Juristi Kreshnik Spahiu në një lidhje të drejtpërdrejtë me Report Tv, ka komentuar protestën e Partisë Demokratike të mbajtur mbrëmjen e sotme në kryeqytet. Ajo çka bëri dallim nga herët e tjera, ishte heqja flamurëve të SHBA-së dhe zëvendësimi i tyre me ato të Gjermanisë.
Spahiu e konsideron këtë lëvizje të Berishës si mbylljen e një kapitulli, atë të mbështetjes së presidentit Donald Trump pas zhgënjimeve të njëpasnjëshme. Juristi e konsideron PD si një parti që shkon nga fryn era, referuar presionit që Gjermania po i bën Shqipërisë në kuadër të procesit të anëtarësimit në BE lidhur me mbrojtjen politike ndaj Belinda Ballukut.
"PD ka një eksperiencë për protesta. Është e aftë që dhe me 1000 protestues të prodhojë lajm jo vetëm në Shqipëri, por dhe jashtë Shqipërisë. Protesta e sotme ka një diçiturë, PD fryn nga shkon era. PD sot hapi një kapitull të ri. U zhgënjye nga Trump, hoqi flamurët amerikanë dhe ngriti flamurët gjermanë. U mbyll kapitulli që Amerika do të rrëzojë Rama dhe që administrata e Trump mbështet Berishën. Pasi humbën miliona euro më lobistët e Trump, nuk i hoqën as non gratën, nuk e ftuan as në Amerikë, por ftuan Ramën. I zhgënjyer nga administrata e Trump, sot Berisha dha mesazhin që mbylli kapitullin e një partie pro Trump dhe tani është mobilizuar në mbështetjen gjermanë duke shfrytëzuar presionin e Gjermanisë për çështjen e Ballukut”, tha Spahiu.
Ndër të tjera, Spahiu foli dhe për vizitën e deputetëve të PD në Bundestag, duke treguar se deputetët gjermanë ua kanë bërë të qartë, në pushtet vihet vetëm nëse në Maj PD do të arrijë të zgjedhë një lider të ti.
“Delegacioni i PD në Berlin, nga deputetët e Bundestagut, u është thënë që nëse doni të vini në pushtet, u është thënë që në Maj duhet të zgjidhni lider të ri. Ose delegacioni nuk ia thonë dot Berishës, ose Berisha nuk ia thotë dot publikut. Deputet e Bundestagut kanë mbajtur qëndrim të drejtpërdrejtë, të paanshëm, duke i kryqëzuar që të drejtohen nga udhëheqës korruptivë. Ajo që ndodh sot, është që një i pandehur nga SPAK drejton turmën kundër të korruptuarve të tjerë”, tha juristi.
Kreshnik Spahiu tha gjithashtu se Berisha me partinë e tij po arrin qëllimin për të lënë në hije partitë e vogla opozitare duke qëndruar vetë në vëmendje.
“Është një situatë që duan ta fshehin me protesta, por një qëllimi ia kanë arritur, të bëhen lajm dhe të sfumojnë partitë e tjera politike. Ngadalë po shkojmë në 11 maji. Berisha ka një parim, boll të mbash monopoli në opozitë dhe të presësh se të vjen radha në pushtet. Ai pret që konsumi të rrëzojë Ramën dhe ka vënë shishen e qumështit në radhë i pari. Duke mos lejuar asnjë parti tjetër alternative, zbeh zërat opozitarë, merr drejtimin e partisë dhe vazhdon përpara.
Protesta e Partisë Demokratike sot u zhvillua në të njëjtën ditë që besimtarët bektashinj festojnë Sulltan Nevruzin. Juristi Kreshnik Spahiu, në një lidhje të drejtpërdrejtë në studion e Report Tv, e konsideroi të papërshtatshme këtë zgjedhje të Sali Berishës, ku referuar dhe pjesëmarrjes së ulët tha se “ Populli që sot festonte Sulltan Nevruzin, refuzoi të protestonte për sulltan Berishën”.
Spahiu tha se nuk mundet kryetari i PD, me disa furgonë të mbushur me protestues nga rrethet e veriut, të paralizojë jetën e kryeqytetit, aq më tepër kur bëhet fjalë për një festë të rëndësishme fetare.
“Propagandën e ka më të lartë sesa aksionin politik. 2 mijë protestues ishin, as 200 nga Tirana. PD realizoi që 2 mijë protestues nga fshatrat e veriut vijnë dhe bllokojnë rrugët e Tiranës. Populli që sot festonte Sulltan Nevruzin, refuzoi të protestonte për sulltan Berishën. Festa kombëtare u prish në mbrëmje duke paralizuar jetën e kryeqytetit, rrugët, trafikun, bizneset nga 2 mijë persona”, tha Spahiu.
Ndër të tjera, juristi thotë se qëllimi i Berishës me zhvillimin e këtyre protestave në seri, është faktorizimi në jetën politike, me qëllim për të imponuar popullin me propagandë, duke e krahasuar me kohën e diktatorit Enver Hoxha.
“A është e drejtë kjo? 22 marsi është në radhë të parë festë kombëtare, është festë fetare që duhet respektuar. Në tërësinë e vet, duhet pasur respekt dhe për atë pjesë të komunitetit fetar. Është pamundur që ditën e Krishtlindjeve, Bajramit të marrësh benzinë e.. edhe në luftë këto ditë fetare respektohen. Është e papranueshme t’i imponohesh kryeqytetit me njerëz të ardhur. Ai ka rëndësi që të faktorizohet dhe qëllimit ia ka arritur. Ishte askushi, as parti e as ulë nuk kishte, sot i ka eklipsuar të gjithë. Ai ka për borxh të imponojë opinionin publik, si në kohë të Enver Hoxhës”, tha juristi Kreshnik Spahiu.
Komente












