Buxheti dhe paketa fiskale, rikthyen në parlament kryeministrin Edi Rama. Pas javësh mungese, kjo do të ishte e para përballje me Sali Berishën që kishte nxituar të mbante fjalën para tij në parlament. Kur shefi i qeverisë zbriti në foltore për të prezantuar buxhetin 10 miliardë euro, si më të madhin në histori, opozita braktisi sallën dhe u kthyen pas përfundimit të fjalimit.
Por, Rama ia bëri të qartë se fjala e tij nuk është për opozitën, por për qytetarët, pasi diferenca ekonomike mes qeverisë së tij e PD së dikurshme është e dukshme. Rama tha se masat fiskale do të ulin koston e jetesës për familjet, do të lehtësojnë barrën tatimore për shtresën e mesme dhe do të rrisin mbështetjen për pensionistët.
“Këta që nuk janë këtu, bashkë me ca që kanë mbetur, janë ata që në historinë e këtij vendi do të mbeten si hapësit e gropave të qeverisjes së parë e të dytë. Ndërkohë që historia do të flasë për ne si ndërtuesit e Shqipërisë së re europiane. Kemi fituar çdo garë statistikash me këta të lodhurit këtu. Ndryshe nga sa pëllasin e ulërasin ata që bëjnë sikur nuk kuptojnë e kurrë mos kuptofshin ekonomia shqiptare është më e fortë se asnjëherë tjetër”, tha Rama.
Një të drejtë, ia njohu opozitës, mbi vonesat e rindërtimit në Tiranë.
“Ne kemi problem me rindërtimin në bashkinë e Tiranës, se ka dy vjet pa kokë, sepse një shumë e madhe në dispozicion të strehimit dhe rindërtimit nuk është vënë në lëvizje”, theksoi ai.
Duke u kthyer në klimën e protestave në Tiranë, që më shumë se 170 ditë më parë, u iniciuan nga revolta ndaj investimit të Jared Kushner, dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump, në Zvërnec, Rama tha se qeveria nuk ka ndërmend të tërhiqet nga investimet e huaja.
“Refuzoj çdo lloj pabesie e poshtërsie në kurriz të këtij vendi që ushqen refuzimin dhe kundërshtimin ndaj investimeve të huaja. Sot edhe Kina, edhe vendet naftëmbajtëse edhe të gjitha vendet e Evropës janë në konkurrencë të egër kush tërheq më shumë investime të huaja. Ne s’mund të jemi vendi që kur dera hapet nga investitorët të sillemi sikur duam të mbrojmë vendin nga investimet Kjo është kundërhistorike dhe vetëvrasje ekonomike, që nuk kemi për ta pranuar kurrën e kurrës”, theksoi Rama.
Për protestat, ironizoi edhe PD, që priste në oborr përfundimin e fjalës së tij.
“Të jesh në qeveri dhe të protestojnë kundër qeverisë është gjëja më e natyrshme. Por të jesh në opozitë dhe të mos të pranojnë t’i afrohesh protestës është gjëja më e dhimbshme dhe është fakti që vlen për të kuptuar se çfarë janë këta që s’janë fare, jo vetëm fizikisht, por as politikisht relevantë në këtë vend”, tha Rama.
Me parashikim, kreu i qeverisë tha se refuzimin e radhës, opozita do ta ketë në zgjedhjet e afërta vendore.
“Mos i bëni shqiptarët për budallenj, se shqiptarët të japin ujë në bisht të lugës. Ujë në bisht të lugës kanë marrë gjithë këto vite dhe do të marrin edhe në 9 maj", u shpreh kryeministri.
Kur shefi i mazhorancës mbaroi fjalën, kreu i PD-së, Berisha u rikthye në sallë. Këtu ishte momenti i shefit të qeverisë për t’u larguar nga seanca. Bashkë me Kryeministrin, edhe socialistët në masë braktisën sallën, kur kryedemokrati nisi të mbante fjalën në emër të pakicës mbi buxhetin.
“Siç e patë vetë, Padrino ia mbathi me bisht ndër shalë. Ia mbathi sepse e di që kjo është e fundit herë që ai paraqet buxhet në këtë sallë”, tha Berisha.
Buxheti i vitit të ardhshëm kap vlerën 10 miliardë lekë. Pasi të miratohet në parim në Kuvend, buxheti rikthehet sërish në komision për shqyrtim nen për nen, e për të kaluar sërish në Parlament për miratimin në tërësi.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama dhe ministrave të qeverisë së tij, për lidhje me krimin e organizuar.
