Votojnë politikanët/ Begaj: Zgjedhjet janë të qytetarëve! Rama: Momenti të flasin të gjithë! Berisha-Meta: Do rrëzohet monizmi! Veliaj falënderon rivalët

Votojnë politikanët/ Begaj: Zgjedhjet janë të qytetarëve! Rama: Momenti të flasin të gjithë! Berisha-Meta: Do rrëzohet monizmi! Veliaj falënderon rivalët

Ilir Meta, Sali Berisha, Bajram Begaj dhe Edi Rama

Së bashku me mbi 3.6 milionë shqiptarë në listat e zgjedhësve që janë thirrur sot për të votuar janë sigurisht edhe drejtuesit kryesorë të shtetit dhe të politikës që pritet t’i drejtohen kutive të votimit. I pari që iu drejtua kutive të votimit nga drejtuesit e shtetit ishte Presidenti Bajram Begaj, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Armanda Begaj. Në fjalën e tij për mediat, presidenti tha se kjo është një ditë e rëndësishme për demokracinë dhe se këto zgjedhje duhet t’iu shërbejnë qytetarëve dhe jo partive politike.

"Këto votime nuk janë të partive politike, janë të qytetarëve dhe duhet t’i shërbejnë qytetarëve”, tha Begaj.

Kryetari i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, votoi në orën 9.45 pranë QV në Shkollën e Mesme Ekonomike. Ai tha se sot është dita ku shqiptarët do të vendosin ndarjen nga e shkuara. Sa i përket kandidatëve kryesorë për bashkinë e kryeqytetit, i pari që votoi ishte Belind Këlliçi nga koalicioni Berisha-Meta.

Kryeministri Edi Rama votoi në shkollën 'Ymer Lala' në Surrel, dhe në fjalën e tij tha se tani është momenti i gjithë qytetarëve të thonë fjalën e tyre. Kryeministri ishte i shoqëruar nga bashkëshortja Linda Rama. Kryeministri u shpreh se uron që situata e krijuara nga KQZ të mos dekurajojë qytetarët që ikën se nuk punonin pajisjet.

Sali Berisha, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, votoi aty ku voton prej vitesh, në shkollën 9 vjeçare 'Kosova', në njësinë Bashkiake nr. 2 në kryeqytet. Aleati i tij Ilir Meta votoi i shoqëruar nga gjithë familja, nga gruaja Monika Kryemadhi dhe tre fëmijët në ambientet e Kopshti nr.31, në rrugën "Pjetër Bogdani" në Njësinë Bashkiake nr. 5. Ato të dy i bënë thirrje qytetarëve se sot është dita që më votën e tyre te rrëzojnë monizmin.

Sa i përket kandidatëve për bashkinë e kryeqytetit, kandidati Erion Veliaj, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa votuan te Parku Olimpik, Zyrat e Agjencisë Parqeve dhe Rekreacionit. Ndërkohë që kandidati i PD-së për kryetar bashkie në Tiranë, Roland Bejko, votoi pranë qendrës së votimit në shkollën "Gustav Mayer" në afërsi të rrugës Frosina Plaku. Kandidati i Lëvizjes BASHKË, Arlind Qori, votoi tek Liceu.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:28
Xhaçka voton, mesazhi: Momenti për të zgjedhur, qytetarët të vlerësojnë angazhimet e kandidatëve dhe të ushtrojnë përgjegjësinë qytetare

1684071302_oltaxhaka.jpg

Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka ka votuar dhe ka dhënë mesazhin për të gjithë qytetarët që të mos mungojnë dhe të ushtrojnë përgjegjësinë qytetare të votimit.

“Krenarë që përmbyllëm fushatën ndoshta më miqësore me qytetet e mjedisin që ka njohur ndonjëherë Shqipëria. Qytetarët kanë pasur mundësinë të vlerësojnë punën e bërë në mandatin që u mbyll dhe angazhimet e kandidatëve për të ardhmen. Tani është momenti të zgjedhin, me shpresën se do ta bëjnë këtë sa më të shumtë në numër, për t’a ushtruar masivisht këtë përgjegjësi të rëndësishme qytetare”, shkroi Xhaçka.

