Samiti i Procesit të Brdo-Brijunit, Begaj në Slloveni: Sulmet kibernetike, dëshmi se aktorë të tretë rrezikojnë paqen dhe stabilitetin në Ballkan

SLLOVENI-Në Bërdo të Sllovenisë mbahet sot samiti i Procesit Brdo-Brijunit, ku do të diskutohet për situatën në Ballkanin Perëndimor. Të pranishëm janë presidenti slloven Borut Pahor, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i Malit të Zi, Millo Gjukanoviç, i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, i Kroacisë, Zoran Millanoviq, si dhe anëtarët e presidencës trepalëshe të Bosnjës, Shefik Xhaferoviç, Millorad Dodik dhe Zhelko Komshiç.

Në fjalën e tij Presidenti Bajram Begaj është shprehur se zgjerimi i Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor është çështje gjeostrategjike për sigurinë dhe paqen.  Sipas tij europianizimi i Ballkanit Perëndimor kërcënohet seriozisht nga aktorë të tretë. 

“Procesi i zgjerimit të BE-së për Shqipërinë dhe rajonin - Rajoni ynë ndan të njëjtin objektiv: të jetë pjesë e Bashkimit Evropian. Jam plotësisht dakord me pikëpamjet e Presidentit Pahor dhe Presidentit Milanoviç, dhe e konsideroj procesin e zgjerimit të Ballkanit Perëndimor, si një çështje gjeopolitike kryesisht. Agresioni ushtarak rus i paprovokuar dhe i pajustifikuar kundër Ukrainës, na qartësoi të gjithëve, si dhe BE-në – së cilës iu desh të ndahej nga mënyra e vjetër e të vepruarit e njëkohësisht të kuptonte, se siguria nuk merret si e mirëqenë. Ashtu siç tani është më e qartë se kurrë, aktorët e tretë janë një kërcënim real për evropianizimin e rajonit, duke e bërë më të qartë arsyen përse nevojiten vendime të guximshme, për të ruajtur stabilitetin dhe bazën strategjike të BE-së në Ballkan”, tha Presidenti.

Presidenti Begaj foli edhe për sulmet e fundit kibernetike, të cilat i konsideroi si dëshmi e kërcënimeve të rrezikshme nga aktorët e tretë për paqen dhe stabilitetin e rajonit

“Para disa javësh, dhe sërish dy ditë më parë, Shqipëria ishte nën sulme të rënda kibernetike, të kryera nga aktorë të lidhur me shtetin iranian. Sulmet kishin nën shënjestër të dhënat e qeverisë, sistemet e sigurisë kufitare dhe ndërprenë shërbimet qeveritare digjitale për një farë kohe. Kjo ishte goditja e fundit e një liste arsyesh, përse Shqipëria ndërmori veprimin ekstrem të ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike me Iranin. Një aktivitet i tillë malinj është dëshmi e padiskutueshme dhe e bazuar në faktet e lojës së keqe të aktorëve të tretë në rajon. Shpresojmë që BE-ja në tërësi të ketë kuptuar përfundimisht se Koha ka rëndësi!, - se ne duhet të përshpejtojmë procesin e zgjerimit. Kjo do të ishte përgjigjja më e mirë ndaj lakmisë së vazhdueshme të aktorëve të tretë, për të rritur ndikimin dhe praninë e tyre destabilizuese në rajon”, tha ai.

Begaj u shpreh se perspektiva e BE-së ka nxitur transformimin, reformat kombëtare, strategjitë socio-ekonomike në Shqipëri.

“Gjithashtu, i ka dhënë një shtysë të madhe synimeve tona rajonale për paqen dhe stabilitetin, bashkëpunimin më të madh ekonomik, pajtimin dhe nisma të tjera.  Argumentet tona kanë qenë gjithashtu shumë të qarta për perspektivën e besueshme të BE-së në rajon: një Ballkan Perëndimor i ankoruar fort në BE, është para së gjithash, i rëndësishëm për sigurinë evropiane në tërësi”

Duke folur për luftën në Ukrainë Presidenti i Republikës i shpreh se kjo ngjarje është një pikë kthese për qasjen e BE-së ndaj integrimit të Ballkanit Perëndimor. Sipas tij agresioni rus, paqja dhe siguria s’mund të merren si të mirëqena. 

“Sot, ne rikonfirmojmë solidaritetin tonë të plotë me popullin trim ukrainas dhe mbështetim sovranitetin e integritetin territorial të Ukrainës brenda kufijve të njohur ndërkombëtarisht, duke i bërë thirrje Rusisë të ndalojë luftën dhe të tërheqë trupat e saj.  Për sigurinë energjetike dhe sigurinë ushqimore - Është e qartë se kjo luftë e ka përkeqësuar sigurinë energjetike, e ka thelluar pasigurinë globale ushqimore dhe ka vënë në pikëpyetje arkitekturën globale të sigurisë në një botë të globalizuar”, tha ai.

Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, i ka bërë thirrje BE që të ofrojë liberalizimin e vizave për Kosovën, ndërsa për Bosnje Hercegovinën statusin e shtetit kandidat.

Samiti i Procesit Brdo-Brijunit do të ketë në fokus situatën aktuale në Ballkanin Perëndimor dhe për t’iu bërë thirrje anëtarëve dhe institucioneve të Bashkimit Evropian që të përshpejtojnë procesin e zgjerimit.\ Procesi i Brdo-Brijunit është një nismë sllovene-kroate, e ndërmarrë në vitin 2010 nga Pahor, aso kohe kryeministër i Sllovenisë. Qëllimi i saj është forcimi i besimit të ndërsjellë në Ballkanin Perëndimor, bashkëpunimi rajonal dhe integrimi më i shpejtë i këtij rajoni në BE.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:34
Presidenti i Sllovenisë thirrje BE: Liberalizoni vizat për Kosovën

1662986236_pahor.JPG

Nga samiti i procesit Brdo-Brijoni, presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, i ka bërë thirrje BE që të ofrojë liberalizimin e vizave për Kosovën, ndërsa për Bosnje Hercegovinën statusin e shtetit kandidat.

/KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion