Opozita e re në Kuvendin bosh: Heqja e herësit, fitorja jonë! Murrizi e Hajdari: ‘kushtetuesja’ prishi pazarin Rama-Basha

Nuk do të jenë në parlament në shtator, por heqja e herësit nga Gjykata Kushtetuese mund të konsiderohet fitore edhe e deputetëve të opozitës së re, që një vit më parë, iniciuan listën e hapur.

Myslym Murrizi, i cili edhe iu drejtua Kushtetueses për të shfuqizuar nenin 163 të Kodit Zgjedhor, e quajti vendimin e  një dite më parë, prishje të një pjese të pazarit të 5 Qershorit Rama-Basha.

 “Sa janë alarmuar dje hartuesit e strategët e 5 qershorit se nuk hyjnë dot më në këtë sallë. Është hall koke për të pas një karrige në këtë sallë më çfarëdo pafytyrësie, por ja erdhi dita. Unë nuk kam të njëjtin hall me ju, nuk është arsyeja e mbajtjes së mandatit që dua të jem në këtë sallë më çdo kusht, por për t'i dhënë vlerë votës sovrane e Gjykata Kushtetuese dje ua përplasi surratit qelbsinllëku e gatuar në këtë sallë”, tha Murrizi.

Por nëse vendimi i Gjykatës Kushtetuese shton shpresat që në parlament të futen më të votuarit nga qytetarët, Ralf Gjoni, risolli në vëmendje blerjen e votës, që, sipas tij, përsëri mund të deformojë vullnetin e zgjedhësve.

Një kërkesë për të krijuar mekanizmin, ku qytetari zgjedh vetë deputetin, e pati edhe Rudina Hajdari në fjalimin e saj të fundit në parlament.

 “Sot është një thirrje e sinqertë, çlirojeni vendin nga ky mallkim 30 vjeçar dhe jepini shqiptarëve atë që i meriton duke ia lënë atyre në dorë që të zgjedhin deputetët. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese i drejtë për qytetarët shqiptarë dhe kurorëzoi një betejë shembullore që kemi bërë me disa kolegë për hapjen e listave të deputetëve në zgjedhjet parlamentare”, u shpreh Hajdari.

Për shumicën socialiste vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk u duk surprizë. Elisa Spiropali u përqendrua te opozita e re në shtator, që me shumë gjasë do të duhet të bashkëpunojë për të reflektuar në Kodin Zgjedhor ndryshime të tjera, por edhe për të zgjedhur presidentin e ri.

Edhe Partia Demokratike nuk ka reaguar për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ndonëse më 24 korrik të 2020, Lulzim Basha, i shoqëruar nga të gjithë krerët e partive aleate, kërkoi hapjen 100% të listave.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:21
Rudina Hajdari flet për herë të fundit nga foltorja e Kuvendit, i bën thirrje politikanëve: Mos shikoni më partinë, por mendoni për vendin!

 

Rudina Hajdari, e cila nuk do të jetë më deputete në legjislaturën e ardhshme, e 'shfrytëzoi' sot kohën e saj për të folur në foltoren e Kuvendit për t'i bërë thirrje politikanëve që të çojnë vendin përpara. Ajo i kërkoi atyre që të mos shikojnë më partinë, por të mendojnë për vendin, për t'i dhënë fund tranzicionit që ajo e konsideroi të tejzgjatur.

"Ne duhet të bëjmë një reflektim, Shqipëria ke nevojë për më shumë demokraci, për më shumë fuqi në vendimmarrje. Sot është e kundërta, modeli i suksesit që sot ecën përpara është horri me makinën e shtrenjtë, apo modeli i servilizmit, më i përbuzur që shqiptarët nuk duhet ta përfaqësojnë. Ne duhet të shkojmë përtej këtyre modeleve të mbrapshta që vijnë në këtë sallë për të përfituar nga taksat dhe nuk bëjnë asgjë për vendin. Kemi 30 vite me këta njerëz që e kanë çuar Shqipërinë në këtë maskaradë ku nuk bëhet asgjë për përparimin. Sot është një thirrje e sinqertë, çlirojeni vendin nga ky mallkim 30 vjeçar dhe jepini shqiptarëve atë që i meriton duke ia lënë atyre në dorë që të zgjedhin deputetët. I kemi të gjitha poitencialt për ta zhvilluar këtë vend dhe zhvillimi duhet të ecë përpara. Mos shikoni më partitë, por vendosni vendin në vend të parë dhe jepini shqiptarëve demokracinë e munguar. Duhet të bëhemi të gjithë bashkë, të majtë e të djathtë e të kujdesemi që vendi të ecë përpara dhe jo partia, të dalim nga tuneli i tejzgjatur i tranzicionit", tha Hajdari.

 

Hajdari komentoi edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese që rrëzoi herësin, duke e konsideruar si të drejtë në dobi të fuqizimit të qytetarëve shqiptarë. 

"Vendi i Gjykatës Kushtetuese i drejtë për qytetarët shqiptarë dhe kurorëzoi një betejë shembullore që kemi bërë me disa kolegë për hapjen e listave të deputetëve në zgjedhjet parlamentare. Gjykata Kushtetuese na dha të drejtë kur thonim se ndryshimet e Kodit Zgjedhor në minutë të fundit dhe duke futur atë pjesë të hiles, Herësin në Kodin Zgjedhor duke i mbyllur listat dhe duke ja dhënë në dorë kryetarit të partisë për t'i bërë listat e kandidatëve. Ky vendim është i drejtë në dobi të fuqizimit të qytetarëve shqiptarë. Por nuk duhet të jemi naivë sepse ju do sajoni ndonjë mënyrë tjetër për t'i mbajtur listat e mbyllura. ", shtoi ajo.

Në zgjedhjet e 25 prillit, Rudina Hajdari kandidoi për deputete nën siglën e “Nismës Thurje” në qytetin e Elbasanit, por nuk mundi të merrte numrin e nevojshëm të votave për të siguruar mandatin. 

Ora 13:20
“Unë ty të kam dhënë lekët për votën, mbylle gojën”, Ralf Gjoni tregon historinë me deputetin e zgjedhur në jug: Doli Beqiri me bisht ndër shalë

'Një popull që shet votën, sulltanatin e ka pak, talljen e ka hak”, kështu tha gjatë seancës së sotme plenare deputeti Ralf Gjoni i cili po replikonte me deputeti Myslim Murrizi. Gjoni tregoi një histori me një deputet të zgjedhur në një qytezë në jug të vendit. Teksa një qytetar sipas Gjonit, po ankohej, deputeti i tha se ai duhet ta mbyllë gojën pasi atij i kanë dhënë lekët për votën.

“O Myslym i dashur, se po shkojmë drejt fundit të kësaj legjislature, unë kisha vendosur të mos mbaja fjalim sot, po më ngacmove me dy gjëra, listat e Philip Reeker që shpresoj shumë t’i ketë sjellë ato lista të inkriminuarish dhe t’ia ketë dorëzuar në dorë dhe Edi Ramës edhe Lul Bashës sepse ti dhe unë e dimë mirë se sa të inkriminuar do të ketë këtu në parlamentin e shtatorit në qoftë se ai parlament do të mblidhet. Por më ngacmove shumë me atë 100 euroshin, se tek zona ime në Xhamllik në 2017 me 20 mijë lekë e kanë shitur votën, shumë-shumë votues. Doja të tregoja një histori të vogël për replikë, Shkon një deputet i zgjedhur në një qytezë, fshat të vogël të Jugut mbasi sapo ishte zgjedhur deputet dhe ngrihen banorët e zonës e ulërasin, s’kemi rrugë, na premtove rrugën s’na e bëre, s’kemi ujë, s’kemi drita, s’kemi bukë për fëmijët. Gërthiste njëri atje nga fundi i sallës. Kush është i thotë ky? Beqiri thanë këta, Beqir çohu në këmbë i tha, ça ke që flet, unë ty të kam dhënë lekët tha për votën, mbylle gojën dhe m’u zhduk jashtë kësaj salle, zhduku. Doli Beqiri me bisht ndër shalë dhe iku nga salla. E vërteta është e hidhur na vret të dyve, na vret të gjithëve, një popull që shet votën, sulltanatin e ka pak, talljen e ka hak”, tha Gjoni.