Ora 12:37
Taulant Balla voton në Pallatin e Kulturës në Librazhd me bashkëshorten dhe nipin, optimist për fitoren

Kreu i Grupit të PS, Taulant Balla ka votuar mëngjesin e sotëm në qytetin e Librazhdit. Pas një ngatërrese të vogël të qendrës së votimit, ku fillimisht u drejtuan në qendrën e votimit 2705, së bashku me bashkëshorten Iris Pekmezi dhe nipin Joel, ata votuan normalisht në qendrën ku ishin regjistruar 2704 (që ishte vetëm një kat më poshtë  në Pallatin e Kulturës "Sadi Halili") .

Më pas, Balla ka bërë thirrje qytetarëve që të ushtrojnë të drejtën e votës, siç bën sot për herë të parë nipi i tij.

Kryetari i Grupit Parlamentar, shprehu optimizëm në fjalën e tij, teksa tha se nga sot qytetarët me votën e tyre i heqin mundësinë partive dhe individëve politikë të bojkotojnë Parlamentin apo zgjedhjet.

Ai e konsideron të fituar këtë garë, dhe ua dedikon këtë fitore votës së njerëzve të thjesht e të zakonshëm, që sipas tij, vendosin sot të mos e lënë Shqipërinë me halle, të përdoret për qëllime të vogla politike.

 

Ora 12:29
Voton Lindita Nikolla: Ftoj qytetarët të ushtrojnë lirisht e qetësisht të drejtën e tyre për të votuar

 

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, votoi sot në QV 1688/01, në Njësinë Administrative nr.1 të kryeqytetit.

“Ftoj të gjithë qytetarët të votojnë dhe të ushtrojnë lirisht e qetësisht të drejtën e tyre për të zgjedhur kryetarët e bashkive dhe anëtarët e këshillave bashkiakë.”, u shpreh Kryetarja Nikolla, në një prononcim të shkurtër për mediat.

Ora 11:40
Voton Erion Veliaj, falënderon të 5 kandidatët e tjerë: Të gjithë e duam Tiranën! E ka një ‘kunjë’ për Berishën

 

Kandidati i Partisë Socialiste për Bashkinë e Tiranës, kryebashkiaku aktual, Erion Veliaj ka votuar sot i shoqëruar nga bashkëshortja Ajola Xoxa, në qendrën e votimit te Parku Olimpik.

Në deklaratën për mediat pas votimit, Veliaj tha se është shumë e rëndësishme që qytetarët të dalin të votojnë. Ai u bëri thirrje edhe atyre që nuk votuan dot në mëngjes, për shkak të problemeve me sistemin elektronik të identifikimit, që të dalin sërish të ushtrojnë detyrën e votës. 

“Jam në dijeni të faktit se kemi pasur disa avari, nuk do thosha dramatike, por KQZ e ka patur të pamundur të gjenerojë identifikimin me sistemin elektronik. Më vjen mirë që më në fund ka një vendimmarrje për të kaluar në sistemin manual. Gjithmonë duhet të mbizotërojë e drejta e qytetarëve për të votuar e për t’u shprehur se sa e drejta e teknologjisë ‘kokëfortë’ për të transmetuar të dhëna. Më vjen mirë që prevaloi kjo e drejtë. Ftesa për të gjithë qytetarët që mund të jenë dekurajuar, sidomos ata që janë më të mëdhenj në moshë, që kanë dalë që në 07:00 apo 08:00 të mëngjesit, e nuk kanë pasur mundësi të votojnë, është të rikthehen në qendrat e votimit. Është shumë e rëndësishme të dalim të gjithë e të votojmë për të ardhmen, për fëmijët tanë”, tha Veliaj. 

Ai u shpreh se vota është për të ardhmen e fëmijëve.

“Është shumë e rëndësishme të votojmë gjithë. Janë fatet e qytetit për 4 vitet e ardhshme, fatet e fëmijëve tanë, janë projektet e qytetit në pikëpyetje. Është shumë e rëndësishme që secili të dëgjohet dhe vendimmarrja pastaj të na udhëheqë. Mezi pres që ta çojmë këtë projekt e proces deri në fund me qetësi”, shtoi Veliaj.

Në fund, ai e kishte një falenderim edhe për të rivalët e tij në këtë garë, por edhe për qytetarët, si dhe të gjithë ata që sot po menaxhojnë procesin e votimit. 

“Dua të falenderoj pesë kandidatët e tjerë, t’u uroj atyre shëndet për ta e familjet e tyre. Gara tani mbaroi, nesër rikthehemi në Tiranë si qytetarë, që të gjithë duam më të mirën e këtij qyteti dhe më të mirën e familjeve tona. Atyre u uroj shumë suksese, por edhe gjithë qytetarëve, pavarësisht bindjeve politike, i falënderoj sepse ka qenë një ndër fushatat më të qeta. Debatet janë mëse të natyrshme, edhe ndonjë cic-mic i vogël, por në përgjithësi ka qenë një fushatë e qetë. Lusim të gjithë ata që janë në krye të këtij procesi ta vijojnë me qetësi dhe të dalim vërtet faqebardhë. Është shumë e rëndësishme të fitojë Tirana e Shqipëria, jo në sensin e partive politike, por të një komuniteti të civilizuar, që prodhon debat sigurisht, prodhon edhe vendimmarrje dhe pastaj të hënën i rikthehet normalitetit,” u shpreh Veliaj.

Ora 11:16
Voton kandidati i PD-së për Tiranën, Bejko: Sot është dita të ndahemi nga e shkuara! Qytetarët të dalin masivisht në votime

 

Ka votuar kandidati Partisë Demokratike për Tiranën Roland Bejko. Bejko u bëri thirrje qytetarëve që të dalin masvisht në votime, ndërsa shtoi se sot është dita për tu ndarë nga e shkuara.

‘Sot është një ditë e rëndësishme për demokracinë shqiptare i ftoj të gjithë qytetarët e Tiranës që të dalin në votime. Sot është një ditë ku ata duhet të shprehen, të shprehen për krye bashkiakun që duan të zgjedhin dhe për ekipin që do të drejtojë bashkinë e Tiranës në këshillin e Bashkisë. Është një ditë shumë e madhe për demokracinë vendore dhe një vend ka aq demokraci sa ka demokraci vendore kështu që të drejtën e votës sot shqiptarët duhet ta ushtrojnë masivisht. E dyta është që është rasti sot që nëse qytetarët janë të mërzitur nga klasa e vjetër politike dhe një pakice oligarkësh që menaxhojnë pronat, pasuritë etj., është dita që qytetarët e Tiranës të shprehen kundër tyre. Sot është dita ta refuzojnë kapjen e tregut të Tiranës nga oligarkia politike, krimi i organizuar dhe oligarkia financiare. Oligarkia në Tiranë njihet me emër, që me Sajmirin etj.  Projekti ynë për Tiranë, do tu kthejë Tiranën qytetarëve, ne do të mbrojmë pronën ,do të zhvillojmë turizmin, ekonominë dhe përmirësojmë shërbimin.’- tha Bejko.

I  pyetur nga mediet se nuk është i vetmi kandidat i PD-së në garë u përgjigj si më poshtë.

‘I vetmi demokrat në garë për Tiranën është Roland Bejko. Të tjerët kanë bërë divorcin me PD-në dhe janë strehuar në parti të tjera dhe kanë zgjedhur të shkuarën. Sot është dita që nëse qytetarët duan të ndahen nga e shkuara mund ta bëjnë me votë. Te votosh Belind Kellicin dhe Erion Veliaj eshte si te votosh per Edi Ramen, Sali Berishen dhe Ilir Meten!’- tha Bejko.

Ora 10:56
‘Vendoret’/ Voton kryeministri Rama: Uroj që situata e krijuar nga KQZ të mos dekurajojë votuesit

 

Kryeministri Edi Rama ka votuar në shkollën ‘Ymer Lala’ në Surrel. Kryesocialisti votoi me vonesë pasi kishte probleme me pajisjen e identifikimit elektronik. Kryeministri u shpreh se uron që situata e krijuara nga KQZ të mos dekurajojë qytetarët që ikën se nuk punonin pajisjet.

‘Besoj janë thënë të gjitha ato që duheshin thënë. Tani është momenti i gjithë qytetarëve që të thonë fjalën e tyre. Uroj shumë që situata e krijuar nga KQZ të mos ketë ndikuar në dekurajimin e atyre që kanë shkuar të votojnë qysh në fillim në ato zona ku nuk punuan aparaturat. Që të gjithë ata që mund të jenë dekurajuar uroj të rikthen dhe të shprehin vullnetin e tyre të plotë.’- tha Rama.

Ora 10:54
Ilir Meta voton për herë të parë me gjithë familjen, thirrje qytetarëve: Merrni pjesë në zgjedhje, vetëm kështu bie monizmi

 

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi, hodhën sot votën në kutitë e votimit. Meta bëri thirrje për pjesëmarrje më zgjedhje, duke thënë se kjo është mënyra e vetme për të sjellë ndryshimin.

“Për herë të parë votojë edhe Era, dhe ishte një kënaqësi që dhe ajo ta kishte sot këtë mundësi. Kam një lutje për të gjithë qytetarët, pjesëmarrje, pjesëmarrje dhe përsëri pjesëmarrje. Nuk ka ndryshim pa pjesëmarrje. Njëkohësisht, gjëja më e rëndësishme, e drejta më e rëndësishme që ka një qytetar në demokraci është vota. Një qytetar që nuk e ushtron këtë ditë nuk ka të drejtë as të ankohet dhe as të kërkojë llogari. Vetëm përmes pjesëmarrjes, kësaj mundësi të shkëlqyer që garanton kushtetua ju mund të bëheni pjesë e ndryshimit. Ditë  e madhe për Shqipërinë, merr fund monizmi absolut”, tha Meta.

Për herë të parë, Meta votoi me gjithë familjen ë kopshtin numër 31 në rrugën ‘Pjetër Bogdani’ në zonën e ish-bllokut. Vajza e tij Era ishte votuese për herë të parë. 

Ora 10:19
Berisha voton në shkollën 'Kosova': Ditë fitoreje, nesër Shqipëria arkivon përfundimisht monizmin e shëmtuar

 

Kreu i Rithemelimit, Sali Berisha ka votuar mëngjesin e sotëm në shkollën 9 Vjeçare "Kosova", në Njësinë Bashkiake nr. 2 në kryeqytet. Për shkak se pajisja PEi nuk i njohu shenjën e gishtit, identifikimi i tij u bë manualisht në listën e zgjedhësve.

Ai ka qenë i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Liri Berisha dhe pas përfundimit të votimit ka bërë thirrje për qytetarët të të shprehin vullnetin e tyre me votë dhe shtoi se duke nisur nga nesër, në Shëqipëri merr fund monizmi.

“Ftoj qytetarët të flasin sot me vcotën e tyre për qeverisjen e tyre. Të gjithë ata që u ftuan nga armiku i egër i votës së lirë të shqiptarëve të rrinë në shtëpi, të mos harrojnë se ky është një apel i madh që të marrin pjesë në votime. Ai që ka frikë votën, ka frikë lirinë. Ftoj zgjedhësit shqiptarë të mos harrojnë se përsëritja e të njëjtit gabim e bën gabimin edhe më të madh, ndaj edhe le t’u prijë mençuria e tyre në mënyrë që të votojnë në interesin më të mirë të tyre, familjes dhe vendit të tyre. Kjo është pranvera e ndryshimit. Nesër Shqipëria arkivon përfundimisht monizmin e shëmtuar, kjo është një ditë fitoreje për demokracinë”- tha Berisha.

Ndërkohë, duke folur për problemet e shfaqura në pajisjet e identifikimit elektronik, Berisha tha se në darkë qeveria do pretendojë se kanë qenë hakerat iranianë ata që kanë ndërhyrë. Më tej, ai shtoi se nëse qytetarët tentojnë të telefonojnë policinë, nuk do kenë asnjë përgjigjie.

“Do dëgjoni në darkë që do thonë se ndërhynë hakerat iranianë, por në fakt janë hakerat qeveritarë që ndërhyjnë. Në Durrës pëeshkaqeni famoz Roni Shqota dhe disa drejtorë kanë preferuar të bëjnë të fortin në qendrën e votimit, janë përzënë sic e meritojnë. Sot policia e ka marrë pushim, nuk përgjigjet më edhe nëse i bini numrit”-përfundoi ai.

Ora 09:55
Voton Enkelejd Alibeaj: Të gjithë njerëzit e lirë të marrin pjesë në zgjedhje, të bëjmë shkëputjen e madhe nga e shkuara

 

Të bëjmë një shkëputje të madhe nga e shkuara tha sot pasi votoi, kryetari i komanduar i Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj. Ai tha se rezultati i PD do të jetë shumë pozitiv.

“Zgjedhja është e lehtë për këdo sot. ED kam një mesazh për të gjithë demokratët, shqiptarët e lirë dhe të ndershëm, të ushtrojnë të drejtën e votës në mënyrë të qetë dhe të matur për të bërë një ndarje të madhe me të shkuarën. Të gjithë ata që më herët kanë refuzuar të votojnë sot është dita të vijnë dhe të bëjmë ndarjen e madhe me të shkuarën. Ftoj çdo shqiptar të ndershëm, me shpirt të lirë, jashtë shantazhit dhe joshjes, që sot të ushtrojë të drejtën e votës siç zemra ua do.

Ka parregullsi që ne i kemi treguar gjatë gjithë kësaj fushatë zgjedhore. Ndoshta në situata të tilla nxjerr krye shpirti i vërtetë i njerëzve të lirë.

Rezultati i PD do të jetë një sukses për demokratët. Ka një aleancë nga pjesë e vjetër e politikës dhe ka krijuar tek njerëzit një lloj neverie për politikën. Ndaj edhe thirrja ime ishte për të gjithë”, tha Alibeaj.

Ora 09:02
Voton Presidenti Bajram Begaj: Këto zgjedhje nuk janë të partive politike, duhet t’iu shërbejnë qytetarëve

 

Presidenti Bajram Begaj i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Armanda, kanë votuar mëngjesin e sotëm. Presidenti Bagej votoi tek shkolla Kongresi i Lushnjës në Tiranë.  Në fjalën e tij për mediat, Begaj tha se sot është një ditë e rëndësishme për demokracinë e vendit. Begaj tha se këto votime nuk janë të partive politike, janë të qytetarëve dhe duhet t’i shërbejnë qytetarëve.

“Sot është një ditë e rëndësishme në demokraci, dita e zgjedhjeve, sot ushtrova detyrën time si qytetar. Natyrisht që çdo shtetas me të drejtë vote sot ka ditën që dëgjohet. Që vota e tij të lexohet, fuqia dhe pushteti i votës së tij të bëjë ndryshim. Unë e kam thënë edhe në disa prononcime që këto votime nuk janë të partive politike, janë të qytetarëve dhe duhet t’i shërbejnë qytetarëve”, tha Begaj.

Ora 08:37
Këlliçi voton në shkollën ‘Dora d'Istria’, thirrje qytetarëve: Sot është dita e madhe, votoni për ndryshimin e të ardhmes së Tiranës

 

I shoqëruar nga familjarët e tij, kandidati i koalicionit Meta-Berisha për Tiranën, Belind Këlliçi ka votuar në shkollën “Dora d'Istria". Ai u bëri thirrje qytetarëve që të marrin pjesë masivisht në votime për të ndryshuar të ardhmen e kryeqytetit.

“Sapo kreva detyrën time si qytetar, votova. Ftoj të gjithë qytetarët e Tiranës të shkojnë në qendrat e votimit të kryejnë detyrën e votimit. Sot është dita e madhe, 14 maji që kemi pritur aq shumë që të gjithë, dita kur kemi në dorë fatin e vendit.

Kam një apel për naçut e Tiranës, të rinjtë që kanë një moment që mendojnë se duhet të marrim gomomet për të ikur nga ky qytet, u them jo, hajdeni votoni! Të ndryshojmë bashkë të ardhmen e vendit tonë.

Askush nuk iu kontrollon dot votën, as Belind Këlliçi dhe as Erion Veliaj. Ftoj qytetarët të ftojnë për 47 vitet e ardhshme. Tashmë do shkoj në selinë qendrore të PD-së, deri tani procesi po shkon normalisht. Sot është ditë feste për gjithë ata që më kanë thënë kur po vjen dita e ndryshimit”- u shpreh Këlliçi.  

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Topi: 14/05/2023 22:04

    Kjo e garave te votimit eshte i loj eksituse per te gjitha palet sepse si ato qe humbin si ato qe fitojne ne fund te fundit fitojne te gjithe,he ha hu ha

    Përgjigju
  • Ndergjegja: 14/05/2023 09:39

    O bake çfare ndryshimi do bej votuesi duke votuar? Alternativat kane 32 vjet te njejta....hiqja Lenes e veja Prenes...afro 50% e votuesve kane merguar....ik o bake merr ate rrogë dhe bej ca qef se nuk do e gjesh më momentin.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja