Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka shpallur vendimin për një çështje që lidhet me trafikimin e armëve dhe municioneve drejt Mbretërisë së Bashkuar, ku të pandehur ishin Adulla Hoxhaj, Admir Tutaj, Rifat Avdiaj dhe Bojken Turtulli. Grupi kriminal u godit në gusht të vitit 2024, në një operacion ku u sekuestruan dhjetëra armë zjarri. Admir Tutaj u arrestua pak kohë më pas në Kolumbi.

Pas zhvillimit të procesit me procedurën e gjykimit të shkurtuar, trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Bib Ndreca, Rudina Palloj dhe Atalanta Zeqiraj vendosi dënimin e tre prej të pandehurve dhe shpalljen të pafajshëm të njërit prej tyre.

Sipas vendimit, Adulla Hoxhaj u shpall fajtor për tentative për trafikim armësh dhe municionesh, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, si dhe për mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve dhe u dënua me 13 vite burg. Pas bashkimit të dënimeve dhe përfitimit nga gjykimi i shkurtuar, ai u dënua përfundimisht me 8 vite e 8 muaj burgim.

Po ashtu, Admir Tutaj dhe Bojken Turtulli u shpallën fajtorë për trafikim armësh dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal. Të dy u dënuan me nga 12 vite burg secili, por do të vuajnë 8 vite burgim secili, pas uljes së dënimit me një të tretën për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Ndërkohë, gjykata shpalli të pafajshëm Rifat Avdiaj për të gjitha akuzat, duke arsyetuar se nuk provohej që ai kishte kryer veprat penale për të cilat akuzohej. Për këtë arsye u urdhërua heqja e masës së sigurisë “arrest në burg” dhe lirimi i tij i menjëhershëm, nëse nuk mbahet për ndonjë shkak tjetër ligjor.

Gjatë operacionit dhe kontrolleve të kryera në vitin 2024, autoritetet sekuestruan një arsenal të konsiderueshëm armësh, municionesh, pjesësh armësh, pajisjesh optike, silenciatorësh dhe sende të tjera ushtarake. Gjykata vendosi konfiskimin e tyre, ndërsa një pjesë e pajisjeve elektronike dhe mjeteve të tjera do të qëndrojnë në funksion të procedimeve të ndara dhe hetimit pasuror.

Palët kanë të drejtë të ankimojnë vendimin në Gjykatën e Posaçme të Apelit brenda afatit ligjor prej 15 ditësh nga komunikimi i vendimit të arsyetuar.

Për çfarë akuzohej grupi?
Sipas dosjes, të pandehurit akuzoheshin për:
  • Tentativë për trafikim armësh dhe municionesh
  • Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal
  • Mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve
Dënimet, pas përfitimit nga gjykimi i shkurtuar:
  • Adulla Hoxhaj u dënua përfundimisht me 8 vite e 8 muaj burgim.
  • Admir Tutaj u dënua me 8 vite burgim.
  • Bojken Turtulli u dënua me 8 vite burgim.
  • Rifat Avdiaj u shpall i pafajshëm dhe u urdhërua lirimi i menjëhershëm nga paraburgimi.
Arsenali i sekuestruar
Gjatë kontrollit në banesën e Adulla Hoxhajt më 1 gusht 2024, hetuesit gjetën:
  • Të paktën 10 armë zjarri pistoleta funksionale.
  • Një armë gjysmëautomatike tip kallashnikov.
  • Dhjetëra pjesë armësh, tyta, gjilpëra, shula dhe mekanizma të ndryshëm.
  • Qindra fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm.
  • 50 fishekë sportivë.
  • 10 pajisje optike (dylbi) për armë.
  • 3 pajisje lazer.
  • 2 silenciatorë.
  • Një pajisje elektroshok.
  • Pranga, veshje ushtarake, helmetë dhe pajisje të tjera.

-------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë