Tym i bardhë nga seanca maratonë e Kuvendit për reformën territoriale, e cila ishte futur në një ngërç disa javorë për shkak të mungesës së opozitës.
Që në nisje të seancës së të martës, demokratët konfirmuan zhbërjen e bojkotit duke thënë se do të kthehen në tryezën e komisionit të posaçëm për reformën territoriale.
Por socialistët u treguan mosbesues, duke u tërhequr vetëm në mbrëmje nga ultimatumi i tyre se në rast bojkoti, do të marrin shumicën e anëtarëve dhe do t’i heqin bashkëkryetarin opozitës.
"Darka ka habere të mira. Bazuar në nenin 49, pika 1 e rregullores, kërkoj një ndryshim në rendin e ditës për të mos u shqyrtuar projektvendimi për ngritjen e komisionit të posaçëm administrative territoriale, në këtë seancë, në këtë rend dite, me shpresën që puna do të rifillojë në komisionin e posaçëm të reformës administrative territoriale",- tha kreu i grupit parlamnetar socialist.
Sërish opozitarët nuk u kënaqën plotësisht, por të paktën me barazinë numerike dhe të drejtën e vetos, ata do të ulen sërish në tryezën e komisionit të posaçëm për të vijuar me punën për hartën e re territoriale.
“Kërkesa jonë ka qenë e qartë, pa ekuivok, jo të mos shqyrtohet, sepse mosshqyrtimi ka brenda shqyrtimin, por kërkesa jonë ka qenë tërheqja. Tërheqja tregon vullnetin, shtyrja nuk tregon asgjë. Nuk kemi pas kundërshtuar“,- tha Boçi.
Komisioni nuk përparonte për shkak se anëtarët demokratë munguan në të paktën 4 mbledhje të thirrura gjatë 2 muajve jetë të këtij komisioni. Sali Berisha kishte shpallur vendimin politik për të mos bashkëpunuar me Edi Ramën për reformat, përsa kohë ai mban pezull imunitetin e Belinda Ballukut, por i vënë përballë presionit të vetë deputetëve të tij në mbledhjen e grupit parlamentar, u tërhoq.

Deputetja e Partisë Socialiste,Marjana Koçeku, kërkoi sot në Parlament përfshirjen sa më të shpejtë të rrugës së Dukagjinit në planifikimin kombëtar të investimeve infrastrukturore, duke e cilësuar atë si një investim të domosdoshëm për zhvillimin e veriut të vendit.
Gjatë fjalës së saj nga foltorja e Kuvendit, Koçeku theksoi se Dukagjini nuk është thjesht një zonë gjeografike, por një pasuri kombëtare që i ka dhënë shumë artit, kulturës dhe identitetit shqiptar.
"Kur flasim Dukagjinin, nuk flasim për një cep në hartë, por për një pasuni kombëtare që i ka dhanë shumë artit, kulturës dhe tanë vendit tonë.
Prandaj sot, nga kjo foltore, i kërkoj Ministrisë së Infrastrukturës dhe Ministrisë së Financave që rruga e Dukagjinit të përfshihet sa ma shpejt në planifikimin kombëtar të investimeve infrastrukturore dhe të trajtohet si një investim serioz, modern dhe vendimtar për të ardhmen e turizmit dhe zhvillimit në veriun e Shqipnisë.
Ne jemi në një rrugëtim historik drejt Bashkimit Europian. Mbështetja e zonave rurale dhe malore asht një nga politikat ma të rëndësishme të zhvillimit europian dhe një detyrim institucional ndaj komuniteteve që prej vitesh kërkojnë vetëm atë që u takon: infrastrukturë, zhvillim dhe dinjitet", u shpreh ajo.
Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8874, datë 29.3.2002, “Për kontrollin e lëndëve që përdoren për fabrikimin e paligjshëm të lëndëve narkotike dhe psikotrope””.
76 vota pro, 8 abstenim, 0 kundër
Projektligji “Për disa shtesa në ligjin nr. 7975, datë 26.7.1995, “Për barnat narkotike dhe lëndët psikotrope”, të ndryshuar.
77 vota pro, 11 abstenim, 0 kundër
Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, Francës dhe Komisionit Evropian, për programin e bashkëpunimit (Interreg VI-C) Interreg Europe 2021-2027”.
77 vota pro, 9 abstenim, 0 kundër
Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese nr. 1, me shkëmbim letrash, të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Zyra e Kryeministrit, dhe Komisionit Evropian, për programin e bashkëpunimit ndërkufitar Shqipëri -Kosovë, 2021–2027, ratifikuar me ligjin nr. 12/2024”.
77 pro, 11 astenim, 0 kundër
Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese nr. 1 të rishikuar, me shkëmbim letrash, të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli I Ministrave i Republikës së Shqipërisë, Malit të Zi dhe Komisionit Evropian, për programin IPA të bashkëpunimit ndërkufitar Mali i Zi - Shqipëri 2021–2027, ratifikuar me ligjin nr. 9/2024”.
77 pro, 10 abstenim, 0 kundër
Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese nr. 1, të rishikuar, me shkëmbim letrash, të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, Republikës së Maqedonisë së Veriut, përfaqësuar nga Sekretariati për Çështjet Evropiane, dhe Komisionit Evropian, për programin IPA të bashkëpunimit ndërkufitar Maqedonia e Veriut – Shqipëri, 2021 - 2027, ratifikuar me ligjin nr.71/2024”.
76 pro, 10 abstenim, 0 kundër
Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin 10221, datë 04.02.2010 “Për mbrojtjen nga diskriminimi”.
77 pro, 4 abstenim, 0 kundër
Projektligji “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”.
76 pro, 2 abstenim, 1 kundër
Projektvendim “Për ngritjen e Nënkomisionit për Zhvillim të Qëndrueshëm në përbërje të Komisionit të Përhershëm Parlamentar për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm”.
77 pro, 0 abstenim, 0 kundër
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi në Kuvend se të rinjtë dhe fëmijët janë grupi më i ekspozuar ndaj rrezikut të drogës, duke theksuar nevojën për rritjen e sigurisë brenda dhe përreth shkollave.
Gjatë fjalës së tij, Balla u shpreh se është detyrim i Ministrisë së Arsimit, Ministrisë së Brendshme dhe i të gjithë aktorëve të tjerë institucionalë të forcojnë masat për mbrojtjen e fëmijëve nga shpërndarja e lëndëve narkotike, të cilat sot përfshijnë jo vetëm drogat tradicionale, por edhe substanca të reja të shpallura të paligjshme me ligj.
“Do ta votoja me shumë kënaqësi një vendim për ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 16 vjeç, një praktikë që po ndiqet nga vende që marrin përgjegjësi si Franca, Spanja dhe Australia”, u shpreh Balla, duke theksuar se një vendim i tillë duhet të merret përmes një konsultimi të gjerë publik.
Deputeti socialist Erion Braçe u përfshi në debatin mes demokratit Saimir Korreshi dhe ministrit Toni Gogu, duke e quajtur me shaka ligjvënësin e PD-së ‘nuribehist’.
Braçe i përmendi Korreshit disa nga projektet që Qeveria e kryeministrit Edi Rama ka realizuar në Lushnjë, duke cekur edhe disa nga problematikat që ky qark ka.
Më tej duke folur për rendin e ditës, Braçe tha se marrëdhëniet mes Shqipërisë e Francës janë në një nivel të panjohur më parë, sidomos në aspektin ekonomik, ku sipas tij, në Shqipëri po kryhen shumë investime direkte të Francës.
“Ju të dy na përfshitë në këtë debat. O Saimir nuk të tha dhe ai është i bindur që t’i s’je euroskeptik. Por që ti je nuribehist je. Nejse mos harro Saimir që Lushnja ka drejtori bujqësie. Dhe kjo është gjëja më e rëndësishme për atë rreth, sepse me thënë të drejtën nuk funksionon vetëm Lushnja, por edhe Divjaka. Dhe vërtetë është ajo linja e gjatë nga shtëpia jote deri te kthesa e Çermës, por nga Kthesa e Çermës deri në Divjakë është në rregull Saimir. Kështu që brenda rrethit të Lushnjës je dhe po të duash mund të vish edhe në Divjakë.
Megjithatë që t’i themi gjërat si janë, të katërta këto marrëveshje natyrisht që reflektojnë edhe përmbushje të detyrimeve dhe standardeve nga ana e palës shqiptare dhe pa më të voglin diskutim krijojnë një hapësirë të re edhe financiare, edhe fiskale, edhe konkurruese për të gjithë ata operatorë ekonomikë apo jo. Marrëveshje me Francën reflekton një marrëdhënie që nuk ka qenë kurrë midis Shqipërisë dhe Francës. Niveli i marrëdhënieve, jo vetëm në aspektin politik, por edhe ekonomik, është i tillë që të shtyn jo vetëm më përpara sa i takon aspektit politik, por edhe ekonomik. Sot në Shqipëri ke investime të drejtpërdrejta franceze. Dhe meqë jemi këtu Saimir, më vjen ta them se impianti më i madh i prodhimit të energjisë elektrike nga dielli, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan, është ekzaktësisht në kufijtë mes Divjakës, Lushnjës e Fierit. Ndërkohë që për tre marrëveshjet e tjera, është e njëjta logjikë, por e shtrirë në territor”, tha mes të tjerash Braçe.
“Nuk dua të hyj në domainin e ministrit të Bujqësisë, Lushnja sot, në eksportet që kemi në bujqësi, sjell në buxhetin e shtetit rreth 500 milionë euro.”
Kjo deklaratë e deputetit Ulsi Manja, në një replikë ndaj deputetit Sajmir Korreshi, habiti dhe bëri për të qeshur deputetin socialist Erion Braçe.
Deputeti Saimir Korreshi ka debatuar ditën e sotme në Kuvend me ministrin e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogun, lidhur me ecurinë e integrimit të Shqipërisë në BE.
Gjatë fjalës së tij, Korreshi me ironi tha se jemi larg integrimit në Europë dhe sipas tij, nuk mund të hyet në Union me ‘brekë të grisura’.
“Ministrat kanë punë të tjera, kanë hapur rrugën për në Europë. Kanë mbetur edhe 2 pllaka për t’u shtruar dhe do të hyjmë në Europë. Jemi 100 vite pas dhe 50 vite anash. Jemi si ajo vallja 3 hapa para dhe 2 mbrapa. Ti thua me reformat, do vemi. Do të fillosh me Reformën në Dretësi? Po. Ty të vjen të tall xhevahiret kryetari i KLGJ-së në Komisionin e Ligjeve. Tall xhevahiret e thotë ‘e kemi ulur me 16 ditë bedlogun’. Edhe shikon robi e thotë ore si u ul stoku i dosjes me 16 ditë. Nga 16 vite u ul me 16 ditë. Po si do vesh ti në Europë, kur e ke sistemin e drejtësisë copë copë.
Ju as fati s’po ju ndihmon më ore burrë. Ti do hysh në Europë. Nuk hyet në Europë me brekë të grisura. Merrni furkë e tirrni lesh se vetëm për këtë punë jeni.
Por ministri Gogu iu kundër-përgjigj duke i kërkuar fillimisht që të ruante etikën e të folurës në Parlament.
Gogu tha gjithashtu se Korreshi po lunate skeçe të Portokallisë në Kuvend, teksa shtoi se integrimi në Europë është që të bësh përditë nga një punë, siç sipas tij po vepron qeveria ‘Rama’.
Ai shtoi gjithashtu se integrimi në BE nuk është klub barsaletash, teksa shtoi se PS ka reformuar drejtësinë, të cilës gjatë kohës së qeverisjes së PD-së i ushtrohej presion permanent nga politika.
“Dy momente po i shijoj pa masë. Një dialektin myzeqar se më kujton fëmijërinë, buzë rremës në Berat, por kemi lëvizur të dy, kemi ardhur në Kuvendin e Shqipërisë dhe duhet të flasim si ligjbërës. Dhe e dyta, skeçet e portokallisë. Është shumë mirë që t’i mbash copy-rightin këtyre skeçeve, por baltën ti mua nuk ma tregon dot. Sepse unë çohem në mëngjes dhe jetoj në Maknorë, ka baltë atje, ka edhe drita, por baltën zotëri e pastron ai që e sheh dhe që është atje për të pastruar baltën. Siç pastruam baltën e drejtësisë që ti i thoje dje Prokurores së Përgjithshme ‘lavire rrugësh’. Zotëri, integrimi Europian nuk është klub barsaletash, por është që baltën që thua ti, të marrësh atë lopatën dhe ta pastrosh. Nuk është që t’i bësh presion me libër shtëpie gjyqtarëve, por të vesh të ballafaqohesh me drejtësinë”, tha mes të tjerash Gogu.
Nga komisionet në Kuvend, deputeti Sajmir Korreshi vazhdoi polemikat dhe sarkazmën me ministrin e Shtetit për Marrëdhënien me Parlamentin, Toni Gogu, lidhur me rrugëtimin e Shqipërisë për në Bashkimin Europian.
Sipas Korreshit, Shqipëria vazhdon të jetë shumë larg standardeve të Bashkimit Europian, dhe një anëtarësim i vendit në Union në këtë fazë, është një objektiv utopik.
"Të vjen të tall hevahetret kryetari i KLGJ-së në komisionin. Thotë: kemi ulur vonesat nga 16 vjet në 16 ditë vonesë. Thërrasim atë të KLP-së, ajo nuk ka xhevahire por...
Është një komedi e fadil hasës që thotë 20 vjet mbrapa e 50 vjet anash, si do hymë në europë ne kështu? Se Europa nuk të qas pa ujë e drita. Ne jemi akoma me qenefë fiku, ju do hyni në europë.
Ai thotë reforma në shëndetësi, shkoni shihni onkologjikun, regjistrohesh dot pa mik atje?
Ku janë këto refomat në arsim? Në po na mbyllen klasat e shkollat. Si do hyjmë në euopë ne duke vjedhur fondet e BE, se hundët edhe ke specat i futët…
Rrëshqiti para ca ditësh rruga në Librazhd, si ka mundësi që na bien rrugët kështu neve? Nuk hyhet në europë me brekë të grisura…. Merrni furkë e tirrni lesh se vetëm për këtë punë jeni",- tha Korreshi ndër të tjera.
Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, është shprehur se marrëveshjet që lidhen me rolin e Shqipërisë në politikat rajonale, të cilat janë paraqitur në Parlament për t’u miratuar, janë tepër të rëndësishme.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Shehu garantoi mazhorancën se do t’i votonte marrëveshet, pavarësisht rezervave që kishte me konceptet e politikës së jashtme rajonale të qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Por Shehu shprehu pakënaqësi me atë që sipas tij po ndodhte në Parlament, duke thënë se asnjë ministër i fushës nuk ishte prezent për të diskutuar marrëveshjet e sipërpërmendura.
“Ka diçka që nuk shkon në këtë Parlament, i cili është kthyer krejtësisht në formalizëm. Së pari marrëveshjet që janë paraqitur janë marrëveshje të rëndësishme, që lidhen me politikat rajonale mbi rolin e Shqipërisë për marrëdhëniet reciproke në rajon. Dhe unë nuk shoh asnjë ministër të fushës që të jetë prezent. Është një skandal i vërtetë kjo që po ndodh në Parlament. Jemi në një situatë vërtetë qesharake dhe të rëndë në Parlamentin shqiptar. Këto marrëveshje unë do t’i votoj, megjithë rezervat që kam në konceptet e politikës së jashtme rajonale të realizuara nga kjo qeveri, e cila në vend të forcojë bashkëpunimin me faktorët rajonalë, e ka shkatërruar atë”, tha mes të tjerash Shehu.
Gjatë seancës së sotme plenare në Kuvend, deputetja Ogerta Manastirliu debatoi me deputeten Ina Zhupa, pasi kjo e fundit ndërhyri gjatë kohës që ligjvenësja socialiste po fliste nga foltorja për çështjen e pagave të mësuesve që janë diplomuar para sistemit të Bolognas.
“Ke gjë personalisht me mua?” ishte reagimi i Manastirliut ndaj deputetes demokrate, e cila vazhdonte të fliste nga vendi i saj.
Pas përfundimit të fjalës së deputetes socialiste, Zhupa kërkoi me ngulm mundësinë për të replikuar, por kjo kërkesë iu refuzua nga nënkryetarja e Kuvendit, Klodiana Spahiu, e cila u përball me insistimin e deputetes demokrate për disa minuta, që ankohej se po shkelej rregullorja dhe se po i mohohej një e drejtë.
Deputeti demokrat, bashkëkryetar i Komisionit për Reformën Territoriale, Luçiano Boçi, i ka kërkuar Partisë Socialiste që të tërhiqet nga nisma në Parlament për të ndryshuar formulën e këtij Komisioni dhe për të marrë shumicën.
Gjatë fjalës së tij jashtë Parlamentit, Boçi deklaroi se nëse PS nuk tërhiqet nga kjo nismë, atëherë nuk ka më arsye se përse përfaqësuesit e PD-së të qëndrojnë në Komision.
Boçi kërkoi gjithashtu që të mblidhen bashkë dy kryetarët dhe të zgjedhin sekretarin e Komisionit, si dhe të vendosin bashkarisht për mbledhjet.
““Unë shpresoj që të mos kesh marrë me induksion paqartësinë e Ballës. Sepse edhe ai e kishte këtë paqartësi. Opozita ka qenë pjesë e këtij komisioni, por thirrjet e këtij komisioni nuk kanë qenë të realizuara në bazën e rregullores. Dhe është e qartë sesi do vazhdohet, meqënëse nuk është zgjedhur sekretarja e Komisionit, duhet një dakordësi që ne të vendosim datën e mbledhës. Nëse ata nuk e tërheqin atë vendim, atë propozim, do të thotë se ata marrin shumicën dhe atëherë opozita nuk ka asnjë arsye që të qëndrojë në Komision. Duhet të tërhiqet ai vendim”, tha mes të tjerash Boçi.
Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu, është shprehur se Shqipëria po vazhdon të përfitojë nga fondet e BE-së.
Komentet Gogu i bëri gjatë fjalës së tij në Parlament, ku tha se edhe fondet IPARD të BE-së për bujqësinë do të vazhdojnë të jepen për Shqipërinë, madje edhe më fuqishëm se më parë.
Kujtojmë se në vitin 2023, pas dyshimeve për korrupsion, Komisioni Evropian i pezulloi Shqipërisë miliona euro grante për bujqësinë nga programi IPARD.
“I përmenda të gjitha këto detaje për të thënë se bëhet fjalë për standarde europiane, financim me standarde europiane, për financim që prek jetën e përditshme, për auditim europian, ashtu siç u përmend këtu që Shqipëria vazhdon dhe përfiton nga fondet e BE-së, edhe kur në to konstatohen pas auditimeve keqfunksionime. Atherë pezullohen dhe rivazhdon financimi, siç do të jetë edhe rasti i IPARD, i cili do të vazhdojë më fuqishëm se më parë. Nuk kemi vetëm retorikë anëtarësimi”, tha mes të tjerash Gogu.
Gogu tha gjithashtu se anëtarësimi në BE nuk është ndryshim i realitetit brenda orës, por është një ndryshim prej dekadash që kalojnë vendet që aspirojnë anëtarësimin.
Gogu ftoi opozitën që sëbashku të miratojnë marrëveshjet që afrojnë Shqipërinë me BE-në, në mënyrë që standardet e Bashkimit Europian të ndihen sa më parë në jetën e përditshme të qytetarëve.
“E kuptoj fare mirë parodizimin që përpiqet t’i bëhet situatës, sikur anëtarësimi në BE të ishte ndryshimi i realitetit brenda orës dhe jo sikur të ishte ndryshim dekadash që kanë kaluar të gjitha vendet para se ta aksesonin atë. Kështu që e vetmja rrugë që ky Parlament ka është që t’i shqyrtojë me seriozitet të gjitha këto marrëveshje, t’i miratojë ato dhe prandaj i ftoj edhe kolegët e opozitës që të bëhen pjesë, në mënyrë që standardet e BE-së të fillojnë të ndihen në jetën e përditshme të qytetarëve”, tha mes të tjerash Gogu.
Pasi përfundoi me Shehajn, Taulant Balla bëri edhe një thirrje nga foltorja e Kuvendit duke u kërkuar ndihmë deputetëve për një vajzë 22-vjeçare që po lufton me jetën. Ai tha se mbështetja e shtetit nuk është e mjaftueshme, ndaj kërkoi edhe mbështetjen e tyre.
“Bëhet fjalë për një vajzë 22-vjeçare nga Librazhdi që po lufton me cirrozë autoimune. Në këto raste nuk mjafton thjesht dhe vetëm mbështetja e shtetit, edhe pse do ta bëj një gjë të tillë që të mundohemi të kontribuojmë dhe nëse keni mundësi, ta japim të gjithë një mbështetje”, tha Balla.
Pas Agron Shehajt që kritikoi fort mazhorancën për çështjen Balluku dhe tha se ishte e rëndë të shihnin Veliajn të arrestohej, kreu i grupit parlamentar, Taulant Balla, nuk hezitoi të kthente përgjigje. Ai i tha Shehajt se Veliaj e merrte si shembull suksesi, ndërsa i përsëriti se paratë dhe ‘boost’-i në Facebook s’të bëjnë deputet.
"Si the për Erion Veliaj? Si the? Si thoshte Erioni për ty? Histori sukssi. Goni, na erdhi Goni, na ka hapur, ka ardhur këtu për të na sjellë modelin. Nuk po shpik, po u referohem lajmeve publike të një vizite që ministri për mirëqenien sociale ka bërë në biznesin e një sipërmarrësi, ministria po e mbështeste. Shiko, burrëria nuk është kusht që të veshësh pantallona. Ti, për fatin e keq, ashtu siç ke hyrë në këtë sallë në 2017, ta kam thënë shpesh se ma kanë thënë ata që të sollën, nuk bëhesh dot politikan duke paguar para për t’u bërë deputet dhe duke bërë ‘boost’ në Facebook. Je politikani që paguan më shumë lekë për të bërë ‘share’ dhe ‘boost’ në faqen tënde", tha Balla.
Kryetari i partisë Mundësia, Agron Shehaj ka komentuar në Kuvend protestën e banorëve në Rrjoll të Velipojës, kundër ndërtimit të resortit të Bashkim Ulajt. Shehaj akuzon qeverisë se mbron oligarkët dhe merr vendime në favor të tyre.
“Në nuk e di sesi vini dhe flisni për fondet e BE. Fondet e IPARD 180 mln euro ju i ndatë me miqtë tuaj, me kryetarët e bashkive, deputetët e ministra. Be i ndaloi dhe tha jo vetëm që nuk japim këto 100 mln euro, duhet të na ktheni dhe ato 80 mijë euro që keni vjedhur. Fondet ishin këtu, qeveria thjesht do t’i shpërndante.
Nuk ka ditë që nuk ndodh një konflikt për prona në këtë vend. Qytetarët që protestojnë për pronat e tyre se policia me urdhrin tuaj shkon atje për të mbrojtur oligarkët, miqtë tuaj. Ju e pranoni dhe nuk e imagjinoni sesi mundet të zbatohet ligji dhe prona të shkojë tek pronarët legjitimë.
Janë në tokën e tyre, janë në pronën e tyre. Nuk di të them kush ka të drejtë, por di të them me kë jeni ju, interesin e kujt mbroni. Këtë e keni treguar duke marrë vendime në favor të të fortit. Dolën përgjime të Belinda Ballukut pikërisht për këtë oligark, për rrugën Thumanë-Kashar. Balluku thotë ‘po i bëjmë nderin e jetës’. Ju jeni gjithmonë me abuzuesit se abuzoni bashkë”, tha Shehaj.
Një denoncim i bërë nga Urdhri i Farmacistëve për ndryshimin e çmimit të barnave të rimbursueshme është ngritur si shqetësim dhe në Kuvend nga deputeti Erion Braçe. Deputeti i PS thotë se lista e barnave të rimbursueshme është krijuar për shtresat në nevojë dhe për këtë arsye ai thekson se ndërtimi i kësaj liste është themelore.
Braç tha se ndryshimi i çmimeve pa njoftim, ka krijuar shqetësim të drejtpërdrejtë tek qytetarët duke sjellë si shembull shqetësimin nga Shoqata e Diabetit për insulinën.
“Ligji bën mirë për kontrollin e lëndëve të para që përdorohen për prodhimin e lëndëve psikotrope dhe narkotike apo të lëndëve që kanë si produkt përfundimtar këtë gjë. Ligji adapton listat tona me ato evropiane. Fenomeni i drogës, nuk është fenomen shqiptar. Jemi vendet që bien avionët me dronë, po jemi, ashtu dhe në Amerikë që bien dhe avionë dhe varka. Ky fenomen duhet të luftohet.
Çmimi është një element që garanton ose mohon aksesin në mjekim, sidomos në shtresat në nevojë. Lista e barnave të rimbursueshme është krijuar për këto shtresa. Për këtë arsye mënyra sesi ndërtohet lista, sesi vendohen alternativat, janë themelore. Shqetësimi është I dyfishtë, përmbysjen e alternativave dhe cmimet, të panegociuara dhe të panjoftuara, duke krijuar shqetësim te qytetari që duhet të përfitojë nga barnat e rimbursueshme që keni parasysh janë të përmujshme. Rasti i parë i shqetësimit nga shoqata e diabetit, e konkretisht insulina. Shqetësimi i tyre ka të bëjë pikërisht për këtë, përmbysjen e produktit. Nuk duhen goditur alternativat.
E dyta, barnat onkologjike, nga barnat prioritarë te alternativat. Të mos bëhet për klientelizëmm, për të nxjerrë një nga tregu e për të future një tjetër.E dyta ka të bëjë me abarnat onkologjike. Lista ka shkuar 140 mln euro,. Kaq është buxheti për listën sot. Kur bëjmë këtë gjë, doemos që përfituesi duhet të jetë i sëmuri dhe jo kompanitë”, tha Braçe.
Ministri Toni Gogu i është përgjigjur ish-kryeministrit Sali Berisha, duke e akuzuar për keqpërdorim të filozofisë së Hannah Arendt në një debat që, sipas tij, nuk kishte asnjë lidhje me realitetin ligjor dhe politik të vendit.
“Jemi duke folur për lëndët psikotrope dhe barnat narkotike. Dhe në momentin që ju parashtroni një haluçinacion filozofik, mendoj që ne duhet të themi mbrapsht tek receta. Do ishte mahnitur vetë Hannah Arendt po të dëgjonte këtë fjalim, sepse në mendjen e saj kurrë nuk pati ligjvënës që miratojnë ligje të cilët çojnë vendin përpara në integrimin europian. Pati shtetarë të cilët, me pushtetin e tyre absolut, vranë për të mbrojtur pushtetin e tyre.
Këtë kishte në mendje Hannah Arendt: shtetarë që absolutizuan pushtetin dhe vranë për ta mbrojtur pushtetin e tyre. Dhe të dilni juve të flisni për banalitetin e së keqes është, besoj, shembulli më i mahnitshëm i banalitetit të përgjegjshmërisë. Dhe të keni edhe një kolege e cila ju del në mbrojtje do të thotë që ai një minutëshi i mbylljes së mikrofonit, për të mos dëgjuar më haluçinacione politike dhe filozofike në mes të Europës, është një kumt për të gjithë ata njerëz të cilët presin që opozita të bëjë punën e saj dhe ta çojmë këtë vend përpara, së bashku t’i bashkohet shumicës dhe të anëtarësohemi brenda afatit që kemi marrë përsipër”, u shpreh Gogu.
Deputetja demokrate, Jozefina Topalli është përfshirë në replika me Taulant Ballën, pas deklaratës së këtij të fundit se në 2021 bashkëpunuan kundër Berishës, duke iu referuar partisë që themeloi Topalli. Por, kjo e fundit e akuzoi se kontrollonte çdo lëvizje të Lulzim Bashës, duke thënë se kurrë s’ka zhvilluar asnjë takim me Ballën.
“Është e njohur publike që në 2021 unë kam krijuar një lëvizje. Vura re se në krye të PD ishte njëri që ju e kontrollonit në çdo lëvizje. S’të kam takuar kurrë në jetën time, por ke takuar Bashën. Prandaj merre me vete atë. Ka qenë e vështirë për mua, por koha më ka dhënë të drejtë dhe sot jam më krenare se kurrë, të thuash të vërtetën kur të tjerët thonë të kundërtën”, iu përgjigj Topalli.
Kreu i Grupit të PS, Taulant Balla replikoi me deputeten demoktate, Jozefina Topalli teksa po fliste për kreun e PD, Sali Berisha.
Balla i tha Topallit që të mos i dilte në mbrojtje Berishës, a thua se i dhimbsej shpirti për të. Balla shtoi se Topalli ishte kundër Berishës në 2021, kur krijoi një parti të vetën.
"Ti Jozefinë mos bëj sikur të dhemb shpirti për Saliun, në 2021 kemi bashkëpunuar bashkë kundër Saliut. Këtë pjesën ma kurse pak. Unë di shumë gjëra, si i ndani llogarinë. Ti na dole huq fare, se kujtova se do merrje ndonjë votë në Shkodër. Historia në këto 20 vjet në parlament, këto rikthimet si puna jote, Ulsiu ka një shprehje, si kthimi pas asaj. Sali, laj gojën sa herë flet për PS. PS ta ka dhënë përgjigjen, do ta japë edhe në 2029. Çohu na sqaro vendimin e djeshëm, a do vini në komisionin e posaçëm apo jo", theksoi ai.
Deputetja iu përgjigj duke thënë se asokohe në PD ishte në krye Lulzim Basha, për të cilin akuzoi se Balla i kontrollonte çdo lëvizje.
Kreu i PD, Sali Berisha foli në Kuvend për kërkesën e SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut. Berisha tha se Kuvendi ka kryer grusht shteti duke penguar mbledhjen e Këhsillit të Mandateve. Kreu i PD i tha mazhorancës se janë kthyer në ushtarë të Ballukut.
“Ky parlament çdo sekondë, çdo minutë nxin për aktin antikushtetues, për shndërrimin e mandateve të krimit në mburojë të Lubi Ballukut. Në parzmore të vjedhjeve së miliarda eurove taksa tuaja nga Ramaduro dhe Lubia e tij. Ky parlament kryen grushtin e shtetit, hedh poshtë kërkesën e prokurorisë për arrestimin e delinkuentes Lubi Balluku”, tha Berisha.
Si bëhei ushatër të ballukut, çfarë u toni ju qytetarëve, familjareve se do mbrojmë hajduten Lubi Balluku, cili nga njerëzit tuaj, shokët tuaj do të miratonte këtë akt”, tha Berisha.
Kreu i Grupit të PS, Taulant Balla i është përgjigjur kreut të PD, Sali Berisha, teksa ky i fundit hidhte akuza në drejtim të mazhorancës për rastin 'Balluku'.
Balla tha se Berisha nuk mund të bëjë si i ndershëm, kur është shpallur non grata nga SHBA dhe është akuzuar nga drejtësia për korrupsion dhe pastrim parash.
“Tani, mori urdhrin ky, do fillojë të bëjë zhurmën. Jepi urdhrit këtij, se ka këtë porosi. Një këtej, një andej. Paguhet për këtë punë. Të mbaroj unë. Zotëri, ku t’i ti drejtohesh këtij krahut tjetër, duhet ta lash mirë gojë, ngrije kokën. Laje mirë gojën sepse edhe për këto që thua, tani ti je i akuzuar për korrupsion dhe pastrim parash. Ai aty. Dhe ne nuk kemi thënë asgjë më shumë se kanë thënë SHBA. SHBA të kanë shpallur non grata për korrupsion, po apo jo? Je i akuzuar për korrupsion. Të vish këtu dhe të bësh të ndershmin, të flasësh në emër të drejtësisë, ti që dy herë në muaj shkon para drejtësisë dhe i merr me libër shtëpia ata që të kanë ngritur ty akuzën, merr prokurorin, merr gjyqtarin. Merresh dhe me mua që kam nderin më të madh të jetës sime që jam kallëzuesi, jam njeriu që të kam kallëzuar ty, ngrije kokën Sali. 100 herë të kthehem mbrapa, do bëj të njëjtën gjë.", theksoi ai.
Sali Berisha nuk ka lëshuar foltoren, ndërsa ka kërkuar fjalën për replikë. Garda rrethoi foltoren, ndërsa më pas nënkryetarja e Kuvendit i dha fjalën për procedurë.
Ndërkohë, deputetët e PD i ranë tavolinave në formë proteste.
Deputeti socialist Erion Braçe ka ngritur në Kuvend një shqetësim për mosfunksionimin e një qendre shëndetësore në njësinë 5 në Tiranë. Braçe tha se ka kërkuar një mocion me debat me ministren e Shëndetësisë Evis Sala, por ende nuk është futur në kalendarin e punimeve të Kuvendit.
Braçe deklaroi në Parlament se edhe pse jemi në pikun e periudhës së grupit mijëra njerëz në atë njësi nuk marrin dot shërbim shëndetësor në kohë dhe në kushte optimale. Ndërkohë, nënkryetarja e Kuvendit, Klodiana Spahiu i tha se mocioni me debat është parashikuar për javën e ardhshme.
“Që në datën 19 kam paraqitur një kërkesë për një proces pyetje përgjigje për ministren e Shëndetësisë. Ka të bëjë për mosfunksionimin e një qendre shëndetësore në njësinë 5 në zonën e Irfan Tominit. Mendova se ishte momenti i duhur për të marrë një përgjigje pas 4 muajsh.
Jemi në pikun e periudhës së gripit, mijëra njerëz në atë njësi nuk marrin dot shërbim shëndetësor në kohë dhe në kushte optimale për shëndetin e tyre. Kërkesën për pyetje e kam paraqitur më 19 janar, sot jemi më datën 3 shkurt. Mendoja se do ishte shqetësim edhe i vetë ministres për të kthyer përgjigje. Po futemi në muajin e 5 për shërbim shëndetësor të kufizuar në qendrën shëndetësore në zonën e Irfan Tominit”, tha Braçe.
“Është planifikuar në kalendarin e ardhshëm”, i tha nënkryetarja e Kuvendit, Klodiana Spahiu.
Deputetja e PD, Ina Zhupa në kundërshtim me rendin e ditës së sotme, tha se Kuvendi po shkel rregulloren referuar mos mbledhjes së Këshillit të Imunitetit dhe Mandateve për Belinda Ballukun. Zhupa thotë se kryetari i Kuvendit Niko Peleshi ka shkelur rregulloren duke shuar vendimin për mbledhjen e Këshillit të Imunitetit më datë 28 janar me një mesazh.
Deputetja e PD thotë se pretendimi se po pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese, është një justifikim dhe se Kuvendi është kthyer në mburojë të interesit të PS-së dhe Ballukut.
“Së pari, ky Kuvend ka refuzuar të pranojë një kalendar tjetër, kalendarin për mbledhjen e Këshillit të Mandateve. Ky Kuvend, pa u bazuar në rregullore, nuk mbledh Këshillin e Mandateve, edhe kur e kërkojmë anëtarët sipas rregullores. Nuk e mbledh as kur e thërret vetë kryetari, njofton datën 28 janar dhe më pas e shuan një vendim me një SMS. Në cilin parlament një vendim i shpallur shuhet me një SMS? Në cilin parlament, kur pesë anëtarë të Këshillit të Mandateve kërkojnë sipas rregullores të mbledhin Këshillin për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për imunitetin e Ballukut, Kuvendi nuk e zbaton?
Kjo duhet të ishte çështja themelore; alibia e PS-së se, me demek, po presim Kushtetuesen, sikur aty të jetë çështja e imunitetit, tregon që parlamenti po përdoret si murrojë. Nëse ju kanë gënjyer në Kushtetuese dhe nuk ka asnjë çështje që gjykon imunitetin e një deputeti. Në GJK ka një çështje për një anëtar të Këshillit të Ministrave, si zv.kryeministër dhe ministre. Nuk ka lidhje me atë që do të shqyrtojmë. Çfarë lidhje ka pezullimi me imunitetin?
Kur ju e ktheni Kuvendin në një paradhomë të Kryeministrisë, që duhet të bëjë urdhrat që ju vijnë me SMS, sigurisht që kjo opozitë nuk do të votojë kurrë një kalendar”, tha Zhupa.
Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu u është kundërpërgjigjur akuzave të deputetit Agron Shehaj lidhur me zhvillimin e një interpelance parlamentare, duke theksuar se seanca kishte qenë e planifikuar, por nuk ishte ndjekur nga vetë kërkuesi.
“I nderuar deputet, nëse nuk gaboj, shërbimet e Kuvendit mund ta nxjerrin se seanca që ju keni kërkuar interpelanca ishte planifikuar diku në fillim të nëntorit, besoj më 13 nëntor. Ju zgjodhët të mos vini,” u shpreh Gogu.
Ai shtoi se, sa i përket pretendimeve për mungesë përballjeje, qëndrimet kanë qenë të qarta edhe në seancat e mëparshme. “Sa i përket asaj që mbrojmë apo nuk mbrojmë, kam përshtypjen se e keni parë gjithmonë kur ke dalë përballë zëvendëskryeministres,” tha ai.
Në fund të reagimit, Gogu kritikoi edhe mënyrën e komunikimit politik, duke kërkuar që debati të mos reduktohet në përmbajtje për rrjetet sociale. “Të mos vazhdojmë me këtë politikën e Reels-ave që ti bën në atë programin e mëngjesit. Faleminderit,” përfundoi ministri.
Lideri i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, mori fjalën në Kuvend duke lexuar nenin 80 të Kushtetutës ku thuhet se afati maksimal i kabinetit për t’i përgjigjur interpelancave është 3 javë.
Deputeti tha se ka kërkuar një interpelancë me Belinda Ballukun prej 2 vjetësh, por ende nuk ka ndodhur. Më pas ai tha se ky është një skandal në mbrojtje të zv/kryeministres duke mbajtur pezull një interpelancë, ndërsa ndaj saj ka kërkesë për pezullim e arrestim.
“Kam kërkuar një interpelancë në korrik 2023 me Belinda Ballukun. Para 2 vjetësh, 2! Kushtetuta thotë tri javë. Unë nuk e di ku e gjeni kurajën të vini dhe të bëni sikur s’ka ndodhur asgjë! Tani unë e kuptoj shqetësimin tuaj, doni të lejoni që Belinda Balluku të vazhdojë të abuzojë me fondet, me paratë e shqiptarëve. Nuk pyesni as për kushtetutën, as kërkesën për arrestim, as për kërkesën për pezullim të Belinda Ballukut. Ky është një skandal i vërtetë! Vazhdoni flisni për gjithçka, por vetëm për një gjë nuk flisni. Si të mbrojmë paratë e qytetarëve shqiptarë nga hajdutët, nga abuzuesit? Ky është problemi! Është turp që të mbani pezull një interpelancë 2 vjet! Ndërkohë zv/kryeministrja çfarë bën? Vazhdon dhe firmos! Vazhdon dhe firmos abuzimet e radhës së qeverisë! Duhet t’i jepni fund mbrojtjes së Belinda Ballukut. Mjaft më! Nuk mund të shkelni kushtetutën! Nuk mund të vazhdohet me këtë mënyrë! 2 vjet një interpelancë me Belinda Ballukun! Belinda Balluku nuk e di do të jetë a s’do të jetë më zv/kryeministre! Nuk e di a do të jetë a s’do të jetë më deputete e këtij Kuvendi, ndërkohë ka një interpelancë 2 vjet! Keni 2 vjet që mbroni BB! Është turp!”, tha Shehaj.
Deputeti i Partisë Mundësia Erald Kapri i është drejtuar PD me pyetjen ‘A do të bashkëpunojnë apo jo me Ramën’. Kapri thotë se nuk mund të ulesh për të hartuar reforma me një kryeministër, i cili kërcënon me forcën e numrit të deputetëve dhe kartonëve.
“Dua të kuptojmë, do të bashkëpunohet apo jo me Ramën? Si mund të ulesh me Ramën kur Rama të kërcënon thotë kam numrat dhe nuk pyes me ty. Dhe i lutemi Ramën tani na prit në komision është e pamundur me këtë kryeministër ku ka këtë dhunë kartoni të negociosh dhe të bësh reforma të mëdha. E pamë Reformën e Ramës në 2015 të pushtetit lokal dhe e pamë se çfarë ndodhi. Pushteti lokal është në gjendjen më të rëndë të mundshme”, tha Kapri.
Kreu i grupit të PS, Taulant Balla i la afat opozitës deri në mbrëmje për të vendosur nëse do shkojnë apo jo në komisionin për Reformën Territoriale. Balla ironizoi opozitën pas mbledhjes së grupit, duke thënë se çfarë thonë në darkë nuk e thonë në mëngjes. Pra,propozimi i PS për zhbërjen e formulës së barazisë, nuk do të hiqet nga rendi i ditës, por opozita ka kohë deri në momentin e votimit që të vendosë nëse do shkojnë ose jo në komision.
“Ca thoni në darkë nuk e thoni në mëngjes. Më komunikuan mbrëmë që ju jeni tërhequr nga bojkoti, të paktën këtë haber na keni sjell dje. Sot shoh që jeni tërhequr nga ajo që keni vendos dje. Këta nuk janë tërhequr nga bojkoti. Jeni aq kakafonik sa për një çështje çoheni 2 veta. Tani jeni shpartalluar s eca kanë ik, ca janë pa qejf, ca nuk vinë. Zonja dhe zotërinj të PD-së, ju angazhoheni që të merrni pjesë rregullisht në mbledhje të Komisionit, ta dimë. Këtë gjë e keni deri në darke, kur të vijë vendimi. Në rast se na thoni do vijmë në mbledhje, jo kjo historia që i thashë bashkëkryetarit, se unë nuk isha, nuk bëhet mbledhja e komisionit me 8, se 8 e do dhe një të bëhet 9 dhe të jetë 1 më shumë se gjysma. Ne po ju themi, nëse ju vini nuk ka nevojë ta ndryshojmë, na e thoni deri në darkë, se në mëngjes keni mend të tjera, në darkë mend të tjera”, tha Balla.
Përgjigjen e mori nga Luçiano Boçi, i cili tha se PD nuk ka bojkotuar, por mbledhjet janë thirrur në mënyrë të njëanshme.
“Nuk ka pasur mbledhje të vlefshme, mbledhja thirret në konsultim me kryesinë e komisionit. Nuk mund të dilni dot në konkluzion që kemi qenë ne apo jo, prandaj keni nevojë për Chat GPT. Mos vendosni ultimatume, ne jemi parti që vendimet i marrim vetë, keni për detyrë të zbatoni rregulloren dhe kushtetutën”, tha Boçi.
Deputeti demokrat, Luçiano Boçi deklaroi se mazhoranca nuk mund t'i vendosë ultimatum opozitës lidhur me mbledhjen e komisionit për reformën territoriale.
Boçi tha se mbledhjet janë zhvilluar në mënyrë të njëanshme. Ai shtoi se opozita do japë opsionet e saj, por jo me shumicën e imponuar nga mazhoranca.
“Nuk ka pasur marrëveshje në Konferencën e Kryetarëve, është diskutuar, është dhënë ultimatum për mbledhjen nga komisioni për reformën territoriale. Një mbledhje e komisionit, kur ka një kyetar, thirret përmes dakordësisë së kryesisë së komisionit. Kurse komisioni i poaçëm po na thirret me urdhrin e një bashkëkryetari. Nuk ka dakordësi, nuk ka konsultim, unë jam bashkëkryetari. Kjo mbledhje është nul dhe mbledhjet e tjera nuk janë thirrur në konsulencë me kryesinë e komisionit, që përbëhet nga dy bashkëkryetarë. Ku është rregullorja e parlamentit, pazar është këtu? Kjo është e turpshme. Më e turpshme është ultimatumi që u dha në Konferencën e Kryetarëve. I morët të gjitha, merrni edhe komisionet e përhershme, pse nuk i merrni? Vijnë këtu anëtarët e komisionit të posaçëm dhe firmosin ndryshimin e përbërjes së komisionit. Noterët tuaj jemi ne? E bëtë copë Shqipërinë me reformën territoriale. I themi qytetarëve, ne do jemi në shesh, ne do japim opsionin tonë, por jo me ju,jo me shumicën e imponuar nga ju. Me ju çfarë nuk shihet, çfarë nuk dëgjohet.", theksoi ai.
Deputetja e PD Ina Zhupa ka kërkuar që të hiqet nga rendi i ditës pika për votimin e ndryshimit të formulës së komisioneve të posaçme. Kjo vjen për shkak të mosparaqitjes së deputetëve të PD në komisione në kuadër të një bojkoti.
Sipas diskutimeve në Konferencën e Kryetarëve, nëse anëtarët e PD nuk do të paraqiteshin në mbledhjen e të hënës në Komisionin për Reformën Territoriale, do të prishej bashkëdrejtimi dhe shumica do t’i kalonte PS-së. Zhupa thotë se kjo pikë e ditës nuk është votuar në Konferencën e Kryetarëve dhe se mbledhja e të hënës është thirrur pa dakordësi mes dy bashkëkryetarëve.
"Dua t’i kujtoj mazhorancës që në Konferencën e Kryetarëve nuk është votuar as pro, as kundër për një vendim të tillë. Është marrë vendim, dhe me propozimin e kreut të grupit të PD-së, që kjo çështje do të shtyhej dhe do të kishim mundësi për të diktuar për territorialen. Nuk është votuar në Konferencën e Kryetarëve. Diçka e pavotuar në Konferencën e Kryetarëve nuk mund të futet për votim në seancë plenare. PD ka qenë gjithmonë e gatshme t’i qëndrojë vendimit që ka votuar këtu në Kuvend, bashkërisht, për të bërë reformën territoriale. Ju e bëtë njëherë në mënyrë të njëanshme në vitin 2014 dhe e pranoni që ka qenë e dështuar. Nëse do të bëjmë një reformë që t’u shërbejë qytetarëve, qëndrojini vendimit që ka marrë Parlamenti, me ndihmën edhe të ndërkombëtarëve, për të pasur kryesinë dhe për të vendosur duke dëgjuar ekspertët. Tërhiqeni atë projektvendim që keni futur pa rregullore. Janë dy bashkëkryetarë që duhet të bashkërendojnë për mbledhjet. Nuk mundet PS t’i imponohet PD-së. Ndaj janë dy bashkëkryetarë. Dhe në mbledhjet e komisioneve të zakonshme bashkërendojmë me njëri-tjetrin", tha Zhupa.
Komente











