Sovrani, siç e quan Doktori, u shpreh. Dhe verdikti është pa apelim: doktori nuk e kaloi provimin. Pas tetë vitesh propagandë, demagogji dhe gënjeshtra, populli u zgjua dhe kuptoi që për Berishën erdhi më në fund koha e pensionit.

Në gjithë Ballkanin kishte mbetur vetëm ai nga ATA lider të politikës së vjetër që në vitet Nëntëdhjetë udhëhoqën tranzicionin post komunist. Berisha rezistoi përtej çdo parashikimi: në vitin 2005 kancelaritë europiane lajmëronin se me daljen nga skena të Fatos Nanos, do t’i vinte radha Sali Berishës të dilte në pension. Por ai rezistoi, rezistoi, rezistoi. Tani, më në fund  erdhi ora e tij dhe Sovrani mundi sovranin.

Rezultati i votës së 23 qershorit është një dënim personal për Sali Berishën më shumë se për qeverinë e tij. Kjo provohet edhe nga suksesi i Ilir Metës, i cili edhe pse ndau deri dy muaj më parë 4 vite në krah të të qeverisë së doktorit, u shpërblye nga elektorati i tij.

Edhe Fatmir Mediu arriti të bëjë të harrohet tmerri i Gërdecit dhe në këto zgjedhje u rrit, edhe pse pak, ashtu si Shpëtim Idrizi, i cili edhe pse qeverisi me Berishën, me 23 qershor pa se votat e tij u rritën.

Ndërsa Sali Berisha humbi kudo gjithçka, në Veri si në Jug: të humbësh 10 përqind të votave për një parti si PD, do të thotë të përfshihesh nga një cunam. Berisha gaboi plotësisht fushatën e tij elektorale, e përqendruar në mënyrë groteske në inaugurimin rrugësh e rrugicash, ndërsa do t’i mjaftonte të lexonte sondazhet për të mësuar se në vitin 2013 (të shënuar nga kriza ekonomike) infrastruktura  u intereson vetëm 0.5 % të shqiptarëve.

Për njerëzit e thjeshtë prioritet tani janë punësimi dhe shëndetësia, dy tema të cilat Berisha i preku shumë pak në fushatën e tij elektorale dhe kur i preku e bëri duke përdorur tone populiste që mund të kishin vlerë 10 vite më parë, por jo sot, në kohën e ëebit.
 
Berisha u ndëshkua për arrogancën e treguar në këto tetë vitet e fundit qeverisje, për dëshirën e tij të pafundë për pushtet, për tolerimin ndaj korrupsionit brenda dhe rreth familjes së tij. Një korrupsion, privat dhe publik që e çoi Shqipërinë në krye të klasifikimeve botërore të ilegalitetit dhe që bëri të bie dhe maska e tij e fundit: ajo e një Berishe diktator, por në fund të fundit i ndershëm.

Për vite të tëra u tha se Berisha nuk ka vjedhur kurrë, dhe ndoshta në fillim mund të ishte vërtetë kështu. Pastaj kthesa u bë në vitin 1994, me humbjen e dhimbshme të referendumit për Kushtetutën: rregullat e demokracisë që ai kishte imagjinuar nuk përfshinin hipotezën (që ekziston në demokraci) për të humbur, dhe kështu ai zgjidhi problemin thjesht duke vendosur që nga ai moment e tutje rregullat dhe ligjet për të nuk vlenin më.

Nga ai moment e tutje për të ishte një rritje e vazhdueshme ilegaliteti, dhune, grabitje, një uragan parash, klientelizma, korrupsion dhe padrejtësi që në fund e mbështollën, rrëzuan dhe shpartalluan.
 
Berisha u ndëshkua jo vetëm se legalizoi një sistem korrupsioni në të gjithë nivelet e administratës publike, por edhe se nënshtroi për këtë qëllim të gjithë pushtetet e Shtetit (SHISH, SHIU, Presidencë, Parlament, Gjykata, Prokurori, Polici dhe në fund edhe Ushtrinë) duke çmontuar deri në gurin e fundit kështjellën e Shtetit dhe besueshmërinë e tij.

Por bashkë me Sali Berishën populli sovran dënoi edhe shërbëtorët e tij  më të ngushtë. E para në listë Jozefina Topalli, simbol i një parlamenti në të cilin për tetë vite dominoi vetëm forca e numrave dhe brenda të cilit u shkelmua çdo formë dialogu, kompromisi dhe politike.

Jozefina Topalli u ndëshkua nga populli i Shkodrës që ka një koncept demokracie shumë më të zhvilluar se ai që Jozefina diti të interpretojë. Në demokraci janë të dobëtit që ulërasin kur nuk dëgjohen nga pushtetarët, ndërsa në “Parlamentin e Jozit” ajo përdori superpushtetin e shumicës për të ulëritur dhe për të poshtëruar pakicën.

Me Berishën u ndëshkua edhe Sokol Olldashi, ministri i kazinove dhe i gjyqeve të vjedhura dhe që sipas Departamentit amerikan të Shtetit ishte mik dhe i bandave të armatosura; edhe Ridvan Bode për doganat e tij (në Korçë PD ka humbur 10 përqind); edhe Genc Ruli në Gjirokastër humbi deri në 13 përqind të votave.

Një rekord i prekur vetëm nga ministri i (pa)drejtësisë Eduard Halimi që humbi në Durrës 12.8 përqind të votave. Për të mos folur për Arben Imamin, ish-rebeli antiBerishë , tani simbol i berishizmit më të korruptuar: në Elbasan ishte vendimtar dhe kontributi i tij për të humbur 10.7 përqind të votave të PD. Si Flamur Noka, ministri i policisë, humbës në Kukës pavarësisht kërcënimeve ndaj zgjedhësve kundërshtarë.

Një Kukës heroik, që pas serbëve, i rezistoi edhe Berishës. Njerëzit e doktorit kanë mbetur të shokuar nga përmasat e shpartallimit: jetonin në një botë të artë në të cilën realiteti filtrohej  nga arroganca e tyre, i kamufluar nga propaganda e tre televizioneve të tyre, të njëjtat që të dielën transmetonin Exit Poll false duke lajmëruar humbjen e opozitës. Vetëm pasi humbën në 12 qarqe kuptuan (ndoshta) se sa larg popullit kishin përfunduar.
 
Berisha u ngujua për dy ditë në pallatin e tij bosh, duke shpresuar në një mrekulli që të përmbyste  rezultatin e 23 qershorit. Por asnjë vonesë në numërimin e votave, asnjë kërcënim, asnjë manipulim, nuk mund të përmbysin më historinë e tij dhe humbjen e tij. Doktori mbeti viktimë e vetvetes dhe i shërbëtorëve të pangopur, shumë prej të cilëve janë vënë tashmë në radhë pas derës së “sovranit”  të ardhshëm.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 26.06.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)