Inceneratorët 'transferohen' në Kuvend/ Mazhoranca: Komisioni Hetimor çmontoi njëherë e mirë mashtrimin e madh, si 'u futën në ujë' 430 mln euro, ishin virtuale! Basha: E bllokuat nga frika

Debatet për Inceneratorët në Komisionin Hetimor dhe pushtimi i Ukrainës nga Rusia, edhe pse nuk ishin pjesë e rendit të ditës, ishin kryefjala e diskutimeve në seancën e sotme plenare.

Pothuajse të gjithë ministrat morën fjalën një nga një dhe e vunë theksin te 'zhbërja' e deklaratave të opozitës në Komisionin Hetimor për Inceneratorët. Sipas tyre, në këtë komision u çmontuan mashtrimet e opozitë, ndërsa nuk la pa u përmendur shifra e 'famshme' prej 430 mln euro.

Teksa për opozitën kjo shifër është shuma e vjedhur nga qeveria në këtë 'aferë', maxhornaca shpjegoi se në fakt bëhet fjalë për shumë që do kushtojë shërbimi i mbledhjes së mbetjeve për 30 vitet e ardhshme dhe nuk janë para që kanë dalë sot nga buxheti i shtetit.

Ministrja e Energjisë, Belinda Balluku nuk la as ironinë, teksa tha se 430 mln euro i opozitës pësoi 'tkurrje' duke kaluar në 100 mln euro 'pasi nuk i dolën llogaritë natën'.

Nga ana tjetër kryedemokrati Lulzim Basha u përgjigj nga foltorja e Kuvendit duke e quajtur çështjen e inceneratorëve  si vjedhjen më të madhe të 30 viteve të fundit. Sipas tij, Komisioni Hetimor për Inceneratorët u bllokua me urdhër të Edi Ramës.

Përballë shifrës 430 milionë euro të rrëzuar nga socialistët, një koment në parlament e dha edhe Sali Berisha, sipas të cilit 'afera' ka një vlerë shumë më të lartë

"Ka mundësi që vetëm Tirana të jetë 420 milionë euro, ka mundësi që në total për 30 vite të shkojë edhe më shumë", tha ai.

Në Kuvend u miratuar edhe Gent Sejko për një mandat të dytë në krye të Bankës së Shqiërisë. Lidhur me anëtarët e KLGJ e KLP Kuvendi nuk gjeti sërish konsensusin, por ato u zgjodhën automatikisht. Ilir Rusi dhe Yllka Rupa do të jenë anëtarët që do të zëvendësojnë Maksim Çokun dhe Erjon Muharremajn në Këshillin e Lartë Gjyqësor, ndërsa sa i përket KLP-së, për njërin vend që mbetet vakant nga kreu aktual Gent Ibrahimi u zgjodh kandidatja Mirela Bogdani, si e vetmja që ishte në garë. Edhe pse edhe në votimin e sotëm Kuvendi nuk arriti shumicën prej 84 votash, bazuar në ligjin për zgjedhjen e anëtarëve të KLP dhe KLGJ kandidatët e përcaktur nga shorti janë automatikisht anëtarë të këtyre 2 institucioneve shumë të rëndësishme te qeverisjes së sistemit të drejtësisë në vend.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:30
Gent Sejko mandatohet për herë të dytë në krye të Bankës së Shqipërisë

1640187339_1640186619gencsejko.jpg

Gent Sejko do të vijojë të mbajë postin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë edhe për 7 vitet e ardhshme. Ai u votua në Kuvend me 103 vota pro, 1 kundër dhe 1 abstenim.

Ora 15:18
Kryemadhi sulmon Komisionin Hetimor për Inceneratorët: Kërkon të mbyllë çështjen, dëshmia e Ramës dje, reklama më e lirë që i ka kushtuar! Do e çojmë deri në fund

1645711593_Screenshot1.jpg

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi kohën e saj për të folur në foltoren e Kuvendit e përdori pikërisht për të sulmuar Komisionin Hetimor për Inceneratorët. Sipas saj qëllimi i këtij Komisioni Hetimor është të mbyllë çështjen dhe të 'detyrojë' SPAK që të marrë një vendim politik, por theksoi se LSI do të vijojë me denoncimin e kësaj 'afere', koka e së cilës, për Kryemadhin është kryeministri Edi Rama. Dëshminë dje të Ramës në Komision, Kryemadhi e cilësoi si qesharake dhe si reklamën më të lirë që i ka kushtuar ndonjëherë Ramës.

