Sot Kushtetuta hyn në fuqi, PD
paralajmëron bllokimin e reformës

Sot Kushtetuta hyn në fuqi, PD<br />paralajmëron bllokimin e reformës
Sot hyjnë në fuqi ndryshimet kushtetuese të miratuara unanimisht në orët e para të 22 korrikut.
 
Pas dekretimit nga kreu i shtetit 47 nenet e ndryshuara të Kushtetutës, së bashku me anekset, tashmë janë botuar në Fletoren Zyrtare. Por edhe pas gjithë kësaj, reforma është ende e paplotësuar dhe e pazbatueshme, për sa kohë 7 ligjet organike që e shoqërojnë atë dhe e bëjnë funksionale, ende nuk janë miratuar.
 
Të kontaktuar nga Report Tv mbi këtë ngërç Oerd Bylykbashi i PD, Ulsi Manja i PS dhe Spartak Braho e Luan Rama të LSI-së japin argumentet e tyre.

"Përtej konsensusit politik, e kemi thënë që në fillim të procesit që drafti i njëanshëm Kushtetues kishte probleme të rënda në lidhje me sistemin e institucioneve. Shembull për këtë ishte KED i cili ishte guri i themelit të arkitekturës së kapjes politike. Ne arritëm ta zhbëjmë këtë aspekt, por me insistimin e PS, KED mbeti në Kushtetutë si një apendisit që më shumë krijon probleme në zbatimin e Kushtetutës. Dhe ja, ekspertët e qeverisë kanë hartuar draftin në mënyrë të tillë që nuk mund të zbatohet edhe pse Presidenti po mbledh ekspertë e parti politike që të gjejë një rrugëdalje nga qorrsokaku kushtetues. Kjo është reforma kushtetuese kur Kryeministri dhe deputetët e tij deklarojnë se e votojnë pa e lexuar. Dhe ky është vetëm fillimi i problemeve", u shpreh Bylykbashi. 

"Kushtetuta duhet respektuar në frymë dhe në germë dhe jo me fragmentime. Në jurisprudencën kushtetuese thuhet që kur ka vakum ligjor zbatohen drejtpërsëdrejti për aq sa është e mundur normat kushtetuese. Në rastin konkret është e vërtetë që Kushtetuta ka përcaktuar afat për ngritjen e KED por edhe të disa institucioneve të drejtësisë në vend por nga ana tjetër po vetë Kushtetuta është shprehur qartë që vetingu përbën bazën ose themelin e kompozimit të të gjithë institucioneve të drejtësisë në Shqipëri.
 Kur ndeshen dy norma kushtetuese njëra me tjetrën përparësi në zbatim merr norma kushtetuese përmbajtjesore. Në këtë rast është detyrë e ligjvënësit të kujdeset për nxjerrjen e akteve ligjore që e jetësojnë Kushtetutën ndërsa zbatimi i një norme kushtetuese duke shkelur një normë tjetër kushtetuese nuk është rruga e duhur.
Ne e kemi thënë që në fillim që Kushtetuta që miratuam për tu jetësuar ka nevojë për miratimin e një pakete ligjore me 7 ligje. Nuk mund të fajësohet teksti kushtetues se pse parlamenti dhe politika nuk e kanë përfunduar detyrën deri në fund në rastin e reformës në drejtësi. Presidenti sa harxhon kohe me konsultime është mirë ta harxhojë kohën me faktorin politik parlamentar për ta nxitur parlamentin të miratojë paketën ligjore që kërkohet me qëllim zbatimin sa më parë të Kushtetutës. Kohë për të bërë gjënë e duhur kur ka vullnet politik ka në çdo kohë e në çdo moment. Dhe kjo është detyrë e përbashkët e opozitës dhe shumicës. Dhe ne si shumicë jemi gati dhe gatishmërinë tonë për Reformën në Drejtësi e kemi shprehur në mënyrë konsistente gjatë gjithë kohës
", thotë socialisti, Ulsi Manja. 

"Është e vërtetë që janë të pazbatueshme këto dispozita Kushtetuese, sa kohë nuk janë miratuar ligjet e posaçme", thotë Spartak Braho. 

Nuk ndaj të njëjtin mendim, sipas të cilit ndryshimet kushtetuese hyjnë në fuqi, por janë të pazbatueshme. Hyrja në fuqi e ndryshimeve kushtetuese shenon edhe fillimin real te jetesimit te reformes ne drejtesi, qe do te vijoje me miratimin e ligjeve dhe ngritjen e institucioneve te reja te drejtesise”, tha Sekretari i Përgjithshëm i LSI, Luan Rama. 

Kushtetuta e re sapo ka nxjerrë ngërçet e para. Ajo e detyron Presidentin që brenda 5 ditëve nga hyrja në fuqi e ndryshimeve, të nisë procedurën për zgjedhjen e 9 anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
 
Por aktualisht, mungon ligji për kriteret e ngritjen dhe funksionimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
 
Veç miratimit të nismave ligjore, një çështje tjetër që duhet të marrë zgjidhje është miratimi i faturës financiare të drejtësisë së re.
 
Debati në komisionin e posaçëm të drejtuar nga Fatmir Xhafaj ka ngelur tek drafti i vettingut, i cili sëbashku me ligjet për Byronë Kombëtare të Hetimit dhe institucionet e reja duhet të kalojnë në seancën e jashtëzakonshme plenare që do të mblidhet gjatë gushtit.

Çfarë ndodh me reformën pas hyrjes në fuqi?
Reforma është ende e paplotësuar, për sa kohë 7 ligjet organike që e shoqërojnë atë dhe e bëjnë funksionale, ende nuk janë miratuar. Debati në komisionin e posaçëm për reformën në drejtësi ka mbetur të drafti i ripunuar i Euralius për Vettingun. Duke i shtuar këtu edhe periudhën e nxehtë të pushimeve verore të këtij gushti, gjasat për ta përfunduar reformën brenda këtij sesioni janë në pikëpyetje. 
 
Kushtetuta e re detyron presidentin që brenda 5 ditëve nga hyrja në fuqi e ndryshimeve, pra 11 gushti, të nisë procedurën për zgjedhjen e 9 anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
 
Por aktualisht, mungon ligji për kriteret e KED. Edhe nëse të enjten, pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese të mblidhet parlamenti për ta miratuar këtë ligj, afati i përcaktuar në kushtetutë, pra 16 gushti, nuk ka shanse të kapet, për sa kohë ligjit i duhen edhe 15 ditë të tjera për të hyrë në fuqi.
 
Pra, sipas presidentit Nishani, kushtetuta e re sapo ka nxjerrë ngërçet e para. Afat ka edhe për nisjen e procedurave për ngritjen e strukturave që do të bëjnë Vetingun. Brenda 45 ditëve nga hyrja në fuqi e ndryshimeve kushtetuese, që do të thotë deri në fund të shtatorit, presidenti duhet të ketë përfunduar organizimin e procesit të aplikimit dhe hartimin e listës me kandidatët që plotësojnë kriteret.
 
Një tjetër institucion që do të ngrihet me ndryshimet e reja në Kushtetutë është Inspektori i Lartë i Drejtësisë. Inspektori emërohet brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Dy institucione të tjera që parashikohet të ngrihen në sistemin e reformuar të drejtësisë shqiptare janë Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

Të dy këto institucione duhet të ngrihen brenda 8 muajve nga hyrja në fuqi e këtyre ndryshimeve. E ndërsa për këto të fundit ka ende kohë, Vettingu dhe KED janë më prioritaret për politikën këtë gusht.

Seanca për miratimin e Vettingut duhet të jetë brenda gushtit, për t’i hapur rrugë ngritjes së institucionit të ri. Por gjasat tregojnë se deri më 20 gusht, mund të mos kemi aspak jetë parlamentare, pasi burimet pranë qeverisë pohojnë se kryeministri Rama i ka dhënë deputeteve kohë për pushime, por pa përjashtuar edhe situatën e gatishmërisë për t’iu kthyer seancës plenare të jashtëzakonshme.
 
Veç miratimit të nismave ligjore, një çështje tjetër që duhet të marrë zgjidhje është edhe planifikimi buxhetor i Reformës në Drejtësi.

Edhe pse mungon një faturë financiare për barrën e re që krijon për buxhetin e shtetit ndryshimi i masës së trajtimit financiar të prokurorëve e gjyqtarëve si dhe krijimi i institucioneve të reja, në relacionet e nismave paralajmërohet vetëm se do të ketë nevojë për rritje fondesh në mënyrë që konkretizohen parashikimet e reja ligjore.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    PD paralajmëron protesta, bllokim rrugësh e kaos në Kuvend, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Ndërpritet derbi i Madridit, Reali i shënon Atleticos! Tifozët hedhin sende të forta kundër Courtois

VIDEO/ Ndërpritet derbi i Madridit, Reali i shënon Atleticos! Tifozët hedhin sende të forta kundër Courtois