Protesta e Partisë Demokratike sot u zhvillua në të njëjtën ditë që besimtarët bektashinj festojnë Sulltan Nevruzin. Juristi Kreshnik Spahiu, në një lidhje të drejtpërdrejtë në studion e Report Tv, e konsideroi të papërshtatshme këtë zgjedhje të Sali Berishës, ku referuar dhe pjesëmarrjes së ulët tha se “ Populli që sot festonte Sulltan Nevruzin, refuzoi të protestonte për sulltan Berishën”.

Spahiu tha se nuk mundet kryetari i PD, me disa furgonë të mbushur me protestues nga rrethet e veriut, të paralizojë jetën e kryeqytetit, aq më tepër kur bëhet fjalë për një festë të rëndësishme fetare.

“Propagandën e ka më të lartë sesa aksionin politik. 2 mijë protestues ishin, as 200 nga Tirana. PD realizoi që 2 mijë protestues nga fshatrat e veriut vijnë dhe bllokojnë rrugët e Tiranës. Populli që sot festonte Sulltan Nevruzin, refuzoi të protestonte për sulltan Berishën. Festa kombëtare u prish në mbrëmje duke paralizuar jetën e kryeqytetit, rrugët, trafikun, bizneset nga 2 mijë persona”, tha Spahiu.

Ndër të tjera, juristi thotë se qëllimi i Berishës me zhvillimin e këtyre protestave në seri, është faktorizimi në jetën politike, me qëllim për të imponuar popullin me propagandë, duke e krahasuar me kohën e diktatorit Enver Hoxha.

“A është e drejtë kjo? 22 marsi është në radhë të parë festë kombëtare, është festë fetare që duhet respektuar. Në tërësinë e vet, duhet pasur respekt dhe për atë pjesë të komunitetit fetar. Është pamundur që ditën e Krishtlindjeve, Bajramit të marrësh benzinë e.. edhe në luftë këto ditë fetare respektohen. Është  e papranueshme t’i imponohesh kryeqytetit me njerëz të ardhur. Ai ka rëndësi që të faktorizohet dhe qëllimit ia ka arritur. Ishte askushi, as parti e as ulë nuk kishte, sot i ka eklipsuar të gjithë. Ai ka për borxh të imponojë opinionin publik, si në kohë të Enver Hoxhës”, tha juristi Kreshnik Spahiu.


Lajmi kryesor:

Spahiu: U zhgënjye nga Trump, Berisha hoqi flamujt amerikanë në protestë, ngriti flamujt gjermanë