TIRANË- Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit do të mblidhet të premten pa u njohur me dokumentacionin e plotë që ka sjellë SPAK, i cili kërkon arrestimin e Belinda Ballukut. Kuvendi ju ka shpërndarë 10 anëtarëve të Këshillit, vetëm kërkesën e prokurorisë, por jo provat mbështetëse që ndodhen në një USB, siç SPAK i ka dorëzuar, me argumentin se Prokuroria e Posaçme ka kërkuar që këto informacione të ngelen sekret dhe ndalohet publikimi i tyre.

Zyra e kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, i tha Report TV se gjatë mbledhjes së ditës së premte, ku marrin pjesë edhe prokurorët, do të diskutohet edhe si do të trajtohen këto dokumente sekret hetimor.

“Materiali me karakter “sekret hetimor” ndodhet në kasafortën e specialistit të protokollit për dokumentacionin e klasifikuar. Kjo çështje dhe mënyra e njohjes me këtë informacion do të diskutohen në mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, në prani të prokurorit të SPAK-ut”, thuhet në reagimin e Kuvendit për Report Tv.

Edhe pse Peleshi thotë se ka zbatuar rregulloren e Kuvendit dhe urdhrin e prokurorit, këto veprime vihen në pikëpyetje, për sa kohë, Rregullorja e Kuvendit ka këtë parashikim. Neni 118 i rregullores së Kuvendit thotë se “kërkesa dhe dokumentet shoqëruese për dhënien e autorizimit për caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi, ose heqjes së lirisë në çfarëdolloj forme, për kontrollin personal ose të banesës i paraqitet Kryetarit të Kuvendit nga prokurori. Kryetari ia dërgon kërkesën dhe dokumentet shoqëruese menjëherë për shqyrtim Këshillit për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet dhe vë në dijeni deputetin.”

Gazment Bardhi dhe më pas Sali Berisha, akuzuan Ramën se po fsheh provat që implikojnë kryeministrin.

“Dosja e sjell nga SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut, provon në mënyrë të plotë, se Edi Rama nuk po mbroka Belinda Ballukun, por veten e tij! Në fakt e kemi thënë që ditën e para, por ardhja e dosjes me të dhëna shtesë në Kuvend e dokumenton këtë me prova. Çfarë turpi, Kryeministër që merret me ndarjen e tenderave”, shkruan Bardhi.

Të premten do të mbahet seanca e parë për Ballukun në Këshillin e Mandateve. A pandehura mund të vijë vetë ose me avokatë, dhe mund të kërkojë kohë shtesë për tu mbrojtur.

Në mbledhje marrin pjesë dhe prokurorët e SPAK që paraqesin provat se pse duan ta arrestojnë zëvendëskryeministren që ka edhe mandat deputeti.

Në të shkuarën, Këshillit i janë dashur të paktën 2 mbledhje për të shqyrtuar kërkesën.

Rregullorja e Kuvendit nuk ka afat se kur duhet ta mbyllë shqyrtimin. Nga mbledhja e fundit e Këshillit, janë maksimumi 2 javë kohë për hartimin e raportit, i cili duhet të votohet në seancën më të parë.

Ligji ka vetëm një parashikim 3 mujor, brenda të cilit, nëse nuk merret një vendim, kërkesa e prokurorisë rrëzohet.

Socialistët nuk kanë bërë asnjë koment për çështjen, veç reagimit të parë të Edi Ramës që premtoi një vendim të qartë e të denjë, ndërsa ish deputeti Petro Koçi, është i vetmi socialist që publikisht i ka kërkuar dorëheqjen Belinda Ballukut.

Lajmi në përditësim....

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:22
Nuk u dha anëtarëve të Këshillit të Imunitetit provat për Ballukun, Kuvendi për Report Tv: Do pyesim SPAK, materiali është sekret hetimor, është në kasafortë

Kuvendi ka reaguar pasi Niko Peleshi nuk u dha anëtarëve të Këshillit të Mandateve USB-në e me provat e SPAK për Belinda Ballukun. Kuvendi thotë se “materiali me karakter “sekret hetimor” ndodhet në kasafortën e specialistit të protokollit për dokumentacionin e klasifikuar. Kjo çështje dhe mënyra e njohjes me këtë informacion do të diskutohen në mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, në prani të prokurorit të SPAK-ut.

Deklarata e plotë e Kuvendit për Report Tv

Kuvendi i Shqipërisë, në zbatim të dispozitave kushtetuese dhe të Rregullores së Kuvendit, si dhe të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, si edhe të urdhrit të prokurorit të çështjes “Për ruajtjen e sekretit hetimor dhe ndalimin e publikimit të akteve”, Kryetari i Kuvendit ka nxjerrë Urdhrin nr. 41, datë 16.12.2025, për thirrjen e mbledhjes së Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin.

Administrata e Kuvendit (Sekretaria e Këshillit) u vuri në dispozicion anëtarëve të këtij Këshilli aktet procedurale përkatëse, si edhe kërkesën dhe urdhrin e prokurorit për ruajtjen e sekretit hetimor, me detyrimin e shprehur që këto dokumente të mos bëhen publike.

Materiali me karakter “sekret hetimor”, në zbatim të Urdhrit të Prokurorisë së Posaçme, datë 16.12.2025, “Për ruajtjen e sekretit hetimor dhe ndalimin e publikimit të akteve”, i nxjerrë në mbështetje të neneve 103, 104 dhe 279 të Kodit të Procedurës Penale dhe nenit 295/a të Kodit Penal, mbart detyrimin e Kuvendit për zbatimin e këtij urdhri në ruajtjen e sekretit hetimor dhe ndalimin e publikimit ose shpërndarjes së akteve të tilla.

Materiali me karakter “sekret hetimor” ndodhet në kasafortën e specialistit të protokollit për dokumentacionin e klasifikuar. Kjo çështje dhe mënyra e njohjes me këtë informacion do të diskutohen në mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, në prani të prokurorit të SPAK-ut.

Gjejmë rastin të ritheksojmë edhe një herë, për të gjithë deputetët që janë vënë në dijeni, detyrimin për zbatimin e rreptë të ruajtjes së sekretit hetimor, në përputhje me urdhrin e prokurorit të çështjes. Të gjitha veprimet e deritanishme të Kuvendit janë të bazuara dhe në zbatim të Kushtetutës, Rregullores së Kuvendit dhe urdhrit të prokurorit.

Ora 13:24
Berisha: Peleshi i ka mbyllur provat e SPAK për Ballukun në kasafortë, nuk ia jep Këshillit të Mandateve se janë të llahtarshme

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha se kryetari i Kuvendit Niko Peleshi ka futur në kasafortë provat që SPAK ka paraqitur për kërkesën drejtuar parlamentit për heqjen e imunitetit të deputetit Belinda Ballukut.

Berisha thotë se Peleshi nuk ia dorëzon provat as deptuetëve të opozitës e as anëtarëve të Këshillit të Mandateve, pasi ato parqesin të dhëna të llahtarshme thotë demokrati, që e tregojnë Ballukun si shërbëtore të Edi Ramës.

Ndër të tjera, Berisha thotë se Partia Socialiste kërkon që të shtyjë seancën për votimin e heqjes së imunitetit të Ballukut për vitin e ardhshëm, por ai thotë se PD do të kërkojë mbledhje urgjente të parlamentit referuar Kushtetutës.

“Cilat janë zhvillimet? Zhvillimet vazhdojnë supermafioze. Pasi prokuroria paraqiti në parlament kërkesën për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Lubi Ballukut, ju e patë reagimin e menjëhershëm të Edi Ramës si udhëheqësi i reformës në drejtësi, udhëheqësi i vjedhjeve më të mëdha në historinë e Shqipërisë, la të kuptojë se ai nuk do t’i heqë imunitetin.

Se nuk do veprohet si në rastet e tjera, se do bëjmë një analizë të thelluar ëpr të shpëtuar menderen e tij. Tani, çfarë ka ndodhur tjetër? Gjëra që nuk kanë ndodhur kurrë. Prokuroria ka dorëzuar kërkesën dhe provat, se ku e bazojnë kërkesën e tyre për arrestimin e Lubi Ballukut. Niko Peleshi ka futur provat në kasafortë dhe nuk ua jep deputetëve të opozitës, anëtarë të komisionit të verifikimit të mandateve. Kjo nuk ka ndodhur kurrë. Nuk ua jep sepse provat kanë gjëra të llahtarshme, të cilat e tregojnë Lubinë thjesht një shërbëtore të Edi Ramës. Dhe ai nuk u jep dhe kërkon të mbledhë Këshillin e Mandateve pa dorëzuar të plotë dokumentet anëtarëve të Këshillit të Mandateve.

Ky është një akt antikushtetuese, antiligjor, një përpjekje e verbër për të mbrojtur me çdo çmim dyshen Rama-Balluku, dyshen më hajdute që ka pasur Shqipëria në historinë e saj. Kërkojnë që ta çojnë pas Vitit të Ri, ta spostojnë, madje edhe të mos mbledhin parlamentin gjersa të duan vetë. Deputetët e PD do të kërkojnë mbledhjen urgjente të parlamentit në përputhje me Kushtetutën. Dhe kjo është taksative, ndaj i them Ramës, mos u fshih pas fustanit të Lubi Ballukut. Por dil hajdut siç je, turpi i Shqipërisë, turpi i njeriut dhe njerëzimit. Çfarë manovrash bëhen kështu?”, tha Berisha.