"Afera e inceneratorëve u bë qesharake me Komisionin e djeshëm. E djeshmja ishte reklama më e lirë që i ka kushtuar Ramës me atë komision që për mua ishte një amnistues së aferës së inceneratorëve që mbulon krimin që ka ndodhur me të. Ne kemi bërë hetim, kemi dorëzuar dosjen në SPAK. Një nga faret më të mëdha të Grupit të strukturuar kriminal të zbardhet njëherë e mirë. Nuk është vetëm çështja  e inceneratorëve, është ujësjellësi, AZHBR, për të cilat nuk flet kush. Nëse Komisioni i Inceneratorëve ku opozita vendosi veton që LSI të mos jetë pjesë, shërben për ta mbyllur aferën dhe për ta vendosur SPAK me shpatulla pas murit për të dhënë një vendim politik, kjo është tjetër gjë. Jua bëj të qartë që çështjen e inceneratorëve do e vazhdoj deri në fund sepse nuk është vetëm Lefter Koka, por shumë të tjerë të përfshirë dhe koka është vetë Rama", tha Kryemadhi.

Ora 13:47
Balla: Ra teoria e 430 mln eurove për inceneratorët! Berisha ka hall t’i kundërvihet SHBA-ve, i degraduar mendor! Ikën nga Kuvendi kur flas unë

 

Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, deklaroi nga foltorja e Kuvendit, se dje ra teoria se me inceneratorët janë shpenzuar 430 milionë euro. Balla theksoi se Komisioni hetimor duhet të hartojm tashmë raportin. Sakaq, Balla nuk la pa sulmuar ish-kryeministrin Sali Berisha për të cilin tha se nuk ka hallin e asnjë shqiptari, por për t’ju kundërvënë SHBA-ve pasi është i shpallur non grata. Fjalimin e tij në Kuvend, Balla e quan antiamerikan ndërsa shtoi se ka një degradim mendor.

"Asgjë prej gjithë atij mashtrimi të madh që u ngrit, nuk do qëndrojë në fund. Komisoni të hartojë raportin. E kam me njërin që ikën kur unë marr fjalën, Saliu iku. Edhe që e ka bërë për disa seanca. Ai nuk ka hallin e dibranëve. Ai ka hallin për t’ju vënë kundër SHBA. I bëj thirrje deputetëve të PD në Dibër, që bashkë me ato të PS, të mbajnë një qëndrim të përbashkët. Investimet amerikanë në Shqipëri janë strategjike. Skavica është projekt historik për pavarësinë energjitike të Shqipërisë, pavarësinë e digave.”-tha Balla.

Ora 13:27
‘Po u bëjnë presion zgjedhësve’, Berisha denoncon me emra: Zgjedhësit kut shohin t’i qëllojnë me domate

Deputeti Sali Berisha nga foltorja e Kuvendit, tha se një treshe po ndërhyn në fushatën elektorale dhe po u bën presion zgjedhësve.

‘Të dënoj me ashpërsinë më të madhe ndërhyrjet elektorale që po bën një treshe zotëria i KESHIT- Ardian Çela, drejtori i Ujësjellësit të Durrësit, Spartak Kovaci, dhe Roni Shqopa, po bëjnë presion mbi qytetarët, i shpall para parlamentit kriminel elektoral, dhe i bëj thirrje zgjedhësve t’i gjuajnë me domate kudo që ti shohin sepse po kryejnë vepër penale.’- tha Berisha.

Ora 12:20
Inceneratorët, Çupi: Rama ka fyer ata që i drejtuan pyetje! 430 mln euro më pak në xhepat e shqiptarëve! Arrestuam një ish-ministër, mbështesim SPAK-un

 

Deputetja e PD Dhurata Çupi, ka folur nga Kuvendi për çështjen e inceneratorëve. Çupi tha se Rama ka sharë e fyer çdo person që i drejtonte pyetje, të cilat ishin fakte gjatë dëshmisë së tij në Komisionin Hetimor për Inceneratorët. Çupi tha se 

"Për 4 muaj shqiptarët panë se një grup i mirëstrukturuar nga koka e qeverisë, i mroën atyre 430 milionë euro pa bërë asgjë. Puna e Komisionit për Inceneratorët po nxjerr në shesh hajdutërinë më të madhe. Ajo çka u mor me të qeshur, rezulton të jetë skandali me përmasa të jashtëzakonshme. Deputetët e PD kanë sjellë arrestimin e një ish-ministri, marrjen në pyetje të deputetëve, dhe SPAK ka mbështetjen maksimale nga ne për të përfunduar këtë hetim. Rama tha se s'i duhen procedurat, s'ka përgjegjësi. Të gjithë kanë përgjegjësi. Janë lidhur kontrata pa procedura ligjore, pa studime, kontratat në favor të koncesionarit. Milionat e shqiptarëve për udhëtime dhe reklama. Asnjë nga tre qytetet skanë në funksion inceneratorët. 430 milionë euro më pak në xhepat e shqiptarëve. Rama tha se sjanë aq, por 55 të paguara dhe të tjerat të pritje."-tha Çupi.

Ora 12:15
'E fillove politikën duke luftuar imperializimin amerikan, po e mbyll si minues i demokracisë', Berisha - Spiropalit: S'ndalem në luftën për të mbrojtur dinjitetin tim

Në replika janë përfshirë mInistrja Elisa Spiropali dhe ish-kryeministri Sali Berisha në Kuvend ditën e sotme. Spiropali iu drejtua Berishës duke i thënë se e nisi politikën duke luftuar imperializmin amerikan si komunist dhe po e mbyll si minues i demokracisë.

"E fillove politikën duke luftuar imperializimin amerikan si komunist dhe po e mbyll duke luftuar imperializimin amerikan si minues i demokracisë, nëse herën e parë ja dole të ndërrosh qimen, herën e dytë nuk të la zakoni dhe u katandise aty ku je", tha Spiropali.

Berisha iu përgjigj duke thënë se ai po mbron dinjitetin e tij dhe se në këtë 'betejë' nuk do të ndalet nga 'asnjë kurth, asnjë pozicion'.

"Luftën time e fillova me anëtarësimi e Shqipërisë në NATO, e vazhdova me lobingun për projektin e shekullit për Europën, gazsjellësin, i vetmi përveç atij të Detit të Veriut që sjellë në Euorpë gaz jo rus. Luftën time  vazhdoj me vendosmëri për dinjitetin njerëzor që peshon për mua aq sa peshon dhe vetë liria. Asgjë, asnjë kurth a shpifje, post a pozicion nuk më intimidon apo të më bëjë të tërhiqem nga beteja ime për dinjitet njerëzor. Nuk impresionohem nga ata që dinjitetin e delegojnë. Ata janë qenie që nuk meritojnë as respekt as dinjitet", u përgjigj Berisha.

Ora 12:15
‘O zemra... më keni hyrë deri në dhomën e gjumit”, Ahmetaj përplaset në Kuvend me Sulën: Ke privatizuar në emër të emër të kunatit pronë publike

Zv.kryeministri Arben Ahmetaj teksa është ndalur në komisionin për inceneratorët, në një përgjigje për opozitën, tha se ata i kanë hyrë në jetën private, duke gënjyer. Sipas Ahmetajt, në Komisionin Hetimor për Inceneratorët u thanë disa të pavërteta, ndërsa sipas tij tashmë këto inceneratorë janë një aset i shtetit shqiptarë.

“Mezi prisja që djathtas, por jo vetëm është hedhur shumë baltë, deri në personal, deri ke dhoma  e gjumit. Unë si jam futur askujt te jeta personale, por nuk do ngurroj të gjithë ata që më janë futur. E pa vërteta më e madhe është 430 milion euro. Nuk doli askund dhe doli ajo që e përdorin si anektodë. Dikush tha është viti 2052 dhe ju u thoni se do jenë paguar kaq. Pra nuk dolën as 100 milion të paguara. Nuk ka impiante thatë. Janë atje të dyja dhe në 2025 apo 26 do kenë ndërtuar impianten e Tiranës. Thanë që janë grabitur.

Ndërkohë kontrata është e qartë dhe Elbasani e Fieri janë asete të Bashkive dhe Impianti i Tiranës i dorëzohet Bashkisë së Tiranës. Kthehet edhe ai në aset publik. Është bërë bolori. Një veprim i ngritur në të pa vërteta përfundoi ashtu. E pa vërteta e tretë është procedura. Janë 180 shkresa që janë vërtitur me përgjegjësi dhe ministri i Financave nuk e ka provuar prandaj e ndërruar. Por ku ishte? Çim Cani e ka kaluar vendimin për Elbasanin dhe po bonusin e Fierit. Vetëm pas 9 muajsh pasi u emërova, është bëri miratimi në parim. U tha se Fieri është financuar nga Shteti dhe nuk pranoni diskutimin për buxhetin. Nuk është faj jonë që dikush bën sikur nuk merr vesh dhe tjetri bën sikur merr vesh por smerr. Duhej një komision hetimor për atë. Pse ishte lënë Tirana dhe Fieri, apo Elbasani si ditë e zezë. Por sot janë të pastra”, tha Ahmetaj.

Ahmetaj ka hedhur akuza ndaj deputetit Dashnor Sula, duke thënë se ai bashkë me kunatin e tij kanë privatizuar një pronë publike.

“Do i marr resht në Gjykatë. Ka dalë me makinë thoni. Nuk jeni 007. Ku ka konflikt interesi. Shqipëri është e vogël. Je në konflikt interesi me kë? Më akuzuat me Klod Zoton në makinë dhe doli që nuk ishte në makinë? Ne jemi vend i vogël. Nuk ka më Arianit Cela. Se ke privatizuar në emër të kunatit, mbaje mend ti ta tregoj unë ty. Ti ke privatizuar në emër të kunati, Dash Shehi. Do ju marr një nga një ku ju punojnë prindi. Nuk duhet të ishe këtu. Ke privatizuar pronë publike. Shteti flet me letra jo me llapa llapa. Më nxori dhe makinën copë copë . Me letra, ja fol me letra. Tirana është koncesion i pastër. O zemra nuk kam dal fare nga Shqipëria. Jam mësuar. Kam mbajtur shumë në kurriz. Atij të vjetrit ja fal, po ju të rinjve.” tha Ahmetaj.

Ndërkohë Sula i është përgjigjur duke thënë se ndaj Ahmetajt ka qindra akuza.

“I njohim bëmat tua. Njihemi shumë mirë bashkë. Akuza për mua deri ke stadiumi është nuk ka të tjera, ti ke pafund.” tha Sula.

Ora 12:14
Spiropali: Hunda e Bashës rritet, Komisioni Hetimor vërtetoi nxori në pah gënjeshtrën e madhe të opozitës

 

Ministrja e Shtetit për Parlamentin, Elisa Spiropali, tha se Komisioni Hetimor për Inceneratorët vërtetoi edhe një herë se akuzat e opozitës ishin një blof i madh.

"Hunda e Lulzim Bashës zgjatet pafundësisht, deri ku do të dalë? 29 euro për ton dhe jo 38 euro për ton kur Tirana ishte disa fish më e vogël se sa sot. Po të bënim ne llogaritë si ju, atëherë llogaria e Lulzim Bashës do të ishte 800 apo 900 mln euro por ne nuk i bëjmë këto lloj llogarish. Ditë pas ditësh në televizion, në një kreshendo, përballë një kryetare komisioni që të kujtonte prokurorët e saj kohe, u provua vetëm një e vërtetë: që ju në këto vite, në këto muaj keni gënjyer.  Ne i kemi kthyer një pushtet kushtetues shqiptarëve, nuk kemi ndërmend ta marrim mbrapsht. Drejtësia të bëjë punën e saj pa u ndikuar as nga komisionet apo nga fjalët", tha Spiropali.

Ora 12:03
Pushtimi i Ukrainës, Berisha: Turp që parlamenti nuk miraton rezolutë kundër këtij agresioni, jemi vend anëtar i NATO-s! Vdekje pushtuesve rus

Ish-kryeministri Sali Berisha ka folur me tone të ashpra në foltoren e Kuvendit ku tha se është 'turp' që Parlamenti nuk miraton një rezolutë kundër agresionit rus në Ukrainë. Ai drejtoi gishtin nga kryeministri Edi Rama ku tha se kjo tregon se ai është 'vasal i Aleksandër Vuçiç'.

"Jam këtu për të dënuar sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës si fundin e paqes në kontinentin tonë dhe fillimin e Luftës së tretë Botërore. Dënoj qëndrimin e turpshëm të këtij parlamenti, vend anëtar i NATO-s dhe nuk merr përsipër të votojë një rezolutë për të dënuar Rusinë, agresorin që është nismëtare  Luftës së Parë Botërore, iu bashkëngjit Hitlerit dhe nis tani e vetme pushtimin e një vendi të pavarur. Shqipëria mban të njëjtin qëndrim si parlamenti i Serbisë, kjo është e turpshme, e paimagjinueshme. Si mund të justifikojë këtë qëndrim ky parlament ndaj një vendi që historikisht u ka bërë shqiptarëve të këqijat më të mëdha. Kjo është dëshmi e vasalitetit të plotë ndaj Beogradit. Atje po bien bomba ndaj njerëzve të lirë e të pafajshëm ndërsa ne nuk miratojmë një rezolutë të përbashkët ndaj këtij agresioni të pashembullt. Kjo është histori kapitullimi dhe ka një përgjegjës, Edi Rama, vasali i Vuçiç, turp i madh. Vdekje pushtuesve rus", tha Berisha.

Ora 11:52
Ministri i Drejtësisë: Më në fund dje opozita na shpjegoi se ku e gjeti 430 mln euro, po luftojnë korrupsionin e pas 30 viteve

 

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, në fjalën e tij në seancën e sotme plenare, tha se Komisioni Parlamentar Hetimor për inceneratorët sipas tij kërkoi t'i zinte vendin prokurorisë e gjykatës.

"Madje disa herë disa anëtarë të këtij komisioni u sollën si anëtarë të inkuizicionit. Ka organe të tjera që me pyetje kërkojnë zbulimin e të vërtetës. Një ditë mburreshin se SPAK ka arrestuar ministra dhe ish-ministra, ditën tjetër thoshin se drejtësia është e kapur. Të nderuar kolegë gjejeni një emërues të përbashkët", tha ai.

Manja u shpreh se u pompua opinioni publik me shifrën 430 mln euro.

"Dhe pritëm që të na e sqaronin këtë. Me qindra orë hetim parlamentar dëgjuam akuza portalesh. Dhe nën zë dëgjuam shifra 10 fish më të ulët. Pra, shkurt pastër dhe qartë nga buxheti i shtetit janë paguar 55.3 mln euro për Elbasanin dhe Fierin dhe asnjë lekë për Tiranën, ku tërësisht paguhet tarifë shërbime.

Sot në 2022 kanë aftësinë të kapin korrupsionin në vitin 2050. Këta ose mendojnë se do të vijnë në 2050 në pushtet ose mendojnë se po i bëjnë një shërbim gjeneratave të vitit 2050.

Kryetari i opozitës sot, kur ishte kryetar bashkie e kërkonte 38 euro për ton. Në atë kohë Tirana ishte më e vogël. Kjo nuk e arrin dot abuzimin me Rrugën e Kombit.

Ky komision tregoi se reforma në drejtësi po funksionon. Ka vetëm një drejtësi, nuk ka drejtësi mediatike apo mikse. Ka vetëm një drejtësi, ajo që japin gjykatat e vendit. Ta lëmë SPAK-un dhe drejtësinë që të japë drejtësi. Nuk ka më në këtë vend drejtësi hajnash politikë", vijoi ai.

