Uron politika! Rama: Të dalim nga llogoret përçarëse, ndjesë për punët që s'i kam bërë! Meta: Mos u nënshtroni! Basha: Shpresë tek e ardhmja! Kim: Festojmë çdo gjë që kemi arritur bashkë

Uron politika! Rama: Të dalim nga llogoret përçarëse, ndjesë për punët që s'i kam bërë! Meta: Mos u nënshtroni! Basha: Shpresë tek e ardhmja! Kim: Festojmë çdo gjë që kemi arritur bashkë

TIRANË- Kur akrepat të shënojnë 00:00, bota do të lërë pas vitin 2021 e do të mirëpresë 2022-in, duke uruar dhe shpresuar për ditë më të mira.

Sikurse e do tradita, qytetarët përgatiten sot për të festuar, ndërsa urime kanë shpërndarë edhe politikanë e përfaqësi të huaja në vendin tonë.

Kryeministri Edi Rama e nisi fjalën e tij me një urim të përzemërt për çdo qytetarë, kërkoi falje për punët e pa realizuara, e ndërsa u shpreh i bindur se Shqipëria do të arrijë në majë, aty ku të parët tanë kanë dashur që të ishte. Urime ka pasur edhe nga presidenti Ilir Meta që vjen me mesazhin për një reagim qytetar e jo për indiferentizëm për vlerat në shoqëri, e ndërsa kryedemokrati Lulzim Basha është me sytë nga e ardhmja. 

Nga ana tjetër, ambasadorja e SHBA, Yuri Kim ka uruar për Vitin e Ri duke bërë një rezyme të ngjarjeve më të rëndësishme në Shqipëri gjatë 2021, teksa përmend operacionet e SPAK, pandeminë e zgjedhjet e 25 prillit.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 08:46
Festat e fundvitit, drejtori i policisë Gledis Nano uroi dhe përgëzoi forcat blu: Dua të falenderoj gjithë punonjësit e Policisë, nuk kemi patur asnjë incident

 

Drejtori i Përgjithsëm i policisë Gledis Nano p;ak momente pas ndërrimit të viteve ka dhënë një prononcim për mediat ku falenderoi dhe uroi forcat policore mbi punën e tyre në terren. Nano, shtoi se ky vit ka ardhur me këmbë të mbarë pasi nuk është raportuar asnjë incident. Më pas Drejtori i Përgjithshëm  i Policisë së Shtetit Gledis Nano së bashku me Drejtorin e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë Lorenc Panganika, ka vizituar Sallën e Drejtimit dhe Komandimit  në DVP Tiranë, ku ka uruar punonjësit e Policisë të cilët ishin në detyrë.

‘Dua të falenderoj gjithë punonjësit e Policisë që kanë qenë në shërbim, kanë kryer një punë të mrekullueshme, po ashtu edhe të gjithë forcat e Policisë, të cilat janë në gatishmëri të plotë për të siguruar rend edhe qetësi në të gjithë territorin e Shqipërisë, nuk kemi patur asnjë incident deri më tani  të raportuar apo të konstatuar. Fatmirësisht ky vit ka filluar me këmbe të mbarë, është e vërtetë që është një vit ndryshe dhe kërkohen masat anticovid, por siç i shikoni të gjithë njerëzit që po festojnë janë të gëzuar dhe unë i uroj të gjithëve një vit të mbarë, të shëndetshëm dhe shumë të suksesshëm.

Në ditët në vijim situata do të kthehet në situatën  normale dhe shërbimet e Policisë do të vazhdojnë shërbimet e tyre si i kanë kryer dhe më përpara, kështu që nuk presim ndonjë ndryshim të madh, të gjithë  qytetarët e dinë sesi duhet të sillen në raport me masat anticovid dhe me shërbimet që kryen Policia, ashtu dhe me orarin e përcaktuar dhe për këtë do të ketë dhe njoftime nga ana jonë.’, u shpreh Nano

Ora 23:25
‘Duke pritur Vitin e Ri…’  bashkëshortja e Bashës zbulon momentet e ngrohta në familje të kryedemokratit me vajzën

Aurela, bashkëshortja e Lulzim Bashës, ka publikuar një foto të kreut të PD-së, teksa është në shtëpinë e tij së bashku me vajzën e vogël, teksa kalon momente familjare.

“Duke pritur Vitin e Ri….” shkruan Aurela duke e shoqëruar foton me urimin Gëzuar 2022!

Ora 19:42
Uron Rama: Të dalim nga llogoret përçarëse të bashkohemi me flamurin e Skënderbeut! Ndjesë për punët që s'i kam realizuar

 

Përgjatë 2021, ajo që ka shoqëruar kryeministrin Edi Rama janë fjalimet e gjata, por në urimin e tij për Vitin e Ri ai ka zgjedhur që t’i drejtohet shqiptarëve me një mesazh prej gati 3 minutësh. Duke i kërkuar falje për gjërat që nuk i ka bërë, duke i falënderuar për besimin që i dhanë për një mandat të tretë, Rama uron për një vit të ri me më shumë shëndet dhe lumturi.

“Sa më shumë ëndrra dhe shpresa të përmbushura, keni dëgjuar shumë fjalime të gjata nga unë, ju kam dalë pa pushim, në ekran, kompjuter, telefon, shpresoj jo në gjumë, kërkoj ndjesë për kohën që ju kam marrë, por ju jam shumë mirënjohës për kohën që me keni dhuruar dhe vëmendjen tuaj, se është nder, më keni besuar këtë vit për 4 vite të tjera drejtimin  e vendit tonë dhe nuk e di si t’ju falënderoj, sot do t’ju lë rehat, ju kërkoj falje për atë që nuk kam thënë apo nuk kam bërë si duhet. Besimin tuaj e ndjej çdo ditë si diçka të shenjtë që do bëj gjithçka mundem që ta shpërblej, do e ngjisim Shqipërinë në majën ku e donin të parët tanë, me punë mund e durim të madh, duke nxjerrë mësime nga gabimet dhe të bëjmë më të mirën e vendet tonë, sa më shumë dalim nga llogoret përçarëse, për t’u afruar më shumë me flamurin e Skënderbeut, ju uroj me gjithë zemër një vit të ri me shëndet për të gjithë shqiptarët në të gjithë globin, nuk jemi shumë po sa shumë jemi kudo dhe se sa shumë mund të bëjmë kudo nëse ndajmë hallet dhe dimë të pwrqafohemi për gëzimet”, tha Rama.

Ora 19:26
Kartolina e Bashës për Vitin e Ri: Shohim plot shpresë për atë që na pret në të ardhmen

Kryedemokrati Lulzim Basha ka uruar të gjithë qytetarët për Vitin e Ri. 

"Të dashur bashkqytetarë, teksa e ardhmja po troket dhe shohim plot shpresë atë që na pret, ju uroj përzemërsisht Gëzuar Vitin e Ri 2022! 

Uroj që vatrat e familjeve shqiptare të mbushen me dashuri, gëzim, shëndet dhe mirëqenie, e të gjithë bashkë të punojmë për një të ardhme më të mirë, ku fëmijët tanë të njohin gëzimin që meritojnë dhe ku të realizohen shpresat tona për një Shqipëri normale, me mundësi për të gjithë. 

Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja", shkruan Basha. 

Ora 19:18
Me portretin familjar, Kryemadhi uron vitin e ri: Me dashuri gëzuar

Me portretin familjar, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka uruar shqiptarët për vitin e ri.

“Me nisjen e këtij kapitulli të ri, ju urojmë mbarësi, shëndet, dritë dhe shpresë për atë çfarë na rezervon e ardhmja. Nga familja jonë, me dashuri, gëzuar vitin e ri 2022”, shkruan Kryemadhi.

Ora 18:35
Meta uron shqiptarët për Vitin e Ri: Të mos i dorëzohemi indiferencës, përjashtimit dhe zemërimit! Uroj që në 2022 të shënojmë një hap të rëndësishëm drejt BE

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, ka uruar shqiptarët për Vitin e Ri. Në urimin e tij, Meta thekson se të gjithë së bashku duhet të mobilizojmë fuqitë dhe energjitë më pozitive për të tejkaluar sfidat që kemi përpara, e ndërsa ka edhe një mesazh, të mos i dorëzohemi indiferencës, përjashtimit dhe zemërimit.

"Të dashur bashkëkombas kudo ndodheni! Dua t’ju përcjell urimet më të përzemërta, për një Vit të Ri, që do ta shohë Shqipërinë më demokratike dhe më të drejtë, më të bashkuar e më të fortë, por edhe shqiptarët më të shëndetshëm dhe më të begatë!

Prandaj të gjithë së bashku, të mobilizojmë fuqitë dhe energjitë më pozitive të kombit tonë, por edhe mendjet më të ndritura për të tejkaluar sfidat e mëdha që kemi përpara!

Të mos i dorëzohemi indiferencës, përjashtimit dhe zemërimit!  Të mos lejojmë që e vërteta të përmbytet nga gjepurat, pasiviteti dhe nënshtrimi!

