Sot kremtohet Sulltan Novruzi, Baba Edmond Brahimaj: Pandemia nuk na ka penguar që të jemi shpirtërisht pranë njëri-tjetrit! Uron politika dhe ambasadorja Kim

Besimtarët bektashianë festojnë sot Ditën e Sulltan Novruzit, ditëlindjen e të madhit Imam Aliu në Qabe, në të cilën sipas legjendës çdo gjë ringjallerohet, lind shpresa e ringjallja për njerëzimin. Ajo është një ditë e re, kur të gjithë shpresojnë për një të ardhme më të mirë. Një vit më parë festa e Sulltan Novruzit u festua në kushtet kur gjithë i vendi ishte izoluar për të parandaluar përhapjen e virusit COVID.

Nga Kryegjyshata Botërore e Bektashinjve në Tiranë, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, tha se data e sotme ka qenë dhe mbetet unikale. Teksa u ndal në mesazhin e tij edhe tek situata e krijuar për shkak të pandemisë së COVID, Baba Mondi u shpreh se pavarësisht kufizimeve, kjo situatë nuk i ka penguar besimtarët të jenë shpirtërisht pranë njëri-tjetrit.

Ndërkohë edhe krerët më të lartë të politikës në vend kanë uruar bektashinjtë për festën e Sulltan Novruzit. Po ashtu nga Kryegjyshata Botërore e Bektashinjve, këtë festë e uroi edhe ambasadorja amerikanë Yuri Kim.

Në vendin tonë festa e Novruzit mbahet me 22 mars, por Viti i Ri Persian nis më 21 mars dhe vende të ndryshme të botës, celebrimet kryen nga 21 marsi deri në 24 mars, sipas lokaliteteve.

Kjo ditë cilësohet në mbarë botën Aleviane si dita e fisnikërisë bektashiane dhe dita e ringjalljes së madhe. Ajo është një ditë e re, kur të gjithë shpresojnë për një të ardhme më të mirë.Në Shqipëri Dita e Sulltan Novruzit, festa më e rëndësishme e Bektashizmit, u dekretua si festë kombëtare në vitin 1996.

Bektashinjtë janë të përhapur në Kosovë dhe në Maqedoni, ku krahas synitëve ata përbëjnë popullsinë shqiptare të besimit mysliman. Përfaqësuesit e Bektashizmit kanë dhënë një ndihmë të madhe në çështjen kombëtare, duke filluar që nga periudha e Rilindjes Kombëtare, Pavarësisë dhe gjatë luftës për Çlirim.

Qendra botërore e Bektashinjve ndodhet në periferi të Tiranës, dhe përbëhet nga një Teqe impresionuese me një museum fantastik dhe të pasur në katin e parë dhe një dyqan të vogël dhuratash për vizitorët që duan të blejnë suvenire të këtij sekti. Teqeja është e zbukuruar fund e krye me mozaikë mermeri me forma dhe ngjyra të mrekullueshme.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:30
Festa e Sulltan Novruzit/ Basha takon kryegjyshin botëror: Qoftë kjo ditë një ogur i mbarë për fitoren e shpresës mbi dëshpërimin (VIDEO)

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka vizituar ditën e sotme Baba Mondin, me rastin e festës së Sulltan Novruzit.  

Lulzim Basha: Baba Mondi, mire se të gjej! Gëzuar për shumë vjet Sulltan Nevruzin! Shëndet, jetë dhe dritë për ty dhe të gjithë klerikët bektashi, për të gjithë besimtarët bektashi kudo që janë. Qoftë kjo ditë një ogur i mbarë për fitoren e shpresës mbi dëshpërimin ashtu siç është simboli i fitores pranverës mbi dimrin dhe për largimin e të keqes nga shpirti i çdo shqiptari për triumfin e të mirës, e ndryshimit pozitiv për të gjithë.

Baba Mondi: Amin! Të lumtë goja. Faleminderit kryetar! Të paçim me jetë! Faleminderit për vizitën! Kjo është vërtetë një ditë e bekuar nga Zoti, kuptohet edhe nga shenjtorët që vijnë. Dhe është shembull për njerëzimin që ta udhëheqë njerëzimin në rrugën e vërtetë dhe prandaj ne i respektojmë këta njerëz, duke sakrifikuar me familje me gjithçka për të udhëhequr njerëzit në rrugën e vërtetë. Zoti ju bekoftë!
Lulzim Basha: Amin! Bashkë me ju.

 

Ora 16:12
'Shumë e këndshme të shkëmbenim urime për Nevruz', ambasadorja e SHBA publikon foto nga takimi me Baba Mondin dhe Myftiun Spahiu

Në ditën e Sulltan Nevruzit, ambasadorja e SHBA në Tiranë Yuri Kim ka zhvilluar një vizitë në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane ku është takuar me Kryegjyshin e Bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.

Ndërkaq Kim ka takuar dhe Myftiun Bujar Spahiu dhe me të dy ka shkëmbyer urime për të gjithë besimtarët për lumturi dhe shpresë.

 “Shumë e këndshme të shkëmbenim urime për Nevruz dhe të shijonim qumësht dhe ëmbëlsira me Baba Mondin. Ishte gjithashtu bukur takimi me Myftin e madh Spahiu. Uroj që Babai dhe të gjithë anëtarët e besimit Bektashi të kenë shëndet të mirë, lumturi dhe shpresë!”, shkruan ambasadorja Yuri Kim.

Ora 14:31
Uron Sulltan Novruzin por nuk harron mesazhet politike, Meta: Ishte dimër i acartë por pranvera është e pandalshme

 

Nga Selia e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, ku ishte për të uruar Sulltan Novruzin, Ilir Meta nuk harroi edhe këtë herë mesazhet e 'koduara' politike.

Meta tha se vendi ka kaluar një dimër të ashpër por kjo pranverë do të jetë e pandalshme.

"T'i uroja të gjithë shqiptarët në këtë ditë të pranverës dhe ripërtëritjes së shpresës por edhe të demokracisë. Pranvera dhe demokracia janë në sintoni me njëra-tjetrën. Shpresat e qytetarëve janë për një jetë me të mirë. Sot bashkohem me mesazhet e Kryegjyshit për të gjithë shqiptarët. Të jemi më të dashur dhe më tolerantë me njëri-tjetrin  Ka qenë dimër i jashtëzakonshëm, kemi pasur reshje bore të jashtëzakonshme por lulet kanë çelur, mimozat kanë çelur kështu që pranvera do të jetë e pandalshme dhe do të na ndihmojë të gjithëve për më shumë optimizëm.

Shqiptarët presin shumë nga e ardhmja, sidomos nga kjo pranverë, dhe kanë kuptuar që fuqia është e tyre", tha ndër të tjera Meta, i cili në fund u pyet për çështjen e vaksinave ruse dhe u përgjigj se 'Apeloj që të rrisim masat, sigurinë për të ruajtur shëndetin, sigurisht në baza shkencore".

Ora 13:49
Kryemadhi uron për festën e Sulltan Novruzit: Harmonia fetare forca jonë, ditë më të mira do të vijnë për shqiptarët

 

Në ditën e Sulltan Novruzit, kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka uruara bektashinjtë. Gjatë një prononcimi për mediat, nga Kryegjyshata Botërore e Bektashinjve, Kryemadhi tha se harmonia fetare që kemi si popull, që ringjalljen e jetës e sjell në këtë ditë të mrekullueshme për të risjellë dhe për të ringjallë begatinë.

‘Do doja që të ishte një ditë me diell por nganjëherë dhe ky shiu është bereqet.  Le të jetë bereqet për familjet e shqiptarëve, në këtë ditë të shënuar të Sulltan Nevruzit, ju uroj mbarësi gjithë shqiptarëve, gjithë besimtarëve bektashinj. Pavarësisht se kjo është një nga forcat tona më të mëdha, harmonia fetare që kemi si popull që ringjalljen e jetës  e sjell në këtë ditë të mrekullueshme për të risjellë dhe për të ringjallë begatinë , mirësinë dhe lumturinë për të gjitha familjet shqiptare. Ju uroj gëzuar edhe juve që gjithmonë jeni njerëzit në terren dhe transmetoni pozitivistet tek njerëzit. Mbarësi dhe ditë më të mira do të vijnë për shqiptarët. Gëzuar!’- tha Kryemadhi.

Ora 11:53
Baba Mondi: Pandemia nuk na ka penguar që të jemi shpirtërisht pranë njëri-tjetrit

 

Ditën e sotme besimtarët bektashinj në Shqipëri në mbarë botën festojnë sot Sulltan Novruzin. Nga Kryegjyshata Botërore e Bektashinjve në Tiranë, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, tha se data e sotme ka qenë dhe mbetet unikale.

Teksa u ndal në mesazhin e tij edhe tek situata e krijuar për shkak të pandemisë së COVID, Baba Mondi u shpreh se pavarësisht kufizimeve, kjo situatë nuk i ka penguar besimtarët të jenë shpirtërisht pranë njëri-tjetrit.

“Të nderuar motra dhe vëllezër, vëllezër bektashian kudo jeni në botë, paçi fat e lumturi. Sulltan Novruzi ka qenë dhe mbetet një datë unikale. T’i afrohemi mirësive dhe begative, duke bashkuar fatet tona njerëzore për fatin e kombit. Dita e sotme do të mbetet e shënuar në historinë botërore. Selia jonë e Shenjtë ju ka bërë ballë dallgëve të kohës. Kemi lënë pas krahëve një histori rrëqethëse. Me gjithë dëshirën tonë, sot nuk mund të bashkohemi, për shkak se pandemia na ka kufizuar çdo ditë e më shumë. Por kjo situatë nuk na ka penguar të jemi shpirtërisht pranë njëri-tjetrit. Do i kalojmë këto ditë të vështirë për t’u bashkuar. Zoti na bekoftë të gjithëve. Amin!”, tha Baba Mondi.

Ora 10:54
Basha uron besimtarët për Festën e Sulltan Novruzit: Qoftë kjo ditë e bekuar ogur i mirë për çdo shqiptar që i lutet Zotit për ngadhënjimin mbi të keqen

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook, ka uruar besimtarët bektashinj për festën e Sulltan Novruzit.

Basha shkruan se shpreson që kjo ditë e bekuar të jetë një ogur i mbarë për çdo familje që sot i lutet Zotit për të mirën, shëndetin dhe ngadhënjimin mbi të keqen.

Ora 09:48
Ruçi, urim me rastin e Ditës së Sulltan Nevruzit: Bektashinjtë, misionarë të atdhetarizmit, tolerancës e humanizmit

Me rastin e 22 Marsit, Ditës së Sulltan Novruzit dhe 30-vjetorit të rihapjes së Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, i ka dërguar një letër urimi Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, Hirësisë së Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj

Me këtë rast, Kryetari Ruçi ka uruar besimtarët bektashinj dhe të gjithë shqiptarët, për këtë ditë të shënuar.

Në letrën drejtuar baba Mondit, Ruçi shkruan se Bektashizmi ka qenë në çdo kohë një pasuri e madhe shpirtërore, kulturore dhe njerëzore për shqiptarët dhe bektashinjtë rrezatues, misionarë dhe edukatorë të atdhetarizmit, solidaritetit, tolerancës dhe humanizmit. 

Ai shkruan se këto vlera dhe këtë forcë të madhe shpirtërore, bektashinjtë e treguan edhe gjatë dekadave kur dhuna politike i ndaloi të ushtronin ritet e tyre në komunitet, në teqetë dhe vendet e shenjta.

“Ju përshëndes edhe njëherë të gjithëve, ju, pjesëmarrësit në festë, besimtarët bektashinj dhe të gjithë shqiptarët dhe ju uroj shëndet e gëzime në vatrat familjare.”, shkruan në fund Ruçi.

Ora 09:29
‘Diell dhe Pranverë në zemrën e çdo shqiptari’, Meta urim për Festën e Sulltan Novruzit: Një shpresë e re po lind dhe një epokë me mundësi të reja po çel

 

Presidenti Ilir Meta përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook, ka uruar qytetarët me rastin e Festës së Sulltan Novruzit.

Meta shkruan se një shpresë e re po lind dhe një epokë me mundësi të reja po çel bashkë me rigjallërimin e natyrës.

“Diell dhe Pranverë në zemrën e çdo shqiptari!”, shkruan presidenti në fund.

 

Ora 08:03
Dita e Sulltan Novruzit, Rama uron besimtarët e kumunitetit Bektashian

Kryeministri Edi Rama ka uruar të gjithë besimtarë bektashinj për festën e ‘Sulltan Novruzit’.

‘Gëzuar Ditën e Sulltan Novruzit të gjithë Komunitetit Bektashian’- uron kreu i qeverisë në rrjetet sociale.

 

M.Q./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja