TIRANË- Gjykata e Apelit ka rrëzuar vendimin e shkallës së parë për ish- ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri dhe rikthen çështjen për gjykim. Vendimi është marrë ditën e sotme, në seancën që ka zgjatur rreth 30 minuta.

Trupa gjykuese u shpreh se nuk ka asnjë provë për shpërdorim detyre, për të cilën u dënua Tahiri, duke kërkuar rigjykimin e dosjes nga e para. Vendimi i shkallës së parë që dënoi Tahirin me 3 vite shërbim prove është rrëzuar tashmë dhe ish-ministri do të nisë betejën nga fillimi me drejtësinë. Që do të thotë se me rrëzinim e vendimit të Gjykatës së Apelit, bie edhe dënimi me 3 vite shërbim prove për shpërdorim detyre. Ai do të gjykohet nga e para për tre veprat penale "Trafikimi i narkotikëve”, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “ Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal.

Të pranishëm në sallë ishin edhe përfaqësues të ambasadës Amerikane, teksa gazetari i Report Tv, Arsen Rusta raporton se Tahiri e priti i qetë vendimin për rigjykimin e çështjes së tij. Duke mos pasur një vendim të formës së prerë nga drejtësia, Tahiri nuk mund të bëhet pjesë të paktën për zgjedhjet e ardhshme.

Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri u vu nën akuzë pas arrestimit të grupit “Habilaj” ndërsa që në fillim ai pretendoi pafajësi duke e quajtur një proces farsë me prova të montuara. Në shtator të vitit të kaluar ish-Prokuroria e Krimeve kërkoi dënimin e tij me 12 vite, ndërsa për shkak të gjykimit të shkurtuar shkonte 8 vite, por  gjykata e dënoi Tahirin me 3 vite burg me shërbim prove. Të dy palët nuk u kënaqën duke e apeluar vendimin, prokuroria që nuk tërhiqet nga kërkesa për dënimin e tij me 12 vite, ndërsa ish-ministri kërkon pafajësi të plotë. Në seancë për herë të parë pas vetëdorëzimit ishte i pranishëm edhe Jaeld Çela.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:28
Report Tv zbardh vendimin e Apelit që ktheu dosjen e Saimir Tahiri për rigjykim: U shpik e re, nuk mund të ndryshonte akuza (Dokumenti)

Report Tv siguruar dispozitivin e vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Saimir Tahirin. Gjykata e Apelit shprehet se nuk mund të japë një vendim dënimi ndërkohë që nuk është bërë asnjë hetim për akuzën e shpërdorimit të detyrës, për të cilën shkalla e parë e dënoi ish-ministrin.

Kjo akuza, pra e shpërdorimit të detyrës, Apeli thotë se është shpikur nga gjykata e shkallës së parë, pasi nuk është diskutuar në seancën paraprake, ku gjyqtari kontrollon veprimet procedurale dhe ka të drejtë të bëjë kualifikimin e akuzës. Përderisa nuk e ka bërë gjyqtari i seancës paraprake nuk mund ta bënte ai i shkallës së parë në fund apeli në këto kushte kërkon të rigjykohet, raporton gazetari i Shqiptarja.com Elton Qyno.

Pra, sipas Apelit nuk duhet të ndryshonin akuzat për "Trafikimi i narkotikëve” në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal për Saimir Tahirin.

"Ky kolegj vlerësoi të pabazuar shkakun e pretenduar nga Saimir Tahiri dhe mbrojtësi i tij. Ky kolegj i çmoi se vendimi i marrë nga gjyqtari i hetimeve paraprake të Katanias në Itali nuk plotëson kushtet për t'u cilësuar përfundimtar në respektim të nenit 34 të kushtetutës së Shqipërisë. Së dyti ky kolegj duke shqyrtuar në themel faktet e atribuuara të pandehurve Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela në raport me aktin e njoftimit të akuzës dhe kërkesës për dërgimin e cështjes në gjyq të prokurorisë në raport me vendimin e gjyqtarit të seancës paraprake si dhe në raport me konkluzionet e arritura nga vendimi i apeluar vlerësoj se në rastin konkret janë shkelur dispozitat për paraqitjen e akuzave të reja, e lidhur kjo edhe me mos respektimin e dispozitave për ushtrimin e ndjekjes penale nga prokurori.

