Në vetëm disa ngarkesa të dokumentuara nga SPAK një rrjet i sofistikuar grupesh të strukturuara kriminale shqiptarësh, arritën të fusnin dhe të shpërndanin në Evropë 7261 kg kokainë, 590 kg hashash dhe 275 kg kanabis sattiva. 

Një vit pasi njoftoi ekzekutimin e disa masave të sigurisë, Prokuroria e Posaçme dorëzoi në GJKKO kërkesën për gjykim të grupit me 15 emra nga më të njohurit, jo vetëm për agjencitë ligjzbatuese por edhe mediat.

Personazhe si Artur Hoxhosmani, Genti Nderjaku (i njohur edhe si Kili apo  Ekil Nderjaku, Nazmi Shahini (alias Drazhi), Devid Patrut (i njohur edhe me 3 emra të tjerë), Ermir Ndreaj dhe Erion Alibej për SPAK ishin drejtuesit dhe financuesit e trafikut të drogës, ndërsa pjesëmarrës në grup ishin Klevis Hoxhosmani, Ramazan Rraja, Plaurent Dervishaj, Amar (alias Dritan) Shkëmbi, Amer (alias Ilir) Lloshi, Bashkim Haxhija, Julian Meçaj, Bledar Polovina dhe Endrit Sinani.

Të gjithë së bashku, edhe me bashkëpunëtorë të tjerë ende të paidentifikuar, sipas SPAK kanë koordinuar aktivitete të ndryshme kriminale edhe përmes komunikimeve në platformën e enkriptuar SkyEcc, të cilat janë në dispozicion të drejtësisë, të siguruara nga autoritetet franceze.

Gjithsej 8126 kg drogë që SPAK ka vërtetuar se është trafikuar nga rrjeti është sjellë në Evropë nga vende si Brazili, Ekuadori apo Kolumbia kur bëhet fjalë për kokainën, ndërsa kanabisi e hashashi nga Spanja. E gjithë sasia është shitur në vendet e Bashkimit Evropian.

Mes të akuzuarve nga hetimet ka rezultuar se për njerin prej tyre Devid Patrut është dënuar më herët nga Belgjika dhe nuk mund të akuzohet, ndërsa për Ilir Lloshin dhe Julian Pjetrin kërkohet të hiqet një akuzë për shkak mos provimi.

Korrikun e kaluar SPAK vuri në pranga vëllezërit biznesmenë Artur dhe Klevis Hoxhosmani, biznesmenin e “Cinco Cavalli’ Ermir Ndreaj, Ilir Lloshajn dhe një dyshe që më herët kishin qenë rivalë, por në këtë dosje, dalin bashkëpunëtore; i penduari i drejtësisë Erion Alibej dhe ish-kreu i bandës së Durrësit, Plaurent Dervishaj, të cilëve iu komunikua masa në qelitë e paraburgimit.

Gjatë kontrolleve në shtëpinë e Artur Hoxhosmanit u gjetën 3 pistoleta pa leje, ndërsa më vonë në burg atij iu gjet edhe një Iphone 17. Prandaj ndaj tij rëndojnë edhe akuzat e armëmbajtjes pa leje dhe futjes së sendeve në burg.

Grupit i janë sekuestruar sasi të mëdha parash, makina luksoze, një skaf luksoz, prodhim i vitit 2025, bizhuteri, llogari bankare etj.

SPAK thotë se ka bashkëpunuar në këtë hetim me 8 vende evropiane dhe amerikano-latine, si dhe Eurojust dhe Europol.

Të pandehurit dhe akuzat penale për secilin
Artur Hoxhosmani - Trafikim i lëndëve narkotike”,, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”, “Grup i strukturuar kriminal”, “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Futje ose mbajtje e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim”,
Klevis Hoxhosmani - “Trafikim i lëndëve narkotike”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grup i strukturuar kriminal”, “Grup i strukturuar kriminal”,
Ermir Ndreaj - “Trafikim i lëndëve narkotike”, Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grup i strukturuar kriminal” “Grup i strukturuar kriminal”
Erion Alibej - “Trafikim i lëndëve narkotike”, Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grup i strukturuar kriminal” “Grup i strukturuar kriminal”
Devid Patrut - “Trafikim i lëndëve narkotike”, Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grup i strukturuar kriminal” “Grup i strukturuar kriminal”
Gent Nderjaku - “Trafikim i lëndëve narkotike”, “Grup i strukturuar kriminal”,
Nazmi Shahini - “Trafikim i lëndëve narkotike”, “Grup i strukturuar kriminal”,
Ramazan Rraja - “Trafikim i lëndëve narkotike”,“Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grup i strukturuar kriminal”, “Grup i strukturuar kriminal”
Plaurent Dervishaj - “Trafikim i lëndëve narkotike”,“Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grup i strukturuar kriminal”, “Grup i strukturuar kriminal”
Amar alias Dritan Shkëmbi - “Trafikim i lëndëve narkotike”,“Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grup i strukturuar kriminal”, “Grup i strukturuar kriminal”
Amer alias Ilir Lloshi - “Trafikim i lëndëve narkotike”,“Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grup i strukturuar kriminal”, “Grup i strukturuar kriminal”
Julian Meçaj - “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grup i strukturuar kriminal”, “Grup i strukturuar kriminal”,
Bledar Polovina - “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grup i strukturuar kriminal”, “Grup i strukturuar kriminal”,
Bashkim Haxhija- Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”.
Endrit Sinani - Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”.

Njoftimi i SPAK:

Prokuroria e Posaçme përfundoi hetimet dhe ka dërguar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për gjykim të procedimit penal nr. 184/3 të vitit 2024, në ngarkim të 15 të pandehurve, të akuzuar si më poshtë vijon: 

Artur Hoxhosmani, për kryerjen e veprave penale:

“Trafikim i lëndëve narkotike”, e kryer në bashkëpunim, në formë të grupit të strukturuar kriminal, më shumë se një herë, parashikuar nga nenet 283/a/2 dhe 28 pika 4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”,

“Grup i strukturuar kriminal”,  parashikuar nga neni 333/a/1 i Kodit Penal në formën e drejtimit,

“Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, në lidhje me fishekët e gjetur në banesë, e parashikuar nga neni 278/3 të Kodit Penal,

“Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, në banesë, parashikuar nga neni 278/4 të Kodit Penal, si dhe

“Futje ose mbajtje e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim”, e  parashikuar nga Neni 324/a/1 të Kodit Penal. 

Genti (alias Kili, alias Ekil) Nderjaku dhe Nazmi Shahini (alias Drazhi), për kryerjen e veprave penale:

“Trafikim i lëndëve narkotike”, e kryer në bashkëpunim, në formë të grupit të strukturuar kriminal, më shumë se një herë, parashikuar nga nenet 283/a/2 dhe 28 pika 4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal,“Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grup i strukturuar kriminal”, si dhe

“Grup i strukturuar kriminal”, e parashikuar nga neni 333/a/1 i Kodit Penal në rolin e drejtuesit.

1. Devid Patrut (alias Devid BORAJ, alias Elidon Skëndaj, alias Fatmir Pepaj), Ermir Ndreaj dhe Erion Alibej (alias Erion Dylgjeri, alias Andrea Dylgjeri), për kryerjen e veprave penale:

“Trafikim i lëndëve narkotike”, e kryer në bashkëpunim, në formë të grupit të strukturuar kriminal, (në episodin e 13.12.2020, Guajaquyil, Ekuador) parashikuar nga nenet 283/a/1 dhe 28 pika 4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grup i strukturuar kriminal”, si dhe

“Grup i strukturuar kriminal” parashikuar nga neni 333/a/1 i Kodit Penal në formën e drejtimit.

2.Klevis Hoxhosmani, për kryerjen e veprave penale:

“Trafikim i lëndëve narkotike” kryer në bashkëpunim, në formë të grupit të strukturuar kriminal parashikuar, më shumë se një herë (në episodet e datës 06-07.06.2020, Roterdam, Holandë; dhe 28.10.2020, Roterdam, Holandë) nga nenet 283/a/2 dhe 28 pika 4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grup i strukturuar kriminal”, si dhe

“Grup i strukturuar kriminal”, e parashikuar nga neni 333/a/2 i Kodit Penal në formën e pjesëmarrësit.

3.Ramazan Rraja, Plaurent Dervishaj, Amar (alias Dritan) Shkëmbi, dhe Amer (alias Ilir) Lloshi, për kryerjen e veprave penale:

“Trafikim i lëndëve narkotike”, e kryer në bashkëpunim, në formë të grupit të strukturuar kriminal parashikuar nga nenet 283/a/1 (në episodin e datës 28.10.2020, Roterdam, Holandë) dhe 28 pika 4 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grup i strukturuar kriminal”, si dhe

“Grup i strukturuar kriminal” parashikuar nga neni 333/a/2 i Kodit Penal në formën e pjesëmarrësit.

4. Julian Meçaj dhe Bledar Polovina, për kryerjen e veprave penale:

“Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal (me tipologjinë e krimit vazhdues, përgjatë periudhës janar 2020-mars 2021, kryer në formën e shitjesh dhe ofrimit për shitje), parashikuar nga nenet 283/1 dhe 28 pika 4 dhe 6 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grup i strukturuar kriminal”,

“Grup i strukturuar kriminal”, kryer në formën e drejtimit, parashikuar nga neni 333/a/1 i Kodit Penal.

Bashkim Haxhija dhe Endrit Sinani, për kryerjen e veprave penale:

“Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal (me tipologjinë e krimit vazhdues përgjatë periudhës janar 2020-mars 2021, kryer në formën e shitjesh dhe ofrimit për shitje), parashikuar nga nenet 283/1 dhe 28 pika 4 dhe 6 të Kodit Penal, në lidhje me nenin 334/1 të Kodit Penal, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”.

Nga aktet e administruara ka rezultuar se të pandehurit dhe bashkëpunëtorët e tyre kanë koordinuar me njëri-tjetrin në aktivitete të ndryshme kriminale edhe përmes komunikimeve në platformën e enkriptuar SkyEcc, të cilat janë administruar nga autoritetet e drejtësisë franceze në kuadër të ndihmës së ndërsjelltë juridike.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar e provuar se të pandehurit në bashkëpunim mes tyre, me persona të dënuar nga autoritetet e huaj, me persona të proceduar nga autoritetet shqiptare, apo persona ende të paidentifikuar, kanë trafikuar nga vendet e Amerikës Latine (Brazil, Ekuador e Kolumbi) dhe Spanja e Maroku për në vendet evropiane (Itali, Belgjikë, Spanjë, Holandë etj.,), si dhe kanë tregtuar dhe ofruar për shitje në këto shtete evropiane në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, sasi të konsiderueshme prej 8126 kg lëndë narkotike:

  • 7261 kg, lëndë narkotike e llojit kokainë
  • 590 kg, bimë narkotike e llojit hashash
  • 275 kg, bimë narkotike e llojit kanabis sattiva.

Në përfundim të hetimeve është konkluduar se të pandehurit Artur Hoxhosmani, Genti Nderjaku (alias Kili, alias Ekil Nderjaku), Nazmi Shahini (alias Drazhi), Devid Patrut (alias Devid Boraj, alias Elidon Skëndaj, alias Fatmir Pepaj), Ermir Ndreaj dhe Erion Alibej (alias Erion Dylgjeri, alias Andrea Dylgjeri), kanë pasur rolin e drejtuesit dhe financuesit në veprimtarinë e paligjshme që lidhen me narkotikët, ndërsa të pandehurit Klevis Hoxhosmani, Ramazan Rraja, Plaurent Dervishaj, Amar (alias Dritan) Shkëmbi, Amer (alias Ilir) Lloshi, Bashkim Haxhija, Julian Meçaj, Bledar Polovina dhe Endrit Sinani, kanë patur rolin e pjesëmarrësve.  

Prokuroria e Posaçme ka depozituar pranë gjyqtarit të seancës paraprake kërkesën për pushimin e hetimeve ndaj 3 (tre) personave nën hetim, të dyshuar për kryerjen e veprave penale të parashikuara nga nenet 283/a, 28/4, 333/a dhe 334/1 të Kodit Penal.

Bazuar në aktet e administruara gjatë hetimit, është konkluduar se, për një nga episodet e atribuuara të hetuarit Devid Patrut, ky i fundit është dënuar nga autoritetet belge të drejtësisë. Për rrjedhojë, në këtë rast gjen zbatim parimi i gjësë së gjykuar (ne bis in idem). Ndërsa, për të hetuarit Ilir Lloshi dhe Julian Pjetri u konkludua se fakti penal i atribuuar nuk ekzistonte ose nuk u arrit të provohej kryerja e veprave penale.

Hetimet rreth këtij procedimi penal janë zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet franceze, spanjolle, belge, britanike, holandeze, braziliane, italiane, ekuadoriane të drejtësisë, dhe Byronë Kombëtare të Hetimit, si dhe gjatë fazës së ekzekutimit të masave të sigurimit personal në bashkëpunim me strukturat e hetimit me Policinë e Shtetit.

Me qëllim identifikimin e bashkëpunëtorëve të të pandehurve që kanë marrë pjesë në aktivitetin e paligjshëm në fushën e narkotikëve dhe vijimin e hetimit pasuror/financiar kemi proceduar me ndarjen e akteve të procedimit penal nr. 184/3 të vitit 2024, dhe numërtimin si procedimi penal nr. 184/3.1 i vitit 2026.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.