South Outdoor Festival i kthyer tashmë në një traditë me qëllim promovimin e fshatrave për zhvillimin e turizmit këtë vit do të startojë në Vuno. Organizatorët e GIZ, ku ishte i pranishëm edhe z. Hans Juergen Cassens, kanë bërë të ditur sot në një konferencë për mediat se ky festival do të zgjasë për tre ditë, nga datat 27 deri më 29 prill.
“Do të jenë tre ditë të mbushura me aktivitete të ndryshme sportive, kreative e kulturore”, tha Dhurata Gazulli, organizatore, e cila është shprehur më tej se “Këtë vit është zgjedhur fshati Vuno për vijimin e këtij festivali, por në këtë festival do të përfitojnë edhe fshatrat përreth, ku operatorët e Shqipërisë do të ofrojnë aktivitete të ndryshme sportive dhe veprimtari të tjera”.
Ndërkohë organizatorët kanë bërë një ftesë të hapur për të gjithë ata që duan ta ndjekin këtë festival. “Të gjithë ata që duan të jenë pjesë e këtij festivali që ofron shumë, mund ta bëjnë rezervimin online në faqen zyrtare të këtij festivali, që do të jetë aktive prej 1 prillit”, deklarojnë organizatorët e GIZ, të cilët kanë pohuar se këtë vit “do të ketë edhe shumë pjesëmarrës nga Kosova”. Ky festival ofron një sërë aktivitetesh që do të shtrihen në fshatrat e tjera të Bashkisë së Himarës në mënyrë të atillë që të nxjerrin në pah lidhjen e fortë midis detit dhe maleve në brendësi.
Disa nga fshatrat ku pjesëmarrësit e këtij festivali do të eksplorojnë bukurinë dhe misteret që fshehin janë Kuçi, Kudhësi, Çorraj, Qeparoi dhe Borshi, ku nuk do të mungojnë edhe aktivitetet e plazhit (kayaking, zhytje, volejboll, plazh) në gjiret e mahnitshme të Jalës dhe Gjipesë! Argëtimet gjatë ditës dhe çlodhja në mbrëmje rreth zjarrit në kampin me çadra të ngritura, do të jenë thelbi i mikpritjes së këtij festivali. Nuk do të mungojë edhe muzika live, si dhe iso-polifonia ( Trashëgimia Kulturore e ruajtur nga UNESCO), që do të dëgjohet gjatë gjithë festivalit.
Pjesëmarrësit do të shijonë edhe gatimet e zones, të cilat do të përdorin produkte organike dhe do të përgatisin pjata tradicionale Shqipërsisë së Jugut. “Nuk do të mungojë as panairi i produkteve vendase”, shprehen organizatorët të cilët pohojnë më tej se “Nëse pjesëmarrësit dëshitrojnë të marrin me vete fëmijët, të mos ngurrojnë se shumë aktivitete janë parashikuar edhe për ta”. SOF organizohet nga Ambasada Gjermane në bashkëpunim me GIZ, Ministrinë e Turizmit, Bashkinë e Himarës.
Pse u zgjodh Vunoi për South Outdoor Festival?
Fshati i Vunoit ka një arkitekturë të pasur dhe unike në gjithë zonën e bregdetit dhe konsiderohet si një nga qendrat më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore, ku gjendet në afërsi të Kishës së Shën Spiridonit. Atje do të mbahen shumë aktivitete, do të ketë muzikë, kampe, lojra, seminare, forume, aktivitetet kulinarie, etj. Ujërat e mrekullueshme të plazhit të Jalës, ofrojnë mundësi për sportet ujore. Aktivitete të tjera si hiking, biking, do t’i ofrojë mali.
Vunoi ka një pamje magjepsëse, ku të jep përshtypjen e një Akropoli të madh që del nga shkëmbinjtë. Është një shembull i shkëlqyer i arkitekturës rajonale si në shtëpitë dhe kishat, të ruajtura që nga shekulli i tetëmbëdhjetë.
Jemi nje cift nga Tirana, qe na pelqen te marrim pjese ne kete Festival, por nuk jemi te sigurt per akomodimin, meqenese degjuam qe regjistrimet per akomodimin kane perfunduar. Por, meqenese ne kemi mundesi te akomdohemi me Çadren tone, qe ta instalojme aty, a mund te pranohemi nga organizatoret? Pres nje pergjigje nga ana juaj. Me respekt Robert Koroveshi
Përgjigju