‘Fajtorët’ e paraburgimit të Erion Veliajt nuk janë as kryeministri Edi Rama e as Belinda Balluku, thotë Kreshnik Spahiu në “Repolitix” në Report Tv. Sipas tij, akuzat për të cilat Veliaj ndodhet në burg, nuk lidhen me asnjërin prej të dyve.
Në këndvështrimin e Spahiut, Partia Socialiste nuk ka asnjë ndikim mbi Prokurorinë apo Gjykatën e Posaçme.
“Erion Veliaj e ka 100% gabim. Erion Veliaj gabon kur mendon që është në burg nga Edi Rama dhe Balluku. E ka shumë gabim kur mendon që nuk po e liron Rama dhe Balluku. Rama dhe Balluku nuk po zgjidhin dot hallet e veta. Erion Veliaj është aty për shkak të ca akuzave që s’kanë lidhje fare as me Ramën, as me Ballukun. Ka drejtpërdrejt disa akuza që vetë ai ka ndërtuar edhe padi të drejtpërdrejta për prokurorët e SPAK. Asnjëherë nuk e kam kuptuar çfarë interesi ka Erion Veliaj, qoftë politik, qoftë juridik që të shpërndajë luftën dhe të bëhet kundër të gjithëve. Edhe urën e fundit që kishte, PS, ai po e humb. Ndoshta e kishte humbur me kohë, por unë jam nga ata që mendojnë se nuk e kanë ndihmuar dot dhe nuk e ndihmojnë dot sepse PS është e gjitha me probleme, është e pafuqishme në SPAK e GJKKO. Historia ka treguar që 5-6 vitet e fundit PS ka mbaruar 0 hall në SPAK e GJKKO. Si ka mundësi që lideri nr. 2 i kësaj partie të ketë një qasje kaq të gabuar?”, tha Spahiu.
Lajmi kryesor:
Kreshnik Spahiu zbulon përgjimet për Erion Veliajn dhe provat që e çojnë drejt ‘shkarkimit nga detyra’








