Kuvend/ Tabaku: Qeveria cakton çmimet e karburanteve me pronarët! Balluku: Aksi Thumanë-Kashar nuk do ketë tarifë 2.5 euro për të kaluar, nëse s’do ketë rrugë dytësore

TIRANË- Seanca plenare me fokus diskutimet për problemet e zgjedhësve, nuk kaloi pa debate. Deputetja e opozitës Greta Bardeli, akuzoi qeverinë se po planifikon vendosjen e një trau në aksin Thumanë-Kashar ku qytetarët, sipas saj, do të paguajnë 2.5 euro për të kaluar. Pretendimet u kundërshtuan nga ministrja Belinda Balluku, e cila garantoi se asnjë rrugë nuk do të ketë tra, nëse nuk do të ketë një rrugë alternative.

Akuzat ndaj qeverisë vijuan me Jorida Tabakun, e cila e akuzoi se i cakton çmimet me pronarët e karburanteve. Por zv.kryeministri Arben Ahmetaj, solli në vëmendje paketat e ndihmës për përballimin e rritjes së çmimeve.

Ndërkohë, deputeti i Partisë Socialiste Petro Koçi denoncoi projektin për kanalizimin e ujërave të zeza në Libofshë. Ai i kërkoi drejtorit të ri të Kadastrës së Fierit të shembë skemën e zezë të korrupsionit në institucionin që ai drejton.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:58
Flutura Açka 'nuk përmbahet' në Kuvend: Ky shtet bie fund e krye era seks

Seanca e sotme plenare është shoqëruar kritika të forta sa i përket rastit të vajzës 21-vjeçare e cila bëri xhiron e rrjetit me videon e filmuar nga familjarët e saj në Librazhd nga deputetja e PD-së Flutura Açka.

Rasti i dhunës psikologjike, verbale dhe prishja e imazhit të vajzës theksoi se vajza u la vetme përballë një policie që qeshte e tallej me rastin e saj.

“Ky nuk është shteti që aspiroj unë. Krim nuk janë vetëm armët, droga apo kanabisi, krim është edhe mosveprimi”, tha Açka.

Açka nuk i ka kursyer kritikat për qeverinë ku e akuzoi se ky shtet bie fund e krye era seks.

“Ky shtet bie fund e krye era seks. Ky shtet, që sipas disa miqve të mi gazetarë, ky shet paguan deri në 800-1 mijë vetë që janë regjistruar në kompani apo institucione që nuk paraqiten në zyra dhe paguan me taksa shqiptare për ‘toy boys’ dhe ‘sugar girls’ dhe zanate të tjera prostituive për t’iu ofruar njerëzve në ambasada apo dhe sheikëve lartë e poshtë nëpër Shqipëri. Nja dy raste madje i kam të sakta, pasi i kam të dhënat nga të huajt. Çfarë prisni ju nga ajo vajzë? Që të bëjë denoncimin?! E bëri me zë dhe figurë. Ajo shpëtoi vetëm nga fakti që bastuni nuk ishte automatik. Nga ky parlament i bëj thirrje dy zonjave të nderuara, Erjeta Sokoli dhe Irena Seli, që SPAK të rihapë këto dosje pasi pas tyre kam bindjen se janë përfshirë struktura shtetërore dhe eksponentë të lartë të shtetit të ministrisë së Brendshme të kohës. Le t’i hyjë dhe do të zbulojë shumë gjëra. Në ato ditë, një eksponent i lartë shtetërore e politik që nxitoi të mbyllte dosjen u shpreh me qesëndi në një nga kafenetë si kjo e parlamentit tha; ‘nuk do të rrëzojmë qeverinë për një vrimë’. Siç e shihni e tha shumë butë, sepse ai e tha shumë ndryshe.”, tha Açka.

Ora 20:15
Berisha: 6 ministra e deputetë të PS, kandidatë për tu ekstraduar, Qeveria nuk sjell në Kuvend marrëveshjen me vendet e Beneluksit! I përgjigjet Manja: Nuk ekziston

Ish-Kryeministri Sali Berisha ka akuzuar sot Qeverinë se nuk e sjell në Kuvend marrëveshjen e ekstradimit me vendet e Beneluksit, pasi sipas tij ka frikë se 6 ministra të saj janë kandidatë për ekstradim.

“Denoncoj Qeverinë që sjell në Kuvend marrëveshjen 6 ministra dhe shumë e shumë deputetë të tjerë socialist janë kandidatë për ekstradim. (...)  Ajo që është më interesante, dalin edhe komunikime të bandës qeveritare të Elbasanit, me bandat qeveritare në vendet e Benelux-it. Unë kërkoj edhe njëherë atë që shtrova në Parlament, sjelljen me urgjencë të marrëveshjeve të ekstradimit në këto vende që po japin kontribut historik në luftën kundër kriminalitetit në Elbasan. Është dramatike situata dhe dëshmitë e anëtarëve të bandës së Elbasanit. Ju garantoj se Taulant Balla Bego Yaris është një personazh familjar i bandës, një anëtar me të gjitha atributet sipas dëshmive të banditëve të anëtarëve të kësaj bande. Dhe kjo përbën një problem shumë serioz për vetë Parlamentin, për vetë shtetin. Unë do insistoj çdo ditë që marrëveshjet e ekstradimit me këto vende të vijnë në Parlament.  Emrat do t’i sjellë drejtësia e vendeve mike, e vendeve partnere. Nuk jam unë zëdhënës i prokurorive të tyre. Unë jam këtu për të deklaruar si politikan shqiptar se marrëveshjet po i pengojnë pikërisht implikimi i politikanëve shqiptarë me bandat atje të cilat kanë bërë kërdinë”, tha Berisha.

Ndërsa ministri i Drejtësisë Ulsi Manja mori fjalën në Kuvendit dhe e pyeti Berishën sesi ka mundësi që informacione të tilla kalojnë për parë nga zyra e kreut të PD-së dhe jo nga ajo e ministrit të Drejtësisë. Po ashtu, ministri tha se me secilën nga vendet e Beneluksit marrëdhëniet Shqipëria e i ka të shkëlqyera.

“Se di si paska shkuar më parë në zyrën e Berishës, dhe jo në atë të ministrit të Drejtësisë. Sot nuk ka asnjë pengesë, në fushën e bashkëpunimit gjyqësor, as me Belgjikën, as me Holandën e Luksemburgun. Por është në nivelet më të kënaqshme të mundshme. Me Belgjikën kemi një marrëveshje dypalëshe për transferimin e të dënuar. Kemi bashkëpunim të shkëlqyer dhe nuk ka asnjë kërkesë nga këto shtete për asnjë ekstradim, në momentin që do ketë, do t’i nënshkruajmë me kënaqësi. Kur s’ke votues që t’u qash hallin do merresh me ekstradimet”, tha ai.

Ora 20:12
Balla: Kuvendi e ka njohur gjenocidin në Kosovë, Berisha theu embargon e furnizoi m naftë serbët! I-sh kryeministri: Sa e pagove Nuredin Dumanin për të të shpëlarë për Manehasën

 

Taulant Balla tha në kuvend se Shqipëria e ka dënuar gjenocidin serb në Kosovë, madje ky qëndrim është mbajtur edhe në Këshillin e Sigurimit në OKB.

"Thirrja ime për të gjithë parlamentin është ta mbështesim, 11 korriku është dita e shpallur ndërkombëtarisht si dita e ndërgjegjësimit mbarëbotëror për gjenocidin në Srebrenicë. Pastaj do biem dakord kur do ta zhvillojmë seancën në konferencë të kryetarëve. Të ftojmë autoritet përfaqësuese vendore të Bosnjë Hercegovinës, atyre që vijnë na familjet që kanë vuajtur nga ai gjenocid. Kjo historia që ju do vini këtu pas disa ditësh do sillni rezolutë për dënimin luftës së dytë botërore, për dënimin të luftërave të Skënderbeut se mund t’iu vijë ideja, keni lloj lloj ëndrrash. Kjo s’ka për të ndodhur, janë 11 deklaratat dhe rezoluta, në dy prej tyre kuvendi i ka cilësuar krimet serbe në Kosovë gjenocid dhe do ishte qesharake që të talleni me këtë gjë.

Në New York është qëndrimi i Shqipërisë, ajo që talleni ju, ne e dimë tashmë Berisha çështjet kombëtare sa herë ka pasur mundësi ka sabotuar, ka sabotuar dhe ndihmuar serbët në Bosnjë me shkelen e embargos, bëheni gati të pranon dhe të kërkon falje kur të miratojmë rezolutën.

Pastaj me sulmet ndaj Rambujes pastaj me veprimet e tjera ndërkombëtare, harrojeni se mund të bëni pis integritetin institucional të Shqipërisë", tha Balla. 

I përgjigjet Berisha.

“Për parafolësin kam një pyetje “sa e pagovae Nuredin Dumanin për të të shpëlarë për Manehasën”. Ai ka mbi 50-100 telefonata me Dumanin, me Sharrën, me Suel Celë, Talo Çelën e të tjerë me radhë”, tha Berisha.

Ora 19:37
Berisha: Vendet e Beneluksit presin nga Shqipëria marrëveshjen për ekstradimet! Felaj i heq fjalën: S’është në rend të ditës

 

Ish-kryeministri Sali Berisha ka kërkuar fjalën nga vendi për të folur për marrëveshjet e ekstradimit të Shqipërisë me disa shtete të tjera. Sapo ka nisur të flasë, nënkryetarja e Kuvendit Ermonela Felaj i është prerë fjala me argumentin se është çështje jashtë rendit të ditës.

“Zotërinj deputetë, zonja deputete, të dashur qytetarë dhe qytetare, prej kohësh vendet e Beneluksit presin nga Shqipëria marrëveshjen e ekstradimit. Shqipëria nuk iu përgjigjet këtyre vendeve. Nuk i përgjigjet Belgjikës dhe vendeve të tjera për të firmosur në kohë..”, tha Berisha,

“Kjo nuk është çështje për procedurë. Ky rend dite…seanca ka vetëm një rend dite. Çështjet e tjera nuk janë çështje procedure. Mos të bëjmë një debat të pavlerë”, tha Felaj.

Ora 19:22
Deputeti socialist denoncon në Kuvend, Petro Koçi: Drejtori i ri i Kadastrës së Fierit të shembë skemën e zezë të korrupsionit

 

Deputeti i Partisë Socialiste Petro Koçi, në fjalën e tij në seancën e sotme plenare,  ka denoncuar në Kuvend projektin për kanalizimin e ujërave të zeza në Libofshë. Ai kërkoi nga bashkia e Fierit të jetë më e rreptë në lidhje me këtë situatë duke nënvizuar se banorët janë të pakënaqur. Ai i kërkoi drejtorit të ri të Kadastrës së Fierit të shembë skemën e zezë të korrupsionit në institucionin që ai drejton.

“Dua të vijoj me disa vërejtje dhe problematika që kam gjetur nga kontaktet me njerëzit. Dua të them që pushteti i zgjedhur duhet të jetë më i fortë se pushteti i kompanive. Në Libofshë janë bërë dy investime të mëdha. Te investimi për kanalizimin e ujërave të zeza. Kompania që është marrë me këtë projekt i ka zvarritur gjërat. Banorët janë të pakënaqur. Bashkia duhet të jetë më e rreptë. I kërkoj drejtorit të ri të Kadastrës në Fier ta shembë skemën e zezë të korrupsionit atje dhe aty të vihen njerëz që përfaqësojnë profesionalizmin. Kam një kërkesë edhe për drejtuesin e albpetrolit që ta rrëzojë rrethin mediokër. Ne duhet të kemi një administratë sa më të ndershme. Jo si ajo që ka njësia e Dërmenasit që Akoma nuk ka denoncuar shembjen e urës në Darëzezë. Akoma nuk është zbuluar kush është fajtori që ka përgjegjësi financiare”, tha Koçi.

Ora 19:11
'Parada' në Kuvend, deputetët 'guxojnë' me stilin e kuruar deri në detaj! Ja çfarë nuk u pa sot në seancë

Rritjet e temperaturave ka bërë që deputetet në Kuvend të heqin dorë nga ngjyrat e errëta të dimrit, duke u shfaqur me fustane me lule dhe detaje me ngjyra të ndezura.

Disa foto përpara seancës, kanë shfaqur deputetë të majtë e të djathtë të kuruar deri në detaj me veshjet e tyre.

Me ngjyra të kombinuara bukur sipas stinës, disa prej tyre me kravata shumëngjyrëshe, protagonistët e kuvendit janë vënë në qendër të vëmendjes.

Në sy bie veshja e zonjave, të cilat kanë zgjedhur ngjyra neutrale, por ka dhe nga ato që kanë guxuar me ngjyrat, si Antoneta Dhima.

Ndërkohë, deputetët thuajse kanë zgjedhur që të kenë kravatat uniformë.

Ja  si dukeshin ata sot.

Ora 18:41
‘Mos bëni si migjenianë’/ Ahmetaj-opozitës: Rritja e çmimeve si pasojë e krizës, qeveria ka hartuar një sërë paketash

 

Zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj dukë iu përgjigjur opozitës tha se qeveria ka ndonëse ka një rritje çmimesh për shkak të krizës ndërkombëtare, qeveria ka marrë masa duke hartuar paketa sociale për qytetarët.

Ahmetaj bëri një krahasim midis dy qeverive, atë të PD dhe atë të PS. Sipas tij, demokratët në krye kanë sjellë firmat piramidale dhe mossubvecionin, ndërsa nga ana tjetër, ai thotë se socialistët janë kujdesur për problematikat e qytetarëve.

“Duke dëgjuar kolegët deputetët që e kthejnë seancën për zgjedhësit si seancë migjeniane ku sjellin shembuj nga tereni duke i futur ngjyrat emocionale të problematikave ku diku qëndrojnë kudo. Tabaku tha se ju krahasoheni me kohën e PD-së, nuk krahasohemi me kohën e PD kur keni qenë në pushtet, janë dy botë të ndryshme. Që në momentin kur flisni për oligarkë ka një të vërtetë, për çmime ka një të vërtetë përtej asaj që thuhet këtu. Sot biznesi I vogël paguan zero. Një qeveri oligarkësh e bën zero tatimin, një qeveri oligarkësh e merr tatimin e biznesit të madh nga 10 në 15% është qeveri oligarkësh? Po në anën sociale që sigurisht ka probleme Shqipëria. Dua t’ju lexoj një pasazh që po ndodh në ekonominë amerikane. Jemi në moment krize dhe inflacioni është sigurisht sa më I madh të jetë inflacioni aq më gërryes të jetë më të ardhmen. Shqipëria e ka 6.2%

6.2% arsyeja e parë është se subvenconojmë rritjen e çmimit të energjisë që do të thotë që një qytetar që ka paguar 50 mijë lekë të vjetra para një viti, paguan sërish 50 mijë lekë, çmimi ka shkuar 5-fish. Këto janë subvencion nga buxheti i shtetit për qytetarët shqiptar.

Inflacioni po krijon më të ardhur momentale. Kjo quhet një e ardhur momentale. Po nga ana tjetër? Kemi paketën e pandemisë, ekskluzive që quhet mbajtja e të ardhurave duke subvencionuar shtresa në nevojë. Ky është program më social. E mbani mend Shkodrën, atë e keni bastion. U përmbyt? Iu premtuat që do e dëmshpërblinit, por u dëmshpërblyen nga ne. Në ’97-ën e shkatërruat me skemën piramidale. I gritë, u detyrua qeveria shqiptare për t’i subvencionuar. Mos flisni për anën sociale”, tha Ahmetaj.

Ora 18:30
Aksi Thumanë-Kashar, Bardeli: Koncesion korruptiv, qytetarët do të paguajnë 2.5 euro për të kaluar! Balluku: Nëse nuk do të ketë rrugë dytësore, nuk do të vendoset tra

 

Segmenti Thumanë-Kashar ka qenë temë debati mes deputetes së opozitës Greta Bardeli dhe Ministres së infrastrukturës, Belinda Balluku. Deputetja Bardeli ngriti si shqetësim traun që do të vendoset në aksin Thumanë-Kashar ku qytetarët pas përfundimit të rrugës do të paguajnë 2.5 euro, për të kaluar në rrugë, duke e cilësuar një koncension korruptiuv.

Balluk theksoi se taksimi i makinave në Shqipëri në rrugët e reja që do të ndërtohen është siç ndodh në çdo vend të Bashkimit Europian. Ajo tha se qeveria i ka vendosur si kusht kompanisë koncensionare, se nuk mund të vendosë asnjë tra në rrugë, nëse nuk do të ketë rrugë dytësore.

“Taksimi në rrugë nuk është një gjë e re, ajo do të funksionojë njëlloj si në çdo vend tjetër të BE-së. Ju kujtoj se qeveria shqiptare është zotuar që asnjë rrugë nuk do të ketë tra, në rast se nuk do të ketë një rrugë alternative”, tha Balluku.

Ora 17:38
Tabaku: Qeveria cakton çmimet me pronarët e karburanteve, kompeson me 80 mln euro kompanitë e rindërtimit të socialistëve

Deputetja demokrate Jorida Tabaku ka akuzuar qeverinë se i përcakton çmimet e karburanteve me pronarët e tyre.

“Dua të diskutoj për një çështje të rëndësishme, Bordi i caktimit të çmimeve për karburanteve. Bord me asnjë fuqi të pacaktuar në ligje, qeveria përcakton çmimet e karburanteve. Ditë e fundit një pjesë të madhe e pikave kanë çmim më të ulet se ai që ka caktuar bordi. Ulen pronarët e kompanive e ndajnë e diskutojnë me qeveritarët sa do caktohet çmimi. E njëjta situatë po ndodh edhe me çmimet. Çmimet janë rritur mbi dy herë, janë rritur me 30% të shportës. Qeveri bën një akt normativ ku vendos të kompesojë kompanitë e rindërtimit me 80 milionë euro, në vend se tu qëndrojë pranë qytetarëve. Kompanive të miqve, ministrave deputetëve të PS, përveçse se korruptive ko është në kufijtë e arrogancës”, tha Tabaku .

Ora 17:30
Deputeti Baçi ankohet: Na keni lënë vetëm 22 minuta kohë ne jashtë grupeve! Unë s’flas dot

Deputeti i ‘Rithemelimit’, Luan Baçi, në fjalën e tij në seancën e sotme plenare është ankuar për kohën që janë përcaktuar për seancat e lira, ku deputetët flasin për shqetësimet e zgjedhësve.

“Të gjejmë kohë edhe për ne që janë jashtë grupeve parlamentare. Keni vënë vetëm 22 minuta për deputetët jashtë grupeve parlamentare. Duhet të kishte kohë të bollshme për çdo deputet që të shpaloste problematikat e zgjedhësve. Unë për shembull nuk flas dot sot. 22 minuta është kohë e pamjaftueshme”, tha Baçi.

Ndërsa drejtuesja e seancës, Ermonela Felaj, iu përgjigj se një ndryshim i tillë do të donte ndryshimin e rregullores.

“Ju e thatë edhe vetë që koha është përcaktuar në Rregulloren e Kuvendit të Shqipërisë. Nëse do të ndryshonte në të ardhmen duhet ta diskutojmë së bashku”, tha Felaj.

Ora 17:20
Rezoluta për dënimin e gjenocidit në Kosovë, Shehu: Kuvendi po shkel rregulloren, nuk ka thirrur Konferencën e Kryetarëve për të caktuar datën e shqyrtimit

 

Deputeti Tritan Shehu i ka kërkuar nënkryetares së Kuvendit Ermonela Felaj që të mbledhë Konferencën e Kryetarëve për të caktuar datën se kur të shqyrtohet rezoluta që ka depozituar Rithemelimi për dënimin e gjenocidit serb në Kosovë. Shehu tha se Kuvendi po shkel rregulloren.

"Probleme të rënda procedurale që lihet me mos respektimin e rregullores. Prej shumë ditsh një grup deputetësh kemi depozituar një mocion debat për të njohur gjenocidin serb në Koosvë. Nuk ka asnjë përgjigje, nuk është bërë as Konferenca e kryetarëve, në bazë të rregullores thuhet se duhet të mblidhet brenda tre ditësh. Edhe nëse kryetarja nuk është prandaj jeni ju aty. Lidhet me elementë politikë kërkoj që sonte të mblidhni Konferencën e Kryetarëve dhe të vendosni se çdo bëhet me gjenocidin serb në KoSOVËë. Kanë paraqitur një kërkese të ngjashme edhe Alibeaj. Nuk ka asgjë të keqe sa më shumë të bashkohemi në këtë kërkesë, të merren masa aq më mirë është i kërkoj atyre që kanë kërkuar këtë rezolutë të ngrenë zërin, të protestojnë, të bërtasin, për një shkelje të rëndë të rregullores dhe u kërkoj kolegëve ta bëjnë dhe të mos rrimë si fija barit para presionit qeveritar", tha Shehu. 

Felaj iu përgjigj se Konferenca e Kryetarëve thirret nga Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla.

“Konferencën e thërret kryetari. Jam autorizuar për të kryer këto rregulluar nga data 03.062022. Kryetarja ndodhet jashtë vendit në një vizitë zyrtare në Vatikan”, tha Felaj.

SI.E./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Qeveria ngre Autoritetin Kombëtar për Sigurinë Kibernetike! I propozon kryeministrit shpalljen e krizës dhe masat emergjente

Qeveria ngre Autoritetin Kombëtar për Sigurinë Kibernetike! I propozon kryeministrit shpalljen e krizës dhe masat emergjente