TIRANË- Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj kërkon që seancat paraprake ndaj tij të shtyhen derisa t’i garantohet e drejta për tu njohur me dosjen afro 60 mijë faqëshe, të cilën që prej shkurtit që ndodhet në paraburgim, ende nuk ka mundur ta lexojë.

“Kërkoj shtyrjen e procedurës derisa kjo e drejtë elementare — e drejta për t’u mbrojtur — të më garantohet në mënyrë të plotë dhe efektive. Asnjë proces i drejtë nuk mund të vazhdojë pa respektuar këto tre kushte minimale.” Kjo kërkesë u lexua këtë të premte nga avokati Artan Gjermeni në seancën paraprake me dyer të mbyllura, ku vetë Veliaj ishte i pranishëm. Në kërkesë ritheksohet se qëllimi nuk është zvarritja, por nevoja që ndaj Erion Veliajt të zhvillohet një proces i drejtë, dhe si i pandehur, të njihet vetë me materialet e dosjes voluminoze, që deri më tani SPAK ia ka vënë në dispozicion mbrojtjes vetëm në USB, kur në burg nuk ka as kompjuter.

“Në momentin që i pandehuri shpreh vullnet të drejtpërdrejtë për t’u njohur vetë me aktet, organi procedues ka detyrimin ligjor t’ia garantojë këtë të drejtë. Ky vullnet nuk mund të shpërfillet me arsyetimin se mbrojtësi ka pasur akses në dosje, pasi e drejta procedurale e të pandehurit është personale dhe e pavarur nga mënyra e ushtrimit të mbrojtjes nga avokati”, shkruhej në kërkesën e lexuar nga avokati tashmë i dorëhequr Artan Gjermeni.

Kërkesa u rrëzua për së dyti nga gjyqtarja e posaçme Etleva Dedja njëjtë siç bëri kur Veliaj e artikuloi vetë këtë qëndrim nga salla e gjyqit seancën e 2 dhjetorit. Mbrojtja e Veliajt u ndal edhe tek 2 standardet e GJKKO-së, duke kujtuar se Irena Gjola më 5 dhjetor, për një tjetër të pandehur në paraburgim, vendosi t’ia vë në dispozicion të printuara ish-presidentit Ilir Meta disa fashikuj të dosjes së tij.

“E njëjta kërkesë për njohje dhe kopje të akteve është paraqitur nga vetë i pandehuri në seancë, dhe nga ana e Gjykatës kjo kërkesë është pranuar, duke urdhëruar organin procedues që ti mundësoj të pandehurit në paraburgim kopje të akteve të kërkuara personalisht nga ai”, u lexua në kërkesë.

Avokati Artan Gjermeni, lexoi në gjykatën e Posaçme edhe kërkesën e përsëritur të Veliajt për të mos qëndruar brenda kafazit të xhamtë gjatë zhvillimit të seancës, por edhe kjo kërkesë u rrëzua. Pas këtij vendimi, kryebashkiaku Veliaj zgjodhi të mos mbrohet më nga avokati Artan Gjermeni, çka u pasua me dorëheqjen e tij gjatë zhvillimit të seancës.

Gjykata i caktoi avokate kryesisht, Valentina Teodoreskun, të cilës do i duhet të studiojë nga zero, 60 mijë faqe të dosjes.

Në këtë seancë paraprake, bëri mbrojtjen biznesmeni Shkëlqim Fusha, i cili kërkoi pushimin e çështjes me argumentin se nuk ka vepër penale. Erion Veliaj i cili ende nuk ka paraqitur argumentet e tij mbrojtëse, qëndroi në sallë deri në fund të seancës, kur gjyqtarja mori vendim për shtyrjen më 5 janar.

SPAK e akuzon Veliajn për pastrim parash, mosdeklarim pasurie, korrupsion pasiv e shpërdorim detyre, akuza që kryebashkiaku i ka mohuar, ndërsa procesin e ka vlerësuar të pabazuar në prova.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:51
Veliaj largon nga mbrojtja Artan Gjermenin pasi nuk e 'nxori' nga kafazi i qelqtë, gjykata i cakton avokat kryesisht

 

Kryebashkiaku Erion Veliaj ka larguar nga mbrojtja e tij avokatin Artan Gjermeni pasi GJKKO i rrëzoi këtij të fundit kërkesën e mosqëndrimit në kafaz të Veliajt gjatë seancave gjyqësore.

Pas largimit të avokatit, gjykata i ka caktuar Erion Veliajt si avokat kryesisht Valentina Teodoreskun.

Ora 10:39
KËRKESA E PLOTË/ Veliaj do të njihet me aktet hetimore, GJKKO i rrëzon kërkesën! Kryebashkiaku: Dy standarde, Metës iu vunë në dispozicion fashikujt

1763362158_erionveliaj.jpg

Në GJKKO po zhvillohet seanca për gjyqin paraprak të dosjes Veliaj. Avokati Artan Gërmenji ka kërkuar sërish që Erion Veliaj të dalë nga kafazi i qelqtë në sallën e gjyqit dhe të qëndrojë pranë avokatit të tij, kërkesë kjo e bërë edhe më datë 2 dhjetor.

Pasi u lexua kërkesa, Gjykata vendosi ta rrëzojë atë. Po ashtu, në kërkesën e siguruar nga gazetarja Keti Banushi thuhet se mbrojtja kërkon që të vihen në dispozicion të gjitha aktet që kryebashkiaku të ketë mundësinë ti lexojë.

 Veliaj thotë se GJKKO vepron me dy standarde, duke u ndalur tek rasti i Ilir Metës, i cili ka marrë një pjesë të fashikujve.

Kërkesa e plotë e avokatëve të Veliajt

E nderuar Gjykatë,

Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndodhet për gjykim në seancë paraprake kërkesa penale e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar si atribuim kundër të pandehurit Erion Veliaj për veprat penale objekt gjykimi.

Në seancën gjyqësore paraprake të datës 02.12.2025, nga ana e të pandehurit Erion Veliaj, i pranishëm në këtë seancë, midis të tjerave është kërkuar:

1.            “Heqjen e menjëhershme të masës së vendosjes në kafaz, në përputhje me standardet detyruese të KEDNJ-së dhe jurisprudencën e GJEDNJ-së, e cila e konsideron këtë praktikë si trajtim poshtërues, paragjykues dhe të papajtueshëm me nenet 3 dhe 6 të Konventës.

2.            Vënien e plotë dhe të menjëhershme në dispozicion të akteve të dosjes, në një formë të lexueshme dhe të aksesueshme, që më mundëson të jem realisht i informuar për akuzën dhe të kem kohën e nevojshme për përgatitjen e mbrojtjes sime.

3.            Shtyrjen e procedurës derisa kjo e drejtë elementare — e drejta për t’u mbrojtur — të më garantohet në mënyrë të plotë dhe efektive. Asnjë proces i drejtë nuk mund të vazhdojë pa respektuar këto tre kushte minimale.”

Kjo kërkesë e paraqitur nga i pandehuri Erion Veliaj, me vendim të ndërmjetëm të Gjykatës së Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar datë 02.12.2025 është rrëzuar me argumentet e cituar në procesverbalin gjyqësor të seancës.

Konstatojmë se ka qëndrime të ndryshme pranë kësaj Gjykate në zbatimin e ligjit procedural penal, lidhur me njohjen e akteve bazuar posaçërisht në nenet 34/a dhe 327 pika 2 & 3.

Konstatohet se në shumicën e rasteve, të pandehurve të ndryshëm, u mundësohet njohja me aktet dhe marrja e kopjes së tyre.

Posaçërisht, i sjellim në vëmendje kësaj Gjykate se në procedimin penal nr.55 të vitit 2019, në seancën e datës 04.12.2025, e njëjta kërkesë për njohje dhe kopje të akteve është paraqitur nga vetë i pandehuri në seancë, dhe nga ana e Gjykatës kjo kërkesë është pranuar, duke urdhëruar organin procedues që ti mundësoj të pandehurit në paraburgim kopje të akteve të kërkuara personalisht nga ai. Rasti e sjell që edhe në procedimin penal nr. 55/2019, një nga përfaqësuesit e organit të akuzës përkon si në procedimin e relatuar dhe në procedimin ndaj të pandehurit Erion Veliaj.

Duke patur parasysh mënyrën e ndryshme të vendimmarrjes së kësaj Gjykate për procedimin kundër të pandehurit Erion Veliaj si dhe nevojën për të garantuar trajtim të barabartë të të pandehurve në zbatimin e nenit 34/a dhe 327 pika 2 dhe 3, mbi të drejtën e njohjes dhe marrjes së kopjes së akteve, personalisht nga i pandehuri, konstatojmë se qëllimi i kësaj kërkese është të vendoset i njëjti standard për mënyrën e procedimit dhe palët pjesëmarrëse në gjykimin e pranë kësaj Gjykate.

Qëllimi i kësaj kërkese nuk është zvarrijta e procesit por garantimi i të drejtës kushtetuese në bazë të nenit 31 të Kushtetutës i cili parashikon se të pandehurit në paraburgim i duhet vënë në dijeni të plotë, reale dhe efektive materiale të çështjes, të cilat në rastin konkret përbëjnë një volum prej afërsisht 60.000 faqe (në mënyrë elektronike 21 gb).

Theksojmë se kjo Gjykatë ka arsyetuar mbi rrëzimin e kërkesës për njohje me aktet me argumentin se është njohur mbrojtësi i zgjedhur nga i pandehuri Erjon Veliaj dhe është marrëdhënia e tij me të pandehurin për ta njohur atë më aktet.

Ndërkohë, neni 327, pika 2 dhe 3 të Kodit të Procedurës Penale parashikojnë se:

“2. Brenda afatit të parashikuar nga neni 324, i këtij Kodi, prokurori njofton mbi përfundimin e hetimeve paraprake të pandehurin, mbrojtësin e tij, si dhe viktimën ose trashëgimtarët e saj, kur identiteti dhe vendbanimi i tyre rezultojnë nga aktet e procedimit.

3. Njoftimi përmban përshkrimin e përmbledhur të faktit penal për të cilin procedohet, kohën dhe vendin e kryerjes, cilësimin juridik, lajmërimin për depozitimin e akteve në sekretari dhe të drejtën për t’u njohur me aktet dhe për të marrë kopje.”

Nga interpretimi literal i nenit 327, pika 2, rezulton se prokurori është i detyruar të njoftojë secilin subjekt të listuar në mënyrë të veçantë, pra “të pandehurin, mbrojtësin e tij, si dhe viktimën”. Përdorimi i presjeve dhe renditja e pavarur e subjekteve provon se njoftimi nuk është unik, nuk është i bashkuar dhe nuk është i zëvendësueshëm midis tyre. Ligji nuk përdor shprehje si “përmes mbrojtësit” ose “njoftimi i bërë mbrojtësit vlen për të pandehurin”. Përkundrazi, formulimi gramatikor tregon qartë se çdo subjekt ka të drejtë të marrë njoftimin e të njihet me aktet personalisht, dhe jo përmes një subjekti tjetër.

Pika 3 e nenit 327 përcakton se njoftimi duhet të përmbajë edhe “të drejtën për t’u njohur me aktet dhe për të marrë kopje”. Kjo e drejtë u adresohet të gjithë subjekteve që marrin njoftim sipas pikës 2, pra edhe vetë të pandehurit. Dispozita nuk parashikon se e drejta e të pandehurit konsumohet ose shuhet nga ushtrimi i saj nga mbrojtësi. Përkundrazi, struktura gramatikore dhe logjika e dispozitës tregojnë se çdo person i njoftuar ka të drejtën autonome të njihet personalisht me aktet, pa u zëvendësuar nga një përfaqësues.

Arsyetimi i gjykatës se njohja e mbrojtësit mjafton edhe për të pandehurin bie ndesh me interpretimin literal të ligjit, pasi dispozita i drejtohet qartë dy subjekteve të dalluara: të pandehurit dhe mbrojtësit të tij. Në mungesë të një formule ligjore që tregon se mbrojtësi zëvendëson të pandehurin për efekt të njoftimit, nuk mund të krijohet artificialisht një efekt i tillë. Mbrojtësi është një garantues procedural, por jo zëvendësues i të drejtave personale të të pandehurit, të cilat ligji i njeh në mënyrë të vetëqëndrueshme.

Në momentin që i pandehuri shpreh vullnet të drejtpërdrejtë për t’u njohur vetë me aktet, organi procedues ka detyrimin ligjor t’ia garantojë këtë të drejtë. Ky vullnet nuk mund të shpërfillet me arsyetimin se mbrojtësi ka pasur akses në dosje, pasi e drejta procedurale e të pandehurit është personale dhe e pavarur nga mënyra e ushtrimit të mbrojtjes nga avokati. Refuzimi i gjykatës për të vlerësuar kërkesën e drejtpërdrejtë të të pandehurit bie ndesh me strukturën dhe tekstin e dispozitës ligjore.

Nëse do të pranohej që mjafton njohja e mbrojtësit, atëherë përfshirja e të pandehurit në listën e subjekteve që duhet të njoftohen bëhet plotësisht e panevojshme.

Dispozita procedurale duhet të interpretohet në mënyrën që jep më shumë garanci për të pandehurin dhe jo që i kufizon ato. Midis dy interpretimeve – një që e njeh të drejtën e të pandehurit për të parë vetë aktet, dhe një që e mohon atë me arsyetimin se është njohur avokati – duhet të prevaloj interpretimi që garanton të drejtën efektive të mbrojtjes.

Arsyetimi i gjykatës e kthen të pandehurin në subjekt pasiv të procesit, duke kufizuar padrejtësisht një të drejtë të dhënë qartë nga ligji.

Për këto arsye bazuar në nenet 112, të Kodit të Procedurës Penale; 34/a, 327/2/3, 332/c; të Kodit të Procedurës Penale, nenet 31 e vijues të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë; Nenet 3, 6 e vijues të KEDNJ.

KËRKOJMË

-              Revokimi i vendimit të ndërmjetëm të Gjykatës së Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, datë 02.12.2025.

Ju faleminderit.