Ora 11:52
Basha nga Kuvendi: Komisioni i Inceneratorëve u bllokua me urdhër të Ramës! Vjedhja e 430 milionë euro më e madhja e 30 viteve

 

Kreu i PD, Lulzim Basha, nga foltorja e Kuvendit foli për çështjen e inceneratorëve, të cilën e quajti si vjedhjen më të madhe të 30 viteve të fundit. Basha tha se Komisioni Hetimor për Inceneratorët u bllokua me urdhër të Edi Ramës ndërsa shtoi se nëse kjo betejë po bëhet padiskutim për drejtësim, por nëse beteja do të ishte zhvilluar me shpejtësi, Ulsi Manja do ishte para drejtësisë për dosjen 184. Në përfundim Basha tha se makinat e policisë nuk duhet të kthehen natën bosh, por me zyrtarët me pranga në duar.

“Që kjo betejë po bëhet për drejtësi s’ka diskutim. Nëse beteja do të ishte zhvilluar me shpejtësi, parafolësi Ulsi Manja, do ishte para drejtësisë për dosjen 184 dhe të masakrës zgjedhore të Dibrës që i hapi rrugën asaj të 2017 dhe 2021. Por askush nuk ka dyshim që i keni vjedhur 430 milionë euro popullit më të varfëruar me aferën e shekullit, me korrupsionin më të rëndë që ka përjetuar ndonjë vend në këto 30 vite në Ballkan dhe më gjerë.

Nuk janë më denoncime, janë fakte të zbuluara nga komisioni Hetimor Parlamentar, i cili para syve të shqiptarëve u bllokua me urdhër të Ramës dhe u zhbllokua si rezultat i qëndresës së opozitës dhe aleatëve tanë investimi i të cilëve për të kapur drejtësinë i keni futur shkopa nën rrota dhe vazhdoni ta bëni.

Qëndrimi ynë është i qartë, çdo punonjës i SPAK dhe BKH që është në presion direkte nga Rama, dhe të pandehurit potencialë të tjerë, duhet ta dijë se ka mbështetjen e PD në shkuarjen deri në fund të kësaj afere se ka mbështetjen dhe kërkesën e taksapaguesve shqitparë për investimin që kanë, bashkë me aleatët tanë euroatlantikë dhe në ngritjen e tyre në kuptimin e paketës financiale dhe të mbështetjes në nivele të panjohura për Ballkanin. Komisioni i ka nxjerrë hapur fajtorët. Mos i lini makinat e policisë të kthehen në mes të natës bosh, por kthejini me zyrtarët me pranga në duar nga i pari tek i fundit.”-tha Basha.

Ora 11:47
Dash Sula përplaset me Ahmetajn: Të njoh që nga ’87, ke ndërruar emrin

Deputeti i Partisë Demokratike Dashnor Sula në fjalën e tij foli për raportin që opozita do t’i përcjellë Kuvendit dhe SPAK për komisionin hetimor mbi inceneratorët. Por Sula u përplas në distancë, edhe me zv.kryeministrin Arben Ahmetajn.

Sula: Kam bindjen që prokurorët në mbështetje dhe të opozitës do të vihen para përgjegjësisë edhe deputetë dhe ministra dhe kushdo që ka ngjyer gishtin siç thotë ‘Sulltani juaj’. Raportin do të përcjellim në SPAK dhe drejtësia do të veprojë.

Ahmetaj: Mos më përmend emrin, ti nuk më njeh fare, më ngatërron.  Po kam nxjerrë pistoletën në stadium! (Ironizon Sulën, i cili vite më parë kur ishte deputet, u filmua me pistoletë në stadium)

Sula: Me ty nuk kam gjë o zv. kryeministër, ti je qelibar! Unë të gjykoj aq shumë ty, me rrënjë e dhëmballë,. Të njoh që nga ‘87, nuk të ngatërroj! Ti ke ndërruar edhe emrin e shumë gjëra të tjera.  

Ora 11:26
Pushtimi i Ukrainës, Elisa Spiropali i përgjigjet Bashës: Qeveria ka marrë të gjitha masat! S'ka arsye për ta vënë në dyshim

 

Elisa Spiropali, i është përgjigjur Lulzim Bashës i cili i kërkoi shtetit shqiptar të marrë të gjitha masat për t'ju gjendur pranë qytetarëve Ukrainas, jeta e të cilëve është në rrezik pas nisjes së pushtimit rus. Spiropali tha se s'ka asnjë arsye për ta vënë në dyshim gatishmërinë dhe qëndrimin e Shqipërisë. 

"Jemi në koordinim të vazdhueshëm për këtë agreson të paprecedentë për një vend svoran si Ukraina. Jemi një ndër 44 shtete që ka miratuar rezolutën e samitit për Krimenë, për të mbështetur integritetin e Ukrainës dhe të drejtën e saj për rrugën perëndimore. S'ka arsye për të vendosur në dyshim qëndrimin e Shqipërisë."-tha Spiropali.

Ora 11:23
Basha thirrje autoriteteve shqiptare: Merrni masa, t'i gjendeni pranë qytetarëve të Ukrainës! PD dënon me forcë agresionin rus

 

Kreu i PD, Lulzim Basha, deklaroi nga foltorja e Kuvendit se duhet të bëjmë thirrje për një qëndrim të shpejtë dhe të paekuivok kundër pushtimit rus të Ukrainës. Basha i bëri thirrje autoriteteve shqiptare që të marrin masa për t’ju gjendur pranë qytetarëve të Ukrainës, jetët e të cilëve tashmë janë në rrezik.

"Dënimi pa ekuivok me termat më të ashpra të agresionit të Putin. Bëjmë thirrje për një qëndrim të shpejtë, të paekuivok, të vendosur kundër këtij agresioni, nga NATO dhe BE. Shqipëria ka një zë të veçantë si anëtare e Këshillit të Sigurimit. Duhet ta themi fort zërin tonë. PD dhe opozita i bën thirrje autoriteteve shqiptare të marrin masa, për tju gjendur pranë qytetarëve të Ukrainës në këtë akt të pashembullt agresioni. Dënoj me forcë agresionin rus. Ne nuk po bëjmë asnjë përpjekje për ta polarizuar këtë çështje, por po shprehim atë që shërben si një fondament për një reagim të fuqishëm ndaj një akti të pashembullt agresioni, që kërcënon Europën dhe më gjerë.”-tha Basha.

Ora 11:20
Komisioni Hetimor për Inceneratorët, Balluku-opozitës: Na dhatë mundësinë të çmontonim njëherë e mirë gënjeshtrat tuaja

Në fjalën e saj nga foltorja e Kuvendit, Ministrja e Energjetikës, Belinda Balluku tha se në Komisionin Hetimor për Inceneratorët u çmontuan gënjeshtrat e opozitës. Balluku u ndal edhe njëherë te shifra 430 mln euro, që sipas opozitës është shuma e vjedhur nga qeveria, ku tha se në fakt është e gjithë sa do kushtojë shërbimi i mbledhjes së mbetjeve për 30 vitet e ardhshme.

"Zona të mbushura me plehra, Sharra që digjej ditë e natë apo Porto Romano që dukej sikur nuk ishte diçka e vërtetë. Të kujtonte filmin 'Apokalipto'. Duke patur këtë situatë qeveria Rama ndërmori një sërë masash. U ndërmorën një sërë veprimtarish e projektesh që sot japin rezultat e nuk janë thjeshtë inceneratorët që u damkosën për t'u kthyer në kalë beteje për opozitën. Nuk janë inceneratorët e turpit dhe as të 430 mln euro të Tabakut. Janë impiantete trajtimit të mbetjeve, që përfshinë një sërë procesesh. Energjia e prodhuar do shkojë në përdorim të Bahskisë së Elbasanit, Fierit dhe në 2025 edhe të Tiranës. E gjitha kjo u shumëzua me zero dhe u shpik numri fantastik i 430 mln euro, por në Komision kur i kërkuam i opozitës të thoshte nga doli kjo shumë, askush nuk mundi të përgjigjej. menduan se do na vinin me shpatulla pas muri, por nuk vihen ata që punojnë me shpatulla pas muri. 430 mln euro i shpikur i Tabakut është shifra totale që në 30 vitet e ardhshme, deri në 2047 do të jetë shifra që do paguhet për shërbimin e mbledhjes së mbetjeve. Tabaku ka përllogaritur a do kushtojë shërbimi i mbledhjes së mbetjeve për 30 vitet e ardhshme dhe tha kjo është shuma e vjedhur nga qeveria shqiptare. Kjo ishte çfarë dëgjuam, ndërsa dje në mëngjes doli një shifër e re 100 mln, një ulje, nga 430 shkuam në 100 pasi gjatë natës nuk dolën llogaritë. Ndoshta sot dalin me tjetër shifër, nuk e di. I bënë një nder të madh qeverisë e maxhorancës pasi na dhatë mundësinë të çmontonim njëherë e mirë gënjeshtrat tuaja", tha Balluku.

Po ashtu Balluku u bëri thirrje deputetëve që të votojnë edhe projektligjin për aderimin e Shqipërisë në Konventën për mbrojtjen e anijeve nga dëmet me lëndë që nuk dëmtojnë mjedisin dhe biodiversitetin.

"Shqipëria ka në fokus çdo ligj e afron vendin tonë me kriteret e BE dhe ky projektligj shënon një hap para në mbrojtjen e gjallesave nënujore dhe rrjedhimisht të mjedisit. Projektligji është hartuar në përputhje me programin e Shqipërisë për integrimin në BE dhe është në zbatim të të gjitha konventave rajonale e ndërkombëtare në mbrojtjen e mjedisit dhe biodiversitetit. Sistemet antivegjetative janë lëndë që shërbejnë për të lyer fundin e anijes me qëllim parandalimin e ngjitjes së algave e molusqeve për të mos rrezikuar probleme teknike. Më parë anijet përdornin lëndë të rrezikshme si arseniku duke krijuar nëj rrezik për biodiversitetin. U gjet një sistem që nuk do lejonte ngjitjen e algave dhe molusqeve në fundet e anijeve dhe nuk do ishte i dëmshëm për mjedisin. Miratimi i këtij projektligji nuk do ketë pasoja financiare as për buxhetin e shtetit as kompanitë private që operojnë në këtë fushë. Ju bëj thirrje ta votoni këtë projektligj. Ky projektligj ka të bëjë me përmirësimin e kushteve mjedisore, siç kishte të bënte aksioni që qeveria ndërmori në 2013 ku u përball me gjithçka trashëgoi nga qeveria e mëparshme", tha ministrja.

 

Ora 10:56
Tritan Shehu kërkon diskutime në Parlament për pushtimin rus të Ukrainës: Të dalim me një rezolutë të qartë, s'mund të rimë pasiv ndaj këtij agresioni

Deputeti Tritan Shehu ka kërkuar në Kuvend që diskutimet ën seancën e sotme plenare të përqendrohen mbi pushtimin rus të Ukrainës, duke e quajtur një agresion të pashembullt. Si një vend anëtar i NATO-s, Shehu ka kërkuar që Parlamenti të dalë me një rezolutë të qartë në lidhje me këtë pushtim.

"Parlamenti duhet të dalë sot me një rezolutë të qartë si parlamenti i një vendi të Rajonit tonë që është mjaft i kërcënuar. Duhet ët analizojmë mirë marrëdhëniet mes vendeve. Duhet detyrimisht sot të diskutohet për këtë situatë të rëndë. Ne duhet të bëjmë një rezolutë dhe nuk kemi pse rrimë pasiv kundër një agresioni të tillë, pasi jemi një vend anëtar i NATO-s. Kërkoj konsensus për të arritur një diskutim të tillë dhe për një rezolutë", tha ai.

/I.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Turi: 24/02/2022 12:24

    Do zoti leshon ndonje nga ato te rendat ai Putini direkt ne parlamentin Shqiptar kur te jete mbushur plot me maskarenj

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja