Sot Gjykata Kushtetuese ka shtyrë seancën e përcaktuar për t'u mbajtur ditën e sotme, ku pritej të shqyrtohej kërkesa e deputetëve të PD për anulimin e dhënies me koncesion të Parkut të Butrintit. Kushtetuesja ka argumentuar se Ina Zhupa e cila përfaqësonte palën denoncuese në këtë seancë, duhet të ketë autorizimin dhe firmat 36 deputetëve për t'i përfaqësuar këta të fundit. Konkretisht të 31 deputetëve që kanë firmosur më herët, pasi 5 prej tyre janë dorëhequr nga mandati.
Seanca e rradhës u caktua në datën 11 korrik.
Në një deklaratë për mediat para nisjes së seancës Ina Zhupa tha se nuk mund të lejohet që një zonë e mbrojtur nga UNESCO të lihet në dorë të një fondacioni që sipas saj do të bëjë interpretimin e gjetjeve duke i konsideruar këto të fundit si trashëgimi greke.
Deputetja argumentoi se një zonë e tillë nuk duhet të hiqet nga kompetencat e Ministrisë së Turizmit dhe që bashkia e Sarandës të vihet në rolin e zbatimit të urdhërave që jep fondacioni.
“Ajo që ndodh në Butrint është që çdo gjetje, do të interpretohet nga ky staf dhe do të tjetërsojnë historinë me tezat e tyre që Butrinti ka trashëgimi greke. Ajo që ndodh tjetër, është fakti se Butrinti i hiqet nga komptencat e gjithë organet e shtetit që nga ministria e Turizmit apo Agjencia e Zonave të Mbrojtura sepse bën një potencial të jashtëzakonshëm ekonomik turistik. Edhe bashkia e Sarandës është vënë në rolin e një çiraku për fondacionin, ku jep urdhra fondacioni lidhur me atë që duhet bërë dhe nuk ka asnjë kompetencë brenda zonës së vetë. Konventa e Parisit ku ne jemi pjesë, ndalon në mënyrë të rreptë që fondacionet të marrin nën administrim pasuritë e UNESCO-s. Ne e ftojmë fondacionin të japë donacione për Butrintin por kurrsesi të marrë nën administrim një pasuri të UNESCO-s”-tha Zhupa.
Zhupa shpesh është përfshirë në debate me ministren e kulturës Elva Margariti, pasi pretendon se parku i Butrintit po i jepet për 10 vite privatit. Zhupa ëshë shprehur se lidhur me këtë projekt nuk është marrë mendimin nga asnjë arkeolog, ndërsa nuk kanë as aprovim nga UNESCO.
Mes debateve të shumta mes opozitës dhe maxhorancës, para disa muajsh kuvendi miratoi me 75 vota pro, 18 kundër dhe 1 abstenim marrëveshjen për menaxhimin e Parkut Kombëtar të Butrintin nga fondacioni shqiptaro-amerikan AADF, në të cilën bën pjesë edhe shteti.
Marrëveshja synon zhvillimin e Parkut të Butrintit, dhe kthimin e tij në një pikë të rëndësishme turistike. Fondacioni për menaxhimin e Butrintit krijohet në partneritet me Fondacionin jo shtetëror Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) dhe do të përbëhet nga 5 anëtarë, 2 prej të cilëve nga Ministria e Kulturës, 2 të tjerë nga partneri strategjik AADF, ndërsa një i pestë është arkeologu i huaj britanik Richard Hodges. Kontributi fillestar financiar i partnerit strategjik është 5 milionë dollarë, ndërsa ai i Ministrisë së Kulturës, 2 milionë dollarë.
Lajmi në përditësim...
Gjykata Kushtetuese shtyn kërkesën për Butrintin me argumentin se 36 deputetët firmëtarë si palë në këtë çështje nuk kanë dhënë autorizimin për ti përfaqësuar.
Kryetarja e GJK ka theksuar se për shqyrtimin e çështjes nevojiten 28 firma dhe data për seancën e rradhës u caktua në 11 korrik.