Sot nën një ‘çati’/ 24 akuzat e llahtarshme që shkëmbyen Berisha-Meta, trafik fëmijësh, femrash dhe droge, vrasje, zhdukje njerëzish dhe sulme ndaj SHBA-ve

Sot nën një ‘çati’/ 24 akuzat e llahtarshme që shkëmbyen Berisha-Meta, trafik fëmijësh, femrash dhe droge, vrasje, zhdukje njerëzish dhe sulme ndaj SHBA-ve

Trafik droge, trafikim të vajzave të mitura, vrasje, zhdukje njerëzisht, pastrim parash, vjedhje të thesarit të shtetit, vjedhje votash, vrasje masive, flirt me Millosheviçin etj. Këto janë vetëm disa nga saga e akuzave të llahtarshme që kanë shkëmbyer gjatë viteve Sali Berisha dhe Ilir Meta, sot të bashkuar në një çati politike, për të rrëzuar Lulzim Bashën dhe për të sfiduar shtetet e Bashkuara të Amerikës. Report Tv sjell në vëmendje disa nga akuzat e rënda të Sali Berishës ndaj Ilir Metës dhe anasjelltas, akuza të cila komprometojnë rëndë koalicionin ‘Shtëpia e Lirisë’.

Teksa sot janë bashkuar në një front kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Ilir Meta, në 24 korrik të vitit 2008, akuzonte Berishën për sulm ndaj amerikanëve, për të mjegulluar përgjegjësinë e tij në Gërdec, ku humbën jetën 27 persona. Meta e ka akuzuar Berishën se ishte kundër bombardimit të Serbisë nga NATO, për shantazh ndaj drejtësisë, për korrupsion, përvetësim të pronave publike, për piramidat e ’96 etj. Në 5 mars të vitit 2015, Meta pretendoi se kishte edhe një video komprometuese për Shkëlzen Berishën, me të cilën shantazhi dhe i mbylli gojën Sali Berishës.

Nga ana tjetër, Berisha e ka akuzuar Ilir Metën për trafikim fëmijësh, trafik vajzash të mitura dhe droge, për vrasje, për vjedhjen e thesarit të shtetit, pastrim parash, për implikim në skandalin CEZ-etj. Në gusht të vitit 2001 si dhe në mars të vitit 2015, janë dy momentet që Sali Berisha ka artikuluar akuzat të më të rënda ndaj Ilir Metës. ‘Gëlltitja’ e akuzave kaq të përbindshme, duke u bashkuar në një koalicion, tregon se për hallin e madh politik të Sali Berishës dhe Ilir Metës, i pari i shpallur non grata nga SHBA, ndërsa i dyti, sipas Lulzim Bashës, është kandidat potencial për non grata.

Akuzat e Berishës ndaj Metës

Shtator 2015, Berisha: Meta i implikuar në çështjen CEZ

“Një dëshmi tjetër vjen nga ish administratori i CEZ se Ilir Meta si Ministër i Jashtëm e ka takuar në Pragë dhe ka negociuar me Hajsek për Kastriot Ismailajn, duke shfrytëzuar kështu postin zyrtar dhe mashtruar për interesin e xhepit të tij. Deklaroj këtu me përgjegjësi të plotë se Ilir Meta si Ministër i Jashtëm nuk ka pasur tagër për të negociuar me CEZ për asnjë lloj problemi. I bëj thirrje Prokurorit të Përgjithshëm të nise hetimin e menjëhershëm për Ilir Metën për këtë aferë korrupsioni ndërkombëtar. Ju bëj thirrje qytetarëve shqiptarë të mos pajtohen kurrë me qëndrimin e oligarkëve Rama-Meta që duan me imunitet të bllokojnë drejtësinë”.

(Mars 2015) Berisha: Meta i akuzuar për vrasjen e dy deputetëve

“Të protestojmë kundër Ilir Metës, të akuzuarit me zë dhe figurë si porositës i vrasjes së dy deputetëve dhe që nuk jep dorëheqjen për t'i hapur rrugën hetimit. Pasnesër në ora 11:00 të gjithë në sheshin "Skënderbej" nën moton: të hedhim, të hedhim murin e krimit! T'i hedhim, t'i hedhim qelbësirat!".

(Mars 2015) Berisha: Meta kokë e qelbur

"Mund të flasësh gjithë ditën për krimin dhe lidhjet tuaja me krimin. Je kokë e qelbur! Ajo kokë e qelbur që qëndron në krye të parlamentit, po kundërmon sot jo vetëm në Shqipëri, por në Evropë dhe në botë. Kjo alibi që kërkon, është e turpshme. Dorëheqjen e parë e dhe për bllokun e Monikës! Tani jep dorëheqjen e dytë! Për 700 mijë euro dhe dorëheqjen herën e parë”.

(Mars 2015) Berisha: Meta lidhje me krimin

“Pa diskutim që lidhjet e krimit i konsideron forcën tënde, por unë edhe një herë të them: “Jep dorëheqjen!”. Jepi mundësi drejtësisë të të hetojë! Të pranosh me gjakftohtësi konkluzionet e saj. Mos ndëshko rendin! Ajo kokë e qelbur që qëndron në krye të parlamentit, po kundërmon sot jo vetëm në Shqipëri, por në Europë dhe në botë. Mos mendo ti se do ta kalosh këtë gjë që i bëre vendit duke e shitur Tom Doshin nga një parti te një tjetër. Mos mendo ti se do ta kalosh këtë që i bërë vendit duke kaluar nga një alibi në një tjetër. Mos mendo ti se do ta kalosh këtë gjë, duke i zëvendësuar prokurorinë dhe gjykatat e vendit me Saimir Shullazin. Je gabim! Po merr mbi vete përgjegjësi gjithnjë e më të tmerrshme”.

(Gusht 2001) Berisha: Mbi Metën rëndojnë dy varre 

“Mbi Ilir Metën dhe bashkëshorten e tij, rëndojnë dy varre dhe dy krime të fshehura pas Malit të Dajtit. Nuk do të jetë e largët dita kur Ilir Meta do ta mbylli jetën e tij pas hekurave të burgjeve.

(Gusht 2001) Akuza për trafik femrash

“Për PD-në, Ilir Meta është njeriu që përfaqëson klanin më të rrezikshëm të trafiqeve në Shqipëri, të trafikut të drogës, të trafikut të fëmijëve dhe të trafikut të vajzave të mitura. Në historinë e vendit ky mbeti njeriu që me bandat e tij ngjiti Shqipërinë në krye të listës së vendeve të planetit në trafiqet e skllevërve të seksit, të fëmijëve, të drogës dhe të armëve. Ai është vrasësi dhe terroristi i opozitës, është njeriu që urdhëroi hedhjen e granatave mbi gjimnazistët në Tropojë.. Meta përfaqëson vrasësin e vërtetë të fjalës së lirë, është simbol i injorancës njerëzore, i tmerrit nga fjala e lirë”.

(Maj 2000) Pastrim parash

“Ju nuk e dini. Ka ndodhur e njëjta gjë si me floririn. Dhimitraq Rafti ka kthyer paratë nga Banka e Pireut të Greqisë dhe “lavatriçja Meta” ia ka pranuar ato, pasi i ka marrë nja 200 mijë. A doni dokumente të tjera?”.

(Korrik 2000) Bëmat e Metes

“As me 30 ditë nuk përshkruhen bëmat dhe gjëmat tuaja. Unë detyrohem tani të ftoj shtypin që të bëj konferencë shtypi jashtë”.

(Korrik 2000) Vjedhja e thesarit të shtetit 

“Ai e mori si çdo qeveri tjetër pasurinë për të vazhduar luftën, kurse ju vodhët thesarin, jo në vitin 1941, jo më 1939, por vodhët thesarin më 1999. Në dhjetor të vitit 1999 ju festuat Vitin e Ri duke u vjedhur thesarin shqiptarëve. Është e thjeshtë t’u thuash shqiptarëve se Leka Zogu mori thesarin, po edhe qeveria juaj e mori thesarin, dhe e mori atë më 28.12.1999, dhe e mori atë të tërin nga data 28 dhjetor deri në datën 22 prill”.

(Shtator, 2000)

“Ti Ilir Meta, do të më falni për shprehjen, që të kapin banditët në mal të Dajtit pa pantallona, ti Ilir Meta, që më 14 Shtator mbushe poturet, ti Ilir Meta, që herë flet si pulë, kurse gjetiu tund vithet si gjel mbi pe. Ti je ai që do të thuash më 2 Tetor, “mbathja Fatos se prapa të vjen Meta”.

(Nëntor 2000) Vjedhje votash

“Dënoj si autorë kryesor të kësaj masakre Kryeministrin terrorist Ilir Meta i cili dhunoi votën e gjysmë milioni shqiptarëve, feston ditën e flamurit me gjakun e adoleshentëve të Tropojës”.

(Dhjetor 1999) Akuzat për korrupsion

“Jeni vendosur në çatinë e botës për sa i përket korrupsionit. Unë nuk i besoj Dritëro Agollit kur thotë të gjithë jemi të përlyer, jam i bindur që në këtë grup parlamentar dhe kudo ka shumë të papërlyer dhe këtu...”.

Akuzat e Metës ndaj Berishës

(5 mars 2015) Meta: Do nxjerr videon e Shkëlzenit

“Përgjigja ime, doktor, është kjo: për ty bëj çdo sakrificë, por për Shkëlzen Berishën e kam dhënë dorëheqjen një herë. Nuk e jap dy herë dorëheqjen për Shkëlzen Berishën! Ta sqaroj edhe më shumë: mos u bëj pjesë e puçit të pularisë, me Tom Doshin dhe Dritan priftin si aksionerë! Po them këtë në mënyrën më miqësore. Për ty bëj çdo gjë, por jo për Zenin. Se të kërcënon ty Dritani me videot e Zenit, bashkë me Tomën, kjo është çështje tjetër, nuk është çështja ime, të lutem shumë! Herën e parë, dorëheqjen e dhashë prej Shkëlzenit, se ai ishte në videon e Dritan Priftit, dhe ti e di shumë mirë, dhe më the: “Shiko çfarë ka bërë ky budallai”. Ashtu më the! Më thoshe: “Ça t’i bëj këtij budallait se më turpëroi!” Vazhdo ende me mendtë e Shkëlzenit! Vazhdo, se unë nuk kam çfarë të bëj për ty.  Jo, jo, derisa i ke ti, do t’i nxjerrësh ti. Unë do të nxjerr ato....”.

(19 mars 2008) Meta: Berisha kryefajtori për Gërdecin

“Për asnjë minutë nuk kemi ofruar solidaritet për kryefajtorin, që pacipësisht vazhdon të qëndrojë Kryeministër i këtij vendi. Nuk e kemi e ngritur gishtin ndaj tij që ditën e parë, sepse vëmendja e parë ishte ndaj njerëzve në fatkeqësi dhe te menaxhimi sa më mirë i kësaj tragjedie, por vetëpërmbajtja u keqpërdor nga kryefajtori për të minimizuar tragjedinë dhe për të fshehur të vërtetat. Dëgjojmë edhe alibira nga më të ndryshmet, si ato që agjenturat e huaja gjithmonë përpara ngjarjeve të mëdha na krijojnë dhe na shkaktojnë fatkeqësi të tilla. Natyrisht, u mbetet organeve kompetente për t’i verifikuar. Por, unë kam frikë që agjenturat i kemi në krye të Qeverisë, sepse unë jam i bindur që një Kryeministër si Berisha, i cili di edhe për një pastruese që është në opozitë me Partinë Demokratike në një institucion apo drejtori dhe e largon nga puna, si të mos e dinte që kishte një fabrikë të tillë çmontimi predhash dhe armësh në mes të metropolit Tiranë-Durrës”.

(Mars 2008) Meta: Berisha ndikon mbi prokurorinë

“Unë dua t’i kërkoj atij të japë dorëheqjen, jo vetëm që të lejojë prokurorinë për të hetuar në mënyrë të paanshme, sepse edhe ai vetë si Kryeministër është dhe duhet të jetë objekt i këtij hetimi. Askush nuk mund t’i mbushë mendjen askujt se prokurorja nuk do të jetë e ndikuar nga fakti që ai vazhdon të jetë Kryeministër i këtij vendi. Edhe në planin moral, ai është jo vetëm baba, por…Jo thjesht për arsyet ligjore, por edhe nga ana morale, sepse do s’do ai, natyrisht, ai nuk e ka me dëshirë, po është identifikuar si një njeri, i cili sjell tragjedi. Ky njeri sa herë del në televizor, të dashur deputetë, do t’ua shtojë dhimbjen atyre, të cilët kanë përjetuar atë tmerr nga afër dhe jo nga televizori. Le ta bëjë edhe për kaq, sepse ai në profesion ka qenë edhe mjek”.

(Mars 2008) Meta: Berisha ishte kundër bombardimit të Serbisë nga NATO

“Po kështu, ky ka hall që Shqipëria të hyjë në NATO. Po ç’i duhet NATO-s Sali Berisha që nuk mbron dot si Kryeministër shtetasit e vet, popullin e vet, fëmijët e vendit të vet?! Nuk i duhet fare NATO Sali Berishës, sepse ka qenë edhe kundër bombardimeve të NATO-s në Kosovë, se nuk e dini”.

(2 qershor 2008) Meta: Berisha shantazh presidentit

“Dua të dënoj përpjekjet e Kryeministrit Berisha gjatë ditës së sotme, i cili, në mënyrë të drejtpërdrejtë, i kujton Presidentit Topi, se, para se të kryejë funksionet e tij kushtetuese, duhet të konsultohet me kryetarin e partisë ku ai bënte pjesë më parë. Mendoj se mesazhe të tilla nuk janë gjë tjetër veçse përpjekje për të konsoliduar një shtet partiak, përpjekje, të cilat u institucionalizuan më 21 prill, këtu në Parlament, me ndryshimet që u bënë edhe për nenin e zgjedhjes së Presidentit. Me këtë rast dua t’i kërkoj Presidentit të Republikës që të mos tërhiqet para presioneve dhe shantazheve të tilla...”.

(24 korrik 2008) Meta: Berisha sulmon amerikanët, i tmerruar nga Gërdeci

“E ka tmerr të krijojë një komision hetimor parlamentar për Gërdecin, kjo është akuza më e madhe për këtë Parlament, kur në SHBA është ngritur komision hetimor për këtë çështje. Asnjë amerikan nuk është vrarë, ndërsa neve na janë vrarë 30 njerëz, dhe këtu ende bllokohet, jashtë të gjitha procedurave, një kërkesë, që është bërë dhe është firmosur nga deputetët për të hetuar tregtinë e municioneve. Jo vetëm kaq, por na keni kthyer në ’97-ën. Në ‘97-ën u kthye edhe Berisha me atë fjalor që përdori ndaj deputetit dhe të gjithëve. Por, edhe Parlamenti ynë u kthye në ’97-ën, kur i sulmon amerikanët duke i nxjerrë ata dhe evropianët nga lozha”.

(Korrik 2008) Meta: Trebicka dëshmoi aferën e Gërdecit ku përmendej Berisha

“Kryeministri aktual edhe një herë dëshmoi dyfytyrësinë e tij. Të tjera fjalë dëgjuam nga Kryeministri ynë për të ndjerin Kosta Trebicka, kur ishte gjallë, pasi ai me kurajë denoncoi aferat e Gërdecit, ku përmendej edhe Kryeministri ynë dhe të afërm të tij, dhe të tjera fjalë (pra, sot u cilësua qytetar i përgjegjshëm dhe jo mafioz) dëgjojmë pas vdekjes së të ndjerit. Unë nuk jam këtu për të bërë lidhje midis spotit publicitar që ka dalë nga ana e Kryeministrit, i cili do t’u mbushë mendjen të gjithë shqiptarëve sesa shumë është luftuar korrupsioni dhe, njëkohësisht, i fton të gjithë që denoncimet t’i bëjnë te Kryeministri dhe jo te prokuroria dhe faktit tjetër që qytetari më kurajoz, që dëshmoi kundër korrupsionit, humbi jetën, pasi nuk dua të marr përsipër atributet e prokurorisë dhe të ekspertëve vendas e ndërkombëtarë, por e them me bindje që opinioni publik është tronditur në mënyrë të jashtëzakonshme nga një humbje e tillë, qoftë ajo edhe aksidentale”.

(Korrik 2008) Meta: Berisha përpjekje për të kapur gjykatat

“Shteti ynë, tashmë është i kapur kokë e këmbë nga Sali Berisha, për fat të keq, Kryeministri i këtij vendi. Kjo kapje u institucionalizua në datën 21 prill, këtu në Parlament, ku u tronditën themelet e Kushtetutës dhe në Shqipëri u ndryshuan raportet e pushteteve në mënyrë ilegjitime dhe antidemokratike. Kjo vazhdoi më tej me përpjekjen për të kapur Gjykatën e Lartë, me përpjekjen për të miratuar një rregullore kundër Kushtetutës, për të kontrolluar kompetencat e Presidentit. Kjo po vazhdon me presionin dhe trysninë e jashtëzakonshme që ushtrohet ndaj Prokurorisë, përmes një projektligji që ka hapur kaq shumë debate, si në Qeveri, ashtu edhe Parlament, ende pa ardhur në rendin e ditës”.

(Nëntor 2008) Berisha: Keqpërdor fondet publike për interesat personale

“Berisha vazhdon të keqpërdorë fondet publike për interesat e tij personale dhe politike... Berisha i ka gënjeshtrat të panumërta dhe për këtë është vërtet një kampion... Ky Kryeministër, në fakt, është kampion, sepse nuk rri dot në fund të mandateve të tij pa shkaktuar dy kriza të mëdha njëherësh, krizën financiare, si në vitin ’96, dhe krizën e zgjedhjeve”.

(13 korrik 2000) Meta: Vjehrri Berishës me pallat

“Ndërsa z. Berisha mund të na botojë pallatin e vjehrrit të tij, që e ka bërë gjatë kohës kur ai ishte president, për transparencë me opinionin publik. Për sa u përket akuzave që do të botojë zoti Berisha çdo ditë për mua, për gruan time, për vajzën time, për gjithçka që ka të bëjë me mua, unë jam tepër i qetë”.

(13 korrik 2000) Meta: Berisha projektoi piramidat

“Z. Berisha përfundimisht është një politikan i degraduar, një politikan që nuk dëshiron ta shohë realitetin në sy, një politikan që kujton se jemi ende në vitin ’95 dhe në vitin ’96, që kujton se me teorinë “shpif, shpif se diçka do të mbetet” mund të mbetet diçka në mendjen e qytetarëve... Unë dëshiroj t’i them z. Berisha dhe të gjithë atyre që folën për kontrabandën se në 6 muaj të këtij viti kjo qeveri ka realizuar të ardhura nga dogana aq sa ka realizuar zoti Berisha për katër 6-mujorë të viteve 1993, 1994, 1995, 1996 ose nga nëntori deri në mars, për 5 muaj, janë realizuar më shumë të ardhura nga doganat sesa janë realizuar në vitin ’96, që ka qenë viti i kulmit dhe njëkohësisht edhe i fillimit të rënies së qeverisjes të zotit Berisha për shkak të piramidave që ai projektoi”.

(Korrik 2000) Meta: Berisha privatizoi pronat publike me njerëzit e SHIK-ut

“Të gjithë e dimë se si i bënte z. Berisha privatizimet me bordet nëpër rrethe, ku fuste kryetarët e SHIK-ut të Gazidedes e me radhë dhe talleshin me pronat publike. Të gjithë e dimë se çfarë bëri z. Berisha me fabrikën e çimentos në Fushë-Krujë bashkë me një Sulë Gurgurin, madje shtyu Sulë Gurgurin dhe ca të tjerë që të hapnin gjyq, me pretendimin gjoja për pronësinë ndaj fabrikës, dy ditë para tenderit të hapur ndërkombëtar për këtë fabrikë, me qëllim që të trembte e të largonte disa firma pjesëmarrëse etj., etj”.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 08/02/2022 03:25

    W.C dhe BIDEJA!!!

    Përgjigju
  • UKU MOMLIT: 07/02/2022 20:50

    Trari i vetem i "shtepise se lirise" qe e mban ne kembe kete grehine eshte kryerilindasi kryeminister.

    Përgjigju
  • O tej: 07/02/2022 18:34

    Dy shkerdhatat e Kombit Meta-Berisha.

    Përgjigju
  • BENI: 07/02/2022 18:32

    KETA DY HALETE E KOMBIT META E BERISHA DUHEN VARUR ,,,VETEM KESHTU SHPETON POPULLI NGA KETA HAJDUTE,,.....

    Përgjigju
  • Usa soak: 07/02/2022 17:44

    Njerezit me te peshtire te kombit shqiptar, pse jo non grata edhe ne shqiperi dhe kosove keta dy kalldauk

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë