ITALI-  Pas 15 vitesh negociata Italia dhe Shqipëria firmosin marrëveshjen për sigurimet shoqërore, nga e cila do të përfitojnë pensionet shqiptarët që punojnë në Itali por dhe shtetasit italianë që punojnë në Shqipëri.    

Nënshkrimi i marrëveshjes u bë në Romë sot (6 shkurt 2024) nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme,  Igli Hasani si dhe ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani.

"Një marrëveshje shumë e rëndësishme. Kishte rreth 15 vite që prisnim këtë firmë që garanton të drejtat e punonjësve italianë në Shqipëri apo të punonjësve shqiptarë në Itali për pensionet. Mendoj se ky vendim i përbashkët i Tiranës dhe Romës, ofron për shumë persona një siguri dhe një perspektivë pozitive për të ardhmen”, tha ministri Tajani.

Edhe ministri i jashtëm shqiptar Igli Hasani, në fjalën e tij, e cilësoi nënshkrimin e marëveshjes një moment shumë të rëndësishëm për shqiptarët që punojnë në Itali.

"15 vite përpjekje, mirënjohje të gjithë atyre që kanë kontribuuar për këtë moment" u shpreh ai.

Janë rreth 550 mijë shtetas shqiptarë dhe rreth 20 mijë shtetas italianë, nga zbatimi i së cilës do të sigurojnë bashkimin e periudhave kontributive, duke bërë të mundur që asnjë vit pune të mos humbasë.

Ka pasur një insistim 10-vjeçar nga qeveria shqiptare që në çdo konferencë pika kryesore ishte firmosja e marrëveshjes. Insistimi dhe presioni pozitiv ka qenë konsistent dhe rezultatet sot janë këto”, tha ministri i Jashtëm Igli Hasani në konferencë për median, pas firmosjes së marrëveshjes.

Me firmosjen e marrëveshjes Ministri i Jashtëm Igli Hasani përmbylli sot vizitën në Itali ditën e sotme, 6 shkurt. 
Përmes një videomesazhi kryeministri Edi Rama e quajti 'ditë triumfi' Rama nuk harroi të falënderonte edhe Melonin, pa të cilën sipas tij kjo marrëveshje nuk do ishte realizuar.

Marrëveshja do të zbatohet për legjislacionet që lidhen me:
Sigurimin për pleqërinë, invaliditetin, pensionin familjar (pasjetuesit); 

Sigurimin për përfitimin për sëmundjet dhe barrëlindjen;

Sigurimin e papunësisë.

Kur dhe si hyn në fuqi marëveshja?
Pas nënshkrimit, Marrëveshja do të ratifikohet nga të dyja shtetet kontraktuese, në përputhje me procedurat e tyre përkatëse dhe instrumentet e ratifikimit do të shkëmbehen sa më shpejt që të jetë e mundur.

Në ditën e parë të muajit të dytë pas shkëmbimit të dokumenteve të ratifikimit, Marrëveshja do të hyjë në fuqi njëkohësisht me Marrëveshjen Administrative për legjislacionin zbatues të kësaj Marrëveshjeje, që do të bëhet e vlefshme në të njëjtën kohë kur do të hyjë në fuqi kjo Marrëveshje.

Marrëveshja vjen si një detyrim dhe e drejtë ndaj qytetarëve shqiptarë, italianë dhe italo-shqiptarë, të cilët kanë punuar me përkushtim për 30 vjet dhe kanë kontribuar në ekonominë dhe përparimin social të dy vendeve. Kujtojmë se Shqipëria dhe Italia përfunduan negocimin teknik të marrëveshjes për pensionet më 26 korrik të 2022. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:47
LETRA/ Emigrantët në Itali falenderojnë ministrin Hasani për marrëveshjen e pensioneve mes dy vendeve

1707245846_hasani.jpg

Emigrantët kanë falenderuar ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani përmes një letre pas nënshkrimit të marrëveshjes së pensioneve mes Shqipërisë dhe Itali.

"Përshëndetje Zoti Hasani, Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë. FALËNDERIM, Me këto rreshta që nuk arrijnë të përfaqësojnë gjithë ç’ka ndjejmë në këto momente, ju shprehim mirënjohjen tonë të sinqertë në emër të të gjithë anëtarëve të Shoqatës Diaspora 91-19 ANIAP (Itali) për angazhimin tuaj të vazhdueshëm në arritjen e marrëveshjes në fushën e sigurisë sociale midis Italisë dhe Shqipërisë.

Le të vazhdojmë këtë rrugë duke e çuar deri në fund aplikimin e kësaj marrëveshje brenda pak muajve. Çdo dite e humbur krijon një dëm tek bashkatdhetarët tanë. Me këtë rast kemi vlerësuar pozitivisht efikasitetin dhe shpejtësinë në zgjidhjen të problemeve të shtetit aktual shqiptar.

Ju lutemi që të shprehni mirënjohjen tonë të gjithë punonjësve që kanë kontribuar në këtë rezultat pozitiv duke përfshirë edhe Zonjën Olta Xhaçka. Me respekt e mirënjohje. Anëtaret e shoqatës Diaspora 91 – 19 ANIAP në Itali e Shqipëri, me 06/02/2024", shkruajnë në letër anëtarët e shoqatës Diaspora 91-19 ANIAP në Itali dhe Shqipëri

Letra e anëtarëve të shoqatës diaspora
Ora 19:26
Marrëveshja me Italinë për pensionet, Nikolla: Sukses në bashkëpunimin mes dy vendeve, u shërben qytetarëve

1707244224_16856018341662999861LinditaNikolla.jpg

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, përshëndet firmosjen e Marrëveshjes për njohjen e pensioneve mes Shqipërisë dhe Italisë.

“Marrëveshja për  njohjen e pensioneve, e firmosur sot nga ministrat Igli Hasani dhe Antonio Tajani, në emër të qeverisë së Shqipërisë dhe qeverisë së Italisë, është një sukses në bashkëpunimin mes dy vendeve.

Një veprim që tregon se bashkëpunimi dypalësh u shërben qytetarëve. Mbi 550 mijë shqiptarë në Itali dhe disa dhjetra mijë qytetarë italianë në Shqipëri do të përfitojnë nga kjo Marrëveshje.  Kuvendi është gati për ratifikimin e Marrëveshjes, sapo qeveritë të përgatisin instrumentat e ratifikimit.”

Ora 17:29
SKEDA/ Çfarë mundëson njoha reciproke e sigurimeve shoqërore Shqipëri - Itali, fillon me 4 mijë pensione në vit! Sa përfitojnë dhe si

Sipas një vlerësimi paraprak, në vijim të nënshkrimit të Marrëveshjes, numri i përfituesve në Itali dhe detyrimet e pensioneve që rrjedhin nga mundësia e përmbushjes së kushteve të legjislacionit në fuqi, por edhe nëpërmjet bashkimit të periudhave, do të fillojë me rreth 4 mijë pensione në vit, e për të vijuar në rritje vit pas viti.

Marrëveshja për njohjen reciproke të Sigurimeve Shoqërore midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Italisë firmosur më 6 shkurt 2024 mundëson:

-Ofrimin e përfitimeve në sigurimet shoqërore;

-Trajtim i barabartë të personave të punësuar dhe  për të vetë punësuarit;

Marrëveshja do të zbatohet për legjislacionet që lidhen me:

-Sigurimin për pleqërinë, invaliditetin, pensionin familjar (pasjetuesit); 

-Sigurimin për përfitimin për sëmundjet dhe barrëlindjen;

-Sigurimin e papunësisë.

Kur dhe si hyn në fuqi?

Pas nënshkrimit, Marrëveshja do të ratifikohet nga të dyja shtetet kontraktuese, në përputhje me procedurat e tyre përkatëse dhe instrumentet e ratifikimit do të shkëmbehen sa më shpejt që të jetë e mundur.

Në ditën e parë të muajit të dytë pas shkëmbimit të dokumenteve të ratifikimit, Marrëveshja do të hyjë në fuqi njëkohësisht me Marrëveshjen Administrative për legjislacionin zbatues të kësaj Marrëveshjeje, që do të bëhet e vlefshme në të njëjtën kohë kur do të hyjë në fuqi kjo Marrëveshje.

Sa përfitojnë dhe si?

Do të shihet me saktësi gjatë zbatimit të marrëveshjes. Sipas një vlerësimi paraprak, në vijim të nënshkrimit të Marrëveshjes, numri i përfituesve në Itali dhe detyrimet e pensioneve që rrjedhin nga mundësia e përmbushjes së kushteve të legjislacionit në fuqi, por edhe nëpërmjet bashkimit të periudhave, do të fillojë me rreth 4 mijë pensione në vit, e për të vijuar në rritje vit pas viti.

Një nga përfitimet kryesore është bashkimi i periudhave kontributive: Periudhat e sigurimit (vullnetar dhe të detyrueshëm) të plotësuara sipas legjislacionit të secilit shtet grumbullohen dhe bashkohen me periudhat e sigurimit (vullnetar dhe të detyrueshëm) të plotësuara sipas legjislacionit të shtetit tjetër kontraktues, me kusht që ato të mos mbivendosen dhe sipas dispozitave te parashikuara nga legjislacioni i secilit shtet. Periudhat e sigurimit të plotësuara sipas legjislacionit të njërit shtet kontraktues, bashkohen, nëse është e nevojshme, me periudhat e sigurimit sipas ligjeve të shtetit tjetër kontraktues.Të dhënat që disponojnë institucionet shqiptare, flasin për rreth 500 mijë shtetas shqiptarë me qëndrim të rregullt në Itali dhe që derdhin kontributet shoqërore. 

Përfitimet e pensionit

●       Legjislacioni lidhur me sigurimin e detyrueshëm për pensionin e pleqërisë, invaliditetit dhe familjar të punonjësve të punësuar;

●       Trajtimin e posaçëm të punonjësve të vetëpunësuar (artizanë, tregtarë, fermerë të drejtpërdrejtë)

●       Trajtimin e veçantë sipas sigurimit të përgjithshëm të detyrueshëm. 

Ora 16:36
Tabela/ 16 shtetet me të cilat Shqipëria ka marrëveshje për pensionet, me 17 në proces negocimi

Shqipëria dhe Italia arritën sot (6 shkurt 2024) marrëveshjen për njohjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore. Deri tani Shqipëria ka firmosur marrëveshje me 16 shtete në fushën e sigurimeve shoqërore. 

Shqipëria ka 16 marrëveshje të nënshkruara për Mbrojtjen Sociale:
 1 - Itali
 2- Hungari
 3- Kanada
 4- Turqi
 5- Belgjikë
 6- Luksemburg
 7- Maqedoni e Veriut
 8- Republika Çeke
 9- Republika Federale e Gjermanisë
10- Austri
11- Kroaci
12- Kosovë
13- Mali i Zi 
14- Zvicër
15- Rumani
16-Bullgari

17 marrëveshje në proces negocimi
 1- Greqi
 2- Danimarke
 3- Holandë
 4- SHBA
 5- Poloni
 6- Serbi
 7- Spanjë
 8- Mbretëri e Bashkuar
 9- Moldavi 
10-Slloveni 
11- Australi 
12- Francë
13- Suedi
14- Norvegji
15- Islandë
16- Finlandë
17- EBA

3 marrëveshje në proces vlerësimi
 1- Indi
 2- Izrael
 3- Arabi Saudite
Ora 13:49
Shqipëria dhe Italia njohin pensionet, Ambasadorja shqiptare në Itali: Nuk ka qenë një negociatë e thjeshtë, ka qenë komplekse

 

Foto: Ambasadorja shqiptare në Itali, Anila Bitri, Ministri i Jashtëm Igli Hasani,Zëvendës ministrja e Ekonomisë Kulturës dhe Inovacionit, Olta Manjani 

Marrëveshja e firmosur sot nga Shqipëria dhe Italia për njohjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore zbatohet për të gjithë të punësuarit, për familjarët e tyre dhe të gjithë ata individë që mund të kërkojnë periudha sigurimi në Itali apo në Shqipëri, pavarësisht nga shtetësia.

Ambasadorja shqiptare në Itali tha se nuk kanë qenë negociatat e thjeshta por komplekse.

Nuk ka qenë një negociatë e thjeshtë, ka qenë komplekse. Statistikat duheshin parë me lupë herë pas here. Flukset janë të lëvizshme, sepse lëvizshmëria, mobiliteti i dy ekonomive, i dy kulturave, i dy tregtive mes dy vendeve por edhe i komuniteteve nuk lehtëson gjithmonë punën, pra e bën herë pas here likuide dhe duhet të ndalesh, t’i shikosh hap pas hapi, kutiçkë pas kutiçke sipas statistikave. Natyrisht, pas mbi 30 vitesh punë, bashkëjetesë, jetesë, studimi të shqiptarëve në Itali, kishte ardhur momenti për t’u njohur të drejtën e ligjshme të pensionimit, u shpreh Ambasadorja shqiptare në Itali, Anila Bitri në konferencën me gazetarët shqiptarë pas firmosjes së marrëveshjes sot në Romë. 

Ora 13:46
Marrëveshja me Italinë për sigurimet shoqërore, zv.ministrja zbulon detajet: Përfshihet sigurimi për pensionin e pleqërisë, papunësisë e invaliditetit

 

Zëvendës ministrja e Ekonomisë Kulturës dhe Inovacionit, Olta Manjani ka dhënë detajet lidhur me mënyrën sesi do të zbatohet marrëveshja e firmosur ditën e sotme me Italinë për njohjen reciproke të pensioneve.

Manjani tha se një marrëveshje e tillë përfshin degët kryesore të sigurimeve shoqërore ku shtetasit e dy vendeve do të jenë në gjendje të përfitojnë nga disa shërbime si pensioni i pleqërisë, pensioni i invaliditetit e i papunësisë pa qenë nevoja të aplikojnë në vendet e tyre të origjinës.

