Kuvendi me maska e doreza voton faljen e gjobave, shtyrjen e qirave dhe ndryshimin në buxhet për paketën e dytë

TIRANE-Kuvendi i Shqipërisë në një seancë të zhvilluar me maska, doreza dhe distancim social miratoi ndryshimet për herë të dytë në buxhetin e vitit 2020 për alokimin e 7 miliardë lekëve për pagën e luftës dhe 15 miliardë lekë garancinë sovrane për biznesin e madh në kuadër të paketës së dytë ekonomike.

Akti Normativ është miratuar në Kuvend me 90 vota pro, 9 kundër, 5 abstenim. Po ku do të gjenden këto para? Në relacion shpjegohet se për sigurimin e shumës prej 7 miliardë lekësh do të preken 4 koncesione, Rruga e Arbrit, Rapiscan, incereratorët dhe projekti i shkollave.

Tabela me zerat dhe koncesionet qe jane prekur per paketen 7 mld leke


Kuvendi fali edhe gjobat e vendosura në kohën e pandemisë për këmbësorët, drejtuesit e makinave dhe bizneset. Gjithsej, janë 7107 gjoba për këmbësorët dhe 1941 gjoba për drejtuesit e automjeteve, që u rikthehen patentat dhe makinat e bllokuara për të nisur nga java e ardhshme si të barabartë pas futjes në fuqi të Kodit Penal. Gjithashtu është miratuar vendimi për shtyrjen e qirave për biznesin e vogël, studentët dhe ata që mbetën të papunë për muajt prill dhe maj për t'i paguar më në bazë të gjetjes së marrëveshjes me qiradhdhënësit pas muajit maj.

Në seancën e sotme Kuvendi miratoi edhe disa vendime të tjera; si projektligji për mbrojtjen e mjedisit, për inspektimin sanitar, për shërbimet e pagesave, për sipërmarrjet e investimeve kolektive, projektligji për pyjet, shtesa në koncesionin në Porto - Romano, ratifikimi i marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për politikën për zhvillim për aksesin e barabartë gjinor në mundësitë ekonomike dhe për ratifikimin e marrëveshjes së përbashkët të prokurimit, ndërmjet Republikë së Shqipërisë, Komisionit Evropian dhe vendeve anëtare të Bashkimit Evropian për të prokuruar kundërmasat mjekësore. Konferenca e Kryetarëve vendosi që javën e ardhshme nuk do ketë seancë plenare. Seancat parlamentare do të mbahen në datat 14 dhe 21 maj.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:44
Çfarë s'u pa nga Kuvendi! Deputetët në rresht brenda, por jashtë 'harrojnë' distancimin (FOTO)

Shqiptarja.com sjell pamjet nga ajo që ndodhi jashtë Kuvendit. E ndërsa në momentin që hynë brenda u vendosën në rresht për matjen e temperaturës, maskat, dorezat dhe distancimin social në sallë, kur dolën jashtë i 'harruan' rregullat duke qëndruar në grupe duke biseduar të qeshur.

Ora 13:00
Shahini: Shkollat do hapen pjesërisht në 18 maj-5 qershor për studentët që diplomohen! 1500 nxënës janë këshilluar online nga psikologët (VIDEO)

Ministrja Besa Shahini, nga foltorja e parlamentit ka bërë me dije se shkollat për nxënësit që do të diplomohen do të hapet në datat 18- maj deri në 5 qershor. Duke bërë një bilanc të situatës në arsim deri më tani, Shahini tha se 10 mijë nxënës nuk kanë mundur që të marrin mësim online, e ndërsa 1500 nxënës kanë marrë shërbim psikosocial online.

"10 mijë nxënës që nuk kanë marrë mësime online, po furnizohen me telefona smart. 1500 nxënës kanë marrë shërbim psikosocial online. Numri i madh i studentëve dhe dëmtimi i disa shkollave nga tërmeti, nuk na lejon hapjen e shkollave për të gjithë studentët. Hapje graduale për shkollat e mesme dhe univeritetet. Viti shkollor për nxënësit e arsimit parauniversitar do të mbyllet në qershor të vitit 2020, e rëndësishme që të gjithë nxënësit që duan të studiojnë jashtë vendit të marrin diplomën në kohë, provimet e maturës do të mbahen nëpërmjet datave 8-18 qershor. Shkollat hapen vetëm për nxënësit e klasave të 12-ta. Shkollat hapen në datat 18- maj deri në 5 qershor, duke i shpërndarë nxënësit në të gjitha shkollat edhe ato 9-vjeçare me klasa maksimumi deri në 15 nxënës. Mësimi nga shtëpia do e planifikojmë që të mbyllet pak më herët në fund të majit,  që mësuesit të kenë mundësi që të nxjerrin notat. Viti akademik do të shtyhen vetëm me 2 muaj", tha Shahini.

Ora 12:58
Kuvendi fal gjobat, shtyn qiratë dhe ndryshon buxhetin për paketën e dytë financiare (VIDEO)

Votimet në Kuvend
89 vota  pro, 9 kundër 5 abstenim-Akti normativ nr. 14, date 11 prill "Për disa ndryshime dhe shtesa në aktin normativ nr. 3, datë 15.3.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID -19”, të ndryshuar””

90 vota pro, 9 kundër, 5 abstenim- Akti normativ nr. 15, datë 15 prill 2020 "Për disa ndryshime në ligjin nr. 88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, të ndryshuar””

95 vota pro, 6 kundër, 3 abstenim- Akt normativ nr. 16, datë 17.4.2020 "Për faljen e masave administrative me karakter ndëshkues të vendosura gjatë periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID - 19"

92 pro, 8 kundër 3 abstenim- Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 10.448, datë 14.7.2011, “Për lejet e mjedisit”, të ndryshuar”

92 pro, 8 kundër 3 abstenim- Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 10.431, datë 9.6.2011, “Për mbrojtjen e mjedisit”, të ndryshuar”

89 pro, 10 kundër, 2 abstenim-Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 7643, datë 2.12.1992, “Për inspektimin sanitar”, të ndryshuar””.

88 pro, 8 kundër, 5 abstenim- Projektligji “Për shërbimet e pagesave”.

88 pro, 8 kundër, 5 abstenim- Projektligji “Për sipërmarrjet e investimeve kolektive”

88 pro, 8 kundër, 5 abstenim- Projektligji “Për pyjet".

83 pro, 14 kundër 4 abstenim- Projektligji “Për miratimin e shtesës së kontratës së koncesionit të formës “BOT” (ndërtim, shfrytëzim dhe transferim) të një porti të llojit MBM në Porto - Romano, Durrës, miratuar me ligjin nr. 104/2015, ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe shoqërisë koncesionare “Porti MBM (Multy Buoy Mooring)”, të ndryshuar”.

95 pro, 7 kundër, 1 abstenim-Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për politikën për zhvillim për aksesin e barabartë gjinor në mundësitë ekonomike”.

98 pro, 5 kundër, 0 abstenim-Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së përbashkët të prokurimit, ndërmjet Republikë së Shqipërisë, Komisionit Evropian dhe vendeve anëtare të Bashkimit Evropian për të prokuruar kundërmasat mjekësore”

Ora 12:18
Përmeti për Report Tv: Beqja lajthiti! Ka deputetë me sëmundje kronike, Kuvendi duhet të bëhej online (VIDEO)

Deputeti opozitar Andi Përmeti tha në një intervistë për Report debati për uljen e rrogave dhe pensioneve të mbyllet këtu, ndërsa Ilir Beqajn e cilësoi si të pashpirtë.

"Propozimet e tij janë çnjerëzore, kjo tregon se ose ke një problem madhor, ose je i pashpirt. Nuk mund të jetojnë një person me 26 mijë lekë. Ai tha jo njerëzve që janë duke luftuar. Ka marrë reagime të ashpra, edhe nga kolegët e zotit Beqja. Zgjodha të flisja në foltore për ta parë në sytë dhe për t'i thënë 'ke ikur nga mendorja'. Ky diskutim duhet të mbyllet këtu dhe askush të mos e marrë seriozisht këtë lajthitje".

Ai theksoi se ka kërkuar më herët që seancat e Kuvendit të bëheshin online.  "Do të ishte më mirë që këto seanca të bëheshin online, kemi deputetë mbi 65 vjec, që vuajnë nga sëmundje të rëndë kronike, për të ruajtur ata dhe të gjithë shqiptarët dhe të nesërmen del në market, në farmaci dhe kishte rrezik të kthehej në vatër infeksioni. Kemi parë disa deputetë kanë shkelur rregullat kanë qenë gjithë ditën në takime, dreka, darka që i kanë publikuar vetë. Kjo do të ishte një zgjidhje optimale që të bëheshin online" tha ai.

Ora 12:00
U 'kryqëzua' për pensionistët/ Propozimi i ri i Beqajt: Familjeve të varfra t'u japim smartphone dhe internet falas (VIDEO)

E ndërsa u 'kryqëzua' me propozimin për uljen e pagave të administratës dhe të pensioneve suplementare, ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja ka bërë sot një tjetër propozim në Kuvend.

Ai propozoi që të gjitha familjeve të varfra duhet t’u jepet një smartphone dhe internet falas, njësoj siç u bë me dekoderin për TVSH-në dhe internet falas. "Sa shumë paskemi pas nevojë për përdorimin e teknologjisë së informacionit dhe u provua se mazhoranca e Edi Ramës ka bërë një investim në teknologjinë e informacionit.

Sa më shumë ecim në këtë drejtim dhe ja ku u provua se sa largpamës ka qenë ai vendim dhe sa të efektshme këto vendime. Por po evidentojmë një kontradiktë të re. Po na krijohet një barrierë digjitale me një grup të ri të shoqërisë. Unë sugjeroj meqë kjo kohë do të vijojë edhe më gjatë.

Duhet ta kthejmë në një të drejtë universale. Sugjerimi im është universaliteti në teknologjinë e informacionit. Cdo familje të varfër sikur i japim 'x' lekë kompensim faturë energjie elektrike, t'i garantojmë 'x' lekë në muaj akses në internet. Sikur u dhamë familjeve të varfra me të drejtë dekoderin për sinjalin publik të TVSH-së t'u japim smartfonin apo tabletën" tha ai.

Ora 11:56
Rudina Hajdari duartroket Manastirliun: Ahmetaj gënjeu, të vjen për të ulëritur dhe qarë (VIDEO)

Kryetarja e grupit Demokrat në Kuvendin e Shqipërisë Rudina Hajdari akuzoi kryeministrin Edi Rama për mungesë transparence dhe tallje me qytetarët lidhur me menaxhimin e situatës nga COVID-i. "Në këtë sallë ka egoistë dhe të pafytyrë për të folur për njëri tjetrin. Kur do të përdoret kjo sallë vetëm për politikat për shëndetin dhe ekonominë.

Sot shqiptarët kanë nevojë për mbështetje dhe ndihmë. Ne nuk dimë t'ia japim sikur duhet. Ahmetaj gënjeu, pasi Kosova është vendi që na ka lënë ne sidomos nga menaxhimi. E lëmë Serbinë, por edhe Kosova po shërben më mirë se ne. Ahmetaj nuk e thotë këtë. Këtu nuk do të ishte marrë vesh asgjë, si po izolohet cdo informacion, të vjen keq, për të qarë dhe ulëritur.

Ekzekutivi po abuzon me gjendjen aktuale, por do të përgjigjet në datën e zgjedhjeve me mënyrën e fashave orare, pa sens, pa logjikë. Ai kryeministër që tallet dhe bën video në pozicione të ndryshme, po çon energjinë më negative në popull. Ne duam solidaritet. Unë po hedh hapin e parë. Zonja ministre e Shëndetësisë thatë një fjalë për të duartrokitur dhe që keni bërë një punë shumë të mirë. Por kur kemi një kryeministër si ai që teston Beqajn dhe thotë t'u ulim pagat pensionistëve, atëherë ajo është fytyra e vërtetë e kësaj qeverie" tha ai.

Ora 11:28
Sektori goditet nga COVID-i/ Albpetrol ndërpret nxjerrjen e naftës, Balluku: Depozitat janë plot (VIDEO)

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku njoftoi se Shqipëria ka ndërprerë nxjerrjen e naftës për shkak të goditjes që ka pësuar ky sektor nga koronavirusi. Nga foltorja e Kuvendit, ministrja tha se Albetrol ndodhet në një situatë shumë të vështirë pasi çmimi ka arritur në nivelin më të ulët shpesh herë edhe negativ. Përballë situatës kur depozitat janë të mbushura, ministria ka vendosur që puset të mos jenë më operative, pra duke ndërprerë nxjerrjen e naftës.

"Vendimi i qeverisë për dhënien e pagës për të gjithë punonjësit e rafinerisë tani është realizuar, 790 punonjës kanë marrë pagën e akorduar dhe këtë e kemi sistemuar. Një cështje tjetër që ka të bëjë me naftën, më të goditur është edhe situata e Albetrol, e gjendur në një situata shumë të vështirë pasi çmimi ka arritur në nivelin më të ulët shpesh herë edhe negativ, kemi qenë të detyruar që për shkak të depozitave të mbushura puset të mos jenë më operative. Ndërkohë që është pezulluar deri në një vendim të dytë procesi i ristrukturimit" tha ministrja. 

Sa i përket riatdhesimeve, ajo tha se deri tani janë sjellë 2350 qytetarë, ndërsa deri në në 5-6 maj ky numër pritet që të shkojë në 3200.

Ora 11:25
Gjoni: SPAK të hetojë për paratë e vjedhura për të dalë nga kriza, kjo është 'T'-ja e zullumeve (VIDEO)

Deputeti Ralf Gjoni akuzoi qeverinë dhe parlamentin për veprimet në këtë situatë pandemie. "Është krijuar një "T", nga njëra anë zullumet e qeverisë, nga ana tjetër po zgjatet shkopi i ndëshkimit. Nga njëra anë vijon grabitja nga ana tjetër parlamenti po kthehet në makineri grirëse mishi për aktet. Del ky i gjati tjetër këtu, na bën populizëm duke thënë të ulen pensionet.

Nuk ka populizëm nga një Beqje apo Teqje tjetër, nuk do ta lejojmë në këtë parlament. SPAK të fillojë hetimet për paratë e vjedhura, për të dalë nga kriza. Shqipërisë i duhet një projekt shprese, disa prej nesh do ia japim shqiptarëve këtë projekt, prandaj të hapen listat që vitin tjetër të përgatitemi për alternativën e vërtetë opozitare" tha Gjoni.

Ora 11:20
Ish-ministrja e Kulturës: Hapni muzetë dhe galeritë (VIDEO)

Ish-ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro kërkoi që të hapen muzetë dhe galeritë e arteve. "Sugjeroj hapjen e muzeve dhe galerive me rregulla sikur bëhet nëpër dyqane. Institucionet kulturore duhet të vijojnë që të prodhojnë art. Është e rrezikshme nëse publiku mësohet me mungesën e gjatë të kulturës" tha ajo.

Ora 11:15
Ahmetaj: Shef Gramozi të lutem ta mbaroj, Shqipëria e dyta në rajon për paketat financiare (VIDEO)

Ministri Arben Ahmetaj u shpreh se Shqipëria është në vendin e dytë në rajon lidhur me paketat financiare që ka aplikuar në ndihmë të biznesit dhe qytetarëve. "Shumë kush ka parë vende dhe parlamente që janë fokusuar te hallet e qytetarëve. Një debat i padenjë për pensionet, jo vetëm që nuk kemi ndërmend ti prekim, të askujt, por ne sapo i rritëm me 21 mln dollarë dhe do të vijojmë ti rrisim. E dini cfarë janë pensionet suplementare, shumë ish-deputetët që marrin katërfishin e atyre të qytetarëve. Sa i përket paketave, do ua dërgoj ose i gjeni nga Kuvendi, 2.5 mld lekë për Shëndetësinë për të përballuar situatën dhe e ka përballuar me sukses.

Kemi paketën e parë që janë shërbyer bizneset e mbyllura, familjet në nevojë apo pagesë papunësisë 6 mld lekë. 7 mld lekë për bizneset e prekura. Rritjen e shpenzimeve për emergjencat civile, 2 mld lekë. Sot janë paguar 59 mijë qytetarë nga paketa e parë dhe 74 mijë nga paketa e dytë. Jam i bindur se do të votoni aktet se në finale mbështesni qytetarët dhe biznesin. Jemi vendi i dytë në rajon pas Serbisë" tha ai. Në një moment Gramoz Ruçi, ndërhyri pasi koha mbaroi, por Ahmetaj i iu lut "Shef Gramozi do të lutem, vetëm ta mbaroj vetëm kaq kam nevojë". Dhe Ruçi i dha edhe "vetëm 30 sekonda kohë".

Ora 10:55
Akuzat për ndihmat, Spiropali: Basha i iku drejtësisë me raport! Murrizi: Çojeni në SPAK (VIDEO)

Pas kritikave të deputetit Myslim Murrizi për ndihmat, reagoi ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali që sulmoi Lulzim Bashën lidhur po me këtë cështje. "Zoti Basha ka adoptuar stilin e zotit Murrizi, por këtij i shkon se nuk ka pasur ndonjëherë në dorë tendera, është i pastër dhe mund të flasë.

Por Basha ka dëshmuar se në cdo punë që ka bërë e ka çuar për dreq dhe kur ka shkuar në gjyq nuk është përgjigjur i është shmangur me raport mjekësor. Në kohën e tyre deti ishte kos dhe liqeni ishte pilaf. Dëshirat e brendshme i reflektojnë së jashtmi tani" tha ajo. Por Murrizi reagoi duke thënë se "Mos u tallni nëse e keni seriozisht merrni letrat për Bashën dhe çojini në SPAK".

Gjithashtu deputeti, Myslym Murrizi, gjatë fjalës së tij në parlament ka kërkuar nga qeveria që të bëhen publike emrat e qytetarëve që kanë marrë ndihma në këtë kohë. Sipas tij është mashtrim sepse qytetarët nuk kanë përfituar asgjë. Murrizi kishte marrë për bazë tre qarqe, atë të Fierit, Gjirokastrës dhe Shkodrës.

Ora 10:51
Përmeti: Je i çmendur, ke ikur nga mendorja! Beqja: Propozova t'i ulet pensioni Petrit Vasilit (VIDEO)

Deputeti opozitar Andi Përmeti e cilëson si të pashpirt dhe të çmendur Ilir Beqajn pas propozimit të tij për uljen e pensioneve dhe pagave. "I propozoj kryeministrit shtimin e një tjetër mase sigurie, duke falenderuar doktorët në hyrje, i propozoj që te dera të shtojë një mjek psikiatër.

Koha e karantinimit është e vështirë mendërisht dhe nga salla vë re dikë që ka pasur një çrregullim dhe mendon se mbase është kohë stresi dhe ankthi për të gjithë. Pastaj e dëgjon që propozon uljen e pagave dhe pensioneve dhe ky ka ikur nga mendorja. Zoti Beqja mendoj se keni nevojë. Të bësh këtë propozim duhet të jesh ose i çmendur ose i pashpirt. Nëse e ka bërë nga mendja e tij i këshilloj që të kujdeset për shëndetin e tij" tha ai.

Por Beqja reagoi menjëherë dhe për të shpjeguar propozimin e tij mori shembull dy ish-deputetë të LSI-së.  "Se cfarë unë kam shkruar mund ta lexoni, nuk jam marrë me pensionistët fare. Nuk jam marrë me pensionet, propozimi im, që pensionisti Petrit Vasili të mos marrë pension 840 mijë lekë, por 630, pse është i pamoralshëm. Që Klajda Gjosha të mos marrë 900 mijë lekë, por 670 mijë lekë pse është kriminale kjo? Të gjithë ata që janë në ballë të luftës të mos preken. Merr lexo ato që të çojnë me plagjiatura mund ti recitosh këtu" tha ai.

Ora 10:27
Manastirliu në Kuvend: Rihapja e kujdesshme, jemi ende në fazë aktive të epidemisë (VIDEO)

 “Jemi ende në një fazë aktive të epidemisë, ku aktualisht kemi 272 persona aktivë të prekur nga COVID19 dhe po bëhet një punë shumë e madhe për të ndërprerë zinxhirin e transmetimit të infeksioni”. Gjatë fjalës së saj në Kuvend, Ministrja Manastirliu deklaroi se do të tregohemi shumë të kujdesshëm për fazat e ri-hapjes.

Jemi drejt një strategjie rihapje por jemi duke u treguar shumë të kujdesshëm. Duhet të vijojnë të respektohen masat e distancimit dizik të cilat deri më sot kanë dhënë rezultat për të mos patur një incidencë të lartë”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë tha se janë 773 raste pozitive me COVID19, prej tyre 60% janë të shëruar.

“Sot konstatojmë shpërthime në vatra familjare, janë më shumë se 100 vatra dhe po bëhet një punë e madhe për të ndërprerë zinxhirin e transmetimit të infeksionit. Është një punë shumë e madhe që po bëhet nga mjekët, infermierët, epidemiologët në terren”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë than ë Kuvend se hapja e një seri biznesesh në fillimin e kësaj jave është pjesë e strategjisë së rihapjes, për të vlerësuar situatën për dy javët që pasojnë.

Ora 10:23
Ruçi: Të mos i privojmë qytetarët nga të drejtat që ju jep ligji, ne nuk jemi zotër (VIDEO)

Në nisje të seancës plenare të ditës së sotme, kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi u shpreh se konsultimi virtual në asnjë mënyrë nuk duhet të zbehet. "Në seancat plenarë të 16 dhe 23 prillit u miratuan 26 ligje dhe 7 vendime. Kuvendi nuk ka pasur asnjë vonesë apo pengesë në shqyrtimin e akteve ligjore, akteve normative si edhe marrëveshjeve të depozituara për shqyrtim e miratim. Megjithatë, edhe pse në situatë emergjence, duhet të garantojmë sundimin e shtetit të së drejtës. Prandaj kërkoj më shumë përkushtim e rigorozitet në procedurat e shqyrtimit të akteve, angazhim më të madh të komisioneve, sipas fushës së përgjegjësisë, t’i jepet koha e duhur çdo deputeti për të studiuar thelbin e aktet ligjore që shqyrtojmë e miratojmë.

Relacionet shoqëruese duhet të japin më shumë informacion për deputetet dhe publikun, mbi diskutimet dhe konsultimin publik të nismave. Konsultimi virtual me publikun dhe institucionet nuk duhet të zbehet. Procesi i konsultimit publik të nismave të qeverisë duhet të vendoset në faqen e Kuvendit, me qëllim që të aksesohet nga grupet e interesit. Kuvendi ishte ndër institucionet e para që patën një reagim të menjëhershëm dhe efikas per shperndarjen e informacionit mediave e qytetarëve. Megjithatë, duhet tëbëhemi më aktivë.

Shërbimet e Kuvendit kanë marre te gjitha masat per regjistrimin e mbledhjeve qe zhvillohen me platformën eketronike, duke mundësuar regjistrimin e tyre me disa programe, për të evituar kështu çdo problematikë të mundshme teknologjike. Pasqyrimi i menjehershëm nga shërbimi i medias mundësoi që të mos ketë boshllëk në garantimin e transparences dhe transmetimin e veprimtarive parlamentare.

Seancat plenare transmetohen direkt nëpërmjet prezencës në sallë të kamerave të Radio-Televizionit Shqiptar, i cili ua dërgon sinjalin edhe mediave të tjera. Prej datës 30 Mars filluan te transmetohen direkt mbledhjet e komisioneve. Kjo pati impakt pozitiv ne rritjen e transparences dhe informimine publikut. Kuvendi nuk  eka ulur vëmednjen ndaj reformave të rëndëisshme në proces.Përkundrazi, kemi ndjekur me përgjegjësi ecurinë e reformës në drejtësi dhe funksionimin e organeve të reja të qeverisjes së sistemit. Këshilli i Emërimeve në Drejtësipo përpunon  informacionet  për tre vakancat për kandidatët për anëtarë të Gjykatës Kushtetues, dy të shpallura nga Presidenti i Republikës dhe një nga Kuvendi.  

Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka depozituar në Kuvendprojektvendimin “Për miratimin e strukturës, organikës dhe numrit të punonjësve”, iciliu përfshi në Programin e Punës dhe Kalendarin e Punimeve. KLGJ, në datën 27.02.2020, i propozoi Presidentit të Republikës tre kandidatë për anëtarë të Gjykatës së Lartë nga radhët e juristëve të spikatur dhe në datën 11 mars Presidenti i Republikës vendosi dekretimin e tre kandidaturave të propozuara. Në seancën plenare të 16 prillit,  Kuvendi miratoi zgjatjen e afatit  të  veprimtarisë së Komisionit  të Posaçëm  për Reformën Zgjedhore deri më 30 Qershor 2020 dhe Komisioni  do te mblidhet  gjatë kësaj jave,me përdorimin e mjeteve të komunikimit elektronik.

Këshilli Politik, i përbërë nga përfaqësuesit e opozitës jashtëparlamentare, drejtuesit e Komisionit dhe përfaqësues të grupeve parlamentare në parlament, nuk është mbledhur  prej datës 10 Mars. Edhe pse ekspertët e Këshillit po punojnë  në lidhje me  ata  dispozita   të Kodit Zgjedhor për të cilët Këshilli ka dhënë  dakortësinë, Këshilli duhet të rifillojëmenjëherëpunën për të mos penguar a vonuar Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore. Detyra e degës legjislative të qeverisjes nuk është vetëm mirëfunksionimi i vetvetes, por ushtrimi i kontrollit parlamentar dhe garantimi i pjesëmarrjes së publikut në monitorimin e ligj-bërjes dhe qeverisjes.

Prandaj Kuvendi i ka kushtuar vëmendjen e duhur funksionimit të institucioneve të pavarura kushtetuese dhe të krijuara me ligj. Këto institucione kanë vazhduar ushtrimin e detyrave institucionale, me reduktime të burimeve njerëzore në zbatim të VKM për kujdesin prindëror, por edhe në respektim të rregullave të mbrojtjes nga pandemia. Banka e Shqipërisë ka vijuar punën dhe mbledhjet e Këshillit Mbikëqyrës janë mbajtur rregullisht onllain. Avokati i Popullit ka bërë detyrën nëpërmjet oponencës në mbrojtje të shtresave në nevojë dhe fushave të tjera të kompetencës. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka vazhduar me evadimin e raporteve të auditimit, dhe ka proceduar me njoftimet për auditimet e planifikuara.

Prokuroria e Përgjithshme, Prokurori i Përgjithshëm dhe trupa e prokurorëve së bashku me stafin e lartë drejtues kanë qenë nëçdo ditë në krye të punëve të tyre.Këshillli i Lartë Gjyqësor,   Këshillli i Lartë, AKEP, Enti Rregullator i Energjisë, Enti Rregullator i Ujit dhe AMA, kanë organizuar mbledhjet periodikisht online, për kryerjen e detyrave të tyre funksionale.

Komisionerët dhe agjencitë e krijuara me ligj, kanë punuar kryesisht në distancë dhe janëprezent në punë kur është e nevojshme. Për kushtet specifike që jetojmë dhe intensitetin e problematikave, u kërkoj institucioneve tëna informojnë periodikisht, mbi bazë javore, për problematikat e konstatuara dhe kapërcimin e tyre. KLGJ e KLP duhet të informojnë Kuvendin mbi respektimin e të drejtave për gjykim të të drejtë dhe shkallën e zbatimit të  procedurave te reja dhe të shpejta të gjykimit të çështjeve, me qëllim që të mos krijohen mbingarkesa në dosje dhe të ketë vonesa të pajustifikuara në gjykimet e çështjeve që  nuk presin ose që mund të bëhen edhe në kushtet e pandemisë. Edhe pse në kohë jonormale, drejtësia duhet të jepet si në kohë normale.Së shpejti, unë si Kryetar i Kuvendit do të organizoj takimin e radhës të Mekanizmit të Monitorimit Kuvend-Qeveri-Institucione të Pavarura, për të verifikuar zbatimin e rekomandimeve të instucioneve të pavarura  nga Qeveria dhe identifikuar nevojat për mbështetje e ndërhyrje nga Kuvendi.

Masat e mara për shkak të pandemisë kanë kufizuar disa të drejta si lëvizjen e lirë, grumbullimet, arsimimin etj. Kuvendi ka detyrimin të vlerësojë ndikimin e këtyre kufizimeve te qytetarët dhe të marrë masa për të kufizuar këtë ndikim. Ndërkohë, Komisioni i Ligjeve të monitorojë zbatimin e ndryshimeve në Kodin Penal të miratuar pak ditë më parë. Siç kam nënvizuar, masat e drejta të marra nga Qeveria dhe të mbështetura nga Kuvendi  kanë ndikuar që situata e pandemisë së koronavuirusit në Shqipëri të jetë nën kontroll. Tashmë Qeveria ka filluar të zbatojë masat për përballimin e pasojave ekonomike e financiare të pandemisë. Me këtë rast, dëshiroj të shpreh disa mendime mbi strategjinë e daljes nga kjo pandemi. Siçështë bërë e qartë edhe nga vendet dhe ekonomitë e mëdha të botës, dalja nga pandemia nuk do të jetë një proces teknik i menjëhershëm, por një proces adaptiv, gradual dhe i kujdesshëm.

Ky proces do të kërkojë që për një periudhë të caktuar, derisa virusi të zhduket plotësisht, do të bashkëjetojmë me të. Duhet të mbajmë mirë parasysh se dalja nuk është një proces i pakthyeshëm. Ajo do të jetë e suksesshme në varësi të lidershipit politik, por edhe të sjelljes së sektorit privat dhe të qytetarëve.

Strategjia e daljes duhet të bëjë kujdes që të mos cënojëa rëndojë më shumë mirëqenien e njerëzve, duke mbajtur parasysh parimin se ne nuk kemi të drejtë të privojmë qytetarët nga të drejtat që atyre u ka dhënë ligji. Ne nuk jemi zotër, por mbrojtës të interesave të qytetarëve. Barra e daljes duhet të jetë progresive: kush fiton më shumë, përballon më shumë, ndërsa grupet nevojtare të popullsisë, pensionistët apo përfituesit e programeve sociale duhet të vazhdojnë të mbështeten e të mbrohen.

Strategjia e daljes duhet të garantojë harmonizmin e mbështetjes për bizneset, me qëllim që të shpëtojmë e rigjallërojmë tregjet, të nxisim prodhimin dhe të mbajmë në nivele optimale ofertën ekonomike. Por nga ana tjetër, duhet të tregojmë të njëjtin kujdes për mbrojtjen e konsumit dhe mbijetesës së konsumatorëve, si një stimul edhe për vetë prodhimin dhe shërbimet.

Fakti që kemi miratuar disa akte normative me fuqinë e ligjit, nuk duhet të dobësojë komunikimin e komisioneve parlamentare me sipërmarrjet, për hartimin e një plani të ringritjes ekonomike të studjuar e realist.  Duhet të bëjmë kujdes për të mos lejuar dobësimin e rrjeteve mbrojtëse që kemi krijuar për grupet nevojtare të popullsisë. Është detyrë e Kuvendit, komisioneve e grupeve parlamentare dhe çdo deputeti, të monitorojnë mbështetjen e mosdiskriminimin e të varfërve e të dobtëve" tha Ruçi.

Ora 10:23
Gjuzi: Nuk më ka sjellë Basha, por gjaku im këtu! Ruçi: Procesverbalin e ke online (VIDEO)

Në nisjes të seancës së Kuvendit ka pasur një debat mes kryetarit të Kuvendit dhe deputetit Kujtim Gjuzi.

Debati mes Kujtim Gjuzit dhe Gramoz Ruçit
Kujtim Gjuzi:
Prit pse mërzitesh, kryetar i Kuvendit je. Kuvendi nuk e nxjerr procesverbalin për të sqaruar replikën me ju javën e kaluar, kur thatë se këtu të ka sjellë Lulzim Basha. Mua më ka sjellë gjaku im, partia ime. Mos më ndërhy më si herën tjetër. Sot përsëri nga një minutë ka opozita e grupeve jashtëparlamentare.

Gramoz Ruçi: Procesverbalin nëse nuk dini ta përdorni, atëherë po di, hape.

Kujtim Gjuzi: E kam hapur

Gramoz Ruçi: Hape

Kujtim Gjuzi: E dua fizikisht

Gramoz Ruçi: Jo fizikisht nuk do ta kesh më, por tabletë përpara

Kujtim Gjuzi:  E dua fizikisht

Ora 10:05
Matje temperature dhe të 'armatosur' me maska e doreza! Si u bë kontrolli i deputetëve (VIDEO)

Për herë të tretë seanca e Kuvendit sot u zhvillua nën masat mbrojtëse dhe distancimin social. Deputetët me maska dhe doreza në hyrje të Kuvendit u kontrolluan edhe për temperaturën, ndërsa në sallë u ulën me distancë mes tyre. Një pjesë e deputetëve u ulën në lozha dhe te vendi i gazetarëve.

B.K./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Ben Tironci: 30/04/2020 13:52

    Po humbin kot figura te rralla si Kujtim Gjuzi Nard Noka

    Përgjigju
    • Haha: 30/04/2020 16:05

      Ke harruar Edi Paloqen

  • redi: 30/04/2020 12:35

    Ka ardhur koha ,qe Beqja te shporret nga PS si per deklaratat e bera dhe per koncensionet qe grabiten parat e shqiptareve ,dhe nuk sollen asgje pozitive .Shqiperia ka nevoje te rrise modernizoj spitalet publike dhe jo ti jape sherbime miqve private.Po vazhduat keshtu do merrni pergjigjen qe meritoni.Spitalet private nuk perballohen nga shumica e varfer e shqiptarev

    Përgjigju
  • Rahman Gashi: 30/04/2020 12:14

    Ska opozite ky vend.vajza e azem hajdarit Gjoni Gjuzi dhe amurrizi. Te ankohesh dhe per kete qeveri qe ka kaluar 2 fatkeqesi natyrore ne krye te detyres eshte nje turp po dhe fatkeqesi. Ju sjeni politikan po ushtar te Luli hajdutit. Race e qelbut

    Përgjigju
  • Dervishi: 30/04/2020 11:39

    Paret I perlau rilindja per votime

    Përgjigju
  • Hinglateri: 30/04/2020 11:10

    Basha te cohet ne SPAK?Ai duhet cuar ne sater per vjedhje e vrasje.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen