Sotir Gjika, artikulli i 1913 mbi 
propagandën klerikale greke 

Sotir Gjika, artikulli i 1913 mbi <br />propagandën klerikale greke 
90-vjetori i ndarjes nga jeta të publicistit Sotir Gjika/ Artikull i tij kushtuar një prej momenteve më të vështira të kombit shqiptar, botuar në “Shkëmb’i Mbletës” me 16 korrik 1913…
 
90 vjet më parë u nda nga jeta një prej gazetarëve dhe publicistëve të veçnatë të historisë së medias shqiptare, Sotir Gjika.  Ai u nda nga jeta në moshën 38 vjeçare, në një spital në Verona nga një sëmundje e pashërueshme më 12 prill 1927, duke i prerë kësisoj rrugën vrullit intelektual të këtij gazetari.
Profili i Sotir Gjikës është përshkruar denjësisht nga Gjovalin Kamsi në gazetën “Vullneti i popullit”, botuar në Bari me 23 tetor 1930. Kamsi e njihte nga afër Sotir Gjikën dhe në shkrimin e tij përkujtimor jep detaje jetësore shumë interesante që plotësojnë portretin e këtij publicisti, për të cilin parimet profesionale ishin mbi gjithçka.

Sotir Gjika që në periudhën e rinisë së hershme gjatë viteve në mërgim gjithë punën dhe fitimet e tij financiare i vinte në shërbim të çështjes kombëtare. Karrierën si gazetar e nisi në moshë fare të re, që kur ishte 22-vjeç, duke publikuar shkrimet e tij fillimisht tek “Dielli” (Boston, SHBA) më 1911, e për të vijuar me shpërnguljen e tij në Milano (Itali), në të përditshmen e Barit “Corriere delle Puglie” për të vijuar tek “Atdheu” (1912-1914), (Kostancë, Rumani), më tej tek “Përlindja e Shqipëniës”, (Vlorë), tek “Liri e Shqipërisë” (1911-1915), (Sofje, Bullgari), me të cilën bashkëpunoi për rreth dy vjet e gjysëm, për të vijuar me “Kuvendi”, (Romë), “Agimi”, “Shqiptari i Amerikës”, (Korçë) dhe ën fund në “La Gazzetta di Puglia”.

Siç shkruan studiuesi Kastriot Marku, “vetëm tek “Kuvêndi”, (e përjavëshme politike shqiptare), krahas pendave të tilla si Luigi Federzoni, (që më vonë do të bëhet president i Reale Açademia d’Italia), kolonel Castoldi, Corrado Zoli, Leonardo Azzarita, Profesor Benedetto De Luca, U. Zanotti – Bianco, Filippo Naldi, Prof. Antonio Baldaçi, Mario Strada, Alfredo Mantero, Sofia Masci, Rosalia Gëis Adami etj, në faqet e saj botuan artikujt e tyre personalitete të njohura të jetës kulturore e politike shqiptare, bashkëkombas të tij si: A. Loreçhio, Prof. Zef Schirò, Luigj Gurakuqi, Cosmò Serembe, Agostino Ribeço, Francesco Argondizza, Kol Mëllazi, Mustafa Kruja, Lec Kurti, Kolë Kamsi, Kostaq Cipo, Milto Sotir Gurra, Mehdi Frashëri, Lef Nosi, Koço Kotte, Visarion Dodani etj.

“Trashëgimia e tij publicistike dygjuhëshe (në shqip dhe në italisht), pos të tjerash është dëshmi edhe e komunikimit prej tij të problematikës shqiptare të kohës në shtypin ndërkombëtar, jo vetëm si gjuhë, por njëkohësisht edhe si fushë dijeje, si përcjellje e një aktualiteti që e kishte të nevojshme praninë e saj në median ndërkombëtare” shkruan studiuesi Marku.

Vepra publicistike e Sotir Gjikës dhe letërkëmbimi me një varg intelektualësh, u botua vetëm para pak javësh nën  kujdesin e nipit të tij, studiuesit Eugjen Merlika. Për të kujtuar  90-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta, gazeta Shqiptarja.com sjell sot   artikullin e tij “Shqiptarët dhe grekët” botuar me 16 korrik 1913 në “SHKËMB’ I MBLETËS”.
 
SHQIPTARËT DHE GREKËT
Një nga lajthitjet më të mëdha të një pjese diplomatësh, shtypi e populli është, kur mendohet se shumica e popullit shqiptar të Shqipërisë së Jugut, (të cilën Grekët e quajnë “Epir“) ndjen gëzim prej lirimit (sic) të viseve të tyre prej ushtrivet greke, e që dëshëron të jetojë dhe paskëtaj nën flamurin e Greqisë.
Ky mendim është tepër i lajthitur, e fjala që populli shqiptar dëshëron lirinë greke, rrjedh vetëm nga një maqinë, drejtonjësit e së cilës të ndodhur në grabitje, kanë paturpësinë të dredhin ç’do të vërtetë, e të fabrikojnë ç’do  gënjeshtër, për t’a përdorur këtë të fundit si armë mbrojtëse të qëllimeve të tyre.
Por që të flasim më qartë për jetën e shkuar të shqiptarëvet me grekët-e për marrëdhënjet e tyre, sulemi te historia e cila, që përpara Krishtit e gjer në shekullin e 14-të, difton haptas se ç’farë gardh i pakapërcyeshëm i ndante të dy kombësitë. Historishkronjësit e vjetër grekë, i kanë quajtur kurdoherë barbarë shqiptarët, d. m. th. si një komb që ndodhej përherë n’armiqësî, e që s’kishin asnjë marrëdhënje.

Gjergj Kastrioti (Skënderbeu) mbreti i fundit i Shqipërisë kurrë s’pati ndonjë lidhje me mbretërinë e atëhershme të Bizantit. Kurdoherë që kishte nevojë ndihme, kthehej nga Perëndimi: te Papa i Romës, te mbreti i Napolit Ferdinandi, me të cilin kishte kurdoherë një dashurí vëllezërie të veçantë, e te Republika e Venedikut. Mund të thuhet  se mbretëria Bizantine n’ato kohë ishte tepër e ligështuar për të gjetun në të ndihmë mbreti i vogël nga shumica e Shqipërisë, por kjo arësye është e kotë, dhe e vërteta është që Gjergj Kastrioti kurrë s’do të kërkonte ndihmë nga një mbretëri, kryesynimi i së cilës sa kohë zgjati në Shqipëri, nën dinakërinë prototipe, çarti krejt ndjenjat e kombit Shqiptar.

Gjer në kohë të Gjergj Kastriotit, shikojmë që shqiptarët kanë qënë të vumë n’ armiqësí me grekët.

Si ra Shqipëria nën zgjedhën e drashtun Turke, e që nga shkatërrimi i dinastisë Bizantine prej Turqvet, ngadhënjyesi i Konstandinopojës Sulltan Mehmeti i II, i dha venomet fetare Patrikut me qëllim vetëm që të ngrerë një mbretëri tjetër kundër Kishës së Perëndimit. N’ato kohë mjerisht ndodheshim në një armiqësí të rreptë, e kështu për të  mos mundur të krijohej ndonjë mundësi bashkimi mes të krishterëve, shqipëtarët e Shqipërisë së Jugut, u bashkuan fetarisht me fanarin Grek të Stambollit, me të vetmin qëllim  që të gjejnë një mbrojtje të fesë, e sidomos një mbështetje, sepse tërsëllimi i barbarizmit t’ashpër të Turqve, i shuante çdo shpresë jetese një kombësie.

Këtu gjysma e popullit Shqiptar dëfton një si bashkim me Grekët, por në bashkimin me Kishën e Lindjes, hynin gjithë popujt e krishterë të Ballkanit, të cilët para se të mëkëmben e të bëhen mbë krye, (indipendentë) quheshin prej Fanarit të gjithë (elines) grekër.

Në shekullin e 18-të  shqiptarët kishin nevojë që fëmijët e tyre të mësonin një gjuhë, për t’a patur atë  si një mjet në punët e tyre. Meqë për gjuhën amtare ndiqeshin çmendësisht nga ana e Qeverisë Turke, ndërsa  për gjuhën e Shtetit, turqishten, ndaloheshin nga Kisha e Madhe për shkaqe fetare, çelën shkolla greqishte, mësonjës të të cilave qenë më shumë priftër vëndës gjysmë të mësuar. Degë t’atyre shkollave ndodhen dhe sot në Shqipëri, por pak më të përparuara, e me hir të këtyre shkollave grekët ndehin kërkime mbi gjithë Toskërinë!

Të hapurit e shkollavet greke në Shqipëri të Jugut me mënyrën e qëllimin që thamë më sipër, u bë themeli i veprimit të propagandës greke. Patriarkana, e cila nën maskën e fesë ka qënë dhe është endësja e elinizmit mbi shpinë të popujve të Ballkanit, duke parë ndërgjegjen e papërkulur kombëtare të popullit shqiptar, nisi të pemonjë ndryshe, dhe çdo dhespot, e çdo prift u bënë agjentë të nxehtë të elinizmit.

Disa shqiptarë besojnë se Patriarkana e Stambollit na shpëtoi fenë, por ky besim është i lajthitur sepse shumica e Toskëvet përshëndetën muhamedanizmin.

Shqiptarët, duke ndjerë veprimet e qëllimet dinake të Grekëvet, të cilët përpiqeshin me çfarëdo mënyre t’i përpinin në kombësinë e tyre, e që Turqia nuk përkujdesej aspak për fatin e kombësisë së tyre, pa marrë parasysh aspak ndjekjet nga ana e Turqisë, nisën përhapjen e gjuhës së tyre dhe nisën të shkruajnë e të lëçitin shqip.

Pas luftës ruso-turke pas së cilës Turqia kasnecoi një kushtetutë jetëshkurtër, u krijua mê 1879 një shoqëri në Stamboll nën kryesi të Sami be Frashërit e Sulltan Hamidi, i cili s’kishte më shumë se dy vjet hipur në fron t’ Osmanit, uroi abetaren shqip, dhe dha lejë të çelen shkolla shqipe në Shqipëri. Shqipëtarët, të etur për këtë vepër, për të cilën punonin nënë dhè, menjëherë çelën shkolla në gjuhën amtare në Shqipëri.

Patriarkana, duke parë që shqiptarët me mësimin e gjuhës së tyre do të shkatërronin çdo propagandë greke në Shqipëri, dhe që ai arsim do t’i shtynte nê krijimin më vonë të një Shqipërie vetëqeverimtare, mesësoi s’a më shpejt te sulltani tue thënë se, duke u lënë shqiptarëvet, të cilët fetë s’i ndajnë kurrë nga kombësia, gjuhën e tyre të lirë e humbe shtyllën më të fortë të perandorisë, sepse shqiptarët myslimanë do të mos i kesh më me vete ndër luftëra e gjetkë. Këshillat dhelpërore të Patriarkut, e bindën shpejt Padishahun e lisit të kalbur, të japë urdhër të zhduket ç’do gjurmë shqiptarësie nga perandoria Otomane, e urdhëri i lartë përcillej me disa sharte të rrepta; që kush të thosh që jam shqiptar, a t’i gjendej ndokujt shënjë shqipe me vete, dënohej për vdekje. Me këtë mënyrë dhespotët përmbysës, siguruan interesat e tyre: njëri mbi shpinë të muhamedanëve, e tjetri mbi shpinë të të krishterëvet.
Të ndjekur rreptësisht nga Turqia, shqiptarët i shpërngulën qendrat e veprimeve të tyre nëpër Shtetet liridashëse t’ Evropës, e veprimet e tyre kombëtare, janë të njohura prej gjithë Botës peshonjëse.

Në këtë periudhë, dhespotlerët Grekë, të cilëve u kishte dhënë, siç thamë, liri të plotë Turqia Ethniqi Eteria, s’lanë asnjë mënyrë pa përdorur për të shuajtur ndjenjën e ndezur kombëtare të popullit shqiptar, duke dhunëvrarë më të shëndriturit e më të fortit burra, predikonjës t’idealit kombëtar.
Dhespotlerët Grekë, radhazi zvetënonin e çkishëronin kombëtarët shqipëtarë, bënin predikime kundër-shqipëtare nëpër kishat duke mallkuar e cjepuruar, e të vetmen armë që përdornin për të ndaluar e penguar zgjimin e madh kombëtar, ishin fjalët mjeshtërore e dhelpërore: “Krijonjësit e shqiptarizmit, janë misthia organa austriaqis qe italiqis propagandas d. m. th. vegla të paguar prej propagandës austriake e italiane. Duke mësuar shqipen, gjuhë të cilën Patriarkana e ka mallkuar, shpesh do të bini papandehur në laqet satanike, të ngrehura prej armiqve t’amëshuar të ortodoksizmit, duke bjerrur fenë e vërtetë të Krishtit”.

Një nga treguesit më të dukshëm të ndjekjevet greke është libri “Mallkim i Shkronjavet Shqipe“ i të ndyerit atdhetarit të shquar P. N. Luarasit, të cilin dhespotët é Kosturit që më 1886 nisën t’a ndjekin rreptësisht sepse u bë shkak të çelë një shkollë vetiake shqipe në Ersekë të Kolonjës.

Një tjetër tregues më i madh i ndjekjevet greke kundra përlindjes shqiptare, është që, shqiptarët gjer tani s’kanë patur ndonjë bazë veprimi në Greqi, kurse pas ndjekjevet çnjerëzore të Turqisë, u pritën krahë hapur nga Shtetet e Ballkanit, e para Rumania, dhe e dyta Bullgaria. Kështu raca greke, ka qënë dhe është  e vetmja që ka ndjekur e që po ndjek çap pas çapi për të shtypur çdo lëvizje shqiptare. Dhe kështu lind pyetja :  Si pra kombi Shqiptar dëshiron të jetojë nën flamurin e Greqisë e cila rreh t’i zhdukë nga faqja e dheut kombësinë e shtrenjtë? Është marrëzi e trashë të thuhet se kombi shqiptar kërkon bashkim me grekët, e një besim i lajthitur për disa në botë që besojnë kështu për një komb, i cili duke qënë gjithë jetën liridashës, ka shpëtuar, përmes shumë rrëmetesh, deri më sot kombësinë e tij.
 
Plebisciti 
U fol, e po flitet gjërësisht për të dërguar në Shqipërì një pleqësì ndërkombëtare, e cila të studiojë për s’afërmi ndjenjat e popullit shqiptar. Por ç’ndjenja mundin të zgjedhin nga populli shqiptar i ndodhur nën bajonetat armike? I shkelur prej tri ushtërish armike, pas një lufte të gjatë e të tmerrshme, a mundet kurë një popull të thotë shkujdesur atë që dëshëron? Për diplomatët e Londrës është fare lehtë të gjejnë mënyra për të zgjidhur një çështje, (ndonëse përligjështohet një komb) të cilën dobësia e fuqisë së tyre diplomatike, s’është e zonja t’a zgjidhë që nga pallati i Shën Jakobit.

Megjithë që luftërat politike e gjakësore të kaqë viteve, dhe shkrimet e shqiptarëve që kanë mbushur shportat e poligrafisë diplomatike, e më në fund të 32.000 nënëshkrimet e shqiptarëve t’ Amerikës, nuk mjaftuan të bindin bajlozët e Londrës për ndjenjat e popullit shqiptar, jemi gati t’a pëlqejmë dhe shartin e fundit që me aq dhelpërí e shpikën, por përpara se të vihet në veprim plebiscit-i ne duhet të heqim nga toka e Shqipërisë ushtritë armike, që të marrë frymë populli, e kështu të pregatitet për ç’përfoleje ndër pyetjet e pleqësisë harter.

Grekët, duke u përkrahur sot nga një shtet, i cili ka patur rekordin e liridashësisë, e që sot ka bjerrur lëndën më themeltare të njerëzimit, principin e kombësive, duan të përvehtësojnë gjithë Toskërinë, duke patur paturpësinë të quajnë Korçën, zemrën e Shqipërisë, si një qytet thjeshtë grek, ku s’gjindet tjetër grek përveç Thanas fotografit.

Shtypi miturak  skolastik i Athinës, duke kafshuar buzën për krijimin e Shtetit Shqiptar, nisi si ngahera të këlthasë, e t’u kujtojë (sic) shqiptarëve, se Italia me Austrinë fshehin prapa qëllime të liga mbi Shqipërinë, duke forcuar propagandat e tyre t’a gllabërojnë më vonë Shqipërinë. Lufta që zhvillon kundra Trilidhjes shtypi prapanik i Athinës, është e rreptë, por turrja m’e madhe është kundra Italisë, sepse kjo e mbrapsmja – me arësye – mbron më tepër ato vise ku ngacmohen interesat e tyre të paqena.

Dhe tani vjen fjala e propagandave : grekët quajnë propaganda të tmerrshme për Shqipërinë veprat shpëtimtare t’Austrisë e Italisë, të cilat ndihmuan të ngrihet dhe një herë përmbi fortesat plot kujtime të Shqipërisë flamuri i Gjergj Kastriotit. Por propaganda e tyre klerikale kombzhdukëse, ç’është vallë?
Italia, në mbron sot nga coptimi tokën prindore të kombit shqiptar, kryen një detyrë njerëzimi e drejtësie, e cila qëndron përmbi Shtatesën e principit të kombësive, mbi të cilin ajo vetë është themeluar.

Kombi italian, në mbron sot shqiptarët, s’bën gjë tjetër, përveçse mbron një racë, me të cilën lidhje vëllazërore t’amëshuara i bashkojnë, dhe kombi shqiptar e pret këtë ndihmë vëllazërore me gjithë zemër, për të cilën është dhe do të jetë mirënjohës.
Milano - Itali
16 korrik 1913                             SHKËMB’ I MBLETËS
 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Realizohet me sukses operacioni në Spitalin e Traumës, hiqet një trup i huaj brenda trurit të pacientit

Realizohet me sukses operacioni në Spitalin e Traumës, hiqet një trup i huaj brenda trurit të pacientit