Festohet Sulltan Nevruzi, Baba Mondi: Të mbjellim paqe e dashuri! Uron politika: Më shumë begati

Besimtarët bektashinjtë festojnë sot “Sulltan Nevruzin”, një nga festat më të rëndësishme të tyre, ditëlindjen e të madhit imam Aliut.

Fëmijë, gra e burra,  të gjitha moshat u mblodhën bashkë në kryegjyshatën botërore në Tiranë në festën e “Sulltan Novruzit”.  Dëshirat dhe lutjet e tyre shkuan për më shumë lumturi dhe dashuri mes njëri-tjetrit, duke i shprehur nëpërmjet qirinjëve të ndezur, një nga ritet e kësaj feste. 

Kryegjyshi Botërorë i Bektashinjve Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj iu drejtua besimtarëve bektashinjtë, por jo vetëm me një urim që ta duan më shumë njëri-tjetri dhe të lejnë egon mënjanë e dashakeqësinë.

“Sulltan Nevruzi” u festua edhe në Bulqizë nga besimtarët bektashinjtë.

Atmosferë feste është ndjerë edhe në qytetin e Fierit për Novruzin, ku të rinjtë ndezën qirinjtë për më shumë mbarësi. Ndërsa urime nuk munguan as nga politika. 

Çfarë është Sulltan Nevruzi

Fjala “Nevruz“ do të thotë “Dita e re” (nga persishtja) dhe ’Sulltan’, është titull i lartë. Kjo ditë, e ka origjinën që herët. Në Shqipëri filloi të festohej që kur u përhap bektashizmi në shekujt XIV. Dita e Sulltan Nevruzit përkon me ditën e lindjes së Imam Aliut.

Prandaj kjo festë, për bektashinjtë përfaqëson një ditë të shënuar dhe më të bekuara të vitit. Ai ka lindur më 22 mars dhe është një nga shenjtorët më të mëdhenj të të gjitha kohërave dhe, i pari i dymbëdhjetë imamëve.

Si festohet Sulltan Nevruzi?

Në këtë ditë feste, pihet një gotë qumësht, i cili simbolizon lindjen e një dite të re. 22 marsi konsiderohet nga besimtarët bektashian një ditë e shenjtë. 

Gatimet për festën e Sulltan Nevruzit

Me këtë rast bektashinjtë gatuajnë ushqimet karakteristike, që janë byreku me 12 lloj të ndryshme barishtesh. Bimët e tokës simbolizojnë jetën e re që çel në pranverë dhe begatinë, brenda në byrek futet edhe një monedhë metalike.

Gatuhet përshesh me pulë ose mish qengji, qengji i pjekur, sultiash është ëmbëlsira karakteristike e kësaj dite, sepse përbëhet nga qumështi, që është simbol i qumështit të nënës, orizi që simbolizon drithërat, bollëkun dhe sherbeti që merret i kënduar në teqe.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:20
Sulltan Nevruzi, Begaj uron nga teqeja Alipostivan

Presidenti Bajram Begaj, uroi sot besimtarët bektashinj për Festën e Sulltan Novruzit e cila  për ta përkon me ditëlindjen e Imam Aliut në Qabe.  

Për të nderuar festën më të rëndësishme të bektashinjve, Presidenti zhvilloi një vizitë në teqenë e Alipostivanit në Përmet e cila mban emrin e klerikut Baba Aliu.

"Sot, në këtë ditë feste, nga teqeja e Baba Aliut (Alipostivan) në krah të Frashërit, djep i bektashizmit dhe atdhedashurisë, ju uroj së bashku me Baba Hekuranin, gëzuar Sulltan Novruzin!", shkruan Presidenti Begaj në facebook.

Bashkë me mesazhin e urimit, Presidenti i Republikës, shpërndau dhe dy momente historike , të dokumentuar në foto, në shenjë vlerësimi për rolin e klerikëve në bashkëjetesën fetare në Shqipëri si dhe qëndresën e tyre përballë sprovave në kohët e vështira.

"Çdo Novruz- u shpreh Presidenti Begaj- fton besimtarët bektashinj  të  jenë falenderues për të mirat dhe begatitë dhe të luten për një të ardhme shpresëdhënëse të bazuar në drejtësi dhe unitet njerëzor ashtu siç udhëzoi Imam Aliu".

 

Ora 16:21
Dita e Sulltan Nevruzit, si u festua në Fier! Besimtarët mblidhen te Teqeja e ‘Baba Selimit’

Teqeja e “Baba Selimit” në Hambar të Cakranit si çdo vit ka mbledhur me qindra besimtarë në këtë dite të shënuar të Sulltan Nevruzit”. Që në orët e para të mëngjesit me automjetet e tyre të panumërta janë drejtuar drejt vendit të shenjtë për t’ju bashkuar pelegrinazhit dhe riteve të kësaj dite.

Administratori i teqesë Hekuran Isufi, tregon se ky vend vizitohet nga mijëra besimtarë nga të gjitha skajet e vendit  të cilët ndezin qirinj, dhe bëjnë kurban , teksa ka theksuar se regjimi i mëparshëm nuk mundi të shuante respektimin e riteve fetare të cilat respektoheshin fshehurazi.

Ndërsa kryeplaku i fshatit Hambar Ramadan Zeqaj , tregon se kësaj dite i bashkohen edhe emigrantë që kthehen në atdhe vetëm për këtë festë.

Ndërkohë  për besimtarët kjo është një ditë e veçantë , ndërsa teqenë e konsiderojnë vend të shenjtë që u sjell mbarësi dhe besojnë se është mrekullibërëse.

Simbolika e ditës së “ Sulltan Novruzit” shpjegohet me rigjallërimin e kësaj dite pranverore , lindjen e shpresës dhe ringjalljen për gjithë njerëzimin.

Ora 11:25
Festa e Sulltan Nevruzit, urimi i Baba Mondit: Ta doni më shumë njëri-tjetrin

 

Baba Mondi ka mbajtur mesazhin e urimit me rastin e festës së Sulltan Nevruzit nga Kryegjyshata e Bektashinjve në Tiranë.

Ai ka uruar për më shumë dashuri dhe paqe mes njëri-tjetrit.

“Uroj që Sulltan Novruzi të sjellë për ju mbarësi dhe bekime nga Zoti për të gjithë ju dhe familjet tuaja. Në këtë ditë të veçantë uroj ta doni më shumë njëri tjetrin, të bëni mirë e të përparoni duke pasur dashamirësi në zemrat tuaja. Secili duhet të njohë vetën, të mundë egon dhe urrejtjen e të mbjellë paqe”, ka uruar ndër të tjera Baba Mondi. 

Ora 11:09
Sulltan Nevruzi, uron Basha: Zoti e bëftë dritë për zemrat dhe shtëpitë e shqiptarëve

Kreu i PD, Lulzim Basha ka uruar të gjithë besimtarët bektashinj për festën e Sulltan Nevruzit.

“Nga zemra i uroj të gjithë besimtarët bektashinj Gëzuar Sulltan Nevruzin. Zoti e bëftë dritë për zemrat dhe shtëpitë e shqiptarëve dhe mbarë kombin”, shkruan Basha.

 

Ora 10:52
Kryeparlamentarja Nikolla uron festën e Sulltan Nevruzit: Fisnikëria e ringjaljjes bektashiane të përshkojë vatrat familjare të shqiptarëve

1685601834_1662999861LinditaNikolla.jpg

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, uron besimtarët bektashinj me rastin e Ditës së Sulltan Novruzit.

“Në Ditën e Sulltan Novruzit, uroj të gjithë besimtarët bektashinj: mbarësi, mirëqënie, dashuri dhe paqe!
Ëmbëlsia e kësaj feste të fisnikërisë e ringjalljes bektashiane le të shpërndahet e përshkojë jetët e vatrat familjare të gjithë shqiptarëve  që kremtojnë këtë ditë të shënuar!”, ka qenë mesazhi i kryeparlamentares. 

Ora 09:23
Festa e Sulltan Nevruzit, uron Blinken: Gëzuar, ky vit sjelltë më shumë paqe e shëndet

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka uruar besimtarët bektashinj për festën e Sulltan Nevruzit. Blinken uron që ky vit i ri të sjellë më shumë paqe, shëndet e begati.

"Gëzuar Nevruzin! Në emër të Departamentit të Shtetit, u uroj Gëzuar Nevruzin të gjithë atyre që festojnë këtë traditë të lashtë dhe ardhjen e pranverës. Për shekuj me radhë, bashkësi përreth botës, përfshirë në Iran, Lindjen e Mesme, Azinë Qendrore dhe të Jugut, Europë dhe përtej, janë mbledhur për të festuar përtëritjen e natyrës dhe premtimin e një viti të ri. Nevruzi ofron një mundësi për të përtëritur marrëdhënie të rëndësishme, për të vlerësuar bekimet dhe për të parë përpara, drejt asaj që e ardhmja sjell. Teksa reflektojmë mbi këtë vit të shkuar, ne shpresojmë që ky vit i ri të sjellë më shumë paqe në botë, e gjithashtu shëndet, begati dhe gëzim.” - Sekretari i Shtetit i SHBA, Antony J. Blinken.

Ora 09:13
Festa e Sulltan Nevruzit, Veliaj: Le të sjellë kjo ditë e shenjtë dritë, dashuri dhe harmoni në shtëpitë tuaja

Kryebashkiaku Veliaj uron për festën e Sulltan Novruzit: Le të sjellë kjo ditë e shenjtë dritë, dashuri dhe harmoni në zemrat dhe shtëpitë tuaja

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka uruar besimtarët bektashianë për Ditën e Sulltan Novruzit. Përmes një postimi në rrjete sociale, Veliaj shkruan: “Gëzuar Ditën e Sulltan Novruzit të gjithë Komunitetit Bektashian! Le të sjellë kjo ditë e shenjtë dritë, dashuri dhe harmoni në zemrat dhe shtëpitë tuaja”, thekson Veliaj.

 

Ora 08:02
Rama uron festën e Sulltan Nevruzit me pamje nga kurora e malit Sevaster në Selenicë

Kryeministri Edi Rama uroi sot të gjithë besimtarët bektashinj për festën e Sulltan Nevruzit. Rama ka ndarë pamje nga kurora e malit Sevaster në Selenicë, ku ndodhet edhe teqja Kuzum Baba.

“Nga Kurora e Malit Sevaster në Selenicë, ju uroj gëzuar festën e Sulltan Nevruzit”, shkroi Rama në një postim në rrjetet sociale.

 

SI.E.//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Shkodër/ Në kërkim për armëmbajtje pa leje, arrestohet 28-vjeçari! Në pranga edhe një 24- vjeçar, theu masën e arrestit të shtëpisë

Shkodër/ Në kërkim për armëmbajtje pa leje, arrestohet 28-vjeçari! Në pranga edhe një 24- vjeçar, theu masën e arrestit të shtëpisë