Edhe seanca e kësaj të premteje u mbyll pa një vendim. Do të duhet të pritet 12 dhjetori, për një vendimmarrje të mundshme mbi dosjen “Veliaj”, nëse Gjykata e Posaçme do e kalojë për gjykim, do ia rikthejë SPAK-ut për plotësim, apo do e pushojë. 

Para gjyqtares Etleva Dedja përfundoi mbrojtjen ish-deputetja socialiste Klotilda Bushka. Ajo nuk ishte e pranishme në seancë, por përmes avokatit të saj kërkoi pushimin e çështjes, me argumentin se fakti i pretenduar nuk parashikohet nga ligji si vepër penale. Në rast se kjo kërkesë nuk pranohet, mbrojtja e ish-deputetes, kërkoi gjykimi i shkurtuar dhe moskopetencë të GJKKO për shkak se nuk është më deputete, pra kalim të çështjes ne gjykatën e zakonshme. Ish-deputetja akuzohet nga SPAK se ka ndërhyrë për të penguar hetimet duke intimiduar dëshmitarë.

Në seancë u paraqit vetëm biznesmeni Elman Abule. Ai ishte i pari që paraqiti mbrojtjen në seancat e mëparshme ku kërkoi pushimin e çështjes ose në alternativë gjykim të shkurtuar. Mbrojtja përfundoi këtë të premte edhe nga avokatet e 2 shoqërive, “Byla”, dhe “Eventus”. SPAK përfaqësohej nga dy prokurorët  Altin Dumani dhe Olsi Dado të cilët kërkojnë dërgim të çështjes për gjykim.

Ndërkohë, Veliaj thotë në disa prej seancave ka thënë se nuk është njohur me aktet pasi nuk i është vënë në dispozicion dosja fizike, por vetëm një USB të cilën nuk e lexon dot pas nuk ka laptop në qeli. SPAK thotë në një reagim zyrtar se aktet ia kanë dorëzuar me USB avokatëve. SPAK thotë se “mënyra vijuese e ndërveprimit pas këtij momenti procedural, mes të pandehurit dhe avokatit të zgjedhur prej tij, i takon marrëdhënies së ndërtuar mes tyre dhe në asnjë rast, nuk përfshin organin procedues me pretendime të pabazuara në ligj.”

Në seancën e ardhshme pas 1 jave, pritet të shpalosen argumentet e mbrojtjes së kryebashkiakut të Tiarnës, Erion Veliaj, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa dhe 2 prej biznesmenëve të akuzuar, Gentjan Sula e Shkëlqim Fusha e shoqërive.

Në seancën e kaluar paraprake ku Veliaj për herë të parë ishte vetë i pranishëm, kërkoi të mos vendosej në kafaz në sallën e gjyqit, por krah avokatit. Kërkesa u rrëzua në sallë nga gjyqtarja me argumentin se s’e parashikon ligji. Kryebashkiku ka kërkuar gjithashtu një kopje fizike të dosjes 60 mijë faqe, dhe ka kërkuar gjithashtu kohë të njihet me aktet ndaj tij. 

Veliaj ndodhet në paraburgim prej shkurtit të këtij viti dhe akuzohet për pastrim parash, mosdeklarim pasurie, korrupsion pasiv në 9 episode, shpërdorim detyre si dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli. Kryebashkiaku Veliaj i lënë në detyrë me vendim të Gjykatës Kushtetuese, i ka mohuar akuzat dhe e ka quajtur procesin të pabazuar në prova.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:24
Veliaj kërkoi t’i vendoset në dispozicion dosja fizikisht, reagon SPAK: Iu është dorëzuar avokatëve me USB

1764257698_1727086483spak.jpeg

SPAK ka reaguar për seancat paraprake të kryebashkiakut Erion Veliaj, i cili thotë se nuk është njohur me aktet pasi nuk i është vënë në dispozicion dosja fizike, por vetëm një USB të cilën nuk e lexon dot pas nuk ka laptop në qeli. SPAK thotë në një reagim zyrtar se aktet ia kanë dorëzuar me USB avokatëve. SPAK thotë se “mënyra vijuese e ndërveprimit pas këtij momenti procedural, mes të pandehurit dhe avokatit të zgjedhur prej tij, i takon marrëdhënies së ndërtuar mes tyre dhe në asnjë rast, nuk përfshin organin procedues me pretendime të pabazuara në ligj.”

Njoftimi i plote i SPAK

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar sqaron disa rrethana procedurale të cilat lidhen me gjykimin e çështjes penale në ngarkim në ngarkim të të pandehurit Erion Veliaj dhe të pandehurve të tjerë.

Procedimi penal, nr.27 i vitit 2024 është dërguar për gjykim pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar më datë 10.9.2025.

Gjykata e Posaçme caktoi më 29.9.2025, seancën e parë të gjykimit paraprak. Prej këtij momenti dhe deri tani janë shtyre 8 seanca gjyqësore për shkak të mungesave të pajustifikuara të mbrojtësve të të pandehurve apo dhe kërkesave të padrejta të tyre,duke penguar përfundimin e gjykimit paraprak brenda afateve të parashikuara nga Kodi i Procedurës Penale*.

Sa i takon prentendimeve të përsëritura të të pandehurit, Erion Veliaj, për njohjen me aktet e procedimit penal, nr. 27/2024, theksojmë faktin se Prokuroria e Posaçme ka përmbushur plotësisht detyrimet që burojnë nga neni 327/2/3 të Kodit të Procedurës Penale.

Brenda afatit të parashikuar nga neni 324 i Kodit të Procedurës Penale, prokurorët kanë njoftuar të pandehurin dhe mbrojtësit e tij, mbi përfundimin e hetimeve paraprake. Veç përshkrimit të përmbledhur të faktit penal, për të cilin procedohet i pandehuri, Erion Veliaj është njoftuar edhe me të drejtën për t’u njohur me aktet dhe për të marrë kopje të tyre.

Në ushtrim të kesaj të drejte, mbrojtësit e të pandehurit Erion Veliaj, më datë 24.7.2025, pa asnjë shpenzim kanë marrë një kopje të akteve të procedimit penal, nr. 27 të vitit 2024. Ky fakt është dokumentuar me procesverbalin përkatës të datës 24.7.2025, i nënshkruar nga njëri prej avokatëve të zgjedhur nga i pandehuri Erion Veliaj.

Jo vetëm kaq, por më datë 10.10.2025, i njëjti avokat i zgjedhur ka bërë kërkesë pranë organit  procedues për vënien në dispozicion të një kopjeje të akteve, ku pasqyrohen veprimet hetimore shtesë të kryera për periudhën 24.7.2025 deri në muajin Shtator 2025. Në këtë kërkesë, vetë avokati i zgjedhur shprehet se; “më datë 23.07.2025 janë njoftuar për përfundimin e  hetimeve dhe u është vendosur  në dispozicion një  USB me kopje të akteve të  këtij procedimi penal.”

Prokurorët e çështjes theksojnë se mënyra vijuese e ndërveprimit pas këtij momenti procedural, mes të pandehurit dhe avokatit të zgjedhur prej tij, i takon marrëdhënies së ndërtuar mes tyre dhe nëasnjë rast, nuk përfshin organin procedues me pretendime të pabazuara në ligj.

Prokuroria e Posaçme vazhdon të zbatojë ligjin dhe të sigurojë një proces gjyqësor të rregullt dhe transparent.

Ora 15:53
Kërkoi ‘lirimin’ nga kafazi i gjykatës, GJKKO i rrëzoi kërkesën Veliajt: Praktikë e zakonshme! Por, Nano në 1993-shin qëndroi në gjyq i paizoluar

Në seancën e kaluar paraprake ku kryebashkiaku Erion Veliaj për herë të parë ishte vetë i pranishëm, kërkoi të mos vendosej në kafaz në sallën e gjyqit, por krah avokatit. Kërkesa u rrëzua në sallë nga gjyqtarja me argumentin se s’e parashikon ligji dhe do të qëndroj i izoluar ne kafazin e xhamit.

Gjykata u justifikua me faktin se që nga viti 1993 në gjykatat shqiptare ndiqet kjo praktikë e izolimit të të pandehurit në sallën e gjyqit, pavarësisht se ai është një zyrtar, ish zyrtar, një anëtar i një organizate kriminale apo një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Por, praktikat gjyqësore të viteve të mëparshme, përfshirë proceset ndaj zyrtarëve të lartë të shtetit, nuk kanë aplikuar izolim të kësaj natyre.

Një prej rasteve të njohura historikisht është ai i vitit 1993, në procesin ndaj ish-kryeministrit Fatos Nano, i cili qëndroi në sallën e gjyqit pa struktura izoluese të tipit kabinë xhami apo kafaz hekuri, pavarësisht ngarkesës së madhe politike dhe mediatike të kohës, përfshirë edhe të gjithë përndjekjen e mazhorancës së asaj kohe të drejtuar personalisht nga Presidenti i vendit, Sali Berisha.

Parimi i barazisë para ligjit dhe standardin e një procesi të drejtë, që duhet të jetë i njëjtë për çdo qytetar, pavarësisht funksionit publik që ka mbajtur apo mban sot.

Ora 11:20
Gjyqi për dosjen 'Veliaj', ish-deputetja Bushka kërkon pushimin e çështjes ose shpalljen e moskompetencës nga GJKKO

Në GJKKO po vijon seanca për dosjen e kryebashkiakut Veliaj. Gazetarja e Report Tv, Keti Banushi raporton se ka përfunduar me mbrojtjen, ish-deputetja e PS, Klotilda Bushka. Mësohet se mbrojtja e Bushkës ka paraqitur 3 kërkesa.

Fillimisht Bushka kërkon pushimin e çështjes në ngarkim të saj, por në rast se kjo kërkesë nuk pranohet, ajo kërkon veçimin e çështjes së saj dhe moskompetencën nga GJKKO, si edhe gjykim të shkurtuar.

SPAK e akuzon Bushkën për veprën penale të kryerjes së veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës. Ajo dyshohet se ka ndërhyrë për të penguar hetimet e SPAK, duke intimiduar dëshmitarë dhe duke u marrë telefonat që të mos i dorëzonin në SPAK.