Juristi Kreshnik Spahiu i ftuar në Report Tv komenton shpalljen e Altin Dumanit si kampion në luftën kundër korrupsionit nga DASH. Në emisionin ‘Frontline Interview’ me gazetaren Marsela Karapanço, Spahiu thotë se “dekorata amerikane për Dumanin, ishte përgjigje për ata që shohin ëndrra me Trump-in”.
Sipas tij, gjithçka ishte një mesazh për ata që i kanë shpallur luftë SPAK dhe kreut të saj Altin Dumani. Spahiu thotë se mesazhi i amerikanëve ishte i qartë, që do vazhdojnë t’i japin më shumë ‘oksigjen’ SPAK.
“Me gjithë meritat që ka Altin Dumani, shpallja e tij kampion nuk është bërë se DASH ka festivalin e kampionëve të boksit në antikorrupsion, por është për të dhënë një mesazh politik të atyre që i kanë shpallur luftë Dumanit dhe SPAK. Për t’iu dhënë mesazh se qëndrimi i amerikanëve do vijojë te jetë i njëjtë dhe përkundrazi do t’i japin më shumë oksigjen për të vazhduar politikën e arresteve dhe sekuestrove që ka bërë SPAK dhe Dumani këto kohë. Në tërësinë e vet, faktori ndërkombëtar është determinant në lëvizjet në drejtësi dhe politikë”, tha Spahiu në Report Tv.
Juristi Kreshnik Spahiu, në emisionin 'Frontline', në Report Tv mbrëmjen e djeshme, u shpreh se 99% e shqiptarëve kanë në xhepat e tyre, sipas tij 1% të parasë në qarkullim.
Sipas tij, kjo vjen si rezultatë i krimit të organizuar dhe korrupsionit në vend.
'Ne kemi një situatë dramatike edhe sa i përket polarizimit. Sot 99% e shqiptarëve kanë në xhepat e tyre, 1% të parasë në qarkullim, ndërkohë 1% e shqiptarëve kanë 99% të parave që qarkullojnë. Dhe ky është një absurditet që nuk vjen as nga biznesi, as nga ekonomia e tregut, as nga kapitalizmi, kjo vjen vetëm nga mungesa e një shteti social, vjen nga shkelja e të drejtave të njeriut, nga krimi i organizuar, vjen nga korrupsioni. Është e papranueshme sot, që në Shqipëri të jesh më keq se 30 vite më parë. Të rrofshin diplomat, na rrofshin specializimet, studimet, masterat shkencorë, titujt shkencorë që kemi. Kemi studiuar në 10 vende të Europës apo ShBA dhe kur vjen puna nuk më është hapur dera e parlamentit. Nuk jam votuar, janë votuar ata që kanë bërë burg, njerëz që jane marrë me prostitucion në Belgjikë apo Spanjë, janë bërë kryetarë bashkishë apo deputetë pralamenti', tha ai.
Duke kujtuar lëvizjen e Dhjetorit 1990, Kreshnik Spahiu në Report Tv, kritikoi transformimin e klasës politike në Shqipëri pas tranzicionit. Teksa sjell një vëmendje një shkrim të tij me temë ‘A e njihni këtë grua’, në të cilin ka shkruar më parë për vajzën e Ramiz Alisë, Spahiu thotë se nuk e njihte askush, në ndryshim me atë çfarë ndodh sot me familjarët e Berishës, Metës apo Ramës.
“Sot asnjë nga themeluesit e PD dhe asaj lëvizje nuk është në PD, të gjithë ose i kanë larguar, ose janë larguar, ose i kanë përjashtuar, ose i kanë eliminuar. Kjo është fatkeqësi. Unë e konsideroj veten se ky është një brez disi i djegur që nuk jetoi dot rini, por nuk jetoi dot as tranzicionin. Përsëri bijtë e komunizmit janë në drejtimin e klasës politike. Dua të tregoj dy momente shumë të rëndësishme. Unë dua të tregoj dy momente shumë të rëndësishme, Dikur kam bërë një shkrim ‘a e njihni këtë grua’. Bëhej fjalë për vajzën e Ramiz Alisë, Askush nuk e gjente se si quhej dhe si e kishte emrin vajza e Ramiz Alisë. E gjithë metafora që kisha zgjedhur në analizën time ishte që populli as dje, as gjatë protestës, as sot, nuk e njeh vajzën apo djalin e Ramiz Alisë, as bashkëshorten. Ndërsa sot, familjarët, fëmijët, vajzat, djemtë e liderëve politikë kanë çelësat e pushtetit, çelësat e politikës. As Enver Hoxha nuk ia trashëgoi partinë, siç bën Meta me LSI apo siç don Berisha të bëjë me PD dhe t’ia kalojë fëmijëve. As Ramiz Alia nuk e bëri që Partinë e Punës t’ia kalonte fëmijëve dhe fëmijët nuk i njihte askush”, tha Spahiu në Report Tv.
Kreshnik Spahiu kujton në Report Tv lëvizjen studentore të dhjetorit 1990. Një prej organizatorëve të lëvizjes për përmbysjen e regjimit komunist, juristi kreshnik Spahiu thotë në emisionin ‘Frontline Interview’, se suksesin e kësaj lëvizjeje nuk e përcaktoi vetëm faktori i brendshëm, por edhe mbështetja e shërbimeve perëndimore
“Në çdo përmbysje regjimesh ka dy faktorë, faktori i brendshëm dhe faktori i jashtëm. Pa prezencën e të dy rrethanave, nuk mundet të përmbyset një regjim politik. Ata që pretendojnë të jenë një gjeneratë që do përmbysin sistemt, nëse nuk ndërthuret me faktorin ndërkombëtare, sidomos në vende të vogla periferike si Shqipëria, është e pamundur të kemi përmbysje të regjimeve politike. Përpjekje kishin ndodhur për gjysmë shekulli, ka pasur elita politike që kanë tentuar të bëjnë lëvizje politike, apo të përmbysnin regjimin komunist, por ose ishin vrarë ose kishin përfunduar burgjeve. Do dështonte edhe lëvizja e dhjetorit, nëse s’do ishin kushtet dhe rrethanat dhe faktori ndërkombëtar në atë periudhë. E them këtë se të gjitha shërbimet, sidomos ato perëndimore ishin të përfshira në lëvizjen e dhjetorit. Nëse komunizmi nuk do ishte larguar në të gjithë Europën, vështirë se do ishte përmbysur”, tha Spahiu në Report Tv.