SPAK 5 vjeç, Altin Dumani: Misioni vazhdon! (Fjala e plotë)

SPAK 5 vjeç, Altin Dumani: Misioni vazhdon! (Fjala e plotë)

Struktura e Posaçme shqiptare kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK shënoi sot 5 vjet nga nisja e veprimtarisë, diplomatë të lartë amerikanë. Fjala e plotë e kreut të SPAK Altin Dumani në ceremoninë e organizuar sot në Tiranë ku morën pjesë dhe Zëvendës-ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Alexander Kasanof, dhe ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato.

Fjala e plotë e Altin Dumanit, 19 dhjetor 2024

Faleminderit të gjithëve që na u bashkuat sot!

Si pesë vjet më parë, më 19 Dhjetor 2019 u themelua Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pjesë e korpusit të organeve të reja që solli Reforma në Drejtësi, të cilën qytetarët shqiptarë nuk e vunë asnjëherë në dyshim.

Pesë vjet më parë, shoqëria shqiptare vendosi të hedhë me besim hapin vendimtar në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.  Prokuroria e Posaçme u krijua për të pasur një rol kyç në këtë mision, për të treguar se mund të përballet me kurajo për tu kthyer qytetarëve shqiptarë besimin tek shteti i së drejtës dhe tek forcimi i një prej parimeve kryesore te demokracisë: Të gjithë janë të barabartë përpara ligjit dhe askush nuk mund të jetë i privilegjuar prej tij. Prej kohës kur ne aplikuam për tu bërë pjesë e kësaj Strukture ishim të qartë se këto dy misione do të na ndihmonim të hapnin rrugën drejt integrimit të Shqipërisë në familjen europiane. Jemi krenarë për kontributin tonë në lehtësimin e arritjes së kësaj aspirate të bashkëqytetarëve tanë. Ne jemi të vendosur gjatë rrugës së integrimit dhe për të ruajtur standartin europian të zbatimit te ligjit, së bashku me partnerët tanë ndërkombëtare, si kontribues të një familje të madhe, për ta mbrojtur dhe forcuar shtetin e së drejtës.

Të nderuar miq e të ftuar!

Në fillim, ishim vetëm tetë prokurorë. Enkeleda, Elida, Beni, Klodi, Behari, Edvini, Eneidi dhe unë. Më pas na u bashkuan Doloresa, Dritani, Vladimiri, Manjola, Sotiri, Dorina, Adnani, Alfredi, Elvini dhe së fundmi Anita, Olsi dhe Bledari. E nisëm me një stivë voluminoze dosjesh të mbartura nga ish Prokuroria e Krimeve të Rënda si dhe ato të transferuara nga prokuroritë e rretheve, në mungesë të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe me një numër shumë të reduktuar stafi administrativ. Krahas punës sonë si prokurorë, po përpiqeshim të kontribuonim në ngritjen e këtij institucioni të ri, themelet e të cilit tashmë ishin hedhur.

U hasën vështirësi nga më të ndryshmet, qoftë në ngritjen e institucionit nga ana formale por dhe ajo infrastrukturore. U desh të punohej në kushte pune sfiduese, të përballeshim me vështirësitë e epidemisë se COVID19 apo dhe fatkeqësitë e tjera natyrore.

U desh të krijohej një fizionomi dhe mendësi, që do t’i përshtatej filozofisë së re të reformës në drejtësi, ku mbi të gjitha mbizotëron puna në grup, pavarësia dhe integriteti profesional dhe personal.

Sakrificat vijojnë po të njëjtat, por kjo është pjesa jonë personale, një kosto aspak e vogël, të cilën ne, të 20-të prokurorët e SPAK, 60 hetuesit e BKH-s, hetuesit financiarë dhe stafi mbështetës sot, i kemi pranuar.

Dëshiroj të shpreh mirënjohjen për kolegun, Arben Kraja, drejtuesin e parë të Prokurorisë së Posaçme i cili mbajti peshën e vështirësive që shoqëruan krijimin dhe ndërtimin e institucionit.

Në këto pesë vite, së bashku me 60 hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe hetuesit financiarë sollëm ndëshkueshmëri në nivelet e larta të pushtetit.

Në periudhën 5 vjeçare, SPAK ka regjistruar 1809 procedime penale për 2496 persona. Prej tyre, 1387 persona janë dërguar për gjykim. Ky rezultat është një tregues i qartë i angazhimit tonë për të çuar përpara drejtësinë dhe për të mbajtur përgjegjës ata që shkelin ligjin.

Lidhur me korrupsionin numërojmë sot:

1097 procedime dhe 1036 persona nën hetim.

61 zyrtarë të lartë të rregjistruar për korrupsion, 70% e tyre janë dërguar për gjykim.

Sa i takon Krimit të Organizuar kemi:

494 procedime për 955 persona nën hetim

Numri i personave të proceduar përbën 38.14 % të totalit

Për terrorizmin:

50 procedime penale me

29 persona nën hetim

Numri i personave të proceduar zë 1.16 % të totalit.

Procedime pasurore në kuadër të pastrimit të parave (ligji anti-mafia):

Janë rregjistruar 73 procedime me 141 subjekte

Sa i takon bashkëpunimit ndërkombëtar janë ngritur 42 skuadra të përbashkëta hetimore, nga të cilat 27 janë aktive.

Gjithashtu kemi nënshkruar marrëveshje bashkëpunimit me:

Zyrën e Prokurorit Publik Europian, NCA britanike, USKOK (Kroaci), zyrat e prokurorive të Italisë, Spanjës, Rumanisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, etj.

SPAK ka sekuestruar dhe konfiskuar mbi 182 milionë euro asete, të siguruara përmes mjeteve të paligjshme.

Ne kemi hetuar zyrtarë të të gjitha niveleve, prokurorë, gjyqtarë, ish funksionarë të lartë të policisë dhe politikanë si dhe grupe e organizata kriminale duke dhënë një mesazh të qartë se drejtësia nuk njeh anë dhe kahe dhe se nuk ka të paprekshëm, nëse ligjet e këtij vendi cënohen, shkelen, nëpërkëmben. Ne kemi forcuar bashkëpunimin institucional me agjenci ligjzbatuese vendase e të huaja.

Shpreh mirënjohjen time për bashkëpunimin me Prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm Policinë e Shtetit, Shërbimin Informativ Shtetetor  (SHISH) me Kontrollin e Lartë të Shtetit (KLSH), ILDKPKI,  Agjencinë e Inteligjencës Financiare i cili ka dhënë frytet e tij dhe sa vjen dhe ka një rritje cilësore. Gjithashtu, më lejoni të falenderoj KLP për kujdesin e treguar në raport me përmbushjen e kërkesave për plotësimin e organikës së Prokurorisë së Posaçme si dhe mbrojtjen e institucionit sa herë ka qenë e nevojshme.

Më lejoni të falënderoj partnerët tanë ndërkombëtarë; Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Europian dhe misionet e tyre mbështetëse; OPDAT, ICITAP, DEA, FBI, Europol, Eurojust, të cilët prej krijimit të Prokurorisë së Posaçme qëndrojmë krah më krah me ne, agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare dhe oficerët ndërlidhës që kanë mundësuar zgjerimin e bashkëpunimit dhe rritjen e shkëmbimit të informacionit për hetimet tona të përbashkëta.

Aktualisht SPAK bashkëpunon ngushtë me shumë shtete Evropiane, shtete të Amerikës Latinë, Shtetet e Bashkuara të Amerikë si dhe shtete të Rajonit.

Të nderuar pjesëmarrës!

Ajo që na frymëzon të gjithëve është sa afër ndjehemi me publikun, sa i prekshëm është sot jo vetëm besimi i tyre, por rrëzimi i një mendësie e cila e toleron korrupsionin, ku korrupsioni kalon vjedhurazi në fusha të ndryshme të jetës sonë i pandëshkuar, ku krimi bën plane të legjitimojë paligjshmërinë në hallka të ndryshme të jetës.

Ne jemi përpjekur modestisht që në këto 5 vite të tregojmë se korrupsioni sfidohet, se krimi i organizuar mund të vihet përpara përgjegjësisë, se sot nuk mund të ketë zyrtarë të lartë publikë të imunizuar nga drejtësia, se ligji funksionon, dhe se të rinjtë mund të shpresojnë fort në një shtet të së drejtës.

Kjo përpjekje e jona e deritanishme  nuk ka kaluar pa vështirësi. Korrupsioni apo krimi nuk mund të zhduken brenda ditës; jemi përballur me përpjekje për ta minuar punën tonë, me fyerje, shpifje, kërcënime ndaj nesh apo familjarëve tanë.

Por përballë tyre jemi mbledhur bashkë, si një trupë e vetme kolegësh. Kemi kuptuar sa e rëndësishme është pavarësia e institucionit, ku ushtrojmë detyrën dhe sa i vyer është integriteti i gjithësecilit nga ne.

Nëse dikush mendon ndryshe, gaboheni! Jemi betuar për t’i shërbyer vendit, drejtësisë shqiptare dhe qytetarëve shqiptarë.

Çdo ditë u kujtojmë vetes se misioni ynë nuk përfundon me dosjen e radhës, nuk kemi kohë për t’u shpjeguar, por, për të vijuar me tjetrën.

Duhet këmbëngulje dhe përshtatje.

Ndaj e themi pa ngurrim sot, se SPAK është i fortë, sepse është I pavarur dhe se aspirata jonë e përbashkët është te kemi një sistemi drejtësie të fortë, ku ligji zbatohet dhe nuk është privilegj për disa dhe vuajtje për disa të tjerë që enden në kërkim të drejtësisë.

Nuk është qëllimi dhe misioni ynë të dënojmë dikë. Mendohemi dhe kujdesemi seriozisht që në punën tonë të orientohemi nga ligji dhe respektimi i te drejtave të njeriut.

Por shoqëria shqiptare na ka ngarkuar më një mision jetik; siç është lufta pa kompromis ndaj atyre që e kanë kapur dhe e shfrytëzojnë atë padrejtësisht.

Ndaj drejtësia ka misionin e krijimit të ruajtjes së ekuilibrit të peshores së saj, në mënyrë që i gjithë sistemi të funksionojë në shërbim dhe në dobi të qytetarëve, pa asnjë dallim; të gjithë të barabartë përpara drejtësisë.

 Të nderuar miq, kolegë, pjesëmarrës!

Ndërsa kremtojmë pesë vite të krijimit të SPAK, ndjehemi krenarë për arritjet e përbashkëta të deritanishme, por kjo nuk na ç’fokuson nga detyra jonë. Ama na bën të ndjehemi më të përgjegjshëm dhe më të pjekur profesionalisht.

Ne jemi të vetëdijshëm se shumë gjëra mund t’i kishim bërë më mirë. Dëgjojmë me shumë vëmendje çdo kritike konstruktive duke u përpjekur ta adresojmë atë pa humbur kohë.

Mësimet e nxjerra i vëmë në shërbim të rrugës që kemi përpara.

Me shumë se kujtdo u detyrohemi brezave të ardhshëm dhe urojmë që përpjekjet tona të sotme të shërbejnë për të siguruar atyre një shoqëri ku llogaridhënia, integriteti, ndershmëria janë në themel të institucioneve shqiptare.

Dëshiroj të falenderoj nga zemra, të gjithë prokurorët, Drejtoreshen dhe hetuesit e BKH, hetuesit financiarë, ekspertët, stafin administrativ të SPAK, institucionet vendase dhe partnerët tanë të përhershëm, SHBA dhe Bashkimin Europian dhe të gjithë bashkëqytetarët shqiptarë.

Një falënderim i veçantë u shkon familjarëve tanë,  të cilët na kanë mirëkuptuar për kohën e munguar pranë tyre dhe për durimin e treguar ndaj ngarkesave tona të përditshme emocionale.  Suksesi ynë nuk mund të ketë kuptim pa ju.

Falenderojme gjithashtu shoqërinë civile, median dhe në mënyrë të veçantë gazetarët e terrenit, të cilët ndjekin hap pas hapi veprimtarinë e SPAK me objektivitet dhe na sfidojnë në mënyrë konstruktive.

Falenderoj Gardën e Republikës dhe Policinë e Shtetit që janë të angazhuar në mbrojtjen dhe sigurinë e prokurorëve dhe familjarëve të tyre.

-       Duke ju falënderuar në emër të të gjithë stafit i uroj ditëlindjen sot SPAK dhe suksese më tej në funksionin e tij jetik.

Misioni vazhdon!

Kemi kënaqësinë të kemi këtu mes nesh, Zëvëndës Ndihmësin e Sekretarit amerikan të Shtetit, Z. Kasanof.

Pas tij, do të marrë fjalën, shkëlqësia e tij, Z. Gonzato, Ambasador i Bashkimit Europian në Shqipëri dhe kolegia, Znj. Mandro, anëtare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë

S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Korab: 19/12/2024 16:13

    Urime SPAK, Do ishte mire ti ishte dhene pergjigje te gjitha ngjarjeve tronditese qe kane ndodhur qe nga firmat piramidale qe z.president mashtoi popullin duke i thene se parate jane te pastra, Me ngjarjet e 1996,1997,grushtin e shtetit 1998. Me ngjaren e Gerdecit,te vrasjeve ne bulevard dhe shume grabitjeve masive qe i eshte bere Shqiperise, keto besoje se ishin arsyeja kryesore qe krijua SPAK.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    19 Dhjetor, 08:16

    5 vite nga krijimi i SPAK, jeni të kënaqur me punën e bërë?



×

Lajmi i fundit

Princ William dhe Kate postojnë kartolinën e tyre të Krishtlindjes

Princ William dhe Kate postojnë kartolinën e tyre të Krishtlindjes