Sot projektligji "Për Amnistinë"
në Kuvend, jashtë vijojnë protestat

Sot projektligji "Për Amnistinë"<br />në Kuvend, jashtë vijojnë protestat
PRISHTINË - Një grup qytetarësh kanë nisur mbrëmjen e së mërkurës të protestojnë para Kuvendit të Kosovës kundër projektligjit për amnisti, i propozuar nga qeveria e Kosovës. Protesta ka vijuar e qetë edhe sot paradite përpara Kuvendit të Kosovës, në shenjë kundërshtimi të projektligjit, i cili pritet të miratohet sot nga ligjvënësit. Raportohet për disa qindra pjesëmarrës, të cilët kundërshtimin e tyre ndaj këtij ligji po e manifestojnë në kohën derisa në sallën e Kuvendit ka filluar seanca e thirrur për miratimin e tij.
Në fjalën e tij, zv/kryeministri Hajredin Kuçi u shpreh se "më mbeti merak, që si nuk e kemi mbyllur kapitullin e luftës pas lufte. S’kemi mëshirë për askënd. Me këtë kemi menduar të tregojmë humanitet me të gjithë qytetarët tanë?! Po të më pyesni mua do të bëja edhe 10 për qind amnisti për të gjithë të dënuarit”. Ndërkohë që Kuvendi ka ndërprerë debatin mbi projektligji për pushimin e drekës, grupi parlamentar i PDK-së, ai i LDK-së, i AAK-së dhe ai i AKR-së janë deklaruar pro miratimit të ligjit.

ORA 12:21 - NË PRITJE TË LIGJIT PËR AMNISTINË
Në mbledhjen e sotme të Kuvendit të Kosovës, debatet më të ashpra u zhvilluan rreth Ligjit për caktimin kufijve komunalë. Në debatin në vijim u tha se caktimi i kufijve komunalë tani është i dëmshëm pas caktimit të datës së zgjedhjeve lokale nga presidentja e vendit Atifete Jahjaga  për 3 nëntor.

Por kahu i debatit u ndryshua krejtësisht kur para foltores së Kuvendit doli kryeministri Thaçi i cili tha se bëhet fjalë për marrjen vendimit për themelimin e dy komunave të reja në Rogovë, në Gjonaj e më pas edhe në Kodër të Trimave.

Kundër propozimit të kryeministrit u ngri kryetari Grupit parlamentar të LDK –së Ismet Beqiri i cili i tha kryeministrit Thaçi se ju mund të vendosni për formim komunash në Burojë e Komoran e Tophane, por në këtë votim nuk do të marrë pjesë LDK-ja.

Pas këtij insistimi Projekt ligji për formimin e komunave të reja, me propozim të Hashim Thaçit u tërhoq. Seanca po vazhdon punimet për miratimin e Ligjit për Amnisti.

ORA 11:12 - VIJON E QETË PROTESTA KUNDËR LIGJIT PËR AMNISTINË
Siç bën të ditur gazeta "Koha Ditore" në Kosovë, po vazhdon e qetë protesta para Kuvendit të Kosovës, në shenjë kundërshtimi të projektligjit "Për Amnistinë", i cili pritet të miratohet sot nga ligjvënësit. Raportohet për disa qindra pjesëmarrës, të cilët kundërshtimin e tyre ndaj këtij ligji po e manifestojnë në kohën derisa në sallën e Kuvendit ka filluar seanca e thirrur për miratimin e tij.

Për ta kundërshtuar Ligjin për amnisti, shoqëria civile ka mbajtur protestë para dyerve Kuvendit të Kosovës.  Shpend Kursani nga grupi i qytetarëve të organizuar ka thënë se ata po protestojnë për ta kundërshtuar Projektligjin, me të cilin parashihet të falen rreth 100 kategori  të ndryshme të veprave penale, transmeton KTV.  

Ai ka theksuar se numri i vogël i qytetarëve nuk pasqyron kundërshtinë e madhe ndaj këtij ligji. Ai ka thënë se gjendja e rëndë ekonomike ka bërë që qytetarët të mos dalin në numër të madh për të protestuar. Ndërsa  Rron Gjinovci ka thënë se nuk është turp për të protestuar,  por se turpi janë vetë deputetët, duke i  quajtur kriminelë deputetët e Kuvendit  të Kosovës.

Kundër këtij Projektligji kanë dalë edhe Instituti Demokratik i Kosovës,  Lëvizja Fol, Instituti KIPRED, Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), Instituti i Drejtësisë së Kosovës si dhe Forumi për Iniciativa Qytetare.

Përfaqësues të tyre shprehen  të brengosura  rreth përmbajtjes dhe mënyrës së procedimit të Projektligjit për amnisti. “Projektligji për amnisti është i paprecedent. Ai liron nga përgjegjësia kryesit e më shumë se 70 veprave penale në raste, kohë dhe rrethana të ndryshme”, vlerësojnë  këto organizata joqeveritare.

ORA 21:30 - GDHIHEN NË SHESH KUNDËR LIGJIT "PËR AMNISTINË"
Një grup qytetarësh kanë nisur mbrëmjen e së mërkurës të protestojnë para Kuvendit të Kosovës kundër projektligjit për amnisti, i propozuar nga qeveria e Kosovës. Siç bëjnë të ditur mediat në Kosovë, protesta ka nisur fillimisht nëpërmjet rrjetit social “Facebook”.

Rreth orës 21:30, numri i atyre që i janë bashkangjitur protestës rezulton të jetë afro 50 persona, shumica prej të cilëve kanë shfaqur gatishmërinë, që të qëndrojnë gjithë natën para Kuvendit të Kosovës, për, siç kanë thënë ata, sensibilizimin e opinionit kundër parimeve, që përmban Ligji i Amnistisë.

“Nuk do të tërhiqem nga këtu deri sa institucionet e Kosovës të tërheqin nga miratimi i ligjit “Për amnistinë”, i cili i fal të korruptuarit, të inkriminuarit në vepra penale” ka thënë Fisnik Ismajli, ish-ideatori i obeliskut “Newborn” i cili njëherazi është edhe anëtar i lëvizjes ‘Vetëvendosje’.

“I kam ftuar njerëzit që të dalin. Të gjithë kemi mllef me këtë Projektligj dhe mllefin duhet ta shfaqim këtu dhe jo nëpër kafiteri”, është shprehur Ismajli. Ky i fundit rezulton të jetë edhe njeri ndër organizatorët e kësaj proteste.

Ai ka shkruar në Facebook: “Sonte kam me fjetë qetu, sepse po due me protestue jo vetëm kundër miratimit të Projektligjit për Amnisti (falje) të kriminelëve, por kundër po të njajtëve kriminelë, që ma shkatërruan vendin që 14 vjet edhe tash po mundohen edhe nji herë me e shpëtue veç ….. e tyne, prapë në kurriz të qytetarit”.
 
Ngjashëm ka folur edhe Igballe Maqastena, e cila ka vendosur t’i bashkëngjitet kësaj proteste. “Me ketë projektligj po barazohen të ndershmit dhe të pandershmit", tha ajo. 

Pjesëtari i shoqërisë civile, Shpend Kursani tha me këtë propozim parashihet të falen rreth 100 kategori të ndryshme të veprave kriminale dhe se kjo që i përshtatet qeverisë.  “Nëse ne arrijmë të mblidhemi në numër sa më të madh nesër, mund t’ia arrijmë që të ndalim dëme shumë të mëdha, që mund të dalin prej këtij ligji”, tha ai.

Rron Gjinovci tha se ky projektligj ka kaluar pa asnjë dëgjim publik dhe diskutim me shoqërinë civile, duke shtuar pastaj se “rruga është forma më demokratike për të shprehur pakënaqësitë qytetare”.

“Ata (qeveritarët) duan të amnistojnë jo vetëm veriun, por edhe Xhabir Zharkun, djemtë e Adem Grabovcit, Bajrush Xhemajlin dhe shumicën e qeveritarëve të korruptuar”.

Protesta qytetare do të mbahet sot në orën 10:00 para Kuvendit të Kosovës.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Balla mbërrin në Shëngjin: Zjarrvënia nuk është e qëllimshme! Shpreh shqetësim për zonën pranë kishës

Balla mbërrin në Shëngjin: Zjarrvënia nuk është e qëllimshme! Shpreh shqetësim për zonën pranë kishës