Duke folur për rënien e euros dhe dollarit, Berisha tha se Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ka ‘nxjerrë këtë vit qindra thasë lekë të prera dhe ka blerë 1 miliardë euro’.
“Ka vende në të cilat kryeministrat abuzojnë. Ka vende në të cilat kryeministrat mund të jenë të korruptuar. Por ka vetëm një vend në Europë ku kryeministri ndërtoi narkoshtetin e parë dhe të vetëm. E shndërroi Shqipërinë fillimisht në eksportuesin kryesor të kanabisit në Europë. Vendosi bashkëpunimin më të ngushtë të Policisë me kartelet dhe e ktheu në narkopolici. Kartelet u bënë vendimtar për votat e shqiptarëve. Ato bashkë me Ndraghetën u nisën në Amerikën Latine dhe u bënë kontrollues kryesor të kokainës në Europë. Çfarë ndodhi me Shqipërinë? Këtu futen miliarda narkoeuro, me të cilat blihen ministrat, me rroga nga kartelet, përveç borderove të qeverisë. Ja ku është ai. Si i thotë në telefon Suel Çela-Çopjes, ‘ju paguaj rrogë ministrave’.
Por ajo që është dramë e çdo qytetari është shkatërrimi i dhjetëra e mijëra vendeve të punës për shkak të rënies së euros dhe dollarit. Rënia katastrofale e eksporteve nga 2022-2025 me 29 % do të thotë rrënim i dhjetëra e mijëra vendeve të punës dhe largim masiv i shqiptarëve nga Shqipëria. Rënia e euros dhe dollarit ka zhvlerësuar kursimet e shqiptarëve në euro e dollar. Ju jeni qenie shtetërore të drogës. A e dini se çdo të thotë të humbasin 250 miliardë lekë kursime shqiptarët? Të gjitha këto, sepse betoni e droga shkatërrojnë tregun. A e dini ju se banka dhe Guvernatori që i dhanë tani imunitet të përjetshëm, kanë nxjerrë këtë vit qindra thasë lekë të prera për të blerë eurot. Ka blerë 1 miliardë euro dhe ka rritur çmimet në kurriz të shqiptarëve”, tha mes të tjerash Berisha.
Opozita u kthye në Kuvend sapo kryeministri Edi Rama përfundoi fjalën dhe më pas u largua nga salla. Fjalën në emër të grupit të PD, e mori Sali Berisha, pasi Gazment Bardhi është i përjashtuar. Berisha tha se Rama u largua me bishtin ndër shalë dhe se është hera e fundit që ai prezanton buxhet në buxhet në këtë sallë.
“Ia mbathi. Siç e patë vetë, padrino ia mbathi, me bisht ndër shalë, ia mbathi sepse e di që kjo është e fundit herë që ai paraqet buxhet në këtë sallë. Ia mbathi si hajduti më i madh i kombit shqiptar në histori. Ia mbathi s një kufomë e pakallur e cila është e pushtuar nga frika deri në palcë, ia mbathi se e kanë mbërthyer për fyti krimet që ka kryer. Ia mbathi, nuk rri dot. Para jush u paraqit njeriu që do mbyllë qeverisjen e tij me aktet më madhore të turpit, me krimet më të rënda ndaj shqiptarëve. Edi Rama ndërtoi në këtë vend të bekuar, narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Europë. Ndërtoi republikën e narkoeurove dhe narkobetonit”, tha Berisha.
Kryeministri Edi Rama u largua nga seanca pleanre pas fjalimit të tij që u prit me duartrokitje.
"Ne jemi optomiste se ekonomia do të jetë më fortë. Nuk ka diskutim që pas miratimit të buxhetit që do të ketë shumë njerëz që do të thonë se nuk mjafton sepse ata kanë problemet e tyre. Ne nuk shkojmë pas iluzioneve, ne shkojmë pas një vizioni. Një Shqipëri ku ka rishpërndarje më të drejtë, ku rritja ekonomike nuk zgjeron hendekun mes Shqipërisë që ndryshon dhe njerëzit që përjetojnë pasojat e këtij ndryshimi. Këtë hendek, vetem ne mund ta ngushtojmë. Ne e shohim dhe e dimë se nga vjen. Jo ajo zonja që thotë vjedhje, vjedhje, bashkë me atë që rrinte këtu edhe merr fjalën midis seancave, kur sheh në internet se çfarë pantallonash të blejë”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama është shprehur se filozofia e buxhetit 2027 është krijimi i sa më shumë pasurive, në mënyrë që ajo të shpërndahet në mënyrë më të drejtë.
Për kryeministrin Edi Rama, mbyllja ‘e derës’ investimeve të huaja në Shqipëri është një ‘vetëvrasje ekonomike’ që PS nuk do ta lejojë kurrë.
“Në mbyllje dua të them se nuk duhet ta harrojmë për asnjë çast se të gjitha këto mbështetje e investime nuk bien nga qielli. Ato vijnë nga një punë kuptimplotë e shqiptarëve që nuk dalin në TV, e atyre që s’kanë kohë të ulërijnë në Tik Tok, e shqiptarëve që janë të organizuar në ferma e turizëm. Këto vijnë nga një Shqipëri ku rriten investimet e brendshme e të huaja. Prandaj unë e refuzoj kategorikisht çdo lloj pabesie e poshtërsie në kurriz të këtij vendi që ushqen refuzimin e kundërshtimin ndaj investimeve të huaja. Sot të gjitha vendet e Europës janë në një konkurrencë gjithmonë e më të egër, kush tërheq më shumë investime të huaja. Ne s’jemi vendi kur dera për investimet e huaja hapet, të bëjmë sikur duam të mbrojmë vendin nga investimet. Kjo është vetëvrasje ekonomike që ne nuk kemi për ta pranuar kurrë.
Në të gjithë sektorët që e bëjnë ekonominë më konkurruese, janë në këtë buxhet më të larta se asnjëherë. Ne duhet të bëjmë një sforco maksimale që të shkojmë edhe përtej këtyre investimeve, duke parë më shumë aty ku njerëzit jetojnë jetën e tyre të përditshme, në lagjet periferike dhe në zonat rurale. Ne nuk shpenzojmë të nesërmen për të shtyrë të sotmen, por as mund t’u themi njerëzve që të presin pafundësisht të nesërmen që të ndjejnë përfitimet e zhvillimit të sotëm. Kjo është filozofia e këtij buxheti të ri, të krijojmë më shumë pasuri për të pasur më shumë mundësi që ta shpërndajmë atë më drejtë. Ne e jemi fituar çdo garë statistikash me këta të lodhurit këtu. Ndryshe nga sa pëllasin e ulërasin ata që bëjnë sikur nuk kuptojnë, kjo Shqipëri është një Shqipëri tjetër dhe ekonomia shqiptare është më e fortë se asnjëherë tjetër”, tha mes të tjerash Rama.
Gjatë prezantimit të pr.buxhetit 2027, kryeministri Edi Rama foli edhe për ndryshimin e skemës së bonusit të bebes. Nga korriku 2027, mbështetja për familjet do të vijojë derisa fëmija të mbushë 5 vjeç.
Rama tha gjithashtu se mbështetja për fëmijët me aftësi të kufizuara do të dyfishohet dhe do të mbulohen kontributet shoqërore për të gjithë kujdestarët e tyre.
Bursat do të rriten nga 10 mijë në 25 mijë lekë dhe do të shtrihen edhe në ciklin e masterit.
“Nga bonusi i bebeve, prej 1 korrikut të vitit 2027, familjet do të marrin mbështetje në kohë, deri kur fëmija të mbushë moshën 5 vjeç. Ne u gjendemi pranë familjeve të reja dhe i ndihmojmë për të lehtësuar barrën e tyre në raport me mirërritjen e foshnjave. E kemi marrë këtë zotim për dyfishimin e mbështetjes për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe mbulimin e kontributeve shoqërore për të gjithë kujdestarët e tyre.
Bursa do të rritet nga 10 mijë në 25 mijë lekë dhe do të shtrihet edhe në ciklin e masterit.”
Kryeministri Edi Rama është shprehur se me planin e Qeverisë për strehimin, do të transformohet tërësisht qasja e Qeverisë ndaj strehimit, jo vetëm për qytetarët në pamundësi ekonomike, por edhe për të rinjtë.
“Kjo është beteja jonë, të rrisim ekonominë, duke vazhduar të rrisim investimet. Dhe duke vazhduar të rrisim fuqinë e atyre që vijnë pas nesh. Sepse janë 2 kategori sot që gjenden në pozita delikate. Pensionistët nga njëra anë dhe të rinjtë nga ana tjetër. Parlamenti do të kalojë edhe një ligj, atë të strehimit, një ligj falë të cilit ne do të kemi një transformim tërësor të qasjes ndaj strehimit. Nuk flasim vetëm për ata që janë të varfër, por edhe për ata që janë të rinj. Ne nuk mund ta pranojmë si një realitet të pandryshueshëm që një çift i ri që përpiqen ta shohin të ardhmen në Shqipëri, ta kenë gjithmonë e më të vështirë që të ndërtojnë një çati mbi kokë. Ne nuk mund ta pranojmë që kryeqyteti ynë bëhet gjithmonë e më i pasur, por ndërkohë një pjesë e të rinjve, që janë e ardhmja e kryeqytetit dhe atyre qyteteve dhe që kontribuajnë me punën e tyre, ta kenë gjithnjë e më të vështirë ta imagjinojnë veten të pavarur. Prandaj duhet PS në këtë mes. Këtu ka edhe ulëritës profesionistë që bëjnë lekë në pallate pa leje. Ne s’do ta bëjmë këtë duke anatemuar ndërtimin dhe kullat. Sepse njerëzit duhet ta mësojnë se çfarë ka në ato kulla për ta. Se çfarë vjen nga taksat e atyre kullave për fondin e strehimit. Ndërkohë fillojmë nga buxheti, pa llogaritur se çfarë vjen me ligjin e ri të strehimit. Në total janë 10 mijë familje që do të përfitojnë nga kjo qasje e re për strehimin”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama tha në Kuvend se projektbuxheti i vitit 2027 parashikon 20 miliardë lekë, ose rreth 200 milionë euro, për dyfishimin e rritjes së pensioneve nga janari, krahasuar me vitin e mëparshëm. Ai u zotua se rritja do të dyfishohet kundrejt vitit paraardhës edhe në vitet në vijim.
“Nëse ka një kategori të shoqërisë sonë që meriton të ndiejë më shumë nga përfitimet e rritjes ekonomike, padiskutim është kategoria e pensionistëve. Këtë e them me vetëdije të plotë, e them në emër të të gjithë juve, se në mënyrë të vazhdueshme, njësoj si unë dhe të gjithë ju, ndesheni me këtë nevojë që vjen si rezultat i një marrëdhënieje të patjetërsueshme të kësaj partie me atë kategori.
Pensionistët ende i bëjnë llogaritë me laps dhe letër, dhe këta honxhoponxhot këtu mendojnë se mund t’i tollovisin me llogaritë e tyre kokëposhtë. Pensionistët e dinë më mirë se ç’do të thotë të rrisësh një ekonomi me mund dhe të shpërndash atë që del nga mundi. Edhe pensionet nuk rriten nga dëshira, por me ekonomi.
Nga janari dyfishojmë rritjen e vitit që lëmë pas dhe do t’i qëndrojmë këtij zotimi çdo vit pasardhës, me dyfishim krahasuar me vitin e parë. Janë 20 miliardë lekë, ose rreth 200 milionë euro, që janë vetëm për këtë dyfishim të rritjes për pensionistët", tha Rama.
Kryeministri Edi Rama pranoi në Kuvend se procesi i rindërtimit të banesave të dëmtuara nga tërmeti ka ngecur në Tiranë dhe se një shumë e konsiderueshme parash nuk është vënë në përdorim. Teksa kryebashkiaku Erion Veliaj ndodhet në paraburgim, Rama tha se Bashkia e Tiranës ka dy vjet “pa kokë”.
“Nëse ka një proces rindërtimi për të qenë krenar, është ai i rindërtimit në Shqipëri. Kemi problem me rindërtimin në Bashkinë e Tiranës, sepse ka dy vjet pa kokë. Një shumë e madhe nuk është vënë në lëvizje”, tha Rama.
Gjatë fjalës në Kuvend, kryeministri foli edhe për ligjin e ri për strehimin e përballueshëm. Sipas tij, nga kjo politikë pritet të përfitojnë 10 mijë familje.
"Një ligj, që ne do të kemi transformim rrënjësor ndaj qasjes së strehimit. Flasim për strehimin e përballueshëm. Nuk mund ta pranojmë si normalitet, që një çift i ri, ku të dy punojnë, kontribuojnë me taksa, përpiqen ta shohin të ardhmen në Shqipëri, ta kenë gjithmonë e më vështirë të kenë një çati. Një qytet mund të bëhet më i shtrenjtë nga zhvillimi, por nuk mund të bëhet i paarritshëm për njerëzit që jetojnë aty. Prandaj duhet PS, prandaj duhemi ne në këtë mes. Në total 10 mijë familje do të përfitojnë nga kjo qasje e re për strehimin. Nëse ka një proces rindërtimi për të qenë krenar, është ai i rindërtimit në Shqipëri. Kemi problem me rindërtimin në Bashkisë së Tiranës, sepse ka dy vjet pa kokë. Një shumë e madhe nuk është vënë në lëvizje. Nga ana tjetër, ne do të përfshijmë në këtë politikë, edhe zgjerimin e stokut të banesave që ndërtohet nga fondi i strehimit. Për të rritur taksën për apartamentet bosh, duke pasur parasysh ata që janë blerës të huaj", tha Rama.
Gjatë prezantimit të projektbuxhetit 2027 në Kuvend, kryeministri Edi Rama tha se pragu i regjistrimit për TVSH-në, nga 10 milionë lekë që është aktualisht do të ulet në 5 milionë lekë, ndërsa biznesi i vogël do të vijojë të paguajë zero tatim mbi fitimin deri në vitin 2029. Rama tha se ulja e pragut synon të pengojë bizneset e mëdha të shmangin detyrimet duke u paraqitur si biznese të vogla. Ai ironizoi edhe opozitën, duke i thënë se “ faturën do ta keni të kripur” në zgjedhjet e 9 majit.
“Sot ekonomia e rritur na jep mundësinë që 32 mijë tatimpaguesve që i përkasin shtresës së mesme t’ua ngremë pragun e sipërm të tatimit mbi pagën nga 200 mijë në 300 mijë lekë. Dhe t’u japim mundësinë të ndihen më mirë në vendin e tyre dhe që kjo shtresë të vazhdojë të zgjerohet duke pasur një barrë fiskale më të ulët.
Për pjesën e pagës mbi 700 mijë lekë, shkojmë në normën e taksimit 30%, që është kombinimi i të dyjave, i 15% të fitimit të kompanisë me 15% të dividendit, në mënyrë që, duke forcuar progresivitetin e sistemit, të mbyllim shtigje të evazionit fiskal dhe të mos lejojmë ata që janë pronarë kompanish të shfaqen si rrogëtarë apo si biznese të vogla.
Ruajmë zotimin tonë të tatimit zero mbi fitimin e biznesit të vogël. Deri në 2029 nuk do ta tatojmë biznesin e vogël. Për të forcuar formalizimin, për të mos lejuar që biznesi i vogël rëndom të përdoret si një shteg për të mëdhenjtë që të shmangin detyrimet, ne do ta ulim pragun e regjistrimit për TVSH-në 5 milionë lekë. Dhe kush e konsideron taksë mbi biznesin e vogël, duhet të rishikojë formimin e vet dhe ta kuptojë mirë. Mos i bëni shqiptarët për budallenj, se kur të vijë dita e hesapit, do ta keni të kripur. Kështu ka ndodhur në çdo zgjedhje dhe kështu do të ndodhë më 9 maj", tha Rama.
Kryeministri Edi Rama në seancën plenare foli edhe për taksën e qarkullimit
"Duam ta ulim çmimin e çmimin e naftës në pompë me 32 lekë për litër. Taksën do ta vendosim te makina dhe do ta mbledhim përmes drejtorisë, duke e lidhur me karakteristikat e automjetit. Këtë reformë ne e ndërmarrim, për zhvillimin ekonomik, për të ecur më shpejt makineria e ekonomisë", tha Rama.
Kryeministri Edi Rama, duke prezantuar pr.buxhetin e vitit 2027 në Kuvend, tha se PS është një parti që mendon më shumë për ata që fitojnë më pak.
Duke përmendur uljen me 6% të TVSH-së për 54 produkte të shportës ushqimore, pjesë e paketës fiskale, Rama tha se ky vendim u vjen në ndihmë familjeve shqiptare, duke kursyer në ‘arkën’ e përbashkët të tyre 150 milionë euro në vit.
“Vijmë këtu për të miratuar uljen e TVSH-së në 6% për 54 produkte të shportës ushqimore. Kjo është një masë që ne na jep kënaqësinë e veçantë, që mund të na i japë vetëm politika, kur bëhet forcë e përbashkët për të sjellë rezultate për të ndryshuar jetën e njerëzve. Ky është një lehtësim që lë 150 milionë euro çdo vit në arkën e familjeve. Ne s’po e ulim TVSH-në që diferencën ta fusin në xhep tregtarët. Prandaj kjo masë do të shoqërohet me fuqizimin e pasqyrës së çmimeve dhe mekanizmave të transparencës dhe kontrollit të tregut. Ne mbetemi besnik të asaj që jemi, përsa jemi pjesë e kësaj partie. Ne jemi partia që mendon më shumë për ata që fitojnë më pak. Ne s’duam më pak njerëz të pasur në Shqipëri. Duam njerëz të suksesshëm, që krijojnë vende pune për të tjerët. Problemi ynë nuk janë të pasurit, por hendeku mes atyre që kanë shumë dhe atyre që kanë më pak. Ne jemi me sipërmarrjen. S’ka asgjë të padrejtë që ata fitojnë më shumë të mos-kontribuajnë më shumë. E drejta e do që ata që fitojnë më pak të kenë mundësi të përfitojnë më shumë nga një shoqëri, falë atyre që fitojnë më shumë”, tha mes të tjerash kryeministri Rama.
Gjatë fjalës për projektbuxhetin e vitit 2027, kryeministri Edi Rama ironizoi opozitën, duke thënë se ajo do të mbetet në histori për “gropat” e hapura gjatë qeverisjes të saj, ndërsa socialistët do të kujtohen si “ndërtuesit e Shqipërisë së re europiane”. Rama tha se nga 1 janari nuk do të ketë taksë qarkullimi.
“Dëshirën për të ulur taksat e kemi të shkruar në programin tonë të parë. Duke nisur nga 1 janari, s’do të kemi taksë qarkullimi. Dëshirën për të rritur më shumë pensionet, për të mbështetur familjet e reja, e kemi pasur qysh në krye të herës, por nuk janë dëshirat që mbushin arkën e shtetit, nuk janë dëshirat që përcaktojnë rrugën e një qeverisjeje, nuk janë dëshirat që e bëjnë një qeveri më të mirë, por është ekonomia që mbush arkën e shtetit.
Ndryshimi mes asaj që ti do të bësh dhe asaj që je në gjendje të bësh është dallimi mes premtimeve që mbeten në ajër dhe zotimeve që nuk harrohen, por që me këmbëngulje përmbushen, duke mbushur paraprakisht arkën e shtetit për t’i mbajtur ato zotime. Nëse përpiqesh t’u pëlqesh njerëzve pa bërë llogaritë, atëherë nuk bën asgjë tjetër veçse i hap gropën atij që vjen pas.
Këta që nuk janë këtu, bashkë me ca që kanë mbetur, janë ata që në historinë e këtij vendi do të mbeten si hapësit e gropave të qeverisjes së parë e të dytë. Ndërkohë që historia do të flasë për ne si ndërtuesit e Shqipërisë së re europiane”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama tha gjatë fjalës së tij në Kuvend se buxheti ka prekur tavanin e 10 mld eurove
Kemi zgjedhur rrugën e mundësive të reja. Ekonomia është trefishuar, Shqipëria ka një buxhet historik prej 10 miliardë eurosh. Ishte një vend me rritje ekonomike të zeruar, sot rritet me një ritëm, që është 4 përqind. Edhe në raportin e progresit të BE, një nga pikat më të forta, është vlerësimi për ekonominë. Papunësia ka rënë nën 10 përqind, paga mesatare 967 euro. Investimet e huaja kanë prekur nivele historike. Kemi një buxhet më të madh se asnjëherë dhe një borxh publik, më të ulët se asnjëherë. Shqipëria ka fituar një fuqi të re ekonomike. Ne jemi shumë të vetëdijshëm, se një ekonomi që rritet, automatikisht, çdo familje e ndjen njësoj rritjen. Rritja sjell edhe një paradoks, që e kemi më të qartë. Rriten pagat, por rriten edhe pritshmëritë. Rriten të ardhurat, por edhe kërkesat. Një pensionist që numëron lekët e ilaçeve, nuk e bën llogarinë me rritjen e investimeve të huaja. Në fund të fundit, edhe rritja e ekonomisë, nuk është qëllim në vetvete. Ky është thelbi i buxhetit 2027, i mandatit të katërt. Programi ynë qeverisës, Shqipëria në BE, në 2030, është i lidhur me Shqipërinë ku shqiptarët ndihen familjarisht më të fortë këtu. Falë reformave, të bëjmë lehtësime që nuk mund t’i bënim dot dje. Sot, ne vijmë këtu për të miratuar uljen e TVSH në 6 përqind, për 54 produkte ushqimore",tha Rama.
Kryeministri Edi Rama, duke e cilësuar deputeten demokrate Jorida Tabaku si një zëdhënëse të fjalës ‘vjedhje’, është shprehur se njerëz si ajo, nëse do të kishin pushtet në dorë, ‘do të kishin bërë namin’. Opozitës Rama i tha nga Kuvendi se në zgjedhjet lokale të 9 majit 2027, ‘do merrni ujë në bisht të lugës nga populli’.
“Tabaku, e cila është një zëdhënëse e palodhur e fjalës vjedhje, që sa herë që e përmend atë fjalë, unë mendoj me vete ‘kushedi sa do kishte vjedhur kjo nëse do të kishte gjë në dorë, do bënte namin’. Unë kam ardhur këtu për të bërë fjalën hyrëse lidhur me një buxhet që është historik për shqiptarët, pasi buxheti prek tavanin e 10 miliardë eurove.
PS me këtë buxhet ul koston e jetesës për familjet shqiptare. Rrit mbështetjen për pensionistët dhe për ata që janë më në nevojë. I kemi dëgjuar shpesh të na kundërvihen, a thua se ne nuk e kishim dëshirën më parë për t’i bërë. Mos i bëni shqiptarët për budallenj, se shqiptarët të japin ujë në bisht të lugës. Ujë në bisht të lugës kanë marrë gjithë këto vite dhe do të marrin edhe në 9 maj", tha mes të tjerash Rama.
Kryeministri Edi Rama iu përgjigj në Kuvend kërkesës së opozitës për të diskutuar për protestën. Ai tha se protestat kundër qeverisë janë të natyrshme, ndërsa ironizoi opozitën duke thënë se protestuesit nuk e pranuan t’i afrohej protestës.
Rama foli edhe për raportin e progresit të BE-së, duke veçuar rekomandimin për nisjen e përgatitjeve për traktatin e anëtarësimit në vitin 2027.
“Edhe raportin e progresit të BE-së e ripërtupin në publik, si të ishte fakt kundër kësaj shumice dhe kësaj qeverie. Në raportin e progresit ka një togfjalësh që i thotë të tëra arsyet përse ne jemi krenarë për punën tonë, që i thotë të tëra arsyet përse ne duhet dhe do ta vazhdojmë deri në fund punën tonë, pse askush tjetër nuk e bën dot punën tonë. KE-ja i rekomandon Këshillit që në vitin 2027 të nisë përgatitjet për traktatin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Nuk ka asnjë mundësi dhe nuk ka asnjë lloj shansi që një rekomandim i tillë historik t’i bëhet Këshillit nga KE-ja, në rast se vendi do të ishte ai që përpiqen të paraqesin me këmbë e me duar, me britma, ata që në këtë sallë kërkojnë edhe që të diskutohet për protestën.
Të jesh në qeveri dhe të protestojnë kundër qeverisë është gjëja më e natyrshme. Të jesh në pushtet dhe të të kërkojnë llogari me protesta është gjëja më e natyrshme. Por të jesh në opozitë dhe të mos të pranojnë t’i afrohesh protestës është gjëja më e dhimbshme dhe është fakti që vlen për të kuptuar se çfarë janë këta që s’janë fare, jo vetëm fizikisht, por as politikisht relevantë në këtë vend”, tha Rama.
Opozita u largua nga seanca plenare në shenjë proteste teksa kryeministri Edi Rama po mbante fjalën.
Kryeministri Edi Rama nuk i kurseu batutat me kreun e PD, Sali Berisha pas fjalës së tij në seancën e sotme pleanare.
“Po të bien pantallonat po ik tani”, shprehet kryeministri, teksa Berisha largohet nga foltorja.
Kreu i PD-së, Sali Berisha, tha në Kuvend se mazhoranca ka humbur legjitimitetin për të diskutuar për buxhetin. Ai akuzoi qeverinë se ka mbrojtur korrupsionin dhe tha se paketa fiskale do të rrisë taksat e çmimet dhe do të nxisë largimin e shqiptarëve.
“A e kuptoni ju që s’keni asnjë të drejtë morale e ligjore të merreni me buxhetin? Nuk keni asnjë të drejtë të merreni me çështje buxheti. Ju keni humbur çdo lloj legjitimiteti. Ju keni mbrojtur korrupsionin. Çfarë buxheti do të miratoni ju? 10 miliardë vjedhje, me paketën fiskale të ndëshkimit të shqiptarëve. A jetoni në Shqipëri? Eurostat deklaroi dje se për shqiptarët të ardhurat janë rritur, varfëria është shtuar. Padrino, me kartelet e drogës, ka zhytur Shqipërinë në narkoeuro. Tani do t’u rrisni edhe taksat, çmimet. Me këtë paketë do t’i përzini prapë. Të parët që duhen përzënë nga Shqipëria jeni ju, por s’do t’ju përzëmë. Do të shkoni atje ku e keni vendin”, tha Berisha.
Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, kërkoi që projektligji për strehimin të hiqet nga rendi i ditës. Ajo tha se projektligji nuk kishte qenë në programin e punës dhe se ishte futur në seancë pa respektuar rregulloren e Kuvendit.
“Nuk ka qenë në programin e punës, e keni përfshirë në seancë pa respektuar rregulloren. Keni bërë tenderë, nuk keni shpërndarë banesa. Sa herë ka tërmet këtu në Shqipëri, ndodh ky fenomen. Prezantohet në buxhet në vitin e parë dhe më pas s’ka buxhet pasardhës që mbulon fondet.
Doli që banesat e rindërtimit, që duhej të ishin rindërtuar, akoma sot e kësaj dite i përdorin si mall elektoral. A ka fatkeqësi më të madhe që të përdoret korrupsioni e vjedhja aty ku ka pasur humbje jetësh? Duan ta përdorin edhe rindërtimin për fushatë elektorale. E meqë paska ardhur edhe Rama, meqë u duhet kartoni, zgjedhjet e 9 majit janë zgjedhje që, pa nisur akoma, janë zgjedhje të vdekura. E gjithë Shqipëria është ngritur në këmbë kundër këtij njeriu, se sot ka kapur për fyti ekonominë, çdo sektor, buxhetin dhe të ardhmen e të rinjve shqiptarë, që po i kërkojnë: Rama, jep dorëheqjen!", tha Tabaku.
Balla tha se 10 mijë familje presin të hyjnë në banesa dhe se shqyrtimi i projektligjit nuk mund të vonohet.
“Mendoj që ishte një lapsus kur the ‘sa herë ka tërmet’. Juve, e vetmja gjë që ju duket tërmet është rezultati i zgjedhjeve dhe besoj që të foli dikush brenda vetes kur parashikove rezultatin e 9 majit. Por ne nuk kemi kohë për të humbur me ju. Që ne të presim që 10 mijë familje të hyjnë në banesa dhe të presim nazet tuaja? Nuk ju presim edhe një minutë", tha Balla.
Kërkesa e PD për ndryshimin e rendit të ditës u rrëzua.
Deputeti i PD-së, Tomor Alizoti kërkoi ndryshimin e rendit të ditës në seancën plenare, duke thënë se katër nismat ligjore të opozitës nuk janë përfshirë në të. Ai kërkoi që Kuvendi të diskutojë për protestën, për të cilën, sipas tij kanë folur edhe Parlamenti Evropian dhe mediat ndërkombëtare, por jo Kuvendi i Shqipërisë, për të cilin tha se nuk ka gjetur as një orë kohë për të folur për protestën dhe të rinjtë shqiptarëve.
“Opozita ka sjellë katër nisma ligjore dhe s’i keni vënë në rendin e ditës. Për protestën ka folur edhe Parlamenti Evropian, edhe mediat ndërkombëtare. Vetëm Kuvendi i shqiptarëve nuk flet për protestën e shqiptarëve. Ata që protestojnë janë shqiptarë. Politika është përfaqësim dhe besim. Kuvendi s’ka gjetur një orë të vetme të flasë për protestën, për të rinjtë e Shqipërisë”, tha ai.
Kreu i PD Sali Berisha ka mbërritur në Kuvend me disa nga deputetët e tij. Theksojmë se 12 nga deputetët e tij mes tyre Gazment Bardhi dhe Flamur Noka janë përjashtuar nga punimet e Kuvendit
Në seancën e sotme plenare pritet të votohet në parim buxheti dhe paketa fiskale e vitit 2027
Grupi parlamentar i PS-së është mbledhur para nisjes së seancës plenare të Kuvendit. Mësohet se në mbledhje nuk ka marrë pjesë Elisa Spiropali, e cila gjatë Asamblesë së PS-së u përjashtua nga çdo funksion drejtues në parti.
Mësohet se diskutimet në mbledhje janë përqendruar vetëm te buxheti. Kryesocialisti Edi Rama, edhe pse mbërriti në Kuvend, nuk iu bashkua mbledhjes së grupit.
Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në Kuvend, ku në rend dite janë buxheti 2027 dhe paketa fiskale.
-
PARAQIT DOREHEQJEN..JO BUXHETIN,, O HAJDUT.....
Përgjigju









Komente
Komento