TIRANE - Ekipi i Vlorës Flamurtari do të presë sot në fushën e tij, Besën e Kavajës, por më shumë do të jetë I përqëndruar në Korçë, atje ku rivali i tij prej disa vjetësh, Skëndërbeu i vendit të parë prêt Teutën e vendit të dytë.

Bregdetarët e Durrësit ndodhen vetëm dy pikë larg bregdetarëve të Vlorës, dhe një humbje e tyre në Korçë, shoqëruar me një fitore të vlonjatëve, u jep këtyre vendin e dytë, që do të thotë pjesmarrje në kupat e Europës. Shans që Flamurtari e humbi në përplasjen direkte me Teutën në Vlorë.

Kuqezinjtë vijnë në takimin me Besën pa tre titullarë, portierin Koliqi për një problem muskulor, dhe fantazistët Zeqiri me gjendje virale dhe Lena, i cili është dëmtuar në gju. Kjo situatë e ka detyruar trinerin Ernest Gjoka të bëjë lëvizjet e tij, duke parashikuar në portë Xhelilin, në mbrojtje Veliu, Pezo, Arbrin dhe Rajoviç, në mesfushë, Muzaka, Telushi, Mici dhe Bratiç, ndërsa në sulm, i zakonshmi Memelli shoqëruar nga Pepa.

Me këtë formacion, Flamurtari synon të zerë për herë të parë për këtë sezon vendin e dytë, duke shpresuar pikërisht tek “armiqtë”, Skënderbeu.

NDESHJET E TJERA

Ndërkohë që po nesër zhvillohen edhe ndeshjet e tjera të javës së 20 të Superligës shqiptare. Kështu, ndeshja më e fortë pritet të jetë ajo e Korçës mes vendit të parë të mbajtur nga Skënderbeu dhe vendit të dytë, Teutës së Durrësit. Në ndeshjet e tjera, Kukësi, prêt Shkumbinin, Apolonia Laçin, Luftëtari Bylisin. Kastrioti Tiranën, Vllaznia Tomorrin.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 30.03.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)