Sotir Gjika, një ndër publicistët
në shej të gazetarisë shqiptare

Sotir Gjika, një ndër publicistët<br />në shej të gazetarisë shqiptare
Duhet të ketë qenë vera e vitit 2002, kur ndërsa shfletoja mpishëm shtypin e përditshëm dhe atë periodik shqiptar të paraluftës së Dytë Botërore, lidhur me një studim mbi marrëdhëniet e Selisë së Shenjtë me Shqipërinë dhe posaçërisht lidhur veprimtarinë misionare në Shqipëri, më pat rënë në sy një shkrim në të përkohshmen letraro-politike “Agimi” të muajit shkurt 1922, me  titullin “Vatikani e Shqypnija”, shkruar nga Sotir Gjika (1889-1927).

Të jem i sinqertë asokohe ky autor ishte krejtësisht i panjohur për mua, por në atë shkrim gati si vetmitar, më bënë përshtypje shumë gjëra njëherësh. Në ato dy faqe e gjysmë tekst, e shihja që jo vetëm se kisha të bëja me një shkrim thuajse inagurues lidhur me çështjen me të cilën unë po merresha asokohe, por mbi të gjitha thuajse së pari jepej një informacion historik mjaft domethënës dhe tejet i ngjeshur, madje i faktuar lidhur me argumentin e trajtuar. Përveç kësaj, më bëri përshtypje teksti i shkruar në një gegnishte të bukur, gjë që vonë do të merrja vesh se nuk ishte origjinali autorial, por një përkthim i të njëjtit shkrim nga i njëjti artikull i botuar në italisht, shqipëruar me gjasë nga redaksia e revistës në fjalë. Kaq qe e gjitha asokohe, ndërkohë më pas sërish do të më dilte në shteg i njëjti autor, por prapëseprapë nuk m’u dha mundësia të marrë ndonjë informacion më domethënës nga jeta dhe veprimtaria e tij.

Pata bërë ndonjë përpjekje rutinë edhe përmes disa miqve të mi të njohur, por prapë asgjë. Këtë do ta merrja vesh më vonë, falë njohjes me nipin e tij, z. Eugjen Merlikën. Natyrshëm erdhi kjo gjë, bashkëlidhur me kontekstin e qëndrimit heshtak ndaj vlerave historike dhe kulturore që kish mbajtur dhe mban deri diku ende edhe sot në mënyrë institucionale kultura shqiptare për personalitete të rëndësishme të botës shqiptare sikundër ishin e janë: Atë Gjergj Fishta, Faik Konica, Ernest Koliqi, Dom Lazër Shantoja, Dom Aleksandër Sirdani, Imzot Vinçenc Prennushi O.F.M., At Donat Kurti O.F.M, At Bernardin Palaj O.F.M, At Benedikt Dema O.F.M, Mithat Frashëri, Musine Kokalari, Mehdi Frashëri, At Anton Harapi O.F.M, At Marin Sirdani O.F.M, Martin Camajt, At Athanas Gegaj O.F.M, At Justin Rrota O.F.M, At Zef Valentini S.J, At Fulvio Cordignano S.J. Mark Harapi S.J, Dom Nikollë Gazulli, Namik Resuli, Qemal Draçini, Terenc Toçi, Tahir Kolgjini, Anton Paluca, Xhevat Korça, Ethem Haxhiademi, Karl Gurakuqi, Mit’hat Araniti, Myqerem Janina, Vehxhi Buharaja, Paulin Margjokaj, Isuf Luzaj, Stavro Skendi, Arshi Pipa, Gjush Sheldija, Mark Dema, Guliem Deda, Sabiha Kasimati, Jakov Mile, Branko Merxhani, Lef Nosi, Krist Maloki, Frano Alkaj, Kudret Kokoshi e sa e sa të tjerëve. Natyrisht nuk kishin si të mungonin në këtë listë të paplotë as dy  gjyshërit e Eugjen Merlikës; Mustafa Kruja dhe Sotir Gjika.

Për ta parë sa dhe si duhet produktin publicistik të Sotir Gjikës nuk do të mjaftonte një kriter i vetëm metodologjik orientues, klasifikues e më tej ende, një motiv i vetëm studimor i projektuar enkas për të. Thënë kështu, kjo nënkupton se kjo përmbledhje rezulton të jetë disi e veçantë për rrethana gjeografike në të cilat është gjendur autori i saj; për rrethana specifike dhe mjaft të rëndësishme historike dhe socio-politike nëpër të cilat ka kaluar çështja shqiptare, (Shpallja e Pavarësisë, Qeverimi i Princ Vidit, Traktatit të Fshehtë të Londrës etj), të cilat i ka përcjellë intensivisht dhe besnikërisht autori në fjalë, ku po ashtu mund të shihet qartë tharmi profesional në të cilin profilizohet gazetari Sotir Gjika

Rasti i tij është krejt i veçantë, krejt specifik, madje një gjendje e sojit të veçantë të njeriut të zakonshëm që përmes punës vetjake pa marrë një shkollim të institucionalizuar, (sikurse do të na rrëfente për veten e tij dikur Emzot Pjetër Budi, këtu e 400 vjet më parë), derisa ngrihet në shkallën e një gazetari profesionist. Fakti i të qenit “autodidakt” dëshmon po ashtu një kontrast të pabesueshëm që në rastin më të mirë do ta distanconte, për të mos thënë do ta bënte të pabesueshme arritjen e tij prej gazetari. Kultura e përgjithshme e gjithanshme, zotërimi i teknikës së shkrimit publicistik, problemor dhe kronikal njëherësh, shpërvjelja dhe kumti i zgjedhur i gjuhës dhe përshtatja e saj me natyrën dhe tematikën përmbajtjesore të redaksive editoriale të revistave dhe gazetave për të cilat shkroi Sotir Gjika, e bëjnë atë një rast krejt të veçantë e të paprecedentë në historinë e gazetarisë shqiptare të gjysmës së parë të shekullit XX.

Sotir Gjika e nisi karrierën si gazetar fare i ri, në moshën 22-vjeçare, fillimisht tek “Dielli” (Boston, SHBA), më 1911 në për të vijuar me shpërnguljen e tij në Milano (Itali), në të përditshmen e Barit “Corriere delle Puglie” për të vijuar tek “Atdheu” (1912-1914), (Kostancë, Rumani), më tej tek “Përlindja e Shqipëniës”, (Vlorë), tek “Liri e Shqipërisë” (1911-1915), (Sofje, Bullgari), me të cilën bashkëpunoi për rreth dy vjet e gjysmë, për të vijuar me “Kuvendi”, (Romë), “Agimi”, “Shqiptari i Amerikës”, (Korçë), “La Gazzetta di Puglia” dhe e përfundon pas 16 vjetësh më 12 prill 1927, kur edhe ndërron jetë në moshën 38-vjeçare në një spital të Veronës, si pasojë e një sëmundjeje të pashërueshme, atëherë kur për shumë gazetarë, në këtë moshë fillon periudha më e begatë, ajo e pjekurisë së një gazetari. Vetëm tek“Kuvêndi”, (e përjavshme politike shqiptare), krahas penave të tilla si Luigi Federzoni, (që më vonë do të bëhet president i Reale Açademia d’Italia), kolonel Castoldi, Corrado Zoli, Leonardo Azzarita, Profesor Benedetto De Luca, U. Zanotti – Bianco, Filippo Naldi, Prof. Antonio Baldaçi, Mario Strada, Alfredo Mantero, Sofia Masci, Rosalia Gëis Adami etj. Në faqet e saj botuan artikujt e tyre personalitete të njohura të jetës kulturore e politike shqiptare, bashkëkombas të tij si: A. Loreçhio, Prof. Zef Schirò, Luigj Gurakuqi, Cosmò Serembe, Agostino Ribeço, Francesco Argondizza, Kol Mëllazi, Mustafa Kruja, Lec Kurti, Kolë Kamsi, Kostaq Cipo, Milto Sotir Gurra, Mehdi Frashëri, Lef Nosi, Koço Kotte, Visarion Dodani etj. Trashëgimia e tij publicistike dygjuhëshe (në shqip dhe në italisht), pos të tjerash është dëshmi edhe e komunikimit prej tij të problematikës shqiptare të kohës në shtypin ndërkombëtar, jo vetëm si gjuhë, por njëkohësisht edhe si fushë dijeje, si përcjellje e një aktualiteti që e kishte të nevojshme praninë e saj në median ndërkombëtare.

E nisa këtë shkrim me Vatikanin dhe me sa shoh po e përmbyll sërish me të. Në një letër të datës 8 shtator 1920, Sotir Gjika i shkruante Luigj Gurakuqit:“Fjalorin Latino- Epirotico të Bardhit s’e gjeta në Propaganda Fide: po kërkoj nëpër Librarit’e vjetra të Vatikanit e në e gjeça dot po t’a dërgoj.” Ndërsa në krye të javës, më 15 shtator të të njëjtit vit, i shkuan sërish:“Fjalorin e Bardhit mund t’a gjesh lehtë në Paris, te një librar q’e njeh Dh. Beratti. Shkruaji këtij të fundit për çkoqitje.” Pra këtu kemi të bëjmë edhe me një anë të panjohur, por mjaft interesante lidhur me veprimtarinë e tij: kërkimet bibliotekare dhe arkivore jashtë vendit për gjetjen e gjurmëve të trashëgimisë kulturore dhe posaçërisht asaj librore shqiptare, çfarë do të thotë se jo më kot kultura e dëshmuar në shkrimet dhe letërkëmbimin e tij ka ardhur si rastësi, por sikurse shihet si qëllim në vetvete.   

Pjesë me rëndësi e këtij libri nuk është vetëm veprimtaria publicistike e Sotir Gjikës, por edhe letërkëmbimi i tij. Krahas veprimtarisë së tij publike, lexuesi ka në dorë edhe veprimtarinë e tij “intime” përmes letërkëmbimit me miqtë e tij të zgjedhur, me të cilët ka bashkëndarë në mënyrë substanciale atë që ka trajtuar në shtyllat e fletorizmës për aq vite sa jeta i dha leje të jetë mes të gjallëve. Në këto letra gjenden emrat me të cilët ka këmbyer mendimet e tij, sinqeritetin e tij, idealizmin dhe gjykimin e tij. Janë aty letra të shkëmbyera me Mirash Ivanajn, Visarion Dodanin, Jani Vruhon, Andon Zako Ҫajupin, Asdrenin, Ahmet Zogun. Në përmbyllje jo vetëm nga vëllimi por edhe nga dhe plotënia dhe interesi e tij, gjendet letërkëmbimi me Terenc Toçin dhe ai me Luigj Gurakuqin. Përmes kësaj korrespondence dalin në pah figuta të rëndësishme të politikës dhe kulturës shqiptare si Fan Noli, Faik Konica, Mehmet Konica, Mustafa Kruja, Luigj Gurakuqi, Terenc Toçi, Anselmio Loreçhio, Mit’hat Frashëri, Imzot Luigj Bumçi, Lef Nosi, Turhan Pasha, Ahmet Zogu, Salih Gjuka, Dhimitër Berati, Lec Kurti, Dr. Turtulli, Iliaz Vrioni, Kol Tromara, Tef Curani, Xhaferr Ypi, Sotir Kolea, Fuad Dibra, Pandeli Cale, Hil Mosi, Luigj Narraçi, Bajram Curri, Teofik Mborja, Kristo Floqi, Sulejman Delvina, Bajram Curri, Hasan Prishtina, Mehmet Këlcyra, Syrja Vlora etj.      
              
Ky libër plotëson një mungesë të madhe të deritanishme në lidhje me një figurë të rëndësishme në fushën e gazetarisë dhe publicistikës shqiptare dhe njëkohësisht përbën edhe një reflektim jo të vogël për gazetarët e gazetarisë së shkruar, për studiuesit dhe historianët e shtypit. Libri edhe pse nuk merr përsipër të pasqyrojë gjithë veprimtarinë e Sotir Gjikës, prapëseprapë është një doracak i vyer për të njohur një nga penat më të rëndësishme dhe më cilësore të publicistikës shqiptare. Për më tepër ky vëllim përbën edhe një pasuri të vyer dokumentare e cila na vjen përmes kronikave dhe shkrimeve të ndryshme të cilat përcjellin aspekte të ndryshme të çështjes shqiptare të kohës, lidhur me personalitete e figura me rëndësi të botës shqiptare, për të cilët krijohet një opinion konkret i dokumentuar përmes fakteve të artikuluara nga “terreni” nga Sotir Gjika.

Të gjitha këto e shumë çështje të tjera që ngrihen vetiu përgjatë leximit të këtij libri, do të përbënin një dorë mundësish serioze dhe reale për njohjen dhe vlerësimin ashtu si duhet të këtij personaliteti të mbajtur mbyllur dhunshëm dhe të lënë me qëllim mënjanë kulturës shqiptare. Nëse nuk është kujtuar askush deri më sot, tashmë ka ardhur koha që kultura shqiptare ta pasurojë vetveten, sepse është ajo që ka nevojë për Sotir Gjikën së fundmi në 90-vjetorin e ikjes së tij, e jo Sotir Gjika që ka nevojë për kulturën shqiptare, sepse ai ka kryer më së miri detyrën e tij prej më së një shekulli e tani na kundron qetësisht tek të shumtët.

Në fund dy fjalë edhe për përgatitësin e këtij botimi, z. Eugjen Merlika, nipi i intelektualit të mirënjohur Mustafa Kruja. Si rrallë kush nga brezi i intelektualëve të persekutuar shqiptarë nga regjimi komunist, ai e ka kryer misionin e tij në mënyrën më të mirë të mundshme duke përgatitur e botuar pa u ndalur trashëgiminë testamentare të gjyshit të tij erudit; kalvarin e vuajtjes dhe persekutimit çnjerëzor që pësoi familja MERLIKA-KRUJA, dhe të gjitha këto duke përgatitur dhjetëra botime me një korrektesë autentike, larg përlavdërimeve vetjake, larg zhurmuesve mediatikë, duke dëshmuar kështu edhe një modesti të pazakontë që brenda mbart një ndër pinjollët  dinjitozë të kulturës dhe trashëgimisë shqiptare, që meriton padyshim mirënjohje, respekt dhe vlerësim. Prej vitit 2010 deri në vitin 2015, kanë parë dritën e botimit falë përkujdesjes së tij 10 vëllime me studime gjuhësore, historike, letërkëmbim, kujtime e përkthime. Ndaj edhe “Detyra ime mbaron me jetën time”, përbën plotësimin në vijim të kolanës së projektuar, ftilluar e realizuar prej tij e që shpresojmë të mos ndalet këtu.
 
 
Milano, Shkurt 2017.

Redaksia Online
(B.K/Shqiptarja.com)

 

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë