SPAK çon në gjyq Gëzim Çelën, Dritan dhe grupin e tij me 13 persona, u sekuestrohen pasuritë

SPAK çon në gjyq Gëzim Çelën, Dritan  dhe grupin e tij me 13 persona, u sekuestrohen pasuritë

Gezim Çela

Tirane- SPAK kopsit dosjen dhe dërgon për gjykim Gëzim Çelajn dhe grupin e tij prej 13 personash të akuzuar për trafik droge kryer në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Sipas SPAK është e provuar se Gëzim Çela dhe Arlind Ismailukaj janë drejtuesit e grupit të strukturuar kriminal që morën përsipër dhe organizuan trafikun e 41 kg heroinë e cila u sekuestrua më 31 mars 2023 në rrugën nacionale Tiranë-Fushë Krujë. Gjithashtu konsiderohen si drejtuesit e grupit kriminal që më 14 Gusht 2023, është tentuar që nëpërmjet detit duke përdorur mjete lundruese të trafikohen sasi të mëdha të lëndëve narkotike, i njohur si operacioni policor “Flakë në det”. 

SPAK dërgon për gjykim Arlind Ismajlukajn dhe Gëzim e Nerim Çelajn, Armando Memën, Dritan Metajn e Ben Dalipajn, Besnik Brokerin, Alket Dedën e Selami Lushkajn, Ksenofon Bodon, Roland Guzajn dhe Armand Papajn,  Kyrylo Ponomarenko e Kostiantyn Biellon.

"Gjatë hetimit të këtij procedimi penal, është arritur që për secilin prej të pandehurve të provohet jo vetëm përfshirja e tyre në aktivitetin kriminal, por edhe ndarja e roleve, duke përfshirë organizatorët e veprimtarisë, kultivuesit e lëndës narkotike, magazinuesit, prodhuesit, transportuesit, si dhe drejtuesit e mjeteve lundruese'informoi sot SPAK.

Në gjyq si pjesë e grupit shkon dhe Dritan Metaj, shefi i komisariatit të Kurbinit  i cili u arrestua në tetor 2023 pasi akuzohet se lëvizte Gëzim Çelën e trafikantët e Fushë Kuqes me makinë, si dhe Armando Papaj i cili u kap afër Rinasit me 41 kg heroinë në makinë.

Ndërsa në operacionin e dytë, Flakë në det, dyshohet se  gomonia e nisur nga Laguna e Patokut në Kurbin, me lëndë narkotike kanabis drejtohej nga Besnik Brokeri.

Me kërkesë të SPAK, GJKKO ka vendosur dhe sekuestrimin e pasurive, ndër ta Bar Restorant, me adresë Lezhë, Laç,  pasuri të paluajtshme me vlerë mbi 400.000 Euro, 3 gomone e makina. 

SPAK merr të pandehur e çon në GJKKO
 1- Gëzim Çela - drejtuesi i grupit kriminal
 2- Arlind Ismajlukaj - drejtuesi i grupit kriminal -  47 vjeç, banues në Tiranë; 
 3- Nerim Çela, - 40 vjeç, banues në Fushë Kuqe, Laç;  nipi i Gëzim Çelës
 4- Armando Mema,- 37 vjeç, banues në Tiranë;
 5- Dritan Metaj - Ish shefi i komisariatit të Kurbinit
 6- Ben Dalipaj (Arben Dalipaj)  banues në Vlorë
 7- Besnik Brokeri -  51 vjeç, banues në Vlorë
 8- Alket Deda
 9- Selami Lushkaj
10- Ksenofon Bodo
11- Roland Guzaj -  banues në Durrës
12- Armand Papaj 
13- Kyrylo Ponomarenko - 39 vjeç, banues në Ukrainë
14- Kostiantyn Biellon,  44 vjeç, banues në Ukrainë.

Njoftimi i plote i SPAK 1 korrik 2024

Prokuroria e  Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim procedimin penal Nr. 185/2023, kundër të pandehurve Arlind Ismajlukaj, Gëzim Çelaj, Nerim Çela, Armando Mema, Dritan Metaj, Ben Dalipaj, Besnik Brokeri, Alket Deda, Selami Lushkaj, Ksenofon Bodo, Kyrylo Ponomarenko, Kostiantyn Biellon, Armando Papa e Roland Guza, të akuzuar për kryerjen e veprave penale “Trafikimi i narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 283/a/1, 333/4 dhe 334 të Kodit Penal.

Gjatë hetimit të këtij procedimi, është provuar se të pandehurit si pjesë e grupit të strukturuar kriminal drejtuar nga Gëzim Çelaj e Arlind Ismajlukaj, kanë marrë përsipër organizimin dhe trafikimin në sasi të mëdha të lëndëve narkotike, të paktën në dy raste, në ngjarjen e datës 31 Mars 2023, ku në rrugën nacionale Tiranë-Fushë Krujë është sekuestruar një sasi prej 41 kg lëndë narkotike e llojit heroinë, si dhe në ngjarjen e datës 14 Gusht 2023, ku është tentuar që nëpërmjet detit duke përdorur mjete lundruese të trafikohen sasi të mëdha të lëndëve narkotike, i njohur si operacioni policor “Flakë në det”. 

Gjatë hetimit të këtij procedimi penal, është arritur që për secilin prej të pandehurve të provohet jo vetëm përfshirja e tyre në aktivitetin kriminal, por edhe ndarja e roleve, duke përfshirë organizatorët e veprimtarisë, kultivuesit e lëndës narkotike, magazinuesit, prodhuesit, transportuesit, si dhe drejtuesit e mjeteve lundruese.

Paralelisht me procedimin penal, ndaj të pandehurve dhe personave të lidhur me ta, ka filluar procedimi pasuror bazuar në dispozitat e Ligjit Nr. 10 192, datë 03.12.2009 “Për Parandalimin dhe Goditjen e Krimit të Organizuar, Trafikimit, Korrupsionit dhe Krimeve të Tjera nëpërmjet Masave Parandaluese kundër Pasurisë”, i ndryshuar, me qëllim evidentimin, sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive me origjinë kriminale.

Në kuadër të procedimit pasuror, me dy vendime të mëparshme Nr. 27 datë 09.10.2023, dhe Nr. 13 datë 17.03.2024, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur sekuestrimin e pasurive si më poshtë:

Subjektin juridik XXXXX sh.p.k., i themeluar më datë 26.10.2022, me administratore dhe ortake të vetme të 100% të kuotave, shtetasen TH., me objekt aktiviteti Bar Restorant, me adresë Lezhë, Laç;

Pasuria e paluajtshme nr. 1759, Zona kadastrale 1673, objekti ku ushtron aktivitetin shoqëria e lartpërmendur;

3 Pasuri të paluajtshme me vlerë mbi 400.000 Euro, në pronësi të shtetases M.TH.,

6 Automjete të markave të ndryshme;

3 mjete lundruese tip Gomone,

Shuma monetare: 102.000 (njëqind e dy mijë) Euro, 500 (pesëqind) Paund Britanik, 50 (pesëdhjetë) Franga Zvicerane dhe afërsisht 7.000.000 (shtatë milion) Lekë, shtetasve A. I., G. Ç. dhe N. Ç.

Subjektin juridik XXXXX sh.p.k., me administrator dhe ortak të vetëm me 100% të kuotave, shtetasin G.G., si dhe të gjitha asetet e saj, si pasuri të paluajtshme, pasuri të luajtshme, llogari bankare etj, duke përfshirë këtu edhe 10 automjete të markave të ndryshme.

S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Ergys Mërtiri: Ç'na tregoi më 23 Nëntor Altin Dumani?

Ergys Mërtiri: Ç'na tregoi më 23 Nëntor Altin Dumani?