TIRANE-Hyn në fuqi një pjesë e paketës së dytë financiare për përballimin e pasojave të koronavirusit pasi është botuar në Fletoren Zyrtare, ndërsa janë zbardhur detajet e vendimit që përcakton se cilët e përfitojnë dhe si do të bëhet shpërndarja e pagës 40 mijë lekë. Pra në fuqi ka hyrë vendimi vetëm për përfituesit e pagës 40 mijë lekë, ndërsa ende jo pjesa për garancinë sovrane dhe shtyrjen e pagesës së këstit të tatim fitimit.

Nga ndihma financiare prej 40 mijë lekësh mbulohen muajit prill dhe qershor dhe nga ndihma do të përfitojnë të punësuarit në subjektet me të ardhura vjetore mbi 14 milionë lekë që kanë mbyllur aktivitetet sipas urdhrave, përfitojnë ish-punësuarit në subjektet që janë lejuar të kryejnë aktivitetet por që aktiviteti është defakto i mbyllur si agjencitë turistike, apo serviset. Ndihme prej 40 mijë lekësh edhe për të punësuarit në subjektet me të ardhura vjetore deri në 14 milionë lekë, që janë lejuar të kryejnë aktivitetet.  Edhe personat fizikë ose juridikë, që ushtrojnë aktivitetin si struktura akomoduese, do të përfitojnë ndihmën financiare që jepet vetëm një herë.

Nga këto 176 mijë përfitues, 100 mijë janë punonjës të biznesit të vogël, 10 mijë nga sektori i turizmit dhe 66 mijë të punësuar në biznesin e madh. Të dhënat që duhen plotësuar për të përfituar këtë ndihmë janë të dhënat personale; emrin, mbiemrin, numrin e telefonit, adresën e-mail-it, numrin personal të identifikimit të përfituesit, bankën ku përfituesi ka llogarinë rrjedhëse bankare, dhe IBAN-in e llogarisë bankare. Aplikimet nisin në 21 prill.

Nga paketa e dytë nuk përfitojnë punësuar në bizneset e tregtitë të produkteve ushqimore, fruta – perime, farmaceutike apo edhe të punësuarit në profesione të tilla si avokat, noter, mjek i specializuar, farmacist, infermier, veteriner, arkitekt, inxhinier, mjek-laborant, projektues, ekonomist, agronom, ekspert kontabël i regjistruar, kontabilist i miratuar dhe vlerësues i pasurisë pasi janë aktivitete të lejuara me vendim qeverie. Nuk përfitojnë as individët e punësuar, të cilët për vitin 2019 kanë realizuar të ardhura bruto nga paga mbi 2 milionë lekë apo punonjësit e institucioneve shtetërore si dhe të punësuarit në shoqëritë me kapital shtetëror, si dhe organizatat jofitimprurëse. Ndërkohë në rast se një person është në 2 listë-pagesa ai do të përfitojnë ndihmë vetëm për një punë, pra të dy-punësuarit nuk do të marrin 80 mijë lekë por 40 mijë lekë.

Sakaq sot është mbyllur edhe afati për pagën e luftës prej 26 mijë lekësh për të punësuarit, të vetë-punësuarit, ata që trajtohen me pagë papunësie si dhe familjet në ndihmë ekonomike, që në total arrinin në rreth 123 mijë persona. Tashmë Drejtoria e Tatimeve  vijon procesin e trajtimit të ankesave dhe kërkesave të dërguara në lidhje me refuzimin e aplikimeve. Në këtë aspekt Tatimet njoftojnë se ata aplikime që janë refuzuar në paketën e parë do të shikohet nëse janë përfitues të paketës së dytë dhe do të kontaktohen nga administrata pa qenë nevoja për riaplikim të dytë.

Kategoritë që përfitojnë pagën 40 mijë lekë
Dhënie ndihme financiare prej 40 000 (dyzet mijë) lekësh për të punësuarit në subjektet me të ardhura vjetore mbi 14 000 000 (katërmbëdhjetë milionë) lekë, që kanë mbyllur aktivitetet sipas urdhrave të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, të cilët kanë qenë në punë në datën e hyrjes në fuqi të këtyre urdhrave.

Dhënie ndihme financiare prej 40 000 (dyzet mijë) lekësh për të ish-punësuarit në subjektet që janë lejuar të kryejnë aktivitetet sipas urdhrave të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, të cilët janë larguar nga puna nga data e hyrjes në fuqi të këtyre urdhrave deri në datën 10 prill 2020. Dita e dorëzimit të E-sig 027 nuk duhet të jetë më e vonë se data 10 prill 2020.

Dhënie ndihme financiare prej 40 000 (dyzet mijë) lekësh për të punësuarit në subjektet me të ardhura vjetore deri në 14 000 000 (katërmbëdhjetë milionë) lekë, që janë lejuar të kryejnë aktivitetet sipas urdhrave të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, të cilët kanë qenë në punë deri në datën e hyrjes në fuqi të urdhrave të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Nuk e përfitojnë ndihmën sipas pikës 3, të këtij kreu, punonjësit:

a) të cilët kanë përfituar sipas pikës 2, të këtij kreu.

b) të punësuar në subjektet: me objekt veprimtarie tregtim të produkteve ushqimore, fruta – perime, farmaceutike; e regjistruara që ushtrojnë aktivitet në profesione të tilla si: avokat, noter, mjek i specializuar, farmacist, infermier, veteriner, arkitekt, inxhinier, mjek-laborant, projektues, ekonomist, agronom, ekspert kontabël i regjistruar, kontabilist i miratuar dhe vlerësues i pasurisë, që lejohen të kryejnë aktivitetin sipas urdhrave të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Dhënie ndihme financiare prej 40 000 (dyzet mijë) lekësh për punonjësit e subjekteve, persona fizikë ose juridikë, që ushtrojnë aktivitetin si struktura akomoduese, të cilët figurojnë në listëpagesa deri në datën e urdhrave të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Nëse subjekti i përmendur në pikën 5, të këtij kreu, ushtron disa lloje aktivitetesh, e përfitojnë ndihmën financiare vetëm të punësuarit në aktivitetin e strukturës akomoduese.

Kriteret e përfitimit
Ndihma financiare llogaritet dhe jepet për të punësuarit që figurojnë në listëpagesat e përditësuara sipas formularit ESig-027, deri në datën e hyrjes në fuqi të urdhrave të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Aplikimi për të përfituar ndihmë financiare bëhet nga subjekti i të punësuarit.

Punonjësi që është në më tepër se një listëpagesë përfiton si ndihmë financiare vetëm një pagesë.

Punonjësit të cilët përfitojnë sipas vendimit nr.254, datë 27.3.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave, të dokumentacionit dhe masën e përfitimit të ndihmës financiare për të punësuarit në subjektet e biznesit me të ardhura vjetore deri 14 000 000 lekë, ndihmës ekonomike dhe të pagesës të të ardhurës nga papunësia gjatë periudhës së fatkeqësisë natyrore të shpallur si pasojë e COVID-19”, nuk janë subjekt i këtij vendimi.

Për të përfituar nga ndihma financiare duhet që punonjësi të ketë qenë në marrëdhënie pune deri në datën e hyrjes në fuqi të urdhrave të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Subjektet aplikuese duhet të paraqesin pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, nëpërmjet portalit e-filinig, kërkesën me të dhënat e përfituesve, ku përfshihen: a) të dhënat identifikuese të subjektit tatimpagues të pajisur me NIUS; b) të dhënat identifikuese të përfituesve, përfshirë: emrin, mbiemrin, numrin e telefonit, adresën e-mail-it; numrin personal të identifikimit të përfituesit; iii. bankën ku përfituesi ka llogarinë rrjedhëse bankare; IBAN-in e llogarisë bankare.

Nuk përfitojnë ndihmë financiare, sipas këtij vendimi:

  1. a) individët e punësuar, të cilët kanë realizuar për vitin 2019 të ardhura bruto nga paga mbi 2 000 000 (dy milionë) lekë;
  2. b) individët e dypunësuar, ku njëri prej aktiviteteve bën pjesë në kategorinë e aktiviteteve të përmendura në shkronjën “b”, të pikës 4, të kreut I, të këtij vendimi;
  3. c) punonjësit e institucioneve shtetërore si dhe të punësuarit në shoqëritë me kapital shtetëror; ç) organizatat jofitimprurëse.

Procedura e verifikimit
1. Administrata tatimore, brenda 10 (dhjetë) ditëve pune nga data e aplikimit, verifikon në sistemin tatimor, identifikon aplikuesit dhe të dhënat në kërkesën e tyre, duke analizuar:
a) tatimpaguesin dhe veprimtarinë e tij, për të verifikuar nëse bën pjesë në listën e veprimtarive
që përfitojnë ndihmën financiare;
b) krahasimisht listën e paraqitur për përfitim ndihme me listëpagesën e dorëzuar në mënyrë elektronike;
c) të ardhurat e realizuara nga subjekti.

2. Me qëllim shmangien e abuzimit, strukturat e administratës tatimore, duke përdorur analizën e riskut, mund të kryejnë edhe verifikime në subjektet aplikuese nëse përmbushen kriteret.

3. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve i paraqet Drejtorisë së Përgjithshme të Thesarit listën përmbledhëse të individëve përfitues të ndihmës financiare, me të dhënat e mëposhtme:
a) Emrin, mbiemrin, numrin e telefonit, adresën e-mail-it;
b) Numrin personal të identifikimit të përfituesit;
c) Bankën ku përfituesi ka llogarinë rrjedhëse bankare;
ç) IBAN-in e llogarisë bankare.

4. Drejtoria e Përgjithshme e Thesarit kryen pagesat për individët përfitues, sipas këtij vendimi.

5. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ruan dhe administron dokumentacionin e përcaktuar sipas këtij vendimi, sipas dispozitave ligjore e nënligjore të parashikuara për ruajtjen e dokumentacionit dhe arkivat.

6. Drejtori i Përgjthshëm i Tatimeve miraton rregullat procedurale për zbatimin e këtij vendimi, bashkëpunimin me institucionet përgjegjëse, procedurat e kalimit në thesar të ndihmës financiare dhe njoftimin e subjekteve.


Botimi ne Fletoren Zyrtare