Shumë shpejt priten risi për ministren Diella. Kryeministri Edi Rama tha në çeljen e edicionit të dytë të panairit MatchMaker Albania se ministrja e parë në botë e Inteligjencës Artifciale do të rikthehet në vëmendje, por nuk u zbuluan surpriza.
“Jemi krenarë që jemi vendi i parë që i kanë lënë hapësirë edhe në qeveri një ministreje të inteligjencës. Po bëhet gati të kthehet sërish në vëmendje me disa lajme të mira. Dixhitalizimi për ne përfaqëson bekim si për shumë vende që në zhvillim sepse është një mundësi unike për të kapërcyer përpara dhe për të mbyllur hendeqe historike që tjetërsoj nuk do të mund të mbylleshin në afatin kohor të një brezi apo dy”, tha Rama.
Në kohën kur Diella u linçua në publik si Ministre e Shtetit për Inteligjencën Artificiale, kryeministri Rama ka thënë vazhdimisht se “familja” teknologjike e Diellës do të zgjerohet dhe se teknologjia do të implementohet më gjerësisht në sektorë të ndryshëm.
Rama tha se Shqipëria sot është një vend ku po ndodhin disa prej ndryshimeve më të mëdha.
“Sot Shqipëria reflekton kohën e botës. Panairi botëror në Berlin, tregon që Shqipëria është një vend që të gjithë duhet ta shohin dhe të hidhen e të bëjnë sikur s’ka të nesërme. Gati të mirëpresim, të ofrojmë, të lidhim bizneset, njerëzit, ambiciet”, u shpreh kryeministri.
Kryeministri shtoi se po përgatiten për disa investime të rëndësishme:
“Synojmë të promovojmë jo vetëm destinacionet turistike të Shqipërisë, por turizëm të një niveli tjetër të të kuptuarit dhe kujdesurit për qëndrueshmërinë”, tha Rama.
Një prej këtyre investimeve vjen nga Gjermania pasi kryeministri bëri me dije se shumë shpejt do të hapet pika e parë e rrjetit të supermarketeve LIDL.
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, theksoi se turizmi dhe zhvillimi urban përfaqësojnë një nga potencialet më të mëdha të vendit duke krijuar hapësira të konsiderueshme për investime strategjike. Ministrja tha se Shqipëria ofron një paketë konkurruese fiskale për investitorët, veçanërisht në zonat e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik dhe në parqet e inovacionit.
Ndërsa ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Enea Karakaçi, tha se pjesëmarrja e Shqipërisë në tregjet rajonale pasqyron hapa konkretë në një mjedis konkurrues e transparent.
“Shqipëria po pozicionohet si një portë e besueshme e shkëmbimit energjetik. Ne synojmë të zgjerojmë kapacitetin e prodhimit dhe që Shqipëria të jetë eksportuese e energjisë neto në 2030. Po hyjmë në një kapitull ku teknologjia e inovacioni janë në themel të strategjisë energjetike. Automatizimi po transformon mënyrën si energjia prodhohet, shpërndahet dhe konsumohet. Investimet në energji mbështeten te besimi dhe forcojmë sigurinë juridike. Angazhimi ynë është të ofrojmë parashikueshmëri”, tha Karakaçi.
Gjithashtu, edhe ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, mbajti një fjalë duke e vënë theksin te rishikimi dhe reformimi i legjislacionit për turizmin.
Panairi MatchMaker Albania është një platformë biznesi që bashkon investitorë, kompani dhe institucione vendase dhe ndërkombëtare, me mbi 1000 pjesëmarrës dhe më shumë se 400 takime të planifikuara.
Në takimin me investitorët ndërkombëtarë, kryeministri Rama bëri edhe një batutë me ta duke i ftuar të provojnë rakinë që Shqipëria t’ju duket më e mirë dhe të harrojnë problemet e saj si korrupsioni apo krimi i organizuar.
“Sot në stendën ‘Takohu me qeverinë’ do të gjeni pak raki, edhe pse nuk është më e nevojshme për t’ju dhënë entuziazëm kur vini në Shqipëri, provojeni, do t’ju bëjë që Shqipëria t’ju duket edhe më e mirë, por efekti më i madh dhe më i shkëlqyer i saj është që do t’i sjellë të gjithë në qejf e të mos vuajnë artificialisht për këtë problemin tonë, korrupsionin dhe krimin e organizuar”, tha Rama.
Ndërsa po përfundonte fjalën e tij, kryeministri Rama falënderoi investitorët gjermanë duke dhënë edhe lajmin se shumë shpejt, hapet edhe pika e parë e rrjetit të supermarketeve LIDL.
“Njerëzit e LIDL që janë këtu, po punojnë me ne dhe shpejt do të çelin mjedisin e tyre të parë, objektin e tyre të parë dhe ashtu siç më thotë dikush, kur vijnë gjermanët, vërtet je në një nivel tjetër”, tha Rama.
Komente











