Zgjedhorja, Gjiknuri zbulon skemën e financimit të partive: Do të jetë 1/3, do të lejohen reklamat politike, të martën drafti në Kuvend

TIRANE-Bashkëkryetari i reformës zgjedhore, Damian Gjiknuri ka zbuluar skemën e financimit të partive politike në fushatën zgjedhore. Pas përfundimit të punës së Këshillit Politik, Gjiknuri tha buxheti i shtetit do të dyfishojë financimet për partitë, duke sqaruar se tavani për financimet private do të jetë 1 me 3. Pra privati nuk mund të financojë 3 herë më shumë se shteti. Pjesë e dakordësisë janë edhe reklamat politike në media, të cilat do të vazhdojnë të jenë pjesë e kodit të ri zgjedhor. Gjiknuri bëri të ditur se ditën e hënë do të paraqiten amendimet e plotë të kodit zgjedhor. 

Deputetja Rudina Hajdari u shpreh se aspekti politik i punës në këshill përfundoi dhe tani fjalën e kanë ekspertët. Por Hajdari këmbënguli në kërkesat e opozitës parlamentare, madje duke kërkuar edhe numërim elektronik, teksa për identifikimin u ra dakord më parë.  Përfaqësuesi i PD-së, Oerd Bylykbashi tha se ditën e hënë do të jetë gati drafti mbi të cilin u arrit marrëveshja.

Bashkëkryetari i Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri  ka kërkuar që sot në orë 17:00 të mbledhet Komisioni parlamentar për reformën zgjedhore.

Në e-mailin e dërguar për anëtarët e tjerë të Këshillit politik, Oerd Bylykbashi, Rudina Hajdari dhe Petrit Vasili, Damian Gjiknuri shprehet se duhet të nisë sa më shpejt puna për të miratuar të gjitha amendimet e arritura në marrëveshje dhe të adresohen të gjitha pikat që është arritur konsensus pasi çdo vonesë e tyre do të krijojë probleme me ngritjen e organeve të reja të KQZ dhe kjo sipas Gjiknurit do të "rrezikojë implementimin e identifikimit biometrik në të gjithë vendin".

Por, refuzimi i diskutimit të sistemit zgjedhor dhe listat e hapura në një fazë të dytë ka revoltuar opozitën parlamentare e cila kërcënon se nuk do të votojë asnjë reformë nëse nuk reflektohen dhe këto dy gjëra në reformën zgjedhore. Kjo ka bërë që ata të zhvillojnë takime më herët me ambasadoren e SHBA, Yuri Kim, Gramoz Ruçi dhe me kryeministrin Rama, por pa arritur asnjë dakordësi mes tyre.

Në marrëveshjen e arritur mes palëve të Këshillit Politik janë identifikimi biometrik ku është rënë dakord që të shtrihet në të gjithë territorin, struktura e KQZ anëtarët e së cilës do të pranohen sipas raportit maxhorancë-minorancë ndërsa në grupet e numërimit do të jenë dy grupe zyrtarësh jo-politikë, një prej të cilëve numëron dhe tjetri asiston dhe ndërrojnë rolet me çdo kuti votimi.

Ndërsa një nga pikat që ndante palët që ishte depolitizimi i administratës zgjedhore, nuk do të ketë ndryshime. Megjithatë palët kanë ende për të diskutuar lidhur me financimin e partive, hetimet e krimeve zgjedhore, rolin e policisë në zgjedhje, strukturat e reja të KQZ etj. në mënyrë që deri në përfundim të afatit në korrik të 2020 reforma të jetë gati për miratim.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:52
Bylykbashi: Sot folëm për financimin dhe median, të hënën gati drafti

Përfaqësuesi i PD-së, Oerd Bylykbashi në përfundim të mbledhjes nuk dha detaje nga mbledhja, por theksoi vetëm se janë diskutuar cëshjet e medias dhe financimi i partive. Ai tha se ditën e hënë do të jetë gati drafti mbi të cilin u arrit marrëveshja.

"Sot këshilli diskutoi për cështjet e hapura në zbatim të dakordësisë për administrimin zgjedhor që përmbyllin reformën. Derisa të shihen plotësisht të hartuara në legjislacion garancitë në 5 qershor, jo vetëm administrata, por identifikimi biometrik, por edhe të tjera, deri atë moment këshilli do të punojë për dakordësinë e plotë.

Të hënën do të jetë versioni i plotë. Po punohet te financimi dhe cështja e medias. Të hënën do të kemi përpara dokumentin e plotë për t'i dhënë zgjidhje dhe adresim të plotë dakordësisë së 5 qershorit" tha Bylykbashi.

Ora 14:46
Gjiknuri: Do lejohen reklamat politike, buxheti do dyfishojë financimet për partitë (VIDEO)

Reklamat politike në media do të vazhdojnë të jenë pjesë e kodit zgjedhor, ndërsa buxheti i shtetit do të dyfishojë financimet për partitë politike. Bashkëkryetari i reformës zgjedhore, Damian Gjiknuri bëri të ditur se ditën e hënë do të paraqiten amendimet e plotë të kodit zgjedhor.

"Dakordësuam pjesën më të madhe të amendimeve  që lidhen me financimin në fushatën e zgjedhjeve dhe rolin e medias. Kemi dy tre pika të vogla, deri të hënën do të kemi të gjitha amendimet ligjore në kodin e ri zgjedhorë përfshirë edhe formimin e KQZ. Të hënë maksimumi të martë shpresoj që të çoj zyrtarisht draftin  në komisionin e reformësa zgjedhore më pas drafi  të vazhdojë diskutimi në parlament. KQZ nuk ka element surprizë, janë parimet që janë bërë publike, po diskutojmë disa mekanizma për procedurën e përzgjedhjes së anëtarëve ku do të jetë një skemë e hapur dhe do të reflektohen edhe propozimet e opozitës.

Do të lejohen reklamat politike, pavarësisht se ka pasur një rekomandimit të KiE, mendoj se nuk jemi në kushtet që të ndalojmë reklamat politike. Buxheti do të dyfishojë financimet për partitë dhe tavani do të jetë në raportin 1 me 3, pra tre herë më shumë sesa buxheti që do të marrin nga buxheti i shtetit do të jetë tavani për financimet private", tha Gjiknuri.

Ora 14:41
Rudina Hajdari: Beteja ime tani është në parlament, duam edhe numërim elektronik (VIDEO)

Deputetja Rudina Hajdari u shpreh se aspekti politik i punës në këshill përfundoi dhe tani fjalën e kanë fjalën ekspertët. Por Hajdari këmbënguli në kërkesat e opozitës parlamentare, madje duke kërkuar edhe numërim elektronik, teksa për identifikimin u ra dakord më parë. 

"Këshilli Politik e ka përfunduar pjesën politike të marrëveshjes, tani po flasim për gjëra që i kanë në dorë ekspertët. Tani duhet të kodifikojmë dhe ta cojmë në parlament. Beteja ime tani është në parlament, te komisioni i reformës për të shtuar gjërat e tjera. Pa ndryshuar marrëveshjen por duke shtuar disa elementë. Ne do të shkojmë duke propozuar elementë shtesë, listat e hapura dhe ndryshimin e sistemit.

Do të fillojmë që të propozojmë votën e diasporës, do të ngulim këmbë në këtë propozim, pasi ata emigrantë që e kanë mbajtur Shqipërinë me remitanca tu jepet kjo e drejtë. Edhe te administrata dhe pse jo të shikojmë mundësinë e numërimit elektronik. Beteja ime në këtë këshill ka mbaruar, tani nuk duhet të merremi me në aspektin politik, por t'ua lëmë në dorë ekspertëve dhe në parlament të shtojmë të tjerat" tha ajo.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Vlorë/ Drogë, thyerje mase, djegie makine dhe aksident, 2 të arrestuar, 2 nën hetim dhe një në kërkim

Vlorë/ Drogë, thyerje mase, djegie makine dhe aksident, 2 të arrestuar, 2 nën hetim dhe një në kërkim