TIRANË- Me të njëjtën strategji, pa strategji dhe me kaos si në protestat e kaluara, por më të dhunshëm dhe dukshëm me më pak pjesëmarrje, nisi e bitisi edhe episodi i radhës së ‘kilometrit të fundit’ të Berishës me pretendimin për të rrëzuar qeverinë.

Pamjet ekskluzive me dron të Report Tv treguan se sa kanë firuar mbështetësit e Berishës në protestën e 10 shkurtit krahasuar me atë të 24 janarit. Si në çdo protestë, nisja e protestës kur Berisha del nga selia blu. Edhe këtë herë me në krah Flamur Nokën.

Në të njëjtën kohë me Berishën para kryeministrisë u grumbulluan edhe një grup të rinjsh, që përveçse me pankartave, ishin të maskuar me kapuça dhe maska kirurgjikale, si një grup zjarri gati për të sulmuar Kryeministrinë efekte momenti kur mbërrijnë me pankarta

Pas fjalimeve të disa prej drejtuesve të partisë, fjalën e merr vetë Berisha i cili ia kujton militantëve arsyen kryesore të tubimit.

“Për dy muaj Edi Rama u përpoq të bëjë grusht shteti për të mbrojtur Lubinë sepse mbrapa sa është vetë ai, është Edi Rama. Mirëpo faza e parë e këtij grushti shteti dështoi. Nuk e kemi fituar ende luftën. Ai paralajmëroi fazën tjetër të grushtit të shtetit, Edi Ramën ta shpallim armikun jo vetëm më të mëshirë por edhe më të rrezikshëm për shqiptarët dhe Shqipërinë. Jemi në kilometrin e fundit, por mos harrojmë që kilometri është më i vështirë. Le të hedhin gaz dhe ujë mbi ne por jemi të pandalshëm..... ”, tha Berisha.

Dhe pas kësaj fjalie sërish e njëjta ‘deja vu’, Berisha valëvit një flamur dhe drejt Kryeministrisë molotovë dhe fishekzjarrë. ‘Revolta’ e parapërgatitur para Kryeministrisë zgjati më pak se 2 minuta dhe sërish nuk i rezistoi ujit të autobotëve të policisë Efekte uji shpërndan protestuesit. Këtë herë nuk u desh përdorimi i gazit lotsjellës para godinës së qeverisë. 

Berisha ikën me makinë për të ndjekur nga selia e PD vijimin e ‘kryengritjes’ së tij, ndërsa pamje me dron ekskluzive të Report Tv tregojnë se para Kryeministrisë mbeten një numër shumë i vogël militantësh.

Minorenë dhe persona të maskuar prishin rrethimin e Kryeministrisë. Kjo situatë detyroi policinë që me megafon të bënte thirrje për largim të fëmijëve nga protesta.

Mungesa këtë herë e një direktivë nga mikrofoni për të shkuar te parlamenti, kërkoi ndërhyrjen e Gazment Bardhit për t’i marrë protestuesit e fundit nga Kryeministria.

U deshën më shumë se 30 minuta për t’u mbledhur para godinës së seancave plenare të parlamentit dhe tensioni filloi. Në rresht të parë nuk mungojnë Flamur Noka dhe Luçiano Boçi dhe Klevis Balliu.

Kur dukej se situata do të vijonte vetëm me shtyrje, pabesisht, në mënyrë të menjëhershme në mes të policëve u hodhën molotovë dhe fishekzjarrë duke rrezikuar seriozisht jetën e disa policëve.

Vetëm në këtë rast 3 prej efektivëve morën djegie të rënda në trup.  Gazi lotsjellës dhe uji i shpërndau në pak sekonda protestuesit.

Pas minutave të kaluara, të udhëhequr nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike një numër i vogël protestuesish u rikthyen sërish para Kuvendit, por këtë herë policia ujin dhe gazin e hodhi menjëherë, duke i paraprirë molotovëve të tjerë.

Një efektiv policie u transportua me barelë drejt spitalit në gjendje më të rëndë.

Gjithsej në spital përfunduan 19 policë, të ndarë te Trauma dhe në QSUT, të cilët u vizuan nga ministrja Koçiu dhe kryepolici Proda. Nga pala tjetër në spital mbërriti deputeti Bledjon Nallbati, i cili u pa në një përplasje me forcat speciale, si dhe një qytetar. Ndërsa, 20 protestues të dhunshëm u shoqëruan në polici.

Pak para orës 21:00 kur tashmë edhe protestuesit e fundit të dhunshëm ishin strehuar brenda Selisë së PD, njëjti si herën e kaluar Sali Berisha foli poshtë zyrës së tij. Me superlative për protestuesit që sipas tij “zotëruan qytetin”, paralajmëroi edhe më shumë dhunë, ndërsa ‘rrëzimi i qeverisë’ militantëve u tha se do të shtyhet me 10 ditë.

Po jemi të gatshëm, më të gatshëm se kurrë t'i japim atë që meritojnë. Me datën 20 shkurt është dita jonë, dita e fitores, të rinjve dhe gjithë protestuesve. Fitore! Fitore! Fitore!”, tha Berisha.

Pas më pak se 4 orëve të tubimit, ajo ç’ka mbeti pas rrugëve të Tiranës, molotovë të pashpërthyer fatmirësisht, shfaqen si dëshmi që pasojat në të lënduar mund të ishin edhe më të rënda efekte molotovë dhe fishekzjarrë rrugëve.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 23:25
Deputetët e PD nisen drejt komisariateve ku ndodhen protestuesit

1770751627_protestaepd10shkurt.jpg

Deputetët e Partisë Demokratike u janë drejtuar komisariateve ku ndodhen protestuesit.

Konkretisht, Flamur Noka, Oerd Bylykbashi dhe Eno Bozdo po shkojnë te komisariati nr. 1, ndërsa avokatët Eda Grimci dhe Franc Nuri gjenden atje.

Avokati Marash Logu gjendet në komisariatin nr. 2, ndërsa atje ndodhen Greta Bardeli, Luan Baci, Sajmir Korreshi, Igli Cara etj.

Në komisariatin nr. 6 gjendet Bardh Spahia.

Deri më tani raportohet të jenë shoqëruar rreth 20 protestues.

Ora 23:08
Berisha akuza: Protestuesi u godit me plumb gome nga snajperi

Krah një protestuesi që pretendon se është goditur në kokë me plumb gome, Sali Berisha ka akuzuar rëndë organet ligjzbatuese. Kreu i PD tha se protestuesi, i cili quhet Ilir Tushe është goditur nga një snajper.

“Përdorën plumba gome dhe kanë goditur protestuesin në ballë, çka përbën rrezik për jetën. Protestuesi Ilir Tusha është goditur nga snajperi pa asnjë lloj motivi. Bledion Nallbati ka marrë hematomë të ndjeshme nga goditja me shkop në kokë. Unë ju them se plumbat e gomës, kafkën në raste të caktuara mund ta shpojnë. Ilir është goditur me snajper”, tha Berisha.

Protestuesi tha se e ka marrë goditjen që në nisje të protestës te kryeministria.

“Jam goditur në momentet e para që nisi protesta te kryeministria. Isha duke bërë një ’live’ në rrjetet sociale në TikTok dhe aty m’u errësuan sytë”, tha ai.

Ora 22:51
Ilir Proda viziton në QSUT efektivët e dëmtuar gjatë protestës së Berishës: Punonjësit e Policisë u përballën me barbari ekstreme

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, ka vizituar mbrëmjen e sotme së bashku me ministren e Brendshme Albana Koçiu në Repartin e Djegieve efektivët e dëmtuar gjatë protestës së opozitës. Proda iu ka uruar efektivëve të policisë shërim të shpejtë.

Gjatë një prononcimi për median, ai ka falënderuar punonjësit e Policisë për profesionalizmin, sakrificën, durimin dhe maturinë e treguar përballë ‘një barbarie të tejskajshme’ me bomba molotov, lëndë piroteknike dhe sende të forta, ku për pasojë u lënduan 16 efektivë.

“Falënderim për të gjithë punonjësit e Policisë për profesionalizmin që kanë treguar dhe vetëm Zoti e di sa krenar jam për ta, për atë që ata bëjnë çdo ditë dhe për vetëpërmbajtjen dhe qytetarinë e tejskajshme që treguan sot, në kundërshtim me atë me të cilën u përballën, e cila ishte shenjë e një barbarie ekstreme”, tha mes të tjerash Ilir Proda.

Ndërkohë drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ilir Proda, iu përgjigj edhe pyetjeve të bëra nga gazetarët.

Pyetje: Mesa u vu re gjatë protestës, pati dy të mitur të cilët shfaqën veprime të dhunshme, duke hedhur sende të forta në drejtim të efektivëve. A do të shoqërohen ata, siç ndodhi edhe në protestën e shkuar, ku u shoqërua një 14-vjeçar?

Ilir Proda: Hetimet sapo kanë filluar, ekipet po kryejnë këqyrjen e vendit të ngjarjes. Ne, në vazhdimësi, kemi bërë thirrje që të miturit të distancohen. Do të nxjerrim përgjegjësitë në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës dhe besoj se edhe në vijim do të kemi qëndrime për këto situata.

Pyetje: Përveç efektivëve të Policisë, a ka protestues të plagosur, me aq informacion sa keni?

Ilir Proda: Nuk kemi informacion deri më tani për protestues të plagosur.

Ora 22:11
Dhuna dhe molotovët në protestën e PD-së, Policia shoqëron 20 protestues

1770758056_sreuyio.png

Policia ka shoqëruar në komisariate 20 protestues, gjatë tubimit të dhunshëm të thirrur nga kryedemokrati Sali Berisha, që u zhvillua ditën e sotme.

Këta persona dyshohet se gjatë protestës së sotme të kenë kryer akte të dhunshme, si hedhje të molotovit dhe gurëve në drejtim të efektivëve.

Ndërkohë kujtojmë se nga dhuna gjatë protestës së sotme të opozitës, u plagosën 16 efektivë policie.

Ora 22:07
Berisha shkon të vizitojë Nallbatin, por jo efektivët që i sulmuan me molotov: S’u plagosën, këta i përdorin policët mish për top

Sali Berisha është paraqitur në Spitalin e Traumës ku po merr trajtim deputeti Bledion Nallbati. Ky i fundit përfundoi në spital pas përplasjes me efektivët gjatë protestës së dhunshme të PD-së përpara kryeministrisë dhe parlamentit.

Ndërsa hyn brenda spitalit i shoqëruar nga Gazment Bardhi, Elda Hoti dhe të tjerë, Berisha është gjendur edhe përpara efektivëve të policisë, prej të cilëve u lënduan 16. Megjithatë, ai nuk ka bërë asnjë reagim, asnjë përshëndetje kundrejt tyre duke tërhequr vëmendjen.

Në një deklaratë për mediat, Berisha mohoi se kishte efektivë të lënduar.

“Unë pyeta dhe më thanë që nuk ka asnjë. Nëse i bien me detyrim këtu le t’i bien. Po ka të plagosur u uroj shërim të shpejtë. Nuk kam asnjë lloj hezitimi, por, por siç patë ju edhe herën e parë thanë 12, edhe doli që ishin një ose dy, sa ishin atëherë aty. Këta mashtrojnë. Policët i përdorin mish për top. I përdorin mish për top. Edi Rama dhe lubi Balluku, për të mbrojtur plaçkën e tyre, për të mos thënë atë fjalë që u shkau goja herën e parë, për të mbrojtur plaçkën e tyre, ata janë të gatshëm të sakrifikojnë policët dhe qytetarët. Janë gati t'i fusin flakën Shqipërisë. Dhe ky është, këto janë qëllime kriminale, do bëhen përgjegjës ata dhe të gjithë të tjerët”, tha Berisha.

Ora 21:40
Protesta e dhunshme e PD, policia: Po punojmë për identifikimin e autorëve dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë

Policia e Shtetit ka ndarë një reagim lidhur me protestën e dhunshme të Partisë Demokraitke gjatë së cilës u lënduan 16 punonjës. Policia thekson se u ka bërë vazhdimisht thirrje protestuesve për të mos përshkallëzuar në dhunë, por sulmet kanë vijuar.

Ndërkohë po vijon identifikimi i të gjitha rasteve të dhunës dhe autorëve të tyre.

“Gjatë zhvillimit të tubimit të organizuar pasditen e sotme para godinës së Kryeministrisë dhe më pas te Kuvendi, një pjesë e protestuesve kanë ushtruar akte të rënda dhune ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit dhe institucioneve shtetërore. Policia e Shtetit, gjatë gjithë zhvillimit të tubimit iu ka bërë thirrje me megafon protestuesve të dhunshme që të distancoheshin nga dhuna, por sulmet ndaj punonjësve të policisë kanë vijuar deri në përfundim të tubimit me bomba molotov, lëndë piroteknike dhe sende të forta. Si pasojë e sulmeve drejt Policisë  u dëmtuan 16 punonjës Policie, të cilët janë transportuar në spital për ndihmë mjekësore, pasi kanë pësuar djegie dhe dëmtime fizike.

Policia e Shtetit thekson se ka qenë e angazhuar gjatë gjithë tubimit për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe për të siguruar ushtrimin e së drejtës kushtetuese të tubimit paqësor. Strukturat ligjzbatuese po dokumentojnë të gjitha rastet e dhunës, me qëllim identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të autorëve, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Policia e Shtetit mbetet e vendosur në përmbushjen e misionit të saj për garantimin e rendit, sigurisë dhe sundimit të ligjit, duke falënderuar qytetarët që kanë bashkëpunuar dhe janë distancuar nga aktet e dhunshme, si dhe gazetarët dhe punonjësit e medias për transparencën që kanë ofruar për publikun”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ora 21:05
Përplasje me policët, Bledion Nallbati përfundoi tek Trauma, efektivët përdorin shkopinj gome (VIDEO)

Deputeti i Partisë Demokratike Bledion Nallbati është përplasur me efektivët gjatë protestës. Ngjarja ka ndodhur te Kuvendi teksa shihet se policia ka përdorur shkopinj gome.

Bledion Nallbati është shoqëruar për tek Trauma me një makinë private të tipit ‘Porsche’. Nuk dihet cilat janë shkaqet që kanë çuar në konfrontim të palëve.

Ora 21:02
Mbyllet protesta e PD, Berisha: Qytetarët zotëruan qytetin, banditë me uniformë u vërsulën si bisha

Sali Berisha foli pas mbylljes së protestës së PD. Berisha sulmoi policët duke thënë se banditët me uniformë iu vërsulën protestuesve si bisha.

“Me guximin, mençurinë, vendosmërinë e tyre, qytetarët de facto zotëruan qytetin, banditë me uniformë, kriminelë me uniformë u vërsulën si bisha duke menduar se mund ti mposhtin. Vetëpërmbajtja, guximi, qëndrimi paqësor i protestuesve është dhjetar qindra herë më i fuqishëm se banditizmi juaj. Këtyre guximtarëve, u mjaftojnë pak minuta për tu dhënë atë që meritoni. Vetëpërmbajtjen e tyre mos e merrni dobësi, vetëpërmbajtja e tyre është vendosmëri për të realizuar qëllimin, për të rrëzuar, për të hedhur në kosh të plehrave, njërin prej armiqve më të rrezkshëm në historinë e kombit shqiptar, edi ramën. Mos mendoni se durimi nuk ka një fund, se ju garantoj, se kjo vetëpërmbjatje, kjo vendosmëri e jona nuk mund të provokohet dhe provokatorët mund të marrin një mësim që meritojnë”, tha Berisha.

Ora 20:52
Molotovët drejt Kuvendit, momenti kur operatori përfshihet nga flakët (VIDEO)

Operatori i medias News24 Aldo Kashri, ka marrë flakë si pasojë e molotovëve të hedhur te Kuvendi.

Kashri ndodhej në krye të detyrës sipër makinës duke filmuar ndërsa papritur është përfshirë nga flakët. Ai ka zbritur menjëherë poshtë dhe në ndihmë u kanë ardhur dhe të pranishmit për t’i shuar flakët në trup.

Ora 20:41
Qëlloi me gurë efektivët, policia i vihet pas dhe arreston protestuesin! (VIDEO)

Policia ka shoqëruar me forcë në polici një protestues, i cili ka qëlluar me gurë në drejtim të tyre.  Siç shihet nga pamjet, ai është tërhequr zvarrë nga efektivët për ta futur më pas në furgonin e policisë.

Ora 20:35
Deputeti Nallbati nuk ndihet mirë, e dërgojnë te Trauma me ‘Porsche’ (VIDEO)

Deputeti demokrat, Bledion Nallbati nuk është ndjerë mirë pas protestës. Report Tv sjell momentin kur Nallbati kur nxirret nga selia dhe futet në një makinë tip ‘Porsche’ për tu dërguar drejt Traumës, pasi mësohet se ka goditje në kokë.

Ora 20:29
Dëmtohet efektivi i policisë, shoqërohet me barelë drejt spitalit (VIDEO)

Autoambulanca ka mbërritur përpara Kuvendit ku ka marrë me barelë një efektiv të policisë, i cili ka mbetur i lënduar. Ende nuk dihet sesi është gjendja e tij shëndetësore.

Ora 20:16
Protestuesit rikthehen me molotovë përpara Kuvendit, policia tenton t’i shpërndajë me ujë e gaz lotsjellës

Janë rikthyer një pjesë e protestuesve përpara parlamentit. Policia është në gatishmëri bashkë me autobotin duke i paraprirë situatës duke hedhur ujë. Gjithashtu po hidhet edhe gaz lotsjellës, ndërsa protestuesit po përgjigjen me molotovë në sasi të madhe.

Ora 20:12
Brenda datës së skadencës, policia i shmanget gabimit të herës së kaluar me bombolat e gazit lotsjellës

1770750070_gazilotsjelles.jpg

Policia këtë herë duket se ka përdorur bombola të reja gazi lotsjellës.

Ndërsa mban në dorë një prej tyre, gazetari i Report Tv, Sokol Dema thotë se data e prodhimit duket se i përket vitit 2025, ndërsa e skadencës mund të jetë e vitit 2030.

 

Ora 20:07
Të lidhura pas molotovëve, këto janë fishekzjarret e përdorura në protestën e PD

Report Tv ka siguruar foto nga fishekzjarrët e përdorura gjatë protestës së PD. Një pjesë prej tyre ishin lidhur me bombat molotov.

Bombat kanë shkaktuar lëndime te një numër efektivësh policie, të cilët kanë përfunduar me djegie e lëndime të shumta në trup.

 

 

Ora 20:00
Me maskë dhe bodyguardë, Shkëlzen Berisha në protestë! Zhvendoset te rruga e Elbasanit pas gazit lotsjellës

Në protestën e PD-së, i pranishëm është dhe djali i kreut të opozitës, Shkëlzen Berisha.

Shkëlzen Berisha është i rrethuar nga bodyguard-ët e Sali Berishës ndërsa ndodhet te Rruga e Elbasanit, mes selisë së PD-së dhe Kuvendit. Ai është zhvendosur aty së bashku me protestuesit pas hedhjes së gazit lotsjellës te Kuvendi.

Ora 20:00
Militantët e Berishës iu vendosën flakën, 19 policë të plagosur në protestën e PD! Kanë djegie të shumta në trup

1770750096_xfyhuii.png

Në protestën e sotme të thirrur nga kryedemokrati Sali Berisha, kanë mbetur të plagosur 19 efektivë policie.

Mësohet se 9 efektivë janë paraqitur pranë shërbimit të djegie - plastikës në QSUT, ndërsa 10 të tjerët janë paraqitur drejt Spitalit të Traumës dhe po ekzaminohen.

Sipas burimeve nga Policia, mësohet se njëri prej efektivëve u dëmtua gjatë hedhjes së molotovëve para Kryeministrisë, ndërsa të tjerët gjatë hedhjes së molotovëve para godinës së Parlamentit.

Efektivët e lënduar kanë djegie të shumta në trup, ndërkohë që ende nuk dihet saktë si është gjendja e tyre shëndetësore. Po ashtu të dëmtuar gjatë protestës së opozitës mbetën edhe deputeti demokrat Bledjon Nallbati dhe një qytetar, të cilët janë paraqitur në spital për ndihmë mjekësore.

Ora 19:55
Erdhi nga SHBA për të mbuluar protestën e PD, gazetari shqiptar ndihet keq nga gazi lotsjellës! Policia i vjen në ndihmë

Efektivët e Policisë i kanë ardhur në ndihmë gazetarit shqiptar Arian Asimi që punon në SHBA, i cili kishte ardhur në Shqipëri për të mbuluar protestën e opozitës, të thirrur nga kryedemokrati Sali Berisha.

Gjatë përplasjeve mes protestuesve dhe Policisë, Asimi është ndjerë keq nga gazi lotsjellës, i hedhur nga efektivët për të shpërndarë militantët e dhunshëm që po shkaktonin trazira.

Sheshi para Parlamentit u kthye në një ‘arenë lufte’ ku militantët e Berishës hodhën molotov dhe fishekzjarrë drejt policëve, ndërkohë që këta të fundit iu kundërpërgjigjën me ujë dhe gaz lotsjellës.

1770762771_protestaee.png

Pamje të gazetarit të lënduar gjatë protestës së Berishës

 

 

Ora 19:50
Molotovë në mes të kordonit të policisë, efektivët pësojnë djegie në trup (VIDEO)

Hedhja e molotovëve në mes të turmës, ka dëmtuar efektivët e policisë, të cilët kanë pësuar dhe djegie në trup. Siç shihet nga pamjet, uniformat e efektivëve janë djegur, ndërsa njëri prej tyre nuk është ndjerë mirë dhe është larguar nga protesta.

Protestuesit e PD-së hodhën papritur molotovë dhe fishekzjarrë në mes të kordonit të policisë të vendosur përpara godinës së parlamentit. Ata janë shpërndarë nga uji dhe gazi lotsjellës.

Ora 19:43
Situatë e rrezikshme para Kuvendit, VIDEO nga momenti kur militantët e Berishës sulmojnë me molotovë efektivët

Hidhet breshëri molotovësh përpara godinës së parlamentit. Situata ka përshkallëzuar duke rrezikuar edhe policët. Disa prej tyre janë prekur nga flakët dhe janë të lënduar. Shihet që edhe uniformat e tyre janë djegur. Ata po marrin ndihmën e parë.

Policia ka reaguar menjëherë duke hedhur ujë dhe gaz lotsjellës për të neutralizuar situatën.

Edhe një protestues shihet të jetë në gjendje jo të mirë prej gazit lotsjellës dhe po merr gjithashtu ndihmë prej policisë.

Ora 19:33
Protesta e PD/ Tensione tek Kuvendi, militantët tentojnë të çajnë kordonin e policisë! Në krye të turmës Noka dhe Boçi

Protestuesit e PD-së po tentojnë të çajnë me forcë kordonin e policisë të krijuar përpara derës kryesore të godinës së Kuvendit. Militantët kanë hedhur dhe sende të forta në drejtim të efektivëve. Protestuesit po kryesohen nga deputetët e PD Flamur Noka e Luçiano Boçi. Ndërkohë efektivët po tentojnë për t’i larguar. 

Protesta tashmë është zhvendosur tek parlamenti pas hedhjes së molotovëve dhe mjeteve piroteknike tek kryeministria.

Ora 19:31
Lapaj rikthehet te kryeministria pas molotovëve, ‘zhgënjehet’ nga protestuesit e PD: Prisja të qëndronin...

Lapaj dhe grupi i tij i protestuesve janë rikthyer në pozicionin e tyre të përhershëm përpara kryeministrisë.

Pas largimit të protestuesve të PD që tashmë i janë drejtuar parlamentit, “Shqipëria Bëhet” ka rivendosur karriget. Protestuesit e PD u larguan pasi hodhën edhe fishekzjarrët e molotovët.

“Prisja të qëndronin, nuk kanë qëndruar”, tha Lapaj pak i zhgënjyer.

Ora 19:20
Protesta e PD-së, militantët e Berishës i vënë flakën koshit të mbeturinave

Militantët që kanë marrë pjesë në protestën e thirrur nga kryedemokrati Sali Berisha, i kanë vënë flakën një koshi mbeturinash në rrugët e kryeqytetit.

Ky është vazhdim i një sërë aktesh vandale që militantët e Berishës kanë bërë në protestën e sotme, por edhe në protestat e kaluara të thirrura nga PD.

Ora 19:12
Mbaron skenari përpara kryeministrisë, radhën e ka Kuvendi, Gazment Bardhi orienton militantët

Pas hedhjes së molotovëve dhe fishekzjarrëve në drejtim të kryeministrisë, protestuesit po i drejtohen godinës së Kuvendit. Militantët e PD-së po drejtohen nga deputeti Gazment Bardhi, i cili i largoi nga hyrja e kryeministrisë dhe i bëri thirrje për tu nisur drejt godinës së parlamentit.

Ndërkohë përpara parlamentit është formuar kordoni policor.

Ora 19:06
PAMJE ME DRON/ Momenti kur Policia hedh ujë drejt protestuesve, vetëm një 'grusht' militantësh mbeten në shesh

Report TV ka siguruar pamjet me dron, në momentin që Policia i është kundër-përgjigjur dhunës së protestuesve me ujë, për të bërë të mundur shpërndarjen e tyre.

Nga pamjet duket një autobot është pozicionuar pranë Kryeministrisë dhe ka hedhur ujë drejt protestuesve, të cilët më herët hodhën molotovë, fishekzjarre dhe gurë në drejtim të policëve dhe godinës së Ekzekutivit.

Protesta e sotme kishte një skenar të ngjashëm me protestën e 24 janarit, ku sulmi ndaj institucioneve vijoi menjëherë pas fjalës së Berishës.

Ora 19:06
Protesta e PD, lëndohet një polic

Nga hedhja e bombave molotov, lëndëve piroteknike dhe sendeve të forta, është lënduar një punonjës policie.

Ora 19:03
Gjendje e tensionuar në protestën e PD, protestuesit përpiqen të thyejnë me dhunë kordonin e sigurisë

Tensionohet situata në një krah të godinës së kryeministrisë. Protestuesit kanë reaguar duke shkundur e hequr kangjellat rrethuese në përpjekje për të thyer kordonin e policisë.

Pavarësisht tentativës për shpërndarjen e tyre me hedhjen e ujit, protestuesit po bëjnë rezistencë duke u kundërpërgjigjur në mënyrë agresive. Gjithashtu ata po hedhin edhe sende të forta në drejtim të efektivëve.

Ora 19:00
Pas breshërisë së molotovëve, Berisha ‘braktis’ protestuesit, i hipën ‘Benzit’ dhe largohet (VIDEO)

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është larguar me automjetin e tij tip ‘Benz’ nga protesta e PD-së para Kryeministrisë.

Në sheshin para Kryeministrisë, protestuesit kanë krijuar një situatë jo normale, duke hedhur molotov dhe gurë drejt godinës së Kryeministrisë, por edhe policëve.

Ende nuk dihet nëse protesta e thirrur nga Berisha do të mbyllet këtu, apo protestuesit do të zhvendosen drejt Parlamentit si në protestën e kaluar.

Ora 18:53
PAMJE ME DRON/ Momenti kur hidhen molotovë e fishekzjarrë në drejtim të kryeministrisë, i njëjti skenar si në të kaluarën

Sapo kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka përfunduar fjalën, militantët kanë hedhur shishe molotov e fishekzjarrë në drejtim të kordonit të policisë dhe kryeministrisë. Aspak një surprizë, por i njëjti skenar si në protestat e kaluara. Nga pamjet me dron që sjell Report Tv shihen shkallët e kryeministrisë në flakë nga molotovët ndërsa ka filluar hedhja e ujit në drejtim të protestuesve.

Ora 18:51
Berisha mbledh militantët në shesh dhe u ‘ankohet’: Me Ramën s’ka zgjedhje të lira, nuk fitojmë dot farsa elektorale

Përpara militantëve në shesh, Sali Berisha ripërsëriti të njëjtat akuza se me Edi Ramën nuk ka zgjedhje të lira dhe të ndershme. Berisha tha se nuk mund të fitojnë kurrë një farsë elektorale.

“Cilido që mendon se një opozitë mund të fitojë zgjedh kundër tij, është jashtë këtij realit, me Ramën. S’ka zgjedhje, opozita nuk fiton kurrë një farsë elektorale. Për të votuar të lirë, të ngrihemi, të largojmë Ramën nga pushteti, të shkojmë drejt zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Të bashkohemi kundër armikut më të rrezikshëm”, tha Berisha.

Ora 18:35
Protesta e PD/ Berisha: Rama armiku më i pamëshirshëm i Shqipërisë, po rrezikon anëtarësimin e Shqipërisë në BE me vjedhjet e tij

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha në fjalën e mbajtur përpara protestuesve, e ka cilësuar kryeministrin Edi Rama si armikun më të egër dhe të pamëshirshëm të Shqipërisë.

“Zhvillimet e ditëve të fundit, bëjnë që ne të mblidhemi sot në këtë shesh, në kushte më alarmantet. Ndoshta jemi mbledhur në kryengritjen tonë paqësore, në momentin më kritik të Shqipërisë në 35 vitet te fundit, ndaj dhe më duhet të nis këtë fjalë me një shprehje, ‘Ata që harrojë të shkuarën, janë të dënuar ta përsërisin atë’.

Shqipëria është e bekuar, prej pasurive përrallore që zoti i ka dhuruar, por ne jemi të bekuar për traditat tona të mrekullueshme të mbartura brez pas brezi. Nëse Shqipëria është e bekuar me popullin e saj, pasuritë me traditat, nuk mund të mohohet se ne kemi qenë apo kemi përjetuar shekuj pas shekujsh mallkime. Ne kemi përjetuar dhe provuar armiqtë të egër të pamëshirë ndaj nesh që padyshim i kanë sjellë dëmet më serioze kombit tonë. Enver Hoxha ka qenë një armik i egër, ishte Hitleri shqiptar i pasluftës së 2 botërore.

Nuk duhet të harrojë se Enver Hoxha na qeverisi për 45 vite pavarësisht krimeve të tij ndaj shqiptarëve, por sot çfarë po ndodh me Shqipërinë? Në shekullin e kaluar Shqipëria u mbaj peng 45 vite, këtë shekull, Shqipëria po përballet me pasoja akoma më katastrofike. Prej 13viteve të fundit, pasojat rrënojnë çdo ditë vetë ekzistencën e shqiptarëve si banorët ë saj. Nga Brukseli, BE, për shkak të vjedhjeve të papërmbajtura, dërgohet paralajmërimi më ogurzi, për zhbërjen nga e para të tumtimit tonë 32 vjeçar plot sakrifica, shpresa e ëndrra drejt BE. Rama është armiku më i pamëshirë i të sotmes dhe të ardhmes. Është kërcënimi më i rrezikshëm”, tha Berisha.

Ora 18:28
“Faza e parë e grushtit të shtetit dështoi”, Berisha nga protesta e PD: Rama përdori pushtetin e ekzekutivit për të mbrojtur bashkëhajduten

Sali Berisha është ngjitur në podiumin e PD duke renditur akuzat kundrejt Ramës dhe Ballukut. Ai thotë se kryeministri përdori pushtetin ekzekutiv për të bllokuar SPAK dhe presionuar Gjykatën Kushtetuese në mbrojtje të Ballukut.

“Edi Rama prej 2 muajve përdori gjithë pushtetin e ekzekutivit për bllokimin e prokurorisë dhe presionit të të gjitha llojeve ndaj Gjykatës Kushtetuese për të mbrojtur bashkëhajduten e 50 mln eurove në tunelin e Llogarasë, për të mbajtur në detyrë bashkautoren e qindra mln eurove, për të mbajtur bashkëhajduten që ndërtoi Qukës-Qafë Plloçë 9 mln euro pa asnjë urë e tunel. U përpoq të bëhej pushteti për të mbrojtur lubinë sepse prapa saj është vetë ai. Faza e parë e këtij grushti shteti dështoi dhe këtu ju keni të gjithë pjesën e kontributit tuaj, me protestën tuaj”,  tha drejtuesi i PD.

Berisha u shpreh i sigurt se brenda këtij muaji “do të çlirojë Shqipërinë”.

“Edhe grushti i dytë që po përgatit do të dështojë dhe shkurti është muaji kur ne zvarritëm diktatorin. Shkurti është muaji kur ne do të çlirojmë Shqipërinë!”, tha Berisha.

Ora 18:27
Salianji 'i numëron' Berishës protestuesit që mungojnë: Prisja në shesh ata që kanë revoltë reale si Velipoja, Durrësi e Kamza (VIDEO)

Pjesëmarrja e protestës së PD duket se nuk e ka kënaqur Ervin Salianjin. Ai i numëroi Sali Berishës të gjithë protestuesit që mungonin në shesh. 

Ai shprehet për Report Tv se priste që të shihte të gjithë ata që po revoltohen në Velipojë, Durrës e Kamëz, por shprehu vlerësimin edhe për ata përkrahës që kanë zgjedhur të jenë të pranishëm.

“Unë jam në protestë kundër qeverisë dhe kam qenë dhe jam një nga denoncuesit më të fortë të opozitës duke treguar se nuk bëj kompromis, aq shumë sa kam përfunduar në burg politik për shkak të përplasjes. Të gjithë ata që bëjnë akuza të tilla, janë në dëshpërim. Sot unë prisja që në protestë të ishin qytetarë që kanë revoltë reale si protestuesit e Velipojës, Rrjollit, Durrësit që ishin në protestë sot, protestuesit e Kamzës që iu rrit çmimi i biletave, por pa diskutim që edhe këta qytetarë janë për t’u respektuar dhe secili tregon dinjitet për veten e vet”, tha Salianji.

Ora 18:17
‘Mos vdis para se të të kapë plumbi’- Aulon Kalaja thirrje nga protesta e PD: Ngrihuni! Skllevërit e lumtur janë armiqtë më të mëdhenj të lirisë

Aktivisti Aulon Kalaja ka marrë pjesë në protestën e PD-së të zhvilluar ditën e sotme para Kryeministrisë, ku edhe ka mbajtur një fjalë në podium.

Gjatë fjalës së tij, Kalaja i ka bërë thirrje popullit që të reagojë dhe të ngrihen kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

Mes të tjerash, Kalaja tha gjithashtu se skllevërit e lumtur janë armiqtë më të mëdhenj të lirisë, prandaj sipas tij, reagimi ishte i domosdoshëm.

“Zoti nuk do ta ndryshojë kurrë gjendjen e një vendi, nëse ai nuk do që ta ndryshojë vetë gjendjen e tij. Çdo komb çlirohet me përpjekjet e veta, prandaj fati i popullit tim, është fati im. Kujdes, fati i buzëqesh vetëm guximtarëve dhe kurrë nuk është arritur ndonjë gjë e madhe, pa përpjekje të madhe. Skllevërit e lumtur janë armiqtë më të mëdhenj të lirisë. Për zogjtë e rritur në kafaz, fluturimi është sëmundje. Prandaj një thirrje për ty e kam edhe për ty o mercenar, që pështyn gënjeshtra e propagandë përnatë në ekranet televizive. Shpirtin me bukë mbaje, por mos e bëj leckë dinjitetin e atdheut. Ne nuk po vuajmë vetëm nga dhuna e Ramës, por edhe nga heshtja e të mirëve. Më mirë zbardhur, sesa këmbët në një këpucë. Mos vdis para se të të prekë plumbi”, tha mes të tjerash Kalaja.

Ora 18:14
Salianji në protestën e PD, i qëndron larg ‘frontit’! Qesh e bisedon me përkrahësit e vet

Ervin Salianji nuk mungoi në protestën e PD, por qëndroi larg ‘zemrës’ ku ajo po mbahet para kryeministrisë. Salianji është vendosur te Piramida, aty ku edhe protestuesit janë edhe më të shpërndarë, ndërsa shihet duke qeshur e biseduar me hare me disa prej përkrahësve të tij.

Ndërkohë Berisha e ka përjashtuar nga partia duke thënë se ka shkelur vijat e kuqe dhe se punon për Ramën.

Ora 17:57
Gjekmarkaj nga podiumi i protestës së PD: Rama hoqi edhe maskën e fundit për të mbrojtur Ballukun

Në protestën e tretë kombëtare të PD, nënkryetari Agron Gjekmarkaj ka vijuar me akuzat kundrejt qeverisë duke thënë se Rama po mbron Ballukun.

“Në pushtet për të ruajtur veten është gati ta asgjësojë çdo nuancë të drejtësisë, ta marrë peng atë, të marrë peng parlamentin, të grisë kushtetutën nëpërmjet tiranisë së shumicës abuzuese. Ne nuk do ta lejojmë.  Dje, Edi Rama hoqi dhe maskën e fundit, për të mbrojtur zëvendësen e vet Belinda Ballukun, për të mbrojtur veten dhe për të mbrojtur një labirint prej minotauri që e ka ndërtuar vetë, në të cilin po humbet shpresën një shoqëri e tërë. Në këtë labirint, alternativa e vetme që u ofrohet njerëzve është depersonalizimi, të mos mendosh, të mos ndjesh, të mos reagosh, të jesh i nëpërkëmbur, t'i bësh të gjitha këto siç i kërkon sistemi.  Kur drejtësia i nënshtrohet pushtetit, demokracia fillon të vdesë ngadalë”, tha Gjekmarkaj.

Ora 17:55
VIDEO/ Gjeste të pahijshme në protestën e PD, fëmijët shkundin kangjellat para policëve

Në protestën kombëtare të Partisë Demokratike, ka edhe të mitur. Një grup prej tyre, siç shihet në pamje, ndërsa mban pankartat në duar, shkon edhe drejt kangjellave, pas të cilave janë rreshtuar efektivët e policisë, duke i shkundur pengesat e hekurta.

Një prej tyre shihet edhe duke vendosur këmbën mbi to.

Ora 17:47
VIDEO/ Gati për të sulmuar Kryeministrinë me molotovë, ‘grupi i zjarrit’ i fshehur mes militantëve në protestën e Berishës

Report TV sjell pamjet nga ‘grupi i zjarrit’ në protestën e thirrur nga kryedemokrati Sali Berisha, të cilët duket se qëndrojnë të fshehur mes turmës dhe pankartave.

Këta persona, një pjesë e të cilëve janë të maskuar, duket se janë përgatitur për hedhje molotovi drejt godinës së Kryeministrisë.

Një skemë e tillë u ndoq edhe në protestën e kaluar, ku një grup i kamufluar mes turmës, nisi sulmet me molotov pas fjalës së Berishës, ku mbetën të plagosur edhe disa policë.

Ora 17:39
Protestë ‘kombëtare’ vetëm me militantë, tkurret pjesëmarrja në protestën e Berishës! Report Tv sjell pamjet me dron

Në protestën kombëtare të radhës, Sali Berisha arriti të mbledhë vetëm militantë. Report Tv solli pamjet me dron gjatë momentit kur kreu i PD iu bashkua protestuesve para Kryeministrisë.

Por, siç shihet edhe në këto pamje, pjesëmarrja në protestë duket më e ulët se ajo e 24 janarit.

Ora 17:34
Me shkop gome në dorë dhe plis në kokë, protestuesi përgatitet për ‘rrëzimin’ e Qeverisë (VIDEO)

Një person është shfaqur në selinë e Partisë Demokratike me një shkop (që ngjan si një shkop gome), pak para nisjes së protestës së thirrur nga Sali Berisha.

Ky person mban veshur një xhup të gjatë, të mbushur me mbishkrime të tilla ku e krahason kryeministrin Edi Rama me Maduron e Venezuelës dhe qeverinë shqiptare me mafien.

Duket se militantët e Berishës janë përgatitur për akte dhune, të cilat ishin prezente edhe në protestën e 24 janarit, ku u hodhën molotovë dhe gurë drejt policëve dhe godinës së Kryeministrisë.

Më herët sot, një protestues mbante pllaka guri në dorë dhe me to po qëllonte drejt godinës së Kryeministrisë.

Ora 17:33
Lapaj i qëndron planit, zhvendoset sërish larg protestës së PD

1770150634_adriatiklapaj.JPG

Adriatik Lapaj dhe grupi i tij i protestuesve janë zhvendosur nga vendqëndrimi i zakonshëm para Kryeministrisë duke i lënë hapësirë protestës së Berishës. Ai nuk ka qenë aty as gjatë ditës së sotme duke ndjekur një skenar të ngjashëm me atë të herëve të tjera të protestave kombëtare të PD.

Lapaj ka preferuar që për të mos krijuar incidente, të mos qëndrojë aty dhe të rikthehet më vonë.

Ora 17:32
Sali Berisha del nga selia blu dhe niset drejt kryeministrisë, militantët i shkojnë nga pas

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka dalë nga selia blu dhe është nisur drejt bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’, përpara kryeministrisë, aty ku do të zhvillohet protesta. Përpara selisë blu Berishën e kanë pritur dhe po e shoqërojnë militantët e PD-së dhe besnikët e tij, Flamur Noka, Luçiano Boçi, Xhelal Mziu, Gazment Bardhi.

Ora 16:59
Pa nisur protesta e Partisë Demokratike, i mituri mban në dorë pllaka guri! I hedh drejt kryeministrisë (VIDEO)

Një i mitur pa nisur ende protesta e Partisë Demokratike është filmuar teksa në dorë mban disa pllaka guri dhe i hedh drejt kryeministrisë. Ai shihet i afruar në gardhin e vendosur nga Policia e Shtetit me disa moshatarë të tjerë ndërsa në dorë mban disa pllaka.

Ora 16:50
‘Fantazmat’ shfaqen në selinë e PD-së para protestës së Berishës: Rama ik! (VIDEO)

Në selinë e Partisë Demokratike kanë filluar përgatitjet për protestën që do të mbahet ditën e sotme para godinës së Kryeministrisë.

Ajo që vihet re, është se veç flamujve të PD-së dhe atyre Kombëtar, si dhe pankartave me shkrime të ndryshme, aty janë shfaqur edhe ‘fantazmat’.

Mesa duket disa persona janë veshur si fantazma dhe në veshjen e tyre shkruhet ‘faleminderit z.Rama që i kthyetë studentët në fantazma’.

Ndërkohë në selinë e PD-së vihet re edhe një person që është veshur me një xhup të gjatë, me mbishkrime të ndryshme në të. Në shkrimet në xhupin e tij, qeveria shqiptare cilësohet si ‘mafia’ dhe duhet të ikë.

Kujtojmë se në protestat e thirrura nga Berisha ka pasur pak pjesëmarrje, por edhe akte dhune ndaj punonjësve të Policisë.

SI.E./R.Xh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Drini: 10/02/2026 21:20

    ata qe kane ik nga protesta do hane dajak sonte ose do japin lekt mbrapah. Ka mobilizuar nul moka me shkelzenin gjith cunat e tropojes qe te vine te vene zjarr…leket i moren dhe ne proteste nik jane???joooooo mer tej nuknka kqu ne tirane…ne tirane ndiqen rregullat dhe vamdalizmat tropojane. Nuk kishte ndonje polic siper kryeministrise?hidh nje bombe nga lart dhe bie gjithe shqiperia rehat.

    Përgjigju
  • kola nga vicidoli: 10/02/2026 21:11

    PA IKUR SALI BERISHA ME 500 DEPUTETE E HAJDUTE QE E RRETHOJNE ASNJEHERE NUK BIE PS NGA PUSHTETI.....ESHTE SALIU QE E MBAN NE PUSHTET RAMEN....

    Përgjigju
  • Alb: 10/02/2026 21:10

    Agjentura grek e serbe po prekra PD Prej 1992 dhe sote

    Përgjigju
  • Deni: 10/02/2026 20:46

    si nuk i shkerdheu njeri robte ketyre qe hedhin moltov policise mer burr…shtini vrisni ose plagosni njerin dhe shikoni si ikin te gjithe me mut neper breke. Kan gjet policet tane qe thone mirmengjes-mirmbrema…robqirave duhet ti qihen robt perndryshe nuk vene mend. futjani fiahekzjarret me bythe edhe nuk del me njeri ne proteste.

    Përgjigju
  • Zv.KAPITEN: 10/02/2026 19:50

    Protesta e sotme e opozitës ka dhënë një rezultat statistikor: Pjesëmarrja po rritet.100% vertet. Sot ishte 1.8 herë më e madhe se demonstrata e kaluar. Por kishte një ndryshim të fortë: "Vala e thellë publike" po rritet në mënyrë integrale nga të gjitha shtresat e shoqërisë! Shenjat sugjerojnë se do të jetë më e fortë, është arritur "shpejtësia e ngritjes V1". Rama si kapiten duhet të vendosë tani! Pa shaka, kjo nuk është një ose shenjë e mirë për parametrat ekonomikë.

    Përgjigju
  • temoll: 10/02/2026 19:48

    Rrespekt per pinjollin Sali-Jan! Mendimtar me pesh, filozof modern, largpames kalibri, sypatrembur juglindor! Mirnjohje per profesorin e politikes amatoreske!

    Përgjigju
  • Umberto Grande: 10/02/2026 19:02

    Kafshet kane diten me dal nga shpella! Si nuk u bene njehere njerez keta te PD?

    Përgjigju
  • Ehhhuu: 10/02/2026 17:21

    Qeka shi, lereni per dite tjeter se nuk del njeri sot. Dhe zjarrfikeset nuk duhen sot, se fishekzjarret fiken vey

    Përgjigju
  • Luan Caushaj: 10/02/2026 15:38

    Poshte Edvin Rama

    Përgjigju
  • Mirekeqi: 10/02/2026 14:02

    Ta gezoni saliun se u qajtet nga lul basha

    Përgjigju
    • deni: 10/02/2026 21:23

      iniciative me hedh molotov? cdo dem do rregullohet neser por me pensionet e prinderve tane e me taksat tona.Nukni ben pershtypje,sa here shkaterrojne te nesermen jane rregulluar. Thjesht kuk e reuan me njerinper ju mec pleqte e tropojes…shkoni andej mga lomdra me shpia bari,se e shumta ate mund te beni ju.Sala bashke me ju nuk dine sa bejne 2+2 ju thoni na jepni pushtetin pushteve.hashahah ju jeni te hjithe komiken si zelenski!

    • patronazhisti: 10/02/2026 14:58

      t pakten po mer iniciativen

  • Sondazhi i ditës: 10 Shkurt, 10:30

    Haga kërkon dënimin me 180 vite burg për ish-krerët UÇK, si e vlerësoni?