Me shpresë, besim, punë, këmbëngulje, përfshirje dhe dashuri ne mund të arrijmë gjithçka.  Në maj të vitit 1992, Shqipëria ishte vendi i parë në rajon që niste një marrëdhënie të re kontraktuale me Bashkimin Europian. 

Ndaj uroj që 30 vite më pas, më në fund të shënojmë një hap të ri në procesin tonë të vonuar të anëtarësimit drejt Bashkimi Europian, përmes një përfshirjeje dhe aktivizmi më të madh qytetar për realizimin e kësaj aspirate strategjike. Të mbrojmë vlerat tona kombëtare, të respektojmë liritë, të drejtat dhe dinjitetin njerëzor, t’u përkushtohemi të rinjve tanë për t’u ofruar atyre çdo mundësi që ta ndërtojnë të ardhmen europiane këtu, në Atdheun e tyre!

Shqipëria europiane që duam të gjithë, stoliset edhe më shumë, kur bukuritë e saj natyrore pasurohen me bukuritë e punës dhe vitalitetit të popullit tonë e në radhë të parë, të të rinjve tanë. Me këtë mesazh, dua t’ju bashkohem të dashur bashkëkombas, kudo ndodheni, pranë vatrave dhe familjeve tuaja, duke ju uruar nga zemra shëndet, mbarësi, paqe, lumturi, dhe begati", tha Meta. 

Ora 14:06
Kadare uron shqiptarët për vitin e ri me bashkëshorten dhe vajzën e tij nga bregdeti i Durrësit: Qoftë i mbarë

Me një foto nga bregdeti i Durrësit, shkrimtari i njohur Ismail Kadare, sëbashku me bashkëshorten Helena dhe vajzën e tij Besiana kanë dërguar mesazhin e tyre për shqiptarët në prag të vitit të ri.

Ka qenë Besiana ajo që ka ndarë fotografinë me prindërit dhe urimin.

“Gëzuar Vitin e Ri te dashur miq! Na qoftë i mbarë! Përqafime nga Qerreti", shkruan ajo.

Ora 12:36
Nikolla, urim me rastin e Vitit të Ri: Me besimin se ditët më të mira i kemi të gjithë përpara, gëzuar!

Në prag të ndërrimit të viteve, Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla ka uruar të gjithë shqiptarët. Teksa përmend vështirësitë që kaluam në vitin që po lemë pas, Nikolla uron për ditë më të mira.

“Të dashur bashkëqytetarë e bashkëkombas kudo ku ndodheni,

Sonte, të gjithë do të mblidhemi në vatrat familjare për të pritur e festuar Vitin e Ri 2022.  Në prag të kësaj feste të bukur tradicionale, dërgoj urimet e mia më të përzemërta te çdo familje shqiptare, këtu në atdhe a në Diasporë. 2021 ishte i dyti vit i vështirë, nën kufizimet e pandemisë, e cila po teston jo vetëm shëndetin tonë, por edhe shpirtin, besimin, qëndresën dhe humanizmin tonë. Prandaj shpresa dhe gëzimi i Vitit të Ri le të na bashkojë për të përballuar vështirësitë, tejkaluar vuajtjet dhe rindërtuar normalitetin e jetës.  Uroj që 2022 të jetë një hap përpara në jetën dhe dëshirat e të gjithëve. Dëshiroj që secili të ketë më shumë mundësi për të përmirësuar jetën e vet e të familjes dhe të udhëhiqemi nga fryma e solidaritetit për të përmirësuar edhe jetët e të tjerëve. Nata e Vitit të Ri është çasti kur të gjithë kemi mundësi të reflektojmë se edhe pse nuk kemi mundësi të ndryshojmë vitin që lamë pas, mund dhe duhet të punojmë për të ndryshuar vitin dhe vitet që vijnë. Dritë në shpirtin tuaj, dashuri në zemrat tuaja, lumturi në jetët tuaja! Me besimin se ditët më të mira i kemi të gjithë përpara: Gëzuar!”, shkruan Nikolla.

Ora 11:22
Operacionet e SPAK, pandemia e zgjedhjet e 25 prillit, Yuri Kim bën rezyme të ngjarjeve që shënjuan 2021 dhe uron Vitin e Ri

 

Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim ka uruar për Vitin e Ri duke bërë një rezyme të ngjarjeve më të rëndësishme në Shqipëri gjatë 2021.

Me një video të postuar në Facebook, Kim thotë se përtej sfidave, SHBA dhe Shqipëria festuan 30 vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike dhe bënë përparim historik drejt forcimit të demokracisë. Ajo konfirmon edhe njëherë mbështetjen e SHBA për Shqipërinë.

 “Të dashur miq, është e vështirë të besosh se vitit 2021 tashmë po i vjen fundi. Ishte padyshim një vit sfidash të jashtëzakonshme, ndërsa bota vazhdoi të përballej me pandeminë e COVID-19 dhe teksa Shqipëria vijoi rimëkëmbjen pas tërmetit të 2019-ës dhe u përball me përmbytjet dhe zjarret e këtij viti. Pavarësisht këtyre dhe sfidave të tjera, Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria, jo vetëm festuan 30 vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike, por dhe bëmë përparim historik drejt forcimit të demokracisë. Me krenari ju mbështetëm teksa ecët përpara në zbatimin e reformës në drejtësi, Gjykata Kushtetuese, pas tre vitesh përgjumjeje, filloi të funksionojë në fillim të këtij viti, duke iu bashkuar elementëve të tjerë të drejtësisë shqiptare, përfshirë SPAK dhe BKH. Falë përkushtimit të tyre, kemi filluar të shohim rezultate reale dhe pozitive në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe pandëshkueshmërisë. Reforma në drejtësi nuk ka qenë e shpejtë apo e përsosur, por ajo ecën përpara duke sjellë më afër vendit që ju takon pranë Bashkimit Europian dhe SHBA-së. Qytetarët gjatë këtij viti ushtruan të drejtën demokratike për të votuar. Pas zgjedhjeve, OSBE-ODIHR hartoi një raport ku vuri në dukje mangësi dhe parregullsi, dhe ne mirëpresim që t'ju mbështesim në përpjekjet për tu përgjigjur rekomandimeve të ODIHR. Në emër të Ambasadës së SHBA, ju falënderojmë për vitin e mrekullueshëm që lamë pas së bashku dhe ju dërgojmë urimet më të mira për vitin që po vjen! Gëzuar Vitin e Ri”, thekson ambasadorja Kim.

 

Ora 10:14
Festat e fundvitit, Ministri i Mbrojtjes uron efektivët në misione jashtë vendit: Rritje page 30% për çdo pjesëtar të FA në vitin 2022

Me rastin e festave të fundvitit, Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi uroi përmes një bisede virtuale përfaqësuesit e Forcave të Armatosura që shërbejnë në misionet ushtarake në kuadër të NATO-s jashtë vendit.

Duke i cilësuar ambasadorë të Shqipërisë, Peleshi vlerësoi kontributin e të gjithë efektivëve në këto kohë të vështira pandemie.

“Ky vit që po lëmë pas ishte një vit i suksesshëm për Forcat e Armatosura, për sigurinë dhe mbrojtjen tonë, integritetin tonë kombëtar, për pozicionin dhe rolin strategjik që ky vit e forcoi akoma më tepër përmes stërvitjes “Defender 2021”, një stërvitje e përmasave të pakrahasueshme me çdo stërvitje tjetër që ka ndodhur. Ne ishim një vend pritës. Do të jemi vazhdimisht vend pritës për çdo stërvitje “DEFENDER”, të paktën çdo dy vite që ato do të zhvillohen në rajonin tonë. Kjo stërvitje na krijoi mundësinë për të ndërverpuar në një shkallë të gjerë, por edhe për të krijuar një vetëdije shumë të fortë se sa strategjik dhe sa i rëndësishëm është roli jonë në rajon’, theksoi ministri Peleshi.

Sipas Ministrit të Mbrojtjes, viti që vjen do të sjellë një lartësim të figurës së ushtarakut të FA, përmes rritjes së shpërblimit të miratuar nga qeveria.

“Ne kemi miratuar në qeveri një shpërblim prej 30%, një rritje të sheshtë, që do të thotë nga ushtari i parë e deri te gjenerali do të ketë një rritje 30% të pagës, gjë që na jep më shumë motivim dhe syrin e hapur për të rekrutuar më shumë dhe më mirë. Jemi në një fushatë rekrutimesh në të gjithë Shqipërinë tani. Këtë vit po përpiqemi ta bëjmë më rinore. Do ta vazhdojmë në qendrat e qyteteve. Ftojmë të rinjtë të bisedojnë me ne, ta njohin më afër ushtrinë, të kuptojnë më mirë rolin e FA, cilat janë mundësitë e jashtëzakonshme që FA si asnjë strukturë tjetër u jep", tha Peleshi.

Teksa garantoi vijimin e rolit aktiv të Shqipërisë në të gjitha misionet jashtë vendit, Ministri i Mbrojtjes tha se aktualisht Shqipëria ka një buxhet 30% më të lartë, në masën 1.75 % të PBB, për ta rritur atë në masën 2% në vitin 2024, sipas përcaktimeve të NATO-s.

Ora 10:08
Dubai spektakël fishekzjarresh për marinën e Durrësit

Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur t’i urojë shqiptarët për Vitin e Ri me një njoftim për spektakël fishekzjarrësh që do të organizohet nga Dubai për marinën e Durrësit.

Sipas Ramës, spektakli do të shfaqet në ndërtesën më të madhe në Dubai “Burj Khalifa”.

“Orën e këmbimit të viteve, mund të shijoni spektaklin e fizhekzjarreve nga "Burj Khalifa" tek "Vollga", si dhuratë e Marinës së Dubait për durrsakët mikpritës të Marinës së Durrësit”, shkruan Rama.

Organizimi pritet të bëhet nga kompania arabe që do të ndërtojë portin turistik në Durrës.

/B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Bona: 01/01/2022 06:33

    Sa pa teklif genjen Kryeministri yne. Me falni thote per ca pune qe nuk kam bere??? Mbase do qe me mire te kerkonte faljr qe tjeter pune ka premtuar neper fushate dhe tjeter ben. Por sidomos qe nuk punon fare si kryetar qeverie por si kapobande sa nenkafe e neper restorante here gazetar dhe here gastor here fotoreporter dhe here peshkatar. Nje karagjoz model simbol i krimit modern te organizuar.

    Përgjigju
    • Loni: 01/01/2022 09:05

      Bona nuk behen dot te gjitha ky do me I bo te gjitha...

  • Bujari: 01/01/2022 02:25

    Per c'fare URONI JU O TE mallkuar,,,si nuk keni turp qe URONI popullin kur e keni vjedhur dhe vrare ne menyren me te lige,,helm e ilace I befshit leket qe I keni vjedhur popullit..u mallkofshi ne shtate breza... rrace e poshter,GJOJA politikane....

    Përgjigju
    • Ben: 01/01/2022 13:22

      Te lumte goja mor trim!

  • UKU MOMLIT: 01/01/2022 01:39

    Hajde gallate hajde. O shqiptare degjoni e mban vesh:presidenti dhe kryeministri,dy individe dhe institucione te superkorruptuara tallin mender ate qe nuk thuhet duke na bere moral e kerkuar ndjese.....

    Përgjigju
  • O tej: 01/01/2022 00:14

    Like floriri familje vampiresh ju shofte fara.

    Përgjigju
  • Kasem Gahinji: 31/12/2021 20:31

    Urim nga ty likeflori president nuk i dua,aq me teper me thirrjen "mos u nenshtroni".Ta kesh te qarte,nuk i nenshtrohemi krimit,korrupsionit ,vjedhesve ,sidomos politikaneve me keto cilesi,ose thene ndryshe atyre qe i kane hyre politikes per te vjedhur e shkaterruar.Mos i gezofshi familiarisht parate dhe pasurite tuaja te vena me pune te felliqura.2022 iu cofte te" 7 penxheret"

    Përgjigju
  • KARABUSH KASAP Rexhep Bule leka [ kepi ]: 31/12/2021 19:39

    Normal sot në ktë dit të bekuar nga ZOTI duhet për gjith njerzimin të urohet begati, paqe , e mirkuptim. Po ti mor Ilir Meta ke shum gjynahe, shum vjedhje e shum gjëra të kqia që ke bër. Megjithatë RROFT SHQIPRIA E SHQIPTARË KUDO QË NDODHEN NË GJITH BOTËN. ZOTI E BEKOFT SHQIPRIN MARTIRE E TË SHUM VUAJTUR.

    Përgjigju
  • Viti ri: 31/12/2021 14:32

    Gezuar z.Nikolla, po une po pres nje dite te mire te punesohem,por vjen,jeni gati te rri goca jote ne shtepi pa pune e te punesohem une ne vend te saj ne banke. Prinderit e mi jane punetore nuk i pranon njeri te kerkojne pune per mua ne banke. Edhe une jam e kualifikuar,mbase njesoj si jot bije.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Dita Kombëtare e Diasporës/ Ministri Balla: Duhet t'i garantojmë çdo fëmije me prindër shqiptarë që të mësojë shqipen

Dita Kombëtare e Diasporës/ Ministri Balla: Duhet t'i garantojmë çdo fëmije me prindër shqiptarë që të mësojë shqipen