Për pabarazinë e thellë sociale vende më të civilizuara e më të përparuara se ne, në historinë e tyre, kanë bërë namin. Nuk e kanë duruar dot. Revolucioni francez është simboli. Dhe atëherë nuk kishte rrjete sociale, ku të vegjël e të mëdhenj të shihnin në ekranet e tyre ndriçuese darkat, drekat, diamantët, dantellat e Maria Antonietës.

Në ekranet e milrarda njerëzve në botë kalojnë me një klik jetët e të gjithëve, por nuk dhemb luksi i shfrenur i një  futbollisti të talentuar, i një kengëtareje të jashtëzakonshme, i një shefi kuzhine spaktakolar, dhembin pabarazitë mes të njëjtëve: Luksi i familjes së një politikani të korruptuar përballë familjes së një politikani që beson se një shtet i drejtë nuk do të thotë të pasurohesh se të kanë dhënë një votë. Dhemb pabarazia mes luksit të një biznesi që respekton taksat dhe ligjet, përballë një “pelivani” që pasurohet duke mos respektuar dhe duke mos paguar asgjë… “Ti nuk je e shëmtuar, ti je vetëm e varfër”, shkruhet nën foto që tregojnë politikane shqiptare të transformuara nën bisituri të rafinuara kirurgësh të huaj si të ishin duke garuar për filmin më të fundit në Hollivud, dhe llogaritë di t’i bëjë mirë si një vajzë në fshatin më të thellë me një celular në dorë, ashtu dhe studentet ndërsa studiojnë në dhomën e vogël në konvikt. Disa pyesin Chatgpt.

Hendeku i thelluar mes të njëjtëve, disa mes tyre të privilegjuar, nuk po durohet dot më. Sa më shumë kontrast, aq më shumë, në çdo cep të botës, herët a vonë, të diskriminuarit do të marrin një gur në dorë për të luftuar. 

Pabarazia dhemb. Pabarazia sociale nuk është një shaka. Dhe nuk do të thotë, siç na thonin në diktaturën e çmendur se “jemi të gjithë njësoj”; jo, nuk jemi njësoj, por ndajmë të njëjtat ligje dhe të njëjtat rregulla. Shteti, me kolonat e tij, duhet të jetë garanti që ligjet e rregullat të aplikuara pabarazisht të mos krijojnë hendeqet e padurueshme e të pabërballueshme mes të njëjtëve. 

Kujdesi për më të brishtët, vullneti për t’i dhënë dorën të gjithëve nuk duhet të mendohet një utopi, por kokëçarja më e madhe dhe netët pa gjumë të kujtdo i besohet një qeveri. 

Dhe nuk bëhet fjalë për të mira materiale: për rroba firmato, vila, makina, rezorte luksi… Kultura, besimi, drejtësia, barazia… evoluimi drejt paqes, mirëqënies dhe harmonisë duhet të jenë ashensori social në dispozicion dhe falas për të gjithë.