Gjykata ka zbatuar gabim nenin 375 të kodit të procedurës penale se në këtë rast gjykata nuk ka rivlerësuar të njëjtin fakt që atribuohet nga prokuroria të pandehurit, por de facto ka ngritur një akuzë të re, për të cilën Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela as nuk janë hetuar dhe për më tepër nuk u është atribuuar-- kultivimi i narkotikëve apo dhe përhapja e kultivimit në Shqipëri. E lidhur kjo me episode konkrete të sekuestrimit dhe asgjësimit të narkotikëve në datat 13.09.2016 dhe 04.10.2016 dhe 18.10.2017.

Në lidhje me këto episode dhe kultivimin e narkotikëve, prokurorët janë shprehur se nuk kanë ngritur akuzë ndaj të pandehurve Saimir Tahiri dhe Çela por janë referuar duke mbështetur ekzistestën dhe qëndrueshmërinë e grupit të strukturuar kriminal pjesë e të cilit akuzohet se janë edhe dy të pandehurit. Gjykata e Krimeve të Rënda ndonëse e vlerësoi si kontradiktor këtë qëndrim të prokurorisë në vijim duke iu referuar episodeve që lidhen me sekuestrimin dhe asgjësimin e bimëve narkotike në 2016-17 rikualifikon faktin penal të atribuuar të pandehurve në lidhje me trafikimin e narkotikëve në 4 episode konkrete dhe cilësuar si shpërdorim detyre.

Në vëmendje të gjykatës së Apelit është edhe parashikimi i pikës të 6 në nenit 28 të kodit penal që përcakton se anëtarët e grupit të strukturuar kriminal në rastin konkret janë përgjegjës për të gjitha veprimet penale të kryer prej tyre në përmbushje të qëllimeve të veprimtarisë kriminale. Në rrethanat e referuara më lart, kolegji çmon se një konkluzion i tillë sjell si pasojë prishjen e vendimit të apeluar-vendimit të gjykatës për krimet e rënda dhe kthimin e akteve në shkallë të parë.  Për këtë arsye gjykata e posacme e apelit vendosi; Prishjen e vendimit nr. 60 datë 19.09.2019 të gjykatës për Krimet e Rënda, aktualisht GJKKO dhe dërgimin e akteve në atë gjykatë, një kolegji tjetër të saj" thuhet në vendimin e gjykatës së Apelit.

Ora 14:42
Tahiri: Jam prapë kampion, kanabisin e kam luftuar më shume se të gjithë këta bashkë

Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri akuzoi se procesi kundër tij po zvarritet qëllimisht. Ai tha se mund ta mos kërkojë më gjykim të shkurtuar, por procesi të zhvillohet normalisht kundër tij në shkallën e parë. "Kurrë nuk kam bërë faj. Meqë prokuroria më akuzoi, e kam ndjekur këtë proces me korrektësi  maksimale duke ikur edhe nga deputetllëku duke u përballur si qytetar".

I pyetur mbi shqetësimin e prokurorit të përgjithshëm për rritjen e kultivimit të kanabisit aktualisht, Tahiri tha se 'Unë kam luftuar më shumë se të gjithë ata të tjerët të marrë bashkë'. Pikëpyetja e vetme sot në reflektim sipas tij është nëse "duhet të ishim transparent aq sa duhet me atë që bënim deri në cdo bimë apo mund ti fshihnim dhe ju nuk merrnit vesh gjë dhe për rrjedhojë nuk kishte as debat. 

Unë zgjodha rrugën që të thoja të vërtetën". Por a ishte kjo një akuzë për drejtuesit aktualë? "Jo, nuk po nënkuptoj asgjë, do të ketë një kohë që të flas edhe politikisht" tha ai.

Ai vlejti që hoqët dorë si deputet?
Ia ka vlejtur të përballem si qytetar, jo si ata vemjet më parë që janë përballur si pushtetar. Këmbët e mia më mbajnë edhe pa pushtet.

Si e konsideroni vëzhgimin e procesit ndaj ndërkombëtarët?
Mirë se të vijnë kushdo. Po e pashë të arsyeshme as më shkon ndërmend ti shkoj me gjykim të shkurtuar këtij procesi, me gjykim të zakonshëm, prova, dëshmitarë, lista punësh dhe rezultatesh

Edhe ish-vartësit tuaj duhet të vijnë?
Unë po ju them se jam i dedikuar për këtë proces, është jeta ime, nuk është një pikë në axhendë, apo një ditë pune si gjithë të tjerat, është jeta ime dhe pa asnjë diskutim do të gjej një mënyrë që ta përball sikur duhet, si gjithmonë. Më mbajnë këmbët e mia dhe lëkura ime.

Prokurori i përgjithshëm ka folur me shqetësim për kultivimin e kanabisit...
Unë kam luftuar më shumë se të gjithë ata të tjerët të marrë bashkë. E vetmja gjë që i kam vendosur pikëpyetje vetes ishte, a duhet të ishim transparent aq sa duhet me atë që bënim deri në cdo bimë apo mund ti fshihnim dhe ju nuk merrnit vesh gjë dhe për rrjedhojë nuk kishte as debat.  Unë zgjodha rrugën që të thoja të vërtetën

Sot po fshihen?
Jo, nuk po nënkuptoj asgjë, do të ketë një kohë që të flas edhe politikisht.

Çfarë keni bërë që të gjithë po iu sulmojnë?
I jepni dot gjykim pse zvarritet procesi 3 vite dhe tani fillon nga e para?

Keni qenë ministri i cilësuar si kampion dikur...
Jam prapë kampion

Ora 14:29
Apeli rrëzon vendimin e shkallës së parë/ Tahiri: Padrejtësi! Ju garantoj jam i pafajshëm

Ish- ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri e ka cilësuar vendimin për rikthimin nga e para të çështjes, si padrejtësi.

"Nuk e prisja, mendoja që pas thuajse 3 viteve histori do merrte një drejtim. Rikthimi në pikën zero është padrejtësi. Mua realisht nëse ka një njeri të dytë në Shqipëri që zvarritet kështu gjykatave më vjen ndot dhe turp për detyrat që kam mbajtur, nëse ka dhe një shqiptar  të dytë. Totalisht ishte pakuptimtë për mua që kjo histori të vazhdojë 3 vjet. E kam kuptuar që çdo fjalë e imja më shumë jepet kuptim nga ju (u drejtohet gazetarëve) se ajo që unë dua të them. Nuk kam asnjë emocion përveç domosdoshmërisht për të shkuar përpara deri në fund. Një gjë është e sigurt që beteja fillon nga e para. A do e çoj në Gjykatën e Larta? Gjykata e Lartë nuk ekziston/ Sot gjykata tha Prokuroria nuk ka zbatuar kërkesat e ligjit për ushtrimin e ndjekjes penale, se cilat janë këto unë nuk e di para se të shoh vendimit. Zvarritja është padrejtësi, sipas përkufizimit drejtësia e vonuar nuk është drejtësi. Cdo javë i dërgoja presidentit të emrave të gjyqtarëve që shkelin më parë ligjin, kur drejtoja ministrinë e Brendshme. nuk kam bërë kompromise në kurriz të askujt, nëse kjo do kthehet mbrapsh unë prap në këmbë do jem. Me Vetting janë gjyqtarët që më gjykojnë, më intereson drejtësia, kam luftuar edhe pse kam bërë gabime. U jap të drejtë atyre që më paragjykojnë pse nuk futem në burg, por ju garantoj nuk kam bërë asnjë faj", tha Tahiri.

Ora 13:30
Rrëzohet dënimi / Saimir Tahiri do rigjykohet nga e para

Gjykata e Posaçme e Apelit ka vendosur që të prishë vendimin e shkallës së parë të dënimit për Saimir Tahirin duke vendosur që cështja të rigjykohet. Trupa gjykuese u shpreh se nuk ka asnjë provë për shpërdorim detyre, për të cilën u dënua Tahiri duke kërkuar rigjykimin e dosjes. Vendimi i shkallës së parë që dënoi Tahirin me 3 vite shërbim prove është rrëzuar tashmë dhe ish-ministri do të nisë betejën nga fillimi me drejtësinë.

Ora 12:57
4 minuta para sa të nis seanca, Tahiri mbërrin i buzëqeshur në Gjykatë

4 minuta pasa se të nis seanca gjyqësore ka mbërritur në gjykatë ish- ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. I qeshur, si çdo herë tjetër, Tahiri nuk ka dhënë asnjë koment, përveç një përshëndetje për gazetarët duke thënë "Respekte".