edhe në aspektin personal të gjyqtarëve. Në këtë drejtim mendoj se dhashë një kontribut që shkon përtej kahjes personale, pavarësisht ndonjë interpretimi të ndryshëm.
Përgjatë periudhës 2023–2025 Gjykata Kushtetuese është përballur me vendimmarrje me rëndësi të veçantë, të cilat kanë dëshmuar edhe një herë rolin e saj të pazëvendësueshëm si garante e Kushtetutës. Trupa e gjyqtarëve ka punuar me përkushtim, duke përballuar një numër rekord çështjesh, të cilat në tre vitet e fundit janë shtuar me 35-40%, duke arritur edhe deri në rreth 400 çështje të shqyrtuara në vit, nga të cilat një numër i konsiderueshëm, 85-90 çështje, janë mbyllur me vendime përfundimtare. Gjykata ka vazhduar të shqyrtojë çështjet e kaluara në seancë plenare brenda një periudhe 8-mujore dhe çështjet e tjera brenda afatit ligjor 3-mujor, duke vazhduar të mos ketë çështje të prapambetura.
Me kënaqësi vërej se këto tre vite intensive kanë kontribuar në ridimensionimin e rolit dhe profilit të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë.
I. Arritjet ndërkombëtare
Kjo periudhë ka shënuar disa zhvillime të rëndësishme në planin ndërkombëtar, si:
- Marrja e kryesimit të Konferencës së Gjykatave Kushtetuese Evropiane (CECC) gjatë Kongresit të 19-të të saj në muajin maj të vitit 2024, ku 35 gjykata anëtare votuan për herë të parë Shqipërinë si kryesuese për periudhën 2024–2027.
- Organizimi në Tiranë i Mbledhjes së Rrethit të Kryetarëve me pjesëmarrjen e 34 gjykatave kushtetuese evropiane.
- Anëtarësimi me të drejta të plota i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në Konferencën e Gjykatave Kushtetuese Evropiane pas një aplikimi të nisur prej vitit 2011.
- Zgjedhja e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë si anëtare e Byrosë së Shoqatave Frankofone (ACCF).
II. Nisma të rëndësishme institucionale
Gjatë këtyre tre viteve janë ndërmarrë nisma që mungonin prej vitesh dhe që sot përbëjnë praktika të konsoliduara, me ndikim afatgjatë.
Duke e parë drejtësinë si një shërbim publik, rritja e transparencës dhe e aksesit ishte ndër prioritetet kryesore, ndaj realizimi i nismave të mëposhtme merr një rëndësi të veçantë:
- Udhërrëfyesit e Jurisprudencës – Udhërrëfyesit ishin instrumente të munguara dhe për herë të parë u përpunua dhe u botua e gjithë jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese. Në vitin 2024 u publikua Udhërrëfyesi për ankimin kushtetues individual, ndërsa në vitin 2025 Udhërrëfyesi për parimet, të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.
- Buletini dymujor i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, i shpërndarë gjerësisht në formë elektronike në shqip dhe anglisht, me përmbledhje të qarta dhe të qasshme për profesionistët e drejtësisë dhe jo vetëm.
- “Kushtetuta ime”, doracaku i parë shpjegues për fëmijët e shkollave, me një gjuhë të thjeshtë dhe edukative.
III. Komunikimi me publikun dhe median
Për forcimin e transparencës dhe informimit të publikut, që prej vitit 2023 Gjykata Kushtetuese aplikoi praktika të reja të hapjes dhe komunikimit publik përmes këtyre instrumenteve:
- Konferencat për shtyp të Kryetarit të Gjykatës në të njëjtën ditë me vendimmarrjet në çështje me interes të lartë publik, shoqëruar me njoftime për shtyp që përfshinin edhe arsyetimet kryesore të vendimeve.
- Raportet vjetore të veprimtarisë gjyqësore dhe administrative të Gjykatës.
- Transmetimi live i seancave plenare publike.
- Publikimi i të dhënave të çështjeve pas shortimit, përveçse i vendimmarrjeve të Kolegjeve dhe të Mbledhjes së Gjyqtarëve në faqen zyrtare të Gjykatës.
- Rritja e pranisë në rrjetet sociale përmes publikimit të informacionit të verifikuar dhe të kuptueshëm për publikun.
- Faqja e re zyrtare e Gjykatës, e konceptuar me dizajn modern dhe strukturë më të organizuar.
- Sistemi elektronik i menaxhimit të çështjeve, i cili është zhvilluar përmes bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë dhe pritet të finalizohet së shpejti, duke futur Gjykatën në epokën digjitale.
Komente












Agjentura serbo-greko-ruse ne Shqiperi po merr ne dore frenat e Gjyqesorit.
PërgjigjuSpiuni i agjenturave te huaja u be gjykates i larte. Turp.
PërgjigjuOre po ky Asim Vokshi nuk fitoi me ndeshmēri se u pa si drita e Djellit qē fitoi tjetra çfar bēhet kshu nē Shqipēri.Besford Kallojer Fadil Memele Gjoleka
Përgjigju