Ndarja nga jeta e Kryepeshkopit Anastas Janullatos, kreut të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë ka prekur të gjithë besimtarët e komuniteteve fetare në vend dhe jo vetëm.
Jeta, vepra dhe aktiviteti i tij, pavarësisht skepticizmit dhe kritikave në disa raste që ka pasur ndër vite, ishte edhe temë e një analize të detajuar në Report TV ditën e sotme (25 Janar).
Të ftuar të moderatorit Arbër Hitaj për të ndarë mendimin e tyre ishin juristi Kreshnik Spahiu dhe ish-deputeti demokrat, Fatbardh Kadilli.
Teksa shprehën ngushëllimet e tyre, të dy të ftuarit ndanë mendim të njëjtë se Janullatos la pas një figurë pozitive, mbajti të bashkuar Kishën Ortodokse, pavarësisht se vetë ishte me kombësi greke dhe ndihej më shumë shqiptar.
Ish-deputeti Kadilli u shpreh se shqiptarët duhet t'i përulen veprës së të njderit Janullatos, që shpesh u kritikua edhe pa e njohur mirë.
Madje juristi Spahiu u shpreh se i ndjeri Janullatos “erdhi si grek dhe iku si shqiptar”, teksa edhe amanetin e tij e ka lënë që “trupi i tij të prehet në Shqipëri”.
“Dua të ndaj ngushëllimet e mia me të gjithë besimtarët e Kishës Ortodokse dhe bashkëpunëtorët e Janullatosit. Komuniteti Ortodoks në përqindje të lartë është besimtar dhe frekuenton kishën, është humbje e madhe. Nuk mund të mohojmë që është një personalitet akademik, i anëtarësuar në disa akademi të huaja, fliste 7-8 gjuhë të huaja, që i njihte mirë ato. Pas 30 vitesh kemi një panoramë më të qartë, shumë shqiptarë kanë qenë skeptikë për të, për shkak të kombësisë së tij dhe se Kisha do humbiste identitetin shqiptar, ekzistonte frika e helenizimit të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare”, u shpreh analisti në Report TV.
Dhe më tej kujtoi se shqiptarët kanë një kod njerëzor, ku nuk kritikojnë në mort. Por ai theksoi se Janullatos e ndërtoi vetë veprën e tij që ka lënë pas.
“Këtu dua të jem realist, e para se ne shqiptarët në raste mortore nuk kritikojmë personalitetet që ndahen nga jeta. Por pas kaq vitesh mund të kemi një pasqyrë më të qartë. Ai erdhi si grek dhe po ikën si shqiptar. U shqiptarizua Anastas Janullatos, e them si kompliment, nuk e kam për kritikë apo ironi. Madje ka lënë amanet që eshtrat dhe varri i tij të jetë në Shqipëri. Madje dhe thënia e tij se kur jam në Shqipëri më gjuajnë me gurë si grek dhe kur jam në Greqi më gjuajnë me gur si shqiptar. Megjithë kritikat ai në fund e ndjeu veten më shumë shqiptar sesa grek”, thotë juristi.
Më tej shtoi se kisha qëndroi e pavarur dhe e pandikuar, duke mos u përzier as në punët e brendshme dhe as në politikë:
“Pavarësisht dyshimeve që ne kemi, Kisha Autoqefale nuk ndërhyri asnjëherë në shtet, ishte e ndarë nga shteti. Vendndodhja e objekteve të tre besimeve të mëdha afër njëri-tjetrit tregon se ne shqiptarët ruajtëm një nga kultet e bashkëjetesës fetare. Kisha Autoqefale Shqiptare ka merita në shumë aspekte, si ato humanitare, rasti i tërmetit dhe të tjera. Nuk kam dëgjuar asnjëherë që Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë të pozicionohet gjatë kaq viteve për njërin krah politik apo për tjetrin, apo t’i përkrahë”, u shpreh juristi.
Duke folur sot për figurën e Kryepeshkopit të ndjerë Anastas Janullatos, juristi Kreshnik Spahiu u shpreh se ai la pas një histori dhe trashëgimi për Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, duke hequr edhe frikërat që shqiptarët kishin ndër vite.
Gjithashtu vuri në dukje se kjo Kishë do drejtohet nga shtetas shqiptarë.
“Them një gjë me bindje, frikërat tona të para disa viteve nuk ekzistojnë më, megjithë rezervat që kemi pasur. Ai la një trashëgimi për klerin shqiptar. Kjo Kishë do drejtohet nga shtetas me kombësi shqiptare, pasi drejtuesit e tyre mitropolitët janë shqiptarë dhe ka drejtues që nuk janë grekë. Sot mund të themi me bindje që kemi një kishë shqiptare të parrezikuar nga brenda apo jashtë Shqipërisë. Rezerva mund të kemi për të gjithë drejtuesit e komuniteteve fetare, por nuk ka asgjë perfekte”, thotë ai.
Spahiu thekson se edhe Shqipëria dhe drejtuesit e saj e trajtuan Janullatosin si birin e tyre, duke kujtuar gjithashtu se ndër vite në histori, vendi ka pasur 6 kryeministra ortodoksë.
“Madje edhe të gjithë përfaqësuesit shtetërorë apo politikë e kanë vlerësuar dhe nderuar me çmime, por edhe ai i dha gjithçka Shqipërisë. Shqipëria është munduar ta trajtojë jo si të huaj, por si birin e vetë. Kisha Ortodokse Autoqefale Shqiptare ka kontribut të rëndësishëm. Pavarësisht se komuniteti ortodoks në Shqipëri është në pakicë, Shqipëria ndër vite ka pasur deri në 6 kryeministra ortodoks dhe asnjëherë s’ka qenë pjesë e debatit politik që pse një popull në shumicë myslimane apo katolike drejtohet nga shtetarë të besimit ortodoks”, shprehet juristi.
Dhe shton se kjo tregon se përkatësia fetare në Shqipëri nuk është e rëndësishme dhe harmonia është ajo që ka mbizotëruar ndër dekada. Madje shqiptarë të besimeve të ndryshme kanë votuar për kryeministra ortodoksë dhe kjo tregonte diçka të bukur.
“Përkatësia fetare në Shqipëri s’është e rëndësishme. Pra këta që kanë qenë drejtues në Shqipëri janë votuar nga qytetarë të besimeve të tjera, nuk ka gjë më të bukur se kjo. Kjo harmoni, kjo balanca, megjithë interferencat, kritikat dhe dyshimet, nuk janë lëkundur. Pavarësisht se kush do jetë emri i trashëgimtarit të të ndjerit Janullatos, Kisha do mbetet më e fortë, më e pavarur, e paanshme dhe e ndarë nga shteti, duke mos pasur interferenca”, përfundon Spahiu.
Kreshnik Spahiu dhe Kryepeshkopi i ndjerë, Anastas Janullatos
Juristi Kreshnik Spahiu vlerësoi figurën e Kryepeshkopit Anastas Janullatos edhe për faktin se për më shumë se 30 vite që drejtoi Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, nuk mbajti anë, nuk u kuptua asnjëherë nëse ishte grek apo shqiptar dhe e mbajti të pavarur, sa shpesh kritikohej nga Athina si shqiptar dhe nga Shqipëria si grek.
Por ai nënvizoi se sot është dita për ta parë më qartë atë që ai la pas, veprën e tij dhe figurën e rëndësishme në ringritjen e Kishës.
“Këtu dua të jem realist, e para se ne shqiptarët në raste mortore kemi kod njerëzor, nuk kritikojmë personalitetet që ndahen nga jeta, nuk i kritikojmë në funeral. Por pas kaq vitesh mund të kemi një pasqyrë më të qartë për Kryepeshkopin Anastas Janullatos”, thotë ai.
Ndërsa shpjegon edhe këndvështrimin apo skepticizmin që shumë qytetarë dhe shqiptarë patën ndër vite ndaj figurës së tij.
“Ka disa arsye që komuniteti ortodoks është sulmuar me pa të drejtë për shumë faktorë, është sulmuar, paragjykuar, anatemuar dhe shpesh ka shkuar në konflikt retorik, që ka dëmtuar harmoninë sociale dhe fetare. Shqipëria vinte nga periudha e ateizimit, ku persekutoi të gjithë klerin, prishi kisha dhe xhami. Në këtë kontekst ka pasur interferencë dhe keqkuptim edhe në përplasjet fetare, si pasojë e konflikteve politike në jug të Shqipërisë, gjë që buronte nga Athina në mbrojtje të komunitetit grek në Shqipëri. Fatkeqësisht shumë analist dhe njerëz brenda këtu që nuk kishin njohuri shpesh-herë predikonin ndërhyrjet greke, por që unë mendoj se nuk ekziston”, nënvizon mes të tjerash.
Gjithashtu shpjegoi se pavarësisht edhe ndërhyrjeve në disa raste, përsëri Kisha Ortodokse qëndroi e paanshme dhe larg konfliktit, duke mos e prishur harmoninë fetare.
“Kjo kishë ka rolin e saj patriotik dhe në ruajtjen e identitetit shqiptar në histori, s’mund ta mohojmë historinë dhe të ngatërrojmë rolin e klerit. Për më tepër të ngatërrohen me qarqe të tjera politike. Ka pasur disa qarqe greke, në periudhë të caktuar, kur ishte Censusi për besimin fetar, tentonin të trajtonin çdo ortodoks shqiptar si minoritar. Të gjithë kemi rënë viktimë e atij debati, por koha sqaron gjithçka. Por është e qartë se besimtarët ortodoks shqiptarë janë pjesa më vitale dhe e shqiptarizmit dhe natyrisht duhet t’i kërkojnë falje për hedhjen e baltës ndaj tyre”, thotë Spahiu.
As varr për horr nuk po i jep Greqia këtij. Duhet që edhe i vdekur t'i shërbejë megaloidesë me varezat greke në Shqipëri.
Përgjigjuerdhi si gtek e iku si grek,,,greku nuk beehet asnjehere shqiptar,,,shqiptar lind nuk behesh....
Përgjigju