Besimtarët bektashianë festojnë sot Ditën e Sulltan Nevruzit, ditëlindjen e të madhit Imam Aliu në Qabe, në të cilën sipas legjendës çdo gjë ringjallërohet, lind shpresa e ringjallja për njerëzimin. Ajo është një ditë e re, kur të gjithë shpresojnë për një të ardhme më të mirë.

Nga Kryegjyshata Botërore e Bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj (Baba Mondi), uroi besimtarët në këtë ditë të shënuar, duke bërë thirrje për më shumë dashuri e harmoni për njëri-tjetrin.

“Kjo ditë është një mundësi për të reflektuar mbi virtytet që na udhëheqin. Për të forcuar lidhjen tonë me Zotin, për të kultivuar dashurinë dhe respektin ndaj njëri-tjetrit", tha mes të tjerash Baba Mondi.

Kryeministri Edi Rama uroi besimtarët bektashianë me disa pamje nga "teqeja e Helvetive, në Berat ndër më të bukurat në Ballkan, ku qetësia dhe harmonia janë besim". Një urim po ashtu Rama e kishte edhe gjatë fjalës hapëse në podkastin e tij 'Flasim'.

“Gëzuar po ashtu të gjithë besimtarëve bektashinj, e qoftë dita që simbolizon rilindjen, shpresën dhe fillimet e reja, vetëm e para e një vargu të gjatë ditësh të mbara, për ta e për të dashurit e tyre. Por, padyshim uroj që të tilla të jenë edhe ditët që ka përpara Shqipëria jonë dhe jam besimplotë se ashtu do të jenë”, tha mes të tjerash Rama gjatë fjalës në podcastin e tij.

Pas Ramës, ishte Presidenti Bajram Begaj, që përmes një postimi në rrjetet sociale uroi besimtarët për këtë ditë të shënuar. 

"Le të na shërbejë si thirrje për më shumë harmoni e mirëkuptim mes nesh, duke forcuar bashkëjetesën dhe tolerancën që na karakterizon si shoqëri!", ka shkruar mes të tjerash Begaj.

Po ashtu urime për këtë ditë të shënuar kanë bërë edhe kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, por edhe delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri.

Fjala “Nevruz“ do të thotë “Dita e re” (nga persishtja) dhe ’Sulltan’, është titull i lartë. Kjo ditë, e ka origjinën që herët. Në Shqipëri filloi të festohej që kur u përhap bektashizmi në shekujt XIV. Dita e Sulltan Nevruzit përkon me ditën e lindjes së Imam Aliut.

Për këtë festë, poeti ynë Naim Frashëri ka thënë: “Sot është një ditë e re që përsëritet moti, lind Vera, lind ngrohtësia, lind Aliu, lind vet Zoti”. Kjo ditë përkujton edhe ditëlindjen e Imam Aliut, që lidhet me ringjalljen e jetës dhe me shpresën për ditë më të mira. Kjo ditë ka një domethënie të veçantë për gjithë besimtarët. Është dita e Imam Aliut, dhëndrit të profetit Muhamed, i cili ka qenë krahu i djathë i Profetit.

Prandaj kjo festë, për bektashinjtë përfaqëson një ditë të shënuar dhe më të bekuara të vitit. Ai ka lindur më 22 mars dhe është një nga shenjtorët më të mëdhenj të të gjitha kohërave dhe, i pari i dymbëdhjetë imamëve. Imam Aliu, është një nga imamët e mëdhenj, i pajisur me një dituri të jashtëzakonshme. Profeti Muhamed thotë: “Unë jam qyteti i diturisë dhe Aliu është porta e tij” ose “Nuk ka trim si Aliu, nuk ka shpatë tjetër si Zylfikari Aliut. Kush do Alinë, më ka dashur mua, kush urren Alinë, më ka urryer mua”. Prandaj me të drejt u quajt prijës i besimtarëve arabë, dijetarëve arabë që bënë epokë të artë e që i dhanë dritë, njerëzimit mbarë. Ai ishte njeriu i luftës për përparimin njerëzor. Ai përdorte bukur fjalën për pikëllimin e shpëtimin njerëzor. Ai la pas tre parime: Shkallën e të menduarit, unitetin njerëzor dhe, drejtësinë. Prandaj mbeti simbol i përhershëm.

Si festohet Sulltan Nevruzi?

Në këtë ditë feste, pihet një gotë qumësht, i cili simbolizon lindjen e një dite të re. 22 marsi konsiderohet nga besimtarët bektashian një ditë e shenjtë. Sot, kjo ditë, përkon dhe 31-vjetori i rihapjes së Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, event ku mori pjesë Nënë Tereza.

Gatimet për festën e Sulltan Nevruzit

Me këtë rast bektashinjtë gatuajnë ushqimet karakteristike, që janë byreku me 12 lloj të ndryshme barishtesh,(spinaq, lëpjetë, majdanoz, fletë lakre, kopër, gjethe prasi, labot, qepë, oriz, etj). Bimët e tokës simbolizojnë jetën e re që çel në pranverë dhe begatinë, brenda në byrek futet edhe një monedhë metalike. Pasi është pjekur byreku ndahet nga amvisa e shtëpisë në pjesë dhe më pas i jepet seicilit prej anëtarëve të familjes nga një pjesë. Ai që gjen monedhën në pjesën e tij është me fat. Do të kalojë një vit të begatë e me mbarësi. Gatuhet përshesh me pulë ose mish qengji, qengji i pjekur, sultiash është ëmbëlsira karakteristike e kësaj dite, sepse përbëhet nga qumështi, që është simbol i qumështit të nënës, orizi që simbolizon drithërat, bollëkun dhe sherbeti që merret i kënduar në teqe, gjithashtu në disa raste gatuhet edhe kabuni (me oriz, lëng mishi, sheqer, rrush të thatë dhe arra).

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:38
Dita e Sulltan Nevruzit, Baba Mondi nga Kryegjyshata e Bektashinjve: Mundësi për të reflektuar mbi virtytet që na udhëheqin! Dashuria ndaj tjetrit, pasqyra e besimit tonë

1774175968_dyioposs.jpg

Kryegjyshi Botëror i bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj (Baba Mondi) ka mbajtur një fjalë ditën e sotme nga ambientet e Kryegjyshatës, për ditën e Sulltan Nevruzit.

Gjatë fjalës së tij, Baba Mondi tha se kjo ditë është një mundësi për të reflektuar mbi virtytet që na udhëheqin.

Po ashtu, Baba Mondi tha se ky vit përkon me 35 vjetorin e rihapjes së Kryegjyshatës dhe lirisë së besimit Bektashi, një moment historik që sipas tij shënon ringjalljen e besimit dhe traditës sonë shpirtërore pas periudhave të vështira.

Duke cituar një fjalë të Haxhi Bektash Veliut, Baba Mondi tha se pasqyra e besimit bektashi është dashuria dhe përkujdesja ndaj të tjerëve.

“Kjo ditë është një mundësi për të reflektuar mbi virtytet që na udhëheqin. Për të forcuar lidhjen tonë me Zotin, për të kultivuar dashurinë dhe respektin ndaj njëri-tjetrit. Ky vit ka një domethënie të veçantë për Kryegjyshatën Botërore Bektashiane, pasi kjo ditë përkon me 35 vjetorin e rihapjes së Kryegjyshatës dhe lirisë së besimit Bektashi.

Një moment historik që shënon ringjalljen e besimit dhe traditës sonë shpirtërore pas periudhave të vështira. Kjo ngjarje është dëshmi e qëndrueshmërisë dhe punës së përbashkët të brezave, për të ruajtur identitetin dhe vlerat tona. Siç thoshte Haxhi Bektash Veliu ‘ai që nuk e sheh veten në tjetrin, nuk e sheh Zotin në veten e tij’. Kjo tregon se dashuria dhe përkujdesja ndaj të tjerëve, janë pasqyra e besimit tonë të thellë”, tha mes të tjerash Baba Mondi.

Ora 10:34
Delegacioni i BE në Shqipëri uron besimtarët bektashinj për ditën e Sulltan Nevruzit: Dëshirojmë që kjo ditë të sjellë paqe, harmoni dhe mbarësi për ju e familjet tuaja

1774172131_ztfxsuyuio.jpg

Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri ka uruar të gjithë besimtarët bektashinj për ditën e Sulltan Nevruzit.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Delegacioni i BE-së në Shqipëri ka uruar që kjo ditë të sjellë paqe, harmoni dhe mbarësi për familjet shqiptare.

Reagimi i Delegacionit të BE:

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri u uron të gjithë besimtarëve bektashinj që festojnë Sulltan Novruzin një festë të qetë dhe të gëzuar.

Urojmë që kjo ditë të sjellë paqe, harmoni dhe mbarësi për ju dhe familjet tuaja.

Ora 10:07
Meta uron besimtarët bektashinj për ditën e Sulltan Nevruzit: Pranvera dhe demokracia triumfojnë përherë!

1774170507_SulltanNovruz.jpg

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka uruar besimtarët bektashinj për ditën e Sulltan Nevruzit.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Meta ka shkruar se kjo ditë e bekuar simbolizon fitoren e pranverës mbi dimrin dhe të shpresës mbi dëshpërimin. Po ashtu Meta ka uruar shëndet, mbarësi dhe begati në çdo familje shqiptare.

Po ashtu Meta, në fund të postimit të tij ka shkruar se ‘Pranvera dhe Demokracia triumfojnë përherë!’

Postimi i Metës:

Gëzuar Sulltan Nevruzin!

Në këtë ditë të bekuar, që simbolizon fitoren e pranverës mbi dimrin dhe të shpresës mbi dëshpërimin, ju uroj nga zemra shëndet, mbarësi dhe begati në çdo familje shqiptare.

Qoftë kjo festë një burim drite, optimizmi dhe besimi për të gjithë besimtarët bektashianë dhe për çdo shqiptar.

Ju ndihmoftë Abaz Aliu dhe qofshin mbi ju bekimet e Zotit!

Pranvera dhe Demokracia triumfojnë përherë!

Ora 09:31
Presidenti Begaj uron besimtarët për ditën e Sulltan Nevruzit: Na kujton forcën e shpresës, dashurisë dhe unitetit

1772048425_bajrambegaj.png

Presidenti Bajram Begaj ka uruar besimtarët bektashi për ditën e Sulltan Nevruzit.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Begaj ka shkruar se kjo ditë është e shenjtë, simbol i pranverës dhe ringjalljes.

Po ashtu Begaj ka shkruar se Sulltan Nevruzi na kujton forcën e shpresës, dashurisë dhe unitetit.

Urimi i Begajt:

Gëzuar Sulltan Novruzin!

Kjo ditë e shenjtë, simbol i pranverës dhe ringjalljes, na kujton forcën e shpresës, dashurisë dhe unitetit.

Le të na shërbejë si thirrje për më shumë harmoni e mirëkuptim mes nesh, duke forcuar bashkëjetesën dhe tolerancën që na karakterizon si shoqëri!

K.M/R.Xh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Igor: 22/03/2026 09:57

    Ku i gjeti begaj keto fjale Dashuri kur Shqipetaret vrasin njeri tjetrin xhdo dite perdhunime vjedhje Korupsion ti vjen turp qe nuk e sheh realitetin dhe te verteten neve nuk ja duam te miren e dikujt tjeter ne i mbeshtesim hajdutet me dekada sa Shqipetare jan larguar dhe ju vjen turp te thone jam Shqipetare kete situate duhet ta thote ky zoteri Presidenti Begaj.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës: 20 Mars, 13:11

    Qeveria rikthen Bordin për naftën, a besoni se do mbahen çmimet nën kontroll?