Kuvend, Braçe interpelancë me Krifcën: Çmimet e imputeve bujqësore 3 herë më shtrenjtë, tregu i kapur! Nesër beteja do jetë për ujin! Ministrja: 3.4 miliardë të investuara në Divjakë

Në seancën e sotme plenare, deputeti socialist Erion Braçe i ka kërkuar llogari Ministres së Bujqësisë, Frida Krifca në lidhje me një sërë problematikash të evidentuara në këtë sektor. Theksin Braçe e vuri te rritja e çmimeve të imputeve bujqësore, që janë shtrenjtuar me 3 herë, ku akuzoi se tregu është kapur. Ai akuzoi se janë vetëm dy apo tre subjekte, duke mos hezituar t'i përmendë dhe me emër, që zotërojnë 95-98% të tregtisë së një produkti, teksa theksoi se vetë qeveria e ka lejuar një situatë të tillë.

Problem tjetër që përmendi Braçe është edhe problemi me ujitjen, ku teksa përmendi Divjakën theksoi se sistemi i ujitjes nuk është tërësisht i rehabilituar, dukë lënë hektarë të tërë tokë pa vaditur.

Këtij shqetësimi ministrja Krifca iu përgjigj me shifra investimesh, duke thënë se këto dy zona kanë marrë mbi 4 miliardë lekë për kullim e ujitje. Por këto investime janë të pamjaftueshme sipas Braçes, në një kohë që burimet ujore duhet të shtohen. Braçe propozon për ujitje të përdoret edhe kullimi, ndërsa ngriti shqetësimin se digat e ngritura në lumin Devoll në funksion të HEC-it të Banjës, u redukton sasinë e ujit për vaditje. Sa i takon mundësisë së ujitjes me pompa, Braçe e hedh poshtë duke thënë se kostot janë të papërballueshme sidomos pas shtrenjtimit të naftës e energjisë.

"Bujqësi pa ujë nuk ka, ndryshimet e klimës po thërrasin këtë rrezik. Digat e ndërtuara kanë kufizuar mundësitë për ujë në shërbim të skemave vaditëse. vaditja me pus e pompa kushton e do kushtojë më shumë me rritjen e çmimit të naftës. Problem edhe kripëzimi i tokave. Jetike për ne të kemi një marrëveshje të qartë sa kohë që Hidrocentrali i Banjës ka ndryshuar destinacionin tij dhe i kushtohet prodhimit të energjisë në Lushnje duam pjesën tonë të përdorimit të ujit për vaditje në të gjithë fushën e Myzeqesë. Është jetike për ne të kemi një marrëveshje të qartë e të plotë me Hidrocentralin e Banjës që ndryshimet të përshtaten me nevojat që kemi për vaditje. Na duhen burime të shtuara uji për Myzeqenë", tha ai.

Seanca sot nisi me debate, kjo për shkak të reagimeve të deputetëve të opozitës pasi Kuvendi nuk i regjistroi kërkesat për interpelancë dhe mocion me debat me kryeministrin Edi Rama. Kujtojmë se Partia Demokratike ka kërkuar mocion me debat në Kuvend për rritjen e çmimeve, ndërsa nga ana e Grupi i Rithemelimit u kërkua interpelancë me kryeministrin Edi Rama.

Dokumenti i Grupit të Rithemelimit është firmosur nga 9 deputetë të cilët kërkojnë interpelancë për 3 pika kryesore, paketën anti-krizë, gjendjen e Rezervave Materiale të shtetit dhe Rezervës së Sigurisë së Naftës.

Në replika u përfshinë edhe deputeti Edmond Spaho me Kreun e Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Ballën. Ky i fundit i ktheu përgjigje Spahos i cili foli për rritjen e çmimeve, ku akuzoi qeverinë se nuk ka marrë asnjë masë dhe se furnizuesit e naftës po abuzojnë me çmimet në ngritje.

Për Ballën, ata po përdorën krizën që ka prekur të gjithë botën për interesat e tyre politike, duke e konsideruar një gjë të tillë 'turp'. Nga ana tjetër Spaho iu përgjigj menjëherë ku tha se nëse atyre 'i vjen turp nga populli', ta ndërrojnë atë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:21
Debate në Kuvend/ Berisha: Viktimat e COVID, katastrofë e qeverisë! Spiropali: Je sovjetiku i fundit, Aksioni yt politik flet vetëm për kufoma

 

Debate të ashpra ka pasur në Kuvend mes Sali Berishës dhe Elisa Spiropalit. Berisha ka akuzuar qeverinë se ka fshehur viktimat nga COVID, teksa përgjigja e Spiropalit ka qenë me akuza të forta, por që është pasuar edhe më kundërpërgjigje.

Elisa Spiropali: Shqiptarët e kanë thënë përpara, koha jote ka mbaruar, i flet vetes për të larguar frikën, si ai që bërtet në pyll. Ti je përçarësi më i madh i shqiptarëve, sovjetiku i fundit në këtë vend Sali, nuk lë rast, pandemi, luftë, fatkeqësi natyrore pa përdorur për vetën tënde, për aksionin tënd politik flet për kufoma se të shkon gjuha kur dhemb dhëmbi, nuk pyet për kufoma për pushtetin tënd, dhe flet për viktimat e COVID dhe luftës, ky është turp, nuk mjafton që ke mundur Lulin e luleve të tjera se ke shkatërruar partinë tënde dhe je pakicë e pakicës.

Sali Berisha: Skënder Buçi e ka shpërblyer me 5 mln euro dhe e vërteta është që mbrojtja që i bën këtu vetëm sa më ndihmon mua, avokati, mis 5 mln është e përshtatshme për Edi Ramën, ngrita çështjen e vdekshmërisë nga COVID dëshmi e katastrofës së një sistemi qeverisës dhe të kalosh në këtë mënyrë vetëm njerëz që janë vepruar nga paratë, korrupsioni mund të bëj këtë gjë, ju ftoj që të mbajmë 1 minutë heshtje përmbi 14 mijë vdekjet nga COVID.

Ermonela Felaj: Ka një rregullore se kur kërkohet dhe mbahet një minutë heshtje

(Deputetët e Berishës mbajnë 1 minutë heshtje)

Elisa Spiropali: Nuk do gjesh në xhepat e mi asnjë cent, jo ti po asnjë tjetër, prandaj jam serbes dhe nuk më dridhet qerpiku që të merrem me ty e asnjë tjetër, por në duart e mia nuk do gjesh as gjak që gjen në duart e bashkëpunëtoreve të tu që sot i ke kundër, nuk do gjesh në këtë rresht të ministrave, që kanë borxh as viktima e as kufoma.

 

Ora 14:54
Balla: Serbia t’i japë fund tangos, në mëngjes me BE-në, në darkë me Rusinë! O me botën demokratike, o me diktatorin

Kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla deklaroi sot se BE duhet të kërkojë një qëndrim të përbashkët nga vendet që aspirojnë për anëtarësim në BE për çështje të sigurisë dhe politikës së jashtme. Balla u ndal tek qëndrimi i Serbisë për Ukrainën, ku tha duhet t’i japë fund qëndrimeve të dyfishta.

“Të gjithë biem dakord që Serbia duhet t’i japë fund asaj tangos në mëngjes me BE-në në darkë me Rusinë. O me botën demokratike, o me diktatorin. Me të dy nuk mund të rrijë. Bie dakord me nevojën që BE duhet t’i kërkojë të gjitha vendeve që negociojnë për anëtarësim, qëndrimin e përbashkët për çështje të sigurisë në politikën e jashtme”, tha Balla.

Ora 14:52
Kryemadhi thirrje parlamentit: Të bashkohemi që të integrohemi sa më shpejt në BE dhe të largojmë kryeministrin nga Ballkani i Hapur

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi i bëri thirrje të gjithëve në parlament të bashkohen për të bërë të mundur integrimin e Shqipërisë ne Bashkimin Evropian. Ajo tha sesa më pranë BE të jemi aq më shumë do të largohej

Shqipëria duhet të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian sa më shpejt, kjo pasi sipas saj do të largonte kryeministrin Edi Rama nga Ballkani i Hapur.

“Përafrimi i Shqipërisë me BE është një nga detyrat tona, e të gjithëve këtu brenda.  Integrimi nuk është meritë e qeverisë, as e parlamentit, por e të gjithë shqiptarëve. Ajo që dua të shtojë është se hapja e negociatave, mund të bëhet edhe përmes një rezolute të përbashkët nga të gjithë ne këtu në parlament. Çështjen e integrimit do e shihja si thelbësore. Kërkoj që të hapen sa më shpejt negociatat, sepse sa më shumë të afrohemi me BE aq më larg kryeministri do të jetë me Ballkanin e Hapur. Sepse bukën e gojën shqiptari nuk e ka marrë serbi. Ky proces është një proces që nuk duhet kthyer qesharak, në një proces që bëhet sa për të kthyer rrallën. Procesi i integrimit duhet parë me seriozitet, edhe i shoqërisë civile dhe botës akademike. Këshilli Evropian të mos përdoret si fasadë, por të jetë si institucion. Nuk ka gjë të keqe që fermerët shqiptarë të thërriten. Projektet të mos shkojnë për kantina vere që nuk ekzistojnë, por të shkojnë për fermerët, qoftë për të ulur çmimet e naftës në mënyrë të tillë që produktet shqiptare të mbushin prodhimin dhe ajo që është më e rëndësishmja të ndihemi të pavarur, jo vetëm ekonomikisht, por edhe politikisht”, tha Kryemadhi.

 

Ora 14:15
Xhaçka: Të kërkojmë me ngulm anëtarësimin në BE! Ballkani Perëndimor teatri i dytë më i rëndësishëm i pasojave të luftës në Ukrainë

Ministrja e Jashtme, Olta Xhacka gjatë fjalës së saj në Kuvend tha se duhet të kërkojmë me forcë që politika e zgjerimit të kthehet në vëmendjen e Bashkimit Europian.

Gjatë fjalës së saj Xhaçka e cilësoi Ballkanin Perëndimor si teatrin e dytë më të rëndësishëm të pasojave të luftës në Ukrainë.

“Gjatë vitit 2021 kemi marrë disa vlerësime të njëpasnjëshme nga Komisioni Evropian, si dhe nga Këshilli i BE-së në dhjetor 2021, se Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kushtet për të nisur negociatat e anëtarësimit, çka pritet të bëhet nëpërmjet Konferencës së parë Ndërqeveritare BE-Shqipëri.