Ora 12:23
Ndryshon buxheti i shtetit, Denaj: Duhen siguruar fondet për vaksinat dhe për përfundimin e projekteve infrastrukturore

Ministrja e Financave Anila Denaj nga foltorja e Kuvendit ka argumentuar ndryshimet në ligjin organik të buxhetit dhe ndryshimin e buxhetit të shtetit për herë të katërt. Ministrja tha se ndryshimet janë të diktuara kryesisht nga pandemia për të bërë të mundur blerjen e vaksinave për të vaksinuar të gjithë popullatën. Denaj tha se ndryshimet në ligjin “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë“ vijnë si nevojë për të garantuar hapësira fiskale për të bizneset e qytetarët.

“Qeveria Shqiptare është detyruar të bëjë një sërë ndryshimesh në parashikimet buxhetore dhe makroekonomike, duke krijuar hapësirën e nevojshme fiskale për mbështetjen ndaj qytetarëve dhe bizneseve në vitin 2021, por edhe për te vijuar me mbështetjen e vazhdueshme financiare duke siguruar objektivin primar vaksinimin total të popullsisë. Nevoja për ndryshime, ka si objektiv primar Ofrimin stimuj të nevojshëm fiskalë në krahun e shpenzimeve buxhetore për rimëkëmbjen e ekonomisë së vendit si pasojë e dy goditjeve të njëpasnjëshme.  Vlerësimet aktuale të situatës makroekonomike dhe fiskale për vitin 2021 si dhe për periudhën 2022-2024, tregojnë se, një stimul i mëtejshëm fiskal nga ana e shpenzimeve buxhetore do të ishte garanci për nivele më të larta e të qëndrueshme të rritjes ekonomike në afatmesëm dhe afatgjatë.  Kjo do të ofronte: Punësim e mirëqenie për qytetarët e vendit dhe më shumë burime financiare për shërbime publike”, tha ministrja Denaj.

Ndërkohë për ndryshimin e buxhetit ku janë rritur shpenzimet me 11.8 miliardë lekë, Denaj ka listuar disa nga arsyet e ndryshimit, dhe se ku do të shkojnë fondet.

“Nëpërmjet këtyre rialokimeve është synuar financimi kryesisht i projekteve prioritare dhe në proces me ecuri pozitive dhe ndërkohë vijimi i stimulit fiskal në ekonomi për të mbështetur objektivat e rritjes ekonomike. Shtesa në masën 2 miliardë lekë për Fondin Rezervë të buxhetit të shtetit, me qëllim financimin e: Fushata e vaksinimit anti-COVID19, në masën 1 miliardë lekë.  Projektit prioritar të Ministrisë së Mbrojtjes për pajisjen me drone, për rritjen e kontrollit të territorit dhe sigurisë kombëtare në tërësi në vlerë 1 miliardë lekë. Shtesën në masën 200 milionë lekë për mbulimin e shpenzimeve për pjesmarrjen si anëtar i përkohshëm në Këshillin e Sigurimit në OKB. Shtesën në masën 500 milionë lekë për financimin shtesë të nevojave të qerave të strehimit të familjeve të dëmtuara nga tërmeti. Shtesën në masën 1 miliardë lekë për AKSHI-n, me qëllim financimin e nevojave për mirëmbajtjen e sistemeve IT”, tha ministrja.

Janë rreth 4.8 miliardë lekë që shkojnë për infrastrukturën, dhe Denaj tha se pjesa më e madhe është për Unazën e Madhe.

“Financimin shtesë prej 4.8 miliardë lekë për projektet në Infrastrukturë në programin “Transporti Rrugor” ku përfshihen hapja e loteve të reja për “Ndërtimin e segmentit rrugor Unaza Veriore Tiranë”, “Ndërtimi i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i ri” dhe projektet aktuale Unazës së Tiranës, të cilat kanë avancuar me punimet fizike. Financimin shtesë prej 3 miliardë lekë për projektet në vazhdim, të Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Financimin shtesë prej 2.5 miliardë lekë për projektet në vazhdim për sektorin e ujësjellës-kanalizimeve në shkallë vendi, për përmiresimin e furnizimit me uje të popullsisë. Shtesën në masën 900 milionë lekë si transfertë specifike për Bashkinë Tiranë, për ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar. Financimin shtesë prej 2 miliardë lekë për projektet me financim te huaj në vazhdim “IPARD II”, dhe “Ndërtim By-Pass i Vlorës”, bazuar në ecurinë e mirë dhe pritshmëritë për realizimin e tij. Financimin shtesë në masën 200 milionë lekë për godinën e Polit të Drejtësisë, bazuar në këstet e përcaktuara në kontratën përkatëse”, sqaroi Denaj.

 

Ora 12:22
Gjykata Kushtetuese rrëzoi herësin, Murrizi: Vendim objektiv, prishi një pjesë të pazarit të qelbur Rama-Basha më 5 qershor

 

Vendimin e Gjykatës Kushtetuese që rrëzoi nenin që i shpërndan mandatet e deputetëve sipas herësit, Myslim Murrizi, e konsideroi një qëndrim objektiv që prishi marrëveshjen e 5 qershorit mes PS dhe PD. Nga foltorja e Kuvendit, marrëveshjen e 5 qershorit mes palëve për Reformën Zgjedhore, Murrizi e konsideroi si marrëveshje për t'i hequr të drejtën qytetarëve që të zgjedhin me votën e tyre deputetët që, sipas tij Gjykata Kushtetuese ia 'përplasi surratit'

"Gjej rastin ta falënderoj Gjykatën Kushtetuese për qëndrimin objektiv që prishi një pjesë të qelbur të gatuar në këtë sallë më 21 prill të 2008 të pazarit të pistë të çiftit Rama-Basha të 5 qershorit të nënshkruar në skutat errëta të Pallatit të Kongreseve për t'i hequr të drejtën qytetarëve shqiptarë që të zgjedhin me votën e tyre deputetët e tyre. Sa janë alarmuar dje hartuesit e strategët e 5 qershorit se nuk hyjnë dot më në këtë sallë. Është hall koke për të pas një karrige në këtë sallë më çfarëdo pafytyrësie, por ja erdhi dita. Unë nuk kam të njëjtin hall me ju, nuk është arsyeja e mbajtjes së mandatit që dua të jem në këtë sallë më çdo kusht, por për t'i dhënë vlerë votës sovrane e Gjykata Kushtetuese dje ua përplasi surratit qelbsinllëku e gatuar në këtë sallë. Ç'është kjo heshtje për një vendim kaq madhor? Taulanti ka humb, PS nuk reagon, edhe këta të mërzitur.

Ora 11:22
Spiropali 'thumbon' opozitën: Uroj që dielli i nxehtë i beharit të ketë pjekur PD-në e Lulzimin dhe në shtator të kenë guximin për të bashkëpunuar

 

Ministrja Elisa Spiropali, në seancën e parafundit plenare, nuk la pa falënderuar kolegët e saj deputetë, ndërsa listoi edhe ato që i konsideroi arritjet e  kësaj legjislature. Arritje, Spiropali konsideroi edhe votimin për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, që e quajti përdhosës të Kushtetutës, ndërsa tha se tashmë maxhoranca do të nisë edhe një proces të hapur konsultimi politik për zgjedhjen 'e afërt' të Presidentit të ri.

Spiropali nuk la pa 'thumbuar' edhe opozitën, ku u shpreh se uron që dielli i nxehtë i këtij behari "të ketë pjekur PD e Lulzim Bashën dhe në shtator të kenë guximin për të bashkëpunuar'.

"Me 104 vota çliruam institucionin e Presidentit të Republikës nga një përdhosës i Kushtetutës dhe frymëzues i konflitit politik. Tani kemi detyrën për të zhvilluar një proces të hapur konsultimi të gjerë politik për zgjedhjen e afërt të Presidentit të ri. Punët dhe arritjet e sesionit që kaloi, marrin edhe një vlerë më të madhe duke marrë parasysh kushtet dhe sfidat e paprecendeta që kaluam, jo vetëm pandeminë dhe tërmetin, por edhe kufizimet e demokracisë sonë ende në rritje, papjekurinë ulëritëse që opozita demonstroi me braktisjen e mandateve, kjo sfidë e vuri Kuvendin e Shqipërinë në një situatë të paprecedentë. Një falënderim i takon burrave dhe grave të opozitës që ruajtën apo morën mandatin. Uroj që dielli i nxehtë i këtij behari ta ketë pjekur sado pak PD, Lulzimin dhe të tjerët dhe në legjislaturën ere në shtatorë të sjellin me vete edhe arsyen dhe guximin për të bashkëpunuar për reforma në respekt të qytetarëve që asaj partie i caktuan rolin e pazëvendësueshëm të opozitës", tha Spiropali.

Ora 11:03
Manastirliu: Nuk kemi asnjë rast me variantin Delta, tjetër marrëveshje me Pfizer për 23,400 doza vaksine

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, gjatë fjalës së saj në Kuvend ka bërë me dije sigurimin e 23,400 dozave të tjera vaksinash nga kompania Pfizer, pjesë e marrëveshjes që qeveria shqiptare ka me instrumentin COVAX.

“Sjellim sot në Kuvend për miratim një tjetër marrëveshje për vaksinat Pfizer, pjesë e marrëveshjes kuadër që qeveria shqiptare ka me instrumentin Covax, nga i cili do të sigurojmë rreth 1,140,000 doza vaksinash. Nëpërmjet instrumentit COVAX tashmë është bërë e mundur mbërritja e 120 mijë dozave AstaraZeneca, me marrëveshjen sipas dritares së hapur nga ky instrument dhe marrëveshja e radhës nga ky instrument lidhet me kompaninë  Pfizer, nga e cila do të sigurojmë në këtë fazë, 23,400 doza vaksine Pfizer Bion-Tech, të cilat pritet të vijnë së shpejti në Shqipëri. Kjo është një tjetër kontratë, përpos kontratës direkte që qeveria shqiptare ka miratuar me Pfizer për rreth 500 mijë doza vaksine, lëvrimi I të cilave ka filluar që në muajin shkurt”, deklaroi Manastirliu.

Gjatë fjalës së saj në Kuvend, Ministrja e Shëndetësisë foli për lehtësimin e masave anticovid, por ngriti alertin nga variant Delta, duke bërë thirrje për vigjilencë.

 “Ne do të vijojmë, siç kemi bërë nga dita e pare e epidemisë në vend, të ndjekim rekomandimet e ekspertëve. Po vijojmë më lehtësimin gradual të masave antiCOVID. Nga sot zgjatet ora policore deri në orën 24:00 si edhe lejohet pjesëmarrja e publikut, spektatorëve apo tifozëve në aktivitetet sportive, sociale, kulturore apo konferencat. Por ka një alert që ekspertët tanë referojnë dhe doja ta sillja në vëmendjen tuaj dhe të gjithë qytetarëve: Është alerti për shkak të variantit Delta (Delta Plus), i cili është identifikuar edhe në vendet e rajonit dhe nga OBSH vlerësohet si variant shqetësues për impaktin në shëndetin publik dhe për këtë arsye kërkohet kujdes maksimal”, theksoi Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë tha se gjatë stinës së verës do të kemi një fushatë intensive të vaksinimit masiv, teksa ka bërë me dije se gjatë muajit korrik do të ketë ditë të tjera të hapura për vaksinimin.

“Gjatë sezonit të verës do të vijojmë me vaksinimin në komunitet, me vaksinimin në shtëpi për të pamundurit, për të moshuarit kryesisht, për ta shfrytëzuar sa më mirë këtë periudhë për të rritur mbrojtjen nga Covid19. Është e rëndësishme që gjatë këtij procesi të kemi një mbulesë të mirë vaksinale të grupmoshave. Ne do të ulim fashën dhe do të vijojmë gjithashtu me ditët e hapura të vaksinimit edhe në muajin korrik dhe gusht. Kemi në fokus vaksinimin, pasi është e vetmja armë jetëshpëtuese. Ndaj, të gjithë atyre që u jepet mundësia për t’u vaksinuar, ta shfrytëzojnë dhe të mos ketë asnjë neglizhencë”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë bëri me dije se në dy ditët e hapura të vaksinimit masiv +18 vjeç janë realizuar rreth 25 mijë vaksinime, ku mbi 17 mijë qytetarë janë vaksinuar për herë të parë. Prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 968,034 doza të vaksinës ndaj COVID19, ndërsa 403,504 qytetarë i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës antiCOVID.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Wall Street Journal: Pse Shqipëria duhet të jetë destinacioni i radhës për udhëtarët e zgjuar

Wall Street Journal: Pse Shqipëria duhet të jetë destinacioni i radhës për udhëtarët e zgjuar