“Kjo marrëveshje mbulon degët kryesore në fushën e sigurimeve shoqërore, sigurimi për pensionin e pleqërisë, pensionin për individualitetit, pensionin familjar dhe atë të papunësisë. Kjo marrëveshje bazohet në disa parime, trajtimi i barabartë, shtetasit shqiptarë në Itali, do të paraqiten në zyrat e institucionet përkatëse dhe do të kërkojnë informacion e do aplikojnë njësoj si të ishin në vendin e tyre të origjinës.

Totalizimi dhe bashkimi  periudhave të gjithë ata shqiptarë që kanë kontribuar për një periudhë në skemën e sigurimeve shoqërore në Shqipëri, do u bashkohet me periudhën që kanë kontribuar në shtetin italian dhe do marrin kontributet përkatëse.

Eksportimi i përfitimeve, me procedet e digjitalizimit do jetë me e lehtë. Shtetasve nuk do u duhet të udhëtojnë në vendet e origjinës për të bërë aplikimin për marrjen e pensionit. Kërkesën mund ta bëjnë në vendin ku ndodhen dhe bëhet shkëmbimi automatik i të dhënave”- u shpreh Manjani.

 

Ora 13:45
Marrëveshja me Italinë për njohjen e pensioneve, Hasani: Këmbëngulje 10 vjeçare e qeverisë shqiptare

 

Ministri i Jashtëm Igli Hasani ka dalë në një konferencë për gazetarët pas firmosjes së marrëveshjes me Italinë për njohjen reciproke të pensioneve mes dy vendeve. 

I pyetur nga gazetarja e Report Tv, Danjela Maloku mbi domethënien e kësaj marrëveshje në aspektin politik, Hasani tha se kjo tregon që marrëdhëniet mes 2 vendeve janë gjithmonë e më të afërta si dhe shtoi se për një arritje të tillë ka pasur një këmbëngulje nga qeveria shqiptare që prej disa vitesh. 

“Kjo marrëveshje është negociuar në detaje dhe kjo marrëveshje tregon që marrëdhëniet tona janë gjithnjë e më afër. Ndoshta do të krijojë edhe kushte shumë më të mira . Krijimi i këtij ambienti pozitiv për njerëz që kanë sakrifikuar shumë është padyshim arritje shumë e madhe. Ka pasur një insistim 10-vjeçar nga qeveria shqiptare që në çdo konferencë pika kryesore ishte firmosja e marrëveshjes. Insistimi dhe presioni pozitiv ka qenë konsistent dhe rezultatet sot janë këto”, tha ai.

Ora 11:26
Firmoset marrëveshja Itali-Shqipëri për njohjen reciproke të pensioneve, Tajani: 15 vite që e prisnim, ofron siguri për të drejtat e punonjësve

 

Është firmosur në Romë marrëveshja mes Italisë dhe Shqipërisë për njohjen reciproke të pensioneve. Nga kjo marrëveshje pritet të përfitojnë rreth 500 mijë shqiptarë që jetojnë e punojnë në Itali prej vitesh.

Pas firmosjes së marrëveshjes, ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani tha se kjo marrëveshje pritej prej më shumë se 15 vitesh dhe shtoi se do të ofronte më shumë siguri dhe prespektivë për shqiptarët që punojnë në Itali dhe italianët që punojnë në Shqipëri.

“Është një marrëveshje shumë e rëndësishme kishte 15 vite që e prisnim këtë firmë. Afirmon të drejtat e punonjësve italianë në Shqipëri dhe atyre shqiptarë në Itali. Ky vendim ofron për shumë persona një siguri dhe prespektivë në të ardhmen”- tha Tajani.

Ndërsa ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani u shpreh i gëzuar që ishte personi që firmosi marrëveshjen nga e cila përfitojnë një numër i madh shqiptarësh që jetojnë në Itali.

“15 vite përpjekje e rëndësishme sapo u firmos. Jam i gëzuar që jam personi që e firmos këtë matrrëveshje për të gjithë shqiptarët që ndodhen në Itali. Falenderoj Italinë për këtë marrëveshje”- tha Hasani.

Ora 08:08
Sot firmoset marrëveshja me Italinë për njohjen e pensioneve, Rama: Përfitojnë mbi 500 mijë shqiptarë

Ndërsa sot do të firmoset marrëveshja për njohjen e pensioneve me Italianë, kryeministri Rama shkruan se do të përfitojnë mbi 500 mijë shqiptarë që jetojnë në vendin fqinj. Po ashtu përfitues janë edhe italianët që jetojnë në vendin tonë.

“MIRËMËNGJES dhe me lajmin e mirë që sot firmoset dokumenti përfundimtar i marrëveshjes së shumëpritur për njohjen reciproke të Sigurimeve Shoqërore në Romë, ku mbi 500 mijë shtetas shqiptarë në Itali dhe mijëra shtetas italianë në Shqipëri janë përfitues të drejtpërdrejtë nga kjo marrëveshje, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.