Siç jeni të gjithë të njohur, për shkak të një artifice të krijuar nga një mosmarrëveshje mes dy fqinjëve të Shqipërisë, po e mban pezull edhe vendimmarrjen për Shqipërinë në Këshill.

Me të dyja vendet në fjalë ne gëzojmë marrëdhënie dypalëshe të shkëlqyera reciprokisht. Gjithmonë kemi lobuar që mosmarrëveshjet dypalëshe të mos pengojnë avancimin e vendeve kandidate në rrugëtimin e tyre drejt BE-së. Kemi lobuar përherë që perspektiva e integrimit e vendeve të Ballkanit Perëndimor të jetë e qartë dhe konkrete dhe procesi të jetë i besueshëm dhe i parashikueshëm.

Siç e përmendi më herët edhe z. Balla, jemi në një moment kyç për të avancuar kërkesën tonë për mbajtjen sa më shpejt të Konferencës së parë Ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Mundësisht brenda termit të Presidencës franceze të Këshillit të BE-së.

Ashtu si ky Kuvend i nderuar e ka përjetuar këtë moment tejet delikat gjeopolitik në Evropë, ku në fakt dy botëkuptime të ndryshme vlerash dhe parimesh po përballen dhe një vend i pafajshëm, vetëm sepse guxoi të zgjedhë të ardhmen e vet, po vuan në breshërinë e bombave dhe bota ka ndaluar së frymuari nga krimet e pakuptimta që po kryhen në Ukrainë prej agresorit rus.

Në këtë përballje madhore, po në fakt edhe shumë më herët, ashtu si ne kishim paralajmëruar, rajoni i Ballkanit Perëndimor është teatri i dytë më i rëndësishëm i pasojave të atij konflikti.

Kemi parë se si rajoni është përçarë, kemi parë një influencë të jashtëzakonshme ruse në rajon, kemi parë se si pikat e dobëta në rajon janë ato që nuk kanë një perspektivë të qartë evropiane, kemi parë se si forca e marrëdhënies kontraktuale me BE-në apo forca e bashkëpunimit rajonal janë forca të fuqishme që ndalin konflikte pavarësisht ndasive.

Prandaj më shumë se kurrë, sot e në këtë kohë sfidash, do të duhet ta kërkojmë me forcë që politika e zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor të rikthehet në vëmendjen e Bashkimit Europian. Sepse kjo politikë zgjerimi është një policë sigurimi për BE-në në radhë të parë e së dyti për vetë rajonin, i cili ende nuk i ka të shëruara plagët e të shkuarës së afërt.”, tha ministrja.

Ora 13:37
‘Të miratojmë në Kuvend kërkesën për anëtarësim të shpejtë në BE’, Balla-opozitës: Të lëmë mënjanë agjendën politike dhe të flasim për integrimin

Kryetari i Grupit Parlamentar, Taulant Balla kërkoi në parlament që forcat politike të lënë mënjanë agjendën politike dhe të flasin për aspiratën më të rëndësishme historike, atë të anëtarësimit të Shqipërisë në BE

Balla ftoi opozitën që Kuvendi i Shqipërisë, duke marrë shkak dhe nga agresioni rus në Ukrainë, të kërkojë anëtarësimin e shpejtë të 6 vendeve të Bashkimit Evropian në BE.

“Interesi i Shqipërisë e do sot më shumë se kurrë se kur flasim për aspiratën më të rëndësishme historike, atë të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, ta lëmë agjendën politike mënjanë dhe të kthehemi të  flasim për kontekstin e ri gjeopolitik dhe nevojën që të gjithë kemi të flasim me të njëjtën gjuhë, ndërsa kemi mundësi të flasim dhe të takojmë kolegë të vendeve të BE-së në të gjitha nivelet e përfaqësimit të tyre.

E nderuar zonja Tabaku unë do doja ta ftoja opozitën sot që Kuvendi i Shqipërisë krahas kuvendeve të Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Bosnjë Hercegovinës dhe të Serbisë, mos të kërkojmë përshpejtim të procesit, unë mendoj se ka ardhur koha të kërkojmë anëtarësimin e shpejtë të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. Konteksti i ri gjeopolitik i shkaktuar nga agresioni rus kërkon një përshpejtim të procesit të Moldavisë, të Gjeorgjisë edhe Ukrainës.

Ballkani Perëndimor duhet të jetë hapi tjetër i zgjerimit dhe ka ardhur koha që kjo të marrrë një rrugë të re. Kur flitet për integrimin agjendat politike t’i lëmë mënjanë dhe të fokusohemi te momenti që jemi.”, tha deputeti socialist.

Ora 12:38
VIDEO/Rezoluta për agresionin rus në Ukrainë bën bashkë Bashën e Berishën në Kuvend, demokratët bashkojnë votat, rrëzohen nga PS! Balla batuta: Sali vodhe kartën e Lulit

Diskutimi i rezolutës për agresionin rus në Ukrainë ka bërë bashkë Berishën dhe Bashën në Kuvend, ku demokratët bashkojnë votat për ta futur në rend të ditës, por kjo është hedhur poshtë nga votat e mazhorancës që ishin shumë më tepër.

Deputetët e  PD bashkuan votat me deputetët e Sali Berishën duke bërë së bashku për të diskutuar rezolutën , ku nga deputetët e Bashës iu bashkuan edhe Arbi Agalliu, Sorina Koti, Bujar Leskaj, Ferdinand Xhaferraj duke mbledhur gjithsej 17 vota, ndërsa u hodhën poshtë nga 48 votat e mazhorancës, të cilët ngritën kartonin e kuq.

Ky votim është shoqëruar me batuta , ku taulant Balla iu drejtua Berishës duke thënë se ai ka vjedhur kartën e Lulzim Bashës. Ky moment u pasua me të qeshura.

REPLIKAT

Sali Berisha: E përdorët votën për diktat. Nuk ju lejon Edi Rama.

Lindita Nikolla: Kush është pro që rezoluta të futet në axhendën e punimeve të Kuvendit. Numërojmë votat.

Taulant Balla: Ka vjedhur kartën e Lulit

Sali Berisha: Dy janë shkeljet më të rënda të parlamentit sot që refuzon debatin për krizën e rëndë që ka pllakosur qytetarët. Dëshmi e një arrogance të qeveritarëve. Dëshmi e shpirtkazmërisë. Dëshmi e gënjeshtrave dhe trillimeve ndaj qytetarëve që janë në protestë. U serviren fatura nga Itali. Kërkoj rezolutën sepse ju po shkelni embargon. Po shkarkohen anije ruse.Të respektoni protestën e qytetarëve. Për ju nuk ka krizë. Nuk ka kufizime. Ka vetëm dëshira. Ju nuk e latë të futët në 9 vite. E përdorët votën për diktat. Nuk ju lejon Edi Rama

Jashtë parlamentit, e pyetur nëse bashkimi i votave pro nismëtarëve të Berishës për rezolutën e Ukrainës,  ishte mesazh për Bashën, u përgjigj:  “Ka shumë vota të foltores që janë bashkuar për inceneratorët. Lufta e brendshme aq më mirë të mos na prekë opozitarizimin, cështjet e opozitës le të ndahen nga situata e PD. nëse arriojmë ta bëjmë këtë do të thotë që kemi deputetë maturë”

Ora 12:07
Ministrja Krifca i përgjigjet Braçes: Janë 3.4 miliardë lekë të investuara në Divjakë! Janë rritur sipërfaqet e ujitura

 

Në përgjigjen e saj Ministrja e Bujqësisë i ktheu përgjigje për kanalet vaditëse dhe investimet e bëra nga qeveria në këtë fushë, ku tha se vetëm në Divjakë janë investuar 3.4 miliardë lekë. Ajo shtoi se po ashtu janë rritur edhe sipërfaqet e ujitura

“Raportet ndërkombëtrae tregojnë se deri në vitin 2035 temperatura mesatare si pasojë e ndryshimeve klimaterike do të rritet me 1 gradë celcius dhe parashikohet se shirat do të ulen me 10 deri në 20%/. Në këto kushte duhet të diskutojmë dhe rreth masave parandaluese të përmbytjeve dhe investimeve të nevojshme për të ulur kostot e këtyre fenomeneve negative.

Përpjekjet në këtë drejtim duhet të jenë të vazhdueshme. Së dyti kulturat tona kanë nevojë për ujitje. Procesi i mbulimit të ujitjes është mbështetur në mënyrë të fuqishme nga partnerët tanë dhe investimet e qeverisë”, tha ministrja.

Ora 11:40
Braçe interpelancë me Krifcën: Çmimet e imputeve bujqësore janë rritur me 3 herë, qeveria është dorëzuar! Tregu është u kapur! Sistemi i ujitjes i parehabilituar plotësisht

 

Deputeti socialist Erion Braçe, nga foltorja e Kuvendit ka paraqitur problematikat me të cilat po përballet bujqësia sot, duke kërkuar një përgjigje nga Ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca. Braçe tha se problemi i parë është rritja deri në 3 herë më shumë e çmimeve të imputeve bujqësore, problematikë për të cilën Braçe tha se qeveria ka 'ngritur duart'. Ai akuzoi se tregu është i kapur dhe se janë vetëm dy apo tre subjekte, duke mos hezituar t'i përmendë dhe me emër, që zotërojnë 95-98% të tregtisë së një produkti.

Problem tjetër që përmendi Braçe është edhe problemi me ujitjen, ku teksa përmendi Divjakën theksoi se sistemi i ujitjes nuk është tërësisht i rehabilituar, dukë lënë hektarë të tërë tokë pa vaditur.

"Kemi 3 probleme të mëdha në bujqësi. I pari, çmimet e rritura deri në 3 herë të imputeve bujqësore. ndryshimet klimës me impakt të fortë në ciklet e prodhimit, nevojën për ujë jashtë sezoneve normale dhe burimet ujore. Shkretëzimi i tokave nga përdorimi masiv i puseve nëntokësore veçanërisht afër brigjeve detare, siç është në Divjakë. Për problemin e parë, qeveria është dorëzuar, ka ngritur duart lart dhe po përsërit vetveten s'kemi ça bëjmë është tregu'. Tregu është i kapur dhe i përqendruar. 2-3 kompani që zotërojnë 95-98% të tregtisë së një produkt nuk bëjnë treg. Agro Blend dhe MBM zotërojnë 92% të tregut të uresë, 98% të tregut të dapit, Agrohelm dhe Besbiku 93% të tregut të nitratit. I kemi krijuar ne me vendime këto. Gruri del me humbje, misri me fitim që nuk arrin pagën minimale. blegtoria, lopët dalin me humbje. Këtu mbivendoset edhe problemi i madh i çmimeve në shitje që favorizojnë grumbulluesit dhe kurrë bujkun e fshatarin. Uji i munguar për vaditje than gjithçka. Ka problem për të sigurua ujin e ëmbël për vaditje. Lushnja dhe Divjaka kanë 4 degë për vaditje ,e Çukasit që vadit gati 10 mijë hektarë dhe është rehabilituar. Dega e Krutjes ujit 8600 hektarë. Kjo vjeshtë do kthehet në problem për shkak të çmimit të naftës. Një pjesë e skemave ujitëse nuk janë plotësisht të rehabilituara, mbeten qindra hektarë tokë pa vaditur e pa kulluar. Përdoren pompa, kostoja shkon shumë që nuk përballohen dot tani. Problemi më i madh që kemi do të jenë burimet ujore dhe dua të dëgjoj shumë për atë që do të jetë problemi më i madh, uji", tha Braçe.

Ora 11:21
Balla: Turp që po shfrytëzoni krizën që ka prekur botën për hesape politike

Kreu i grupit parlamentar të PS, Taluant Ballës tha se është turp që opozita përdor krizën në Evropë për interesa të saja.  Ai tha se është e pamundur të flasë për çmimet me personat non grata dhe se nxisin protestën më të turpshme në Europë.

"Për çështje çmimesh me non gratat është e pamundur të bëjmë debat sepse keni prej ditës së parë që keni hedhur gurin, por s’keni fshehur as dorën. Lidhur me atë që u tha këtu dhe që s’ka asnjë dyshim që ne duam në çdo moment të bëjmë debat, por atë pikë së pari duhet ta bëjmë me atë që preken me pasojat e luftës dhe që janë qytetarët e thjesht të këtij vendi. Kryeministri është në takim me qytetarët që janë prekur për së drejti me këtë. Sa për Saliun tuaj që nuk e din se sa është çmimi i naftës sepse se ka paguar nga xhepi i tij, ju lutem na kurseni pisllëkun që po bëni në këtë sallë. Në nenin e rregullores, duhet ta dish fare mirë që kur prezantohet kërkesa nga disa deputetë, deputetët mbështetës çohen në këmbë dhe shoqërojnë deputetin. Por ti nuk i kish dhe ata që të kanë dhënë firmën. Në këtë aspekt, që në atë formal kërkesa juaj ka rënë. Do ju lutesha që çështja e çmimeve ka prekur Evropën dhe botën. Është armë politike që Rusia po përdor çmimet duke përdorur eksportet. Turpi më i madh është që nuk ka një vend të dytë në Evropë që opozita të përdorë këtë moment kaq kritik për Evropën, për hesape politike. Shkoni në protestë, ngarkoni autobusat për të sjellë mbetjet e non gratave për t’iu bashkuar protestave. Por për sa kohë që Sali Berisha ti bëjë jehoni protestave që organizoni, mbajeni me shëndet sepse parlamenti është i angazhuar të merret me rendet e ditës", tha Balla.

Ora 11:19
Shehu: Turp për konferencën e kryetarëve që refuzoi rezolutën tonë për dënimin e agresionin rus ndaj Ukrainës! Ky është qëndrimi anti-perëndimor

Deputeti i PD, Tritan Shehu e cilësoi si një turp vendimin e konferencës së kryetarëve për refuzimin e diskutimit në seancës e sotme, lidhur me një rezolutë të propozuar nga 7 deputet për agresionin rus ndaj Ukrainës.

“Shpresoj që me votën tuaj do të nderoni veten nga turpi që hodhi konferenca e kryetarëve që në mënyrën më absurde nuk la të diskutohet një rezolutë për Ukrainë të paraqiture nga një grup deputetësh. Dua të vlerësoj sakrificat e popullit të Ukrainës për të mbrojtur dinjitet dhe lirinë e tyre. Në konferencës e kryetarëve ndodhi një ngjarje e tmerrshme Një qëndrim anti-perendimor. Balla duke përdorur pushteti tuaj me kontrollin e konferencën, sabotoi futjen e rezolutës sonë. Nuk u lejua të votohej dhe diskutohej ky debat kaq i rëndësishëm duke dashur të shurdhohet zëri i deputetëve. Unë akuzoi ju, mazhorancën dhe ndonjë vasal tuajin që bëri mos të futej më diskutim kjo rezolutë. Edhe në nëpërkëmbjen e Kosovës, kur çështjet e rajonit dhe Ballkanit të hapur zënë një vend të veçantë turp që nuk i hapët rrugën kësaj rezolute. Kjo rezolutë duhet miratuar edhe ky debat duhet bërë që të pasurohet ajo, sepse pikat e saj dënojnë agresion rus. Kjo është në sinkron me rezolutën e BE. Duam të paralajmërojmë rajonin për rreziqet që e kanosin. Ne votuam për rezolutën tuaj të zbehtë, ndërsa ju ca bëtë? Bllokuat tonën sepse keni frikë nga kjo rezolutë. Vendet e tjera votojnë cdo ditë për rezoluta. Dje senati i SHAB miratoi një tjetër rezolutë, ku e cilësonin Putin si kriminel lufte. Ftoj deputet të paraqesin edhe amendamente ndaj kësaj.”, u shpreh ai. 

Ora 10:58
'S'rriten çmimet në Ukrainë ku ka luftë, rriten në Shqipëri', Ahmetaj i përgjigjet Spahos: Kemi injektuar 5.2 mld lekë! Nëse përkeqësohet situata, paketë të dytë

 

Deputeti Edmond Spaho akuzoi qeverinë se po nuk po kontrollon rritjen e çmimeve në vend dhe se kryeministri Edi Rama 'mashtron qytetarët me fatura'.

"Ministrja ju thotë mos blini bukë me makinë. Kryeministri thotë çmimi do vazhdojë të rritet. E sfidon popullin. Dhe qershia mbi tortë thotë ministrja se e kam në dorë të lëviz me makinë, ju lëvizni në këmbë thotë. Këto janë këshillat që japin qeveritarët. Turp t’i vijë kryeministri se Ukraina është në luftë dhe çmimet nuk rriten. Se nuk ka shtet këtu. Turp t’i vijë kryeministri ku familjarët e ministrave bëjnë tregti me rusët. Turp t’i vijë se për 10 vjet s’ka rritur pensionet. Mashtron qytetarët me fatura”, tha ai

Ministri Arben Ahmetaj iu përgjigj duke e akuzuar se gënjen, ndërsa theksoi se paketa e rezistencës sociale është më e madhja e miratuar dhe se ka injektuar 5.2 mld lekë për të përballuar efektet e krizës së prodhuar nga lufta në Ukrainë.

"Unë i ftoj qytetarët ta mendojnë që në 10 vitet e fundit se si përgjigjet qeveria i kanë dhënë protestave legjitime apo dhe emocionale në 20 viteve të fundit të qytetarëve, një qeveri e dikurshme ka vrarë 4 qytetarë, qeveria e sotme  që në momente e para u tërhoq nga një marrëveshje me partnerët strategjik për pseudo-armët kimike për të mos lejuar mbizotërimin e emocioneve te qytetarëve mbi racionalitetin. Në 3-4 vitet e fundit u kujtoj qytetarëve tërmetin, dhe ja ku jemi sot ku të gjitha familjet po kthehen në shtëpi. po pandemia, ja ku jemi sot, i kaluam. Çmimi i naftës në 2010 ka qenë 2 mijë lekë të vjetra dhe nuk ka patur taksë qarkullimi. Ku ishin ato para, ja çuat oligarkëve? Pse vjen me dy standarde? Nuke  dimë se kur mbaron lufta. A e dini se çmimi grurit është rritur dyfish? Çmimi i energjisë është rritur. Sot kemi nevojë të blemë sekse nuk jemi Zoti që mund të sjellim shiun. Qeveria nuk ia ndryshoi çmimin qytetarëve. Paketa që kemi miratuar është më e madhja. Më gjeni një vend që nuk i ka rritur çmimit edhe me krizën më të madhe që nga 1968. Paketa është e rezistencës sociale. Ekonomia ka ndryshuar dhe për shkak të luftës është vetë në luftë. Janë çmime që qeveritë dhe po të përpiqen t'i kontrollojnë, nuk i kontrollojnë dot. Paketa është 5.2 mld injektim për të mbajtur aq sa mundet qeveria, se qytetarët mund të kenë më shumë nevojë padyshim. Të prekësh taksat do të thotë të cenosh pensionet. Ky është vendi me taksat më të ulëta. Garë me të thirrura mund të bësh sa të duash", tha Ahmetaj.

Ora 10:36
Nuk u pranua kërkesa për interpelancë dhe mocion me debat me Ramën që u kërkuan nga PD dhe rithemelimi! Debat në Kuvend

Me debate ka nisur seanca e sotme plenare pasi Kuvendi nuk ka pranuar interpelancën e thirrur nga Partia Demokratike dhe Komisioni i Rithemelimit me kryeministrin Edi Rama. Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla argumentoi se kërkesat u refuzuan pasi ishte pamundësi objektive për të mundësuar interpelancën e kryeministrit në këtë seancë.

"Kemi paraqitur për mocion me debat një rezolutë për luftën ën Ukrainë, por më thanë se me ndikimin e  Ballës, është rrëzuar kjo në një gjysmë mbledhje të fshehtë dje. Nëse është miratuar në Konferencën e Kryetarëve më thoni të fillojmë diskutimet", tha Edmond Spaho.

Deputetja Albana Vokshi u shpreh se deputetëve po i mohohet e drejta në shkelje të rregullores.

"Në shkelje të rregullores mos mohoni të drejtat e deputetëve. Më 23 shkurt kamë kërkuar interpelancë me Ballukun për shembjen e shtëpive në '5 maj' e Paskuqan. Kanë kaluar më shumë se 3 javë dhe sot ende nuk e kemi në rend të ditës. Kemi dy interpelanca nga një deputet i maxhorancës sot, ju jetën nuk e fusni në rend të ditës. Më 2 mars një grup deputetësh kanë kërkuar një mocion me debat dhe rezolutë për Ukrainën. Ju nuk e mblodhët konferencën e kryetarëve brenda 3 ditësh, duke shkelur rregulloren. Të martën, kemi kërkuar interpelancë për çështje urgjente. Refuzimi juaj nuk qëndron, duhej të kishit dashamirësinë që këtë çështje të rëndësishme, ku ka një valë protestash ta kishit futur si pikë të parë të rendit të ditës", tha ajo.

 

Ora 10:31
Kuvendi i rrëzoi kërkesën për interpelancë me Ramën, Agalliu: Zhvillimet politike dhe ekonomike nuk kanë kalendar

 

Deputeti i PD, Arbi Agalliu pasi Kuvendi i refuzoi kërkesën për interpelancë me Ramën për shkak të mos respektimit të kohës për dorëzimin e saj, tha se zhvillimet ekonomike dhe politike nuk kanë kalendar. Duke folur jashtë derës së parlamentit për gazetarët ai tha se kryeministri është i detyruar të vijë.

“Do i kërkoja të ndryshonin rendin e ditës dhe të vendosni në një pikë interpelancën me kryeministrin. Zhvillimet ekonomike dhe politike, nuk kanë kalendar. Kryeministri është i detyruar të vijë, ose t’ia delegoi detyrën një përfaqësuesit për masat që ka marrë qeveria. Jo vetëm që janë të vonuara por nuk ndihmojnë konsumatorin shqiptar.”, tha ai.

Me herët Agalliu tha në Kuvend se Partia Demokratike që në shtator të vitit 2021 ka parashikuar situatën e rritjes së çmimeve, e cila iu bashkëngjit dhe situata e luftës në Rusi. 
"Si sekretar i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, jam këtu për të përcjellë shqetësimin si grup parlamentar kemi kërkuar në interpelancë kryeministrin e Shqipërisë zotin Rama, lidhur me situatën ekonomike të vendit tonë prej javësh ka një rritje të theksuar të çmimeve, të cilat janë shoqëruar tashmë edhe me protesta të shoqërisë civile. Partia Demokratike që në shtator të vitit 2021 ka parashikuar situatën e rritjes së çmimeve, e cila iu bashkëngjit dhe situata e luftës në Rusi. Partia demokratike ka bërë disa propozime konkrete në atë kohë duke filluar nga reduktimi i TVSH-së për disa produkte të shportës apo ulja e barrës fiskale për produktet të tjera. Këto propozime nuk u morën në konsideratë në atë kohë, nuk u menduan të përshtatshme nga qeveria dhe në vijmë sot në një situatë ku përveç fatkeqësisë së luftës dhe reagimit real të tregjeve, ne përballemi sot edhe me abuzueshmërinë e sektorëve të caktuar të ekonomisë. Në këtë kontekst, qeveria ka propozuar disa masa për të cilat ne nuk jemi dakord sepse një pjesë e mirë e tyre, gati 80% nuk mund t’i quajmë masa pasi kanë qenë të programuara në buxhet. Pjesa tjetër janë fasadë që në thelb nuk prekin dhe nuk ndihmojnë familjet e konsumatorëve shqiptarë. Pra, në këtë kontekst Partia Demokratike ka thirrur në interpelancë kryeministrin e vendit. Unë sot i kërkova grupit parlamentar të Partisë Socialistë të ndryshonim rendin e ditës dhe të vendosnim si pikë në interpelancën me kryeministrin. Nuk është pranuar me argumentin se duhej dorëzuar ditën e hënë brenda orës 16, mirëpo dita e hënë ka qenë ditë pushimi dhe zhvillimet ekonomike nuk kanë kalendar. Zhvillimet politike nuk kanë kalendar. Kështu që kryeministri është i detyruar të vijë, të paraqitet ose të delegojë një person nga kabineti, mund të jetë zëvendëskryeministri, ministrja e Financave për t’i dhënë përgjigje deputetëve të Republikës së Shqipërisë, grupit parlamentar të Partisë Demokratike mbi zhvillimet dhe mbi masat që qeveria ka marrë. Edhe një herë e theksoj janë jo vetëm të vonuara, por nuk janë masa reale të cilat do të ndihmojnë konsumatorin shqiptar. Fatkeqësisht kjo gjë është parashikuar prej kohësh nga Partia Demokratike, shto këtu dhe mbivendos asaj që ishte e paparashikueshme që ishte lufta në Ukrainë." , tha ai në Kuvend. 

Ora 10:01
Kryemadhi dorëzon amendamentin në Kuvend: Gjithëpërfshirje në procesin e integrimit, të ketë përfaqësues të të gjitha partive në Këshillin Kombëtar

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka dorëzuar amendamentin në Kuvend për gjithëpërfshirjen e forcave politike të parlamentit në procesin e Integrimit Europian.

LSI ka propozuar që Këshilli i Integrimit të përbëhet nga përfaqësues të të gjitha partive parlamentare.

Sipas saj duke qenë të gjitha faktorët politike pjesë e Këshillit Kombëtar të Integroimit europian, do të mund të japin kontributin e tyre, por gjithashtu do të realizojnë edhe përfaqësimin e elektoratit shqiptar, që i ka votuar për tu përfaqësuar në Kuvend.

Amandamenti i plotë: 

RELACION PËR “NJË SHTESË NË LIGJIN NR. 15, DATË 05.03.2015, PËR ROLIN E KUVENDIT NË PROCESIN E INTEGRIMIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË BASHKIMIN EUROPIAN”.

Bazuar në nenin 81 pika 1 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe në nenin 68 të Rregullores së Kuvendit, u paraqit pranë Kuvendit të Shqipërisë për shqyrtim dhe miratim projektligji për “NJË SHTESË NË LIGJIN NR. 15, DATË 05.03.2015, PËR ROLIN E KUVENDIT NË PROCESIN E INTEGRIMIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË BASHKIMIN EUROPIAN”.

Objektivi i kësaj nisme ligjore është realizimi i një gjithëpërfshirje sa më të plotë, të forcave politike parlamentare, në procesin shumë të rëndësishëm të Integrimit Europian, ku roli i Parlamentit është kyç dhe i pazëvendësueshëm.

Procesi i Integrimit Europian në Shqipëri nuk ka ecur në ato ritme që të gjithë do të donim, ai ka shënuar ngadalësime të mëdha dhe shpesh herë, është bërë viktimë e taktikave dhe objektivave politike të partive të veçanta.

Interesi politik i ditës ka influencuar negativisht dhe në mbajtjen e qëndrimeve të unifikuara dhe konsensuale, shumë të domosdoshme për një ecuri pozitive të tij.

Është fakt, që në të gjitha momentet kyç të tij, qoftë nga përmbyllja e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, apo Marrjes së Statusit si Vend Kandidat, apo vetë procesi i çeljes së negociatave për anëtarësim, të gjitha këto momente, janë shenjuar nga vonesa të cilat kanë ardhur si pasojë e konfliktualitetit politik, e që kanë bërë që të humbasë kohë e çmuar dhe sigurisht vendi ynë mbetet larg familjes europiane, ku i takon të jetë.

Duke vlerësuar sa më sipër, qëndrimi i vetëm politik i cili i shërben konsensualitetit dhe evitimit të ngërçeve politike të panevojshme, e të dëmshme, është gjithëpërfshirja. Sistemi ynë politik dhe zgjedhor, kanë krijuar një traditë parlamentare politike me përfaqësim të disa partive politike në Kuvend.

Parlamenti shqiptar, nuk është përfaqësuar në asnjë prej legjislaturave të pluralizmit, vetëm me dy parti politike, por, ka qenë vazhdimisht me një përfaqësim shumë partiak.

Edhe vetë fryma dhe gërma e ligjit 15/2015, ka në thelbin e tij gjithëpërfshirjen, ku në pikën 1 të nenit 6, shprehimisht thuhet:

“Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian është struktura më e lartë këshillimore kombëtare për integrimin europian, që ngrihet pranë Kuvendit, i cili nxit dhe garanton bashkëpunimin gjithëpërfshirës ndërmjet forcave politike, institucioneve publike dhe shoqërisë civile, si dhe siguron rritjen e transparencës në vendimmarrjen për çështjet e integrimit.”

Bazuar në këtë realitet, të qartë dhe të pakundërshtueshëm, është tashmë objektive dhe e pashmangshme, se gjithëpërfshirja edhe përfaqësimi politik në këtë Këshill Kombëtar për Integrimin Europian, mund të realizohet vetëm duke garantuar përfaqësimin e secilës parti parlamentare të përfaqësuar në Kuvend me deputetë.

Në këtë mënyrë, të gjithë faktorët politikë, duke qenë pjesë e Këshillit Kombëtar Integrimin Europian, do të mund të japin kontributin e tyre, por gjithashtu do të realizojnë edhe përfaqësimin e elektoratit shqiptar, që i ka votuar për tu përfaqësuar në Kuvend.

Ndaj, ky ndryshim që propozohet, jo vetëm plotëson një boshllëk politik, por siguron gjithëpërfshirjen reale dhe kohezionin e plotë parlamentar, për një çështje madhore që i bashkon të gjitha forcat politike, siç është integrimit europian i Shqipërisë.

Ky ndryshim, është një mesazh shumë pozitiv, në drejtim të kohezionit dhe gjithëpërfshirjes a të munguar në gjithë këto vite dhe realizimin e përgjegjësisë maksimale të çdo force politike parlamentare në procesin e Integrimit Europian të Shqipërisë.

I.K/SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • ymeri: 17/03/2022 19:32

    KERKO MOJ XHACKA,,,,KERKO SE QENIN E MGORDHUR DO GJESH TI DHE RAMA NE EUROPE,,,,TI SHIKO ATO TOKAT E VJEDHURA ne himare....ju duheni arrestuar te gjithe nga edi rama e deri tek i fundit....

    Përgjigju
  • Fatosi: 17/03/2022 12:16

    Shteti te NDERHYJE per vendosjen e cmimin t te plehrave,,nuk ka pse te shkoje cmimi nga 30.000 leke ne 130.000 leke thesi,,,,ketu ka vjedhjet nga firmat....fshataret te sulmojne dhe marrin me dhune pa leke keto plehra.organike...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja