TIRANË- Militantët e Sali Berishës kanë hedhur breshëri molotovësh në drejtim të kryeministrisë, sapo kreu i PD mbaroi fjalimin. Grupi i zjarrit mbërriti në protestë i fshehur pas pankartave dhe me kapuça në kokë dhe sulmoi sapo mori sinjalin nga Berisha, i cili valëviti në podium flamurin kombëtar, dhe më pas u largua drejt selisë. 

Ndryshe nga protestat e tjera, duket se Policia pas udhëzimeve të kryepolicit të ri Skënder Hita, ka ndryshuar strategji dhe ndërhyri menjëherë për shpërndarjen e grupit të zjarrit, duke përdorur spraj lotsjellës dhe ujë. 

Protesta u zhvendos tek Kuvendi, por policia u ka zënë pritë, moment ky që ka krijuar përplasje. Aulon Kalaja dhe Luçiano Boçi dërgohen në spital, pasi nuk u ndjenë mirë për shkak të përdorimit të sprajit. 

Në protestën e shtatë kombëtare, militantët e Sali Berishës janë tkurrur në numër, siç shihet edhe në pamjet me dron që solli Report Tv. E vetmja risi e këtij tubimi është rikthimi i fjalimeve. Një vendim ky i marrë si duket nga kreu i PD, pas dështimit të protestave me tur xhirosh nëpër kryeqytet, të cilat nuk prodhuan asgjë veçse kaos dhe bllokimin e rrugëve.

Deri më tani raportohet se 1 efektiv i policisë dhe 3 protestues, përfshirë Aulon Kalanë, janë dërguar për trajtim te spitali i Traumës.

Lajmi në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:22
Berisha: Leksioni ynë nga Hungaria duhet të jetë votimi me detyrim

1776450104_saliberisha.jpg

Gjatë protestës para Kryeministrisë, Sali Berisha tha se Kuvendi i Shqipërisë duhet të miratojë ligjin për votimin me detyrim.

“Të dashur miq, por ka një mësim që ne shqiptarët mund ta nxjerrim nga zgjedhjet në Hungari. Ajo që ishte ndryshe këtë herë nga zgjedhjet në Hungari, ishte pjesëmarrja masive në votime, mbi 80 përqind e qytetarëve hungarezë. Kjo është arsyeja pse unë kam propozuar dhe kam insistuar ligjin për votimin me detyrim. Ligj të cilin e kanë një seri vendesh demokratike në Europë dhe në botë. Sepse vetëm një pjesëmarrje e tillë e detyruar në zgjedhje në Shqipëri do mund të çlironte shqiptarët nga frika dhe do mund të bënte ndryshimin mbi të cilin përfundimisht arrihen rezultatet që duam. Por sigurisht në Shqipëri një pjesëmarrje e tillë është e ndaluar rreptësisht. Është e ndaluar nga thirrjet dhe kërcënimet e hapura të armikut të votës së lirë të shqiptarëve, Edi Ramës ndaj qytetarëve për të mos dalë në sheshe dhe për të mos u paraqitur në votime në rast se ata nuk votojnë për PS”,- tha Berisha.

Ora 21:22
Policia ndalon 4 persona në protestën e Berishës, iu gjendet një çantë me molotovë! Lëndë plasëse efektivët gjejnë edhe në bulevard

1776453708_policetmbledhinplehrat.jpg

Policia ka ndaluar në protestën e Partisë Demokratike, 4 persona të cilët mbanin një çantë me molotovë.

Po ashtu, efektivë të Policisë janë shpërndarë në terren dhe po mbledhin molotovët e pashpërthyer që kanë lënë pas militantët e Sali Berishës, të cilët u larguan nga Policia.

Ora 21:21
Policia u zë pritë me kordon, deputetët dhe militantët e PD përplasje me efektivët pranë Kuvendit

1776453573_flamurnoka.jpg

Pas breshërisë me molotovë drejt Kryeministrisë, militantët e PD janë zhvendosur pranë Kuvendit, Por, policia u ka zënë pritë me kordon dhe nuk lejon kalimin e tyre. Kjo ka bërë që deputetët e militantët të përplasen me policët. Përplasjet u udhëhoqën nga Flamur Noka. 

Ora 21:18
Familja Berisha në protestë/ Shkëlzeni dhe Argita shkojnë te Kuvendi

Shkëlzen Berisha dhe e motra Argita ndodhen gjithashtu në protestë. Ata janë filmuar teksa ndodhen te Ura e Lanës poshtë godinës së Parlamentit. Policia u ka pamundësuar aksesimin drejt Kuvendit duke vendosur kordon policie si dhe autobot me ujë në rast se do të ketë trazira.

Ora 21:13
Lëndohet një efektiv policie në protestën e Berishës, transportohet me urgjencë te ‘Trauma’

1776453229_dtyruioo.jpg

Një efektiv policie është lënduar gjatë protestës së sotme të Partisë Demokratike dhe është dërguar me urgjencë në Spitalin e Traumës, për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Ende nuk dihet gjendja e tij shëndetësore.

Ora 21:04
Protesta e PD/ Lëndohet Aulon Kalaja nga hedhja e sprajit, dërgohet me urgjencë në spital! Me të dhe deputeti Boçi

1776452718_aulonkalaja.jpg

Ish-kandidati për deputet i PD Aulon Kalaja është nderë keq gjatë protestës së opozitës pas hedhjes së sprajit, i cili qëndronte i shtrirë në tokë në gjendje jo të mirë shëndetësore. Kalaja është mbajtur në krahë nga disa persona, të cilët e dërguan drejt ambulancës për të marrë trajtimin e duhur në spital. Në të njëjtën ambulancë me Kalanë është nisur drejt spitalit dhe deputeti Luçiano Boçi, i cili gjithashtu nuk është ndjerë mirë.

Gjithashtu nga hedhja e sprajit të lënduar kanë mbetur dhe Flamur Noka e Klevis Balliu.

Ora 21:03
Militantët e Berishës nisën zhvendosjen para Parlamentit, një kordon efektivësh bllokon rrugën

Policia po ndjek një tjetër strategji ditën e sotme, për të bërë të mundur shpërndarjen e militantëve të Sali Berishës.

Pasi militantët e Berishës nisën hedhjen e molotovëve, Policia ndërhyri menjëherë me spraj lotsjellës, për të bërë të mundur largimin e tyre nga godina para Kryeministrisë.

Menjëherë kupola drejtuese e PD-së bëri thirrje që militantët të zhvendoseshin drejt Parlamentit, por mesa duket, Policia ka marrë masat për t’i paraprirë një situate të dhunshme atje.

Një kordon policie, i shoqëruar nga një autobot uji janë vendosur pranë Urës së Lanës, me qëllim që t’i pengojnë protestuesit që të vendosen para godinës së Kuvendit.

Ora 20:51
Protesta/ Flamur Noka përplaset me policët, efektivët përdorin spraj

 

Pas molotovëve që u hodhën ndaj Kryeministrisë, policia vërshoi drejt protestuesve për të neutralizuar militantët demokratë që po shkaktonin dhunë. Në këtë moment me blutë është përplasur Flamur Noka, ndaj të cilit është hedhur spraj lotsjellës.

Ora 20:50
Hedhja e molotovëve drejt kryeministrisë/ Ndërhyn menjëherë policia, shoqërohen militantët e parë! Protesta zhvendoset te Parlamenti

1776451788_shoqerimiinjerzve.jpg

Një prej militantëve të Berishës është kapur menjëherë nga forcat e policisë. Ai është shoqëruar për në komisariat sapo janë hedhur drejt kryeministrisë molotovë e mjete piroteknike. Ndërhyrja e policisë kësaj radhe ka qenë më direkte se në herët e tjera, ku përveç ujit të hedhur për shpërndarjen e protestuesve, është hedhur dhe spray. Protesta po zhvendoset te parlamenti.

Ora 20:45
PAMJE ME DRON/ Militantët e Berishës me të njëjtin skenar, breshëri molotovësh ndaj Kryeministrisë

 

Militantët e Sali Berishës lëshuan breshëri molotovësh në drejtim të Kryeministrisë. Sapo Berisha mbaroi me fjalimin, grupi i zjarrit mori sinjalin për të lëshuar molotovët drejt godinës së qeverisë, ndërsa forcat e policisë i shpërndajnë me ujë. Menjëherë ka ardhur ndërhyrja e policisë me hedhjen e ujt. 

Ora 20:35
Berisha: Edi Rama të ftoj në debat publik! S’ka më frikacak se ti, fundi jot do jetë në gjykatë me Ballukun

 

Sali Berisha ftoi në debat publik kryeministrin Edi Rama, nëse ky i fundit nuk do të pranonte të mos shkonte në GJKKO ku është thirrur si dëshmitar i çështjes për aferën e ‘Partizanit’. Ndër të tjera Berisha i tha Ramës së fundi i tij do të jetë në gjykatë për çështjen e Belinda Ballukut.

“Ne nuk e mbyllim çështjen Balluku, çështjen tënde dhe fundi yt do jetë para gjykatës. Ndaj edhe në këto kushte krejt të ndryshme, ndër më të vështirat, më duhet të pohohej që ne opozita shqiptare kemi bërë sakrifica të shumëfishta dhe të mëdha, ndofta më të mëdha se çdo opozitë tjetër në Europë, për të mbrojtur interesin publik, lirinë dhe dinjitetin e qytetarëve shqiptarë.

Ne në opozitë, në sakrifica, në terro nuk mund të pranonin kurrë shkrirjen me qeverisë e krimit. Nuk mund të pranonim të jemi fasadë opozitë. Do të qëndrojmë pa u mposhtur në mbrojtjen e kauzës tonë. Do të jemi avoketër të interesit qytetar e kombëtar. U tentuan me gjykata, të na konfiskohej partia, por me etejë ne e orëm. Na izoluan ndërkombëtarisht me lobime korruptive të mafies ndërkombëtare dhe mashtrime, por sot kemi mbështetjen më të gjerë të miqve tanë në botë me 7 rezoluta në vetëm 14 muaj nga partitë kryesore që drejtojnë botën. Ato denoncojnë narkoshtetin e Ramës, arrestimin e liderëve të opozitës. Sot jo vetëm që nuk arriti për Berishën një fakt të vetëm, ju e dëgjuat, më në fund u thirr të ulet në sallën e gjykatës ballë për ballë për firmat e tij. Nga kjo tribunë, u them shqiptarëve se o të keni rastin të shihni në atë sallë përballjen e shekullit. Përpara jush i them Ramën, nëse nuk ta mban të vish në sallën e gjyqit dhe merr manovra si në rastin e Lubisë, se ska më frikacak se ti, të sfidoj edhe në një formë mëshire, zgjidh studion televizive dhe hajde në debat tju faktojmë shqiptare me dokumente se çfarë hajduti i pangopur je. Jo vetëm kaq, po çfarë ligësie shekspiriane mbart ti në qenien tënde. Edi Rama koha jote e zezë për shqiptarët ka marrë fund”, tha Berisha.

Ora 20:30
Berisha: Opozita në Hungari fitoi sepse qeveria e Viktor Orban nuk mbylli TikTok-un

 

Në Hungari opozita fitoi sepse qeveria e Viktor Orban nuk mbylli TikTok-un.

Kjo ishte përgjigjia që Sali Berisha i dha sot nga Bulverdi "Dëshmorët e Kombit", kritikëve të Partisë Demokratike, që thonë se kjo e fundit nuk ka fuqinë dhe aftësinë e opozitës hungareze, për të fituar në zgjedhje përballë qeverisë.

“Me sistemin e patronazhistëve, me presionin mbi punonjësit dhe familjet e tyre, me diferencimin politik të tipit të një pushtuesi, me propagandën e tij toksike, ka instaluar një kohë si e etërve të tij të mëparshëm, frikën te shqiptarët, duke i kërcënuar ata me vendin e punës, me falimentimin e firmave, me kafshën e gojës. Kjo tregon se në Shqipëri ka vetëm një forcë që sot mbart jo vetëm idealet demokratike të mbarë shqiptarëve, por përfaqëson guximin shqiptar, ka vetëm një forcë që sot qëndron e pamposhtur, ka vetëm një forcë që sot ngrihet mbi frikën dhe dhunën, në betejë mbi interesat dhe dinjitetin e shqiptarëve, dhe kjo forcë është Partia Demokratike. Ndaj dhe unë, për mundin dhe sakrificën tuaj, për guximin dhe shpirtin e pamposhtur, por sidomos për shërbimin ndaj kombit në kohë të vështirë, kam falënderimin më të madh, nderimin më të sinqertë për ju, misionarë të vërtetë.

Të dashur miq, këtë javë banaliste, sahalëpirës, puthadorë të shumtë të regjimit kanë vërshuar në studiot e mediave të kontrolluara nga Rama me tezën se opozita shqiptare s’ka fuqinë e opozitës së Hungarisë. Ka një ndryshim thelbësor midis opozitës në Hungari dhe opozitës në Shqipëri që nuk e përmend fare mafia e zezë e fjalës së lirë, e cila trillon, manipulon, mashtron opinionin publik për të mbrojtur padronin e tyre, regjimin që i ushqen. Në Hungari nuk u arrestuan ndonjëherë liderët e opozitës në votën zgjedhore, siç ndodhi në Shqipëri. Nuk u mor vula dhe logoja e partisë kryesore zyrtare me urdhër politik. Në Hungari qeveria nuk shpërndau 100 euro për çdo pensionist për të blerë votën në fushatën elektorale. Në zgjedhjet në Hungari, qeveria nuk fali gjoba dhe kamatat e 10 viteve prej 2 miliardë eurove dy ditë para zgjedhjeve, siç bëri narkodiktatori i Tiranës në zgjedhjet e fundit. Në Hungari mediat ishin në krah të opozitës dhe TikToku nuk u bllokua. Atje nuk u bllokua TikTok-u”,- tha Berisha.

Ora 20:20
PAMJET ME DRON/ ‘Turet’ nëpër Tiranë i dështuan, një grusht militantësh gjatë fjalimit të Berishës në protestë

Sali Berisha iu rikthye protestave pas një muaji mungesë. Por, as kjo nuk e ndihmoi të mobilizonte me shumë forca për të rrëzuar Edi Ramën.

Në pamjet me dron që ju sjell Report Tv, tregohet pjesëmarrja në protestë gjatë fjalimit të Berishës, së cilës iu bashkuan vetëm një grusht militantësh, edhe më pak se protesta e 22 marsit.

Kësaj radhe Berisha riktheu fjalimet, pasi shëtitjet nëpër Tiranë i dështuan dhe prodhuan vetëm kaos për qytetarët. As grumbullimi para Kryeministrisë nuk i shtoi numrat, me militantët që duket se janë në tkurrje

Ora 20:20
Berisha: PD alternativë e shkëlqyer, qytetarët s’dalin në protestë për naftën! Kanë frikë nga Rama

 

Kreu i PD Sali Berisha tha se opozita e ka treguar se është një alternativë e shkëlqyer për ardhjen në pushtet me protestat e zhvilluar na kryeqytet. Berisha tha se qytetarët nuk kanë dalë për të protestuar për naftën sepse kanë frikë nga pushteti i kryeministrit Edi Rama.

“Sot jemi mbledhur jo thjeshtësi opozitë në këmbë dhe kundër diktaturës autokratike me serialin më të fuqishëm të protestave kryengritjes paqësore që Shqipëria ka njohur në 35 vitet te fundit. Sot mblidhemi o vetëm si një alternativë e shkëlqyer, sot mblidhemi në këtë protestë si shpresë e vetme për shpëtimin e Shqipërisë nga narkoshteti i Ramës i bazuar në krim, drogë dhe vjedhjen e shqiptarëve. Ne jemi shpresa e vetme për Shqipërinë. Këtë e provuar seriali i protestave gjigante që ka njohur Shqipëria. Kryengritja jonë më e fuqishme paqësore. Protestë  e kaluar, dhjetëra mijëra qytetarë, u përballën në rrugët e shesheve e Tiranës si të pamposhtur për orë të tëra me regjimin. U përballën me ujin e helmuar, shkopinj e plumba gome për triumfuan. Një protestë e thirrur nga shoqëria civile kundër rritjes së madhe të çmimit të naftës, kur takës grabitqare të Ramës në litrën e naftës. Në orën e thirrur u paraqitën vetëm dhjetëra qytetarë. Absolutisht cdo shqiptarë, pavarësisht nga bindet është prekur nga rritja e çmimit të naftës, a ka pakënaqësi midis shqiptarëve? Po ka dhe të mëdha shumë. Rrogat më të ulëta në rajonin tonë. Opozita e ka ngritur të mënyrë të pritur vitin e fundit dhe që banalistët, kriptoramistët e fshehin nga ju shkakun e asaj proteste, është frika të cilën ka ngulur gjer në palcë të shqiptarëve. Njerëzit nga frika nuk guxuan të dilnin në protestë për të mbrojtur interesat e tyre”, tha Berisha.

Ora 19:57
Protesta/ Xhaferri: Rinia e këtij vendi nuk ka lindur për të bërë punë në rrugët e botës

 

Deputeti dhe kryetari i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Besart Xhaferri, akuzon qeverinë e kryeministrit Edi Rama si të korruptuar dhe të rrezikshme për shqiptarët. Ligjvënësi demokrat thotë se qeveria është shkaktarja e largimit masiv të rinisë për një jetë më të mirë në vende të tjera të botës.

“Të nderuar miq, ata e kanë kthyer Shqipërinë në një çiflig personal, paratë e taksave tona, djersa e prindërve tanë, nuk shkojnë për shkolla të mira, nuk shkojnë për spitale, shkojnë për një grup pushtetarësh. Çfarë po i ofrojnë rinisë sot, çfarë po i ofrojnë bashkëmoshatarëve të mi. Unë si kryetar i FPRP dhe bashkë me gjithçka këtu ne nuk po ikim, ky është vendi ynë, kjo është toka jonë. Shqipëria nuk është e varfër, Shqipëria është e vjedhur. Rinia e këtij vendi nuk ka lindur për të bërë punë në rrugët e botës. Duhet të ngremë një kryengritje morale dhe qytetare, një rebelim kundër të keqes që na ka zënë frymën”,- tha Xhaferri.

Ora 19:44
VIDEOLAJM/ Fytyrën e fshehur nën kapuça e pas pankartave, momenti kur ‘grupi i zjarrit’ mbërrin në protestë pas Berishës

Të fshehur nën kapuçë të zinj e pas pankartave, ‘grupi i zjarrit’ i PD është gati për aksionin e njohur të hedhjes së molotovëve në protesta.

Metoda e kamuflimit të tyre nuk është e panjohur, ndërsa shihet të kenë vendosur edhe maska në fytyrë për të shmangur identifikimin e tyre.

Ora 19:33
Nis protesta e PD, Berisha lë selinë! Marshon me një grusht militantësh drejt Kryeministrisë

 

Sali Berisha del nga selia e PD për t’u nisur drejt kryeministrisë me një grusht fare të vogël militantësh, pjesa më e madhe e të ciilëve janë deputetë të partisë. Ky moment shënon edhe fillimin e saj. Kësaj radhe protesta do të nisë me fjalime.

Ora 19:19
PAMJE ME DRON/ Pak para protestës, në selinë e PD më shumë makina se njerëz

Afro 30 minuta pas orarit zyrtar të fillimit të protestës së thirrur para Kryeministrisë, Sali Berisha ndodhet ende në selinë e Partisë Demokratike, me shumë pak militantë që e presin të dalë për t'u nisur drejt Bulevardit "Dëshmorët e Kombit". Në pamjet e filmuara me dron nga Report Tv, duket se në oborrin e selisë ndodhen më shumë automjete të përkruara, se mbështetës të kryedemokratit.

Ora 19:11
PAMJE ME DRON/ Kalon orari zyrtar për nisjen e protestës së PD, ja sa është pjesëmarrja deri më tani

 

Report Tv sjell pamjet e para me dron nga bulevardi ‘Dëshmorët e Kombit’, aty ku dhe do të mbahet protesta kombëtare e thirrur nga Partia Demokratike. Protesta pritej të niste në orën 19:00 ndërsa pritet dalja e Sali Berishës nga selia blu për të shënuar dhe hapjen e këtij tubimi.

Ora 17:40
Protesta e Berishës, edhe makinat e Policisë në ‘skaner’ për hyrjen në oborrin e pasëm të Kryeministrisë

 

Edhe makinat e Policisë duket se po i nënshtrohen kontrolleve rigoroze, për të hyrë në oborrin e pasëm të godinës së Kryeministrisë.

Nga pamjet e siguruara nga Report TV, duket se furgonët e Policisë po kontrollohen nga poshtë përmes një pasqyre (që është posaçërisht për atë punë) për lëndë eksplozive.

Ora 17:13
1500 efektivë Policie për mbarëvajtjen e protestës së Berishës, kryepolici Hita ‘zbarkon’ në terren (VIDEO)

 

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skëndet Hita, ka zbritur vetë në terren për protestën e parë të opozitës, që nga emërimi i tij në detyrë.

Mësohet se Hita ka shkuar vetë pranë ‘bluve’ në terren, për të instruktuar efektivët e Policisë që janë në terren.

Ndërkohë që bëhet e ditur se të angazhuar për mbarëvajtjen e protestës së Berishës janë angazhuar 1500 efektivë policie.

Ora 15:13
Partia Demokratike në protestë para kryeministrisë/ 'Piramida' rrethohet me gardh, të rinjtë mblidhen për koncert

Një koncert është organizuar te ‘Piramida’ në qytet që prej orës 18:00 të pasdites sot e që pritet të zgjasë deri në orët e para të mëngjesit. Ky organizim përkon në të njëjtin orar me protestën kombëtare të thirrur nga Partia Demokratike, që pritet të mbahet fare pranë koncertit, në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ përpara kryeministrisë.

Berisha i është rikthyer dhe strategjisë së vjetër, fjalimeve që mesa duket do të ‘miksohen’ me muzikën e dj dhe këngëtarëve të ftuar në koncert. Sakaq, zona te 'Pramida' ku do të mbahet koncerti, është e rrethuar me gardh metalik dhe e ndarë nga pjesa tjetër e bulevardit.

Ora 15:09
Berisha: Protesta, kryengritje paqësore! Shqiptarët të dalin nga guaska e konformizmit

Një kryengritje paqësore e quan kreu i PD-së protestën e shtatë kombëtare, e cila mbahet sot në orën 19:00 para kryeministrisë. Sipas Berishës, qytetarët ngrihen në protestë kundër regjimit, po ashtu ende ndaj vendimit të mazhorancës që nuk lëshoi imunitetin e ish-zv/kryeministres të pandehur, Belinda Balluku.

Në mesazhet politike para protestës, të bëra publike në një konferencë për mediat, kreu i PD-së tha se pasojat e krizës në Lindjen e Mesme po reflektohen ndjeshëm në çmimin e naftës për shkak të taksave. Sipas tij, qytetarët shqiptarë kanë sot 1001 motive për të dalë nga guaska e konformizmit dhe e frikës.

Një arsye pse duhet protestuar, Berisha sheh edhe sulmet e mazhorancës ndaj opozitës që sipas tij po mbron interesit e shqiptarë e po garanton procesin e integrimit në BE.

"Qytetarët e Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë ngrihen në kryengritjen e tyre paqësore më të fuqishme që ka njohur Shqipëria. Ngrihen mbi dhunën, terrorin e regjimit, e klaneve të drogës, e policisë politike të patronazhistëve, kërcënimeve të tyre. Ngrihen për të mbrojtur interesat më jetike të vetat, të qytetarëve shqiptarë. Ngrihen për të mbrojtur dinjitetin, nderin e çdo shqiptari ndaj një agresioni të rëndë të një organizate kriminale të kryesuar nga Edi Rama, që më së fundi, duke hequr çdo maskë, përdori 83 mandatet e krimit për të mbrojtur vjedhjet e tij të pallogaritshme, dhe të Lubi Ballukut.

Akti i fundit i Edi Ramës është akti më armiqësor që ai ka ndërmarrë në serinë e akteve armiqësore ndaj shtetit ligjor, demokracisë në Shqipëri. Bllokimi i heqjes së imunitetit dhe arrestimit të Lubi Ballukut nga Edi Rama ishte një mburojë për veten e tij, pasi në dosjen Balluku, Edi Rama është aksioner të paktën me 60 përqind të veprave kriminale që mban ajo dosje në total 1.2 miliardë euro. Qytetarët shqiptarë kanë sot 1001 motive për të dalë nga guaska e konformizmit dhe e frikës, për t’u bashkuar me ne në kryengritjen tonë paqësore", tha Berisha.