TIRANE- Komisionierja për Mbrojtjen nga Diskriminimi duket se nuk është tërhequr nga vendimi që ka marrë ndaj Artan Lames, sot kreu i ALUIZNI dhe Ekrem Spahiajt ish kryetar i PLL. Gjykata ka marrë në dorëzim kërkesën për të vendosur mbi urdhërin që Komisionerja Irma Baraku, ka vendosur ndaj Lames dhe Spahiajt. Të dy politikanët do të përballen në gjyq me kërkesën për të bërë një ndjesë publike ndaj komunitetit të homoseksualëve në Shqipëri. Kërkesa e regjistruar në gjykatë ndaj Spahiajt mban numrin 3172 ndërsa ajo ndaj Lames numrin 3173.

Vendimi i Komisioneres për Mbrojtjen nga Diskriminimi ka ardhur në majt të vitit 2013 pas ankesave të bëra nga komuniteti LGBT, pas deklaratave që Artan Lame dhe Ekrem Spahia kanë bërë publikisht. Artan Lame në një reagim të tij pas zbulimit të monstrës, Ardian Prrenjasi, i cili përdhunoi një fëmijë, shkruante se: “Rezulton se kishte deviacion të lindur apo të nxitur gjatë ushtrisë, atëherë është e kotë të thërrasim sot “në litar, në litar”, pasi është njësoj sikur të dënojmë me varje edhe gay-t apo gjithë LGBT”.

Ndërsa Ekrem Spahia gjatë një interviste televizive ka theksuar se partia e tij do luftojë në parlament për të ndaluar ligjërimin e martesave brenda së njëjtës gjini dhe aborteve. Spahia është shprehur edhe se do i kapë homoseksualët në dru. Këto shprehje janë bërë nismë për Kristi Pinderin dhe Xheni Karajn, për t’u ankuar. Ndërkohë në korrik të vitit të shkuar, Prokuroria në një përgjigje zyrtare dhënë Aleancës Kundër Diskriminimit dhe Pro LGBD ka rrëzuar kërkesën për ndjekje penale ndaj Spahiajt. Kjo pasi nuk ka asnjë bazë ligjore që lejon ndjekjen e kësaj çështjeje për hetime të mëtejshme. Por duket se shoqatat nuk janë tërhequr duke kërkuar marrjen e nje vendimi në gjykatën civile.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 